(Me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Amerikës)
Avni Spahiu
Marrëdhëniet dhe kontaktet e Amerikës me shqiptarët datojnë më larg se ato të vendosura në kohë të vonë dhe tashmë kanë shënuar një qindvjetor. Roli i disa presidentëve amerikanë për të mirën e Shqipërisë, Kosovës, dhe shqiptarët në përgjithësi duhet të veçohen. Le të kujtojmë vetëm disa prej tyre:
Siç dihet tashmë gjerësisht, Presidenti Woodrow Wilson e shpëtoi Shqipërinë nga Konferenca e Paqes në Paris në vitin 1919, ku Fuqitë e Mëdha synonin të copëtonin më tej vendet e vogla, ku bënte pjesë edhe Shqipëria, për të ushqyer lakminë e pashuar të fqinjëve të saj. Një tjetër president i SHBA, Theodore Roosevelt ishte gjithashtu një mbrojtës i madh i Shqipërisë. Ai kishte qenë kandidat për Mbret të Shqipërisë dhe shqiptarët e kishin mirëpritur kandidaturën e tij. Europianët deshën të kishin një mbret europian. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u rrezikua sërish të zhbëhej, por SHBA, nëpërmjet presidentit Franklin D. Roosevelt, këmbënguli për ruajtjen e integritetit të saj. Presidenti Harry Truman donte të përfshinte Shqipërinë në programin Marshall Aid, megjithëse shteti komunist mbylli kufijtë për Amerikën dhe Perëndimin. Presidenti Dwight Eisenhower nëpërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Kryqit të Kuq gjatë viteve 1953-55 ndihmoi në furnizimin me ushqime për popullin shqiptar nën regjimin komunist…
Duhet të kujtojmë gjithashtu paralajmërimin kategorik të Presidentit John F. Kennedy më 29 nëntor 1962: “Nëse Bashkimi Sovjetik do të përpiqet të pushtojë Shqipërinë, pasojat ndërkombëtare do të jenë shumë të larta për të!. Sovjetë, mos e prekni Shqipërinë!”- u tha ai rusëve dhe Hrushçovit. Në fund të vitit 1996, ishte Presidenti Xhorxh Bush i Vjetri ai që erdhi në brigjet e Shqipërisë për të treguar mbështetje dhe për të sjellë një mesazh shprese për popullin e saj. Ai kishte vënë një vijë të kuqe edhe për Kosovën, në “paralajmërimin e Krishtlindjeve” më 4 mars 1992. “Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi”, i shkroi Bushi Millosheviçit.
Sërish, politika dhe diplomacia amerikane u vunë në lëvizje në vitin 1999, këtë herë për të mbrojtur Kosovën dhe popullin e saj. Presidenti Bill Clinton urdhëroi një ndërhyrje ajrore në Serbi. Në këtë mënyrë Kosova u shpëtua nga gjenocidi. Me ndihmën e Amerikës, popullsia e Kosovës u kthye në tokën e saj dhe filloi të ndërtojë një shtet ligjor dhe të pavarur.
Presidenti tjetër amerikan, George W. Bush vizitoi më 10 qershor 2007 Shqipërinë dhe nga Tirana deklaroi se Kosova do të shpallet shumë shpejt shtet i pavarur, gjë që u bë realitet më 17 shkurt 2008.Presidenti Obama vazhdoi mbështetjen parimore të SHBA-së ndaj Kosovës duke ndihmuar në konsolidimin e pavarësisë së saj. Presidenti Donald Trump po shprehte sërish qëndrueshmërinë e SHBA-së duke deklaruar se Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të gëzojnë mbështetjen e SHBA-së dhe NATO-s. Presidenti Biden, një përkrahës i vendosur i Kosovës në Senatin Amerikan, si dhe gjatë mandatit të tij si Zëvendëspresident dhe tani President i SHBA-së, treguan mbështetje për Kosovën.
Në raport me Kosovën, politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara ka qenë konsistente. SHBA e konsideron Kosovën si një nga aleatët dhe partnerët e saj. Në periudhën e pas-pavarësisë, Shtetet e Bashkuara vazhduan mbështetjen për Kosovën, në dy mënyra kryesore: përmes lobimit te qeveritë e vendeve të tjera për njohjen e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, dhe në kuadër të mbrojtjes dhe avancimit të shtetësisë së saj në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, duke luajtur një rol vendimtar në anëtarësimin e Kosovës si anëtare e plotë e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2009.
Në përgjigje të kërkesës së Serbisë drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për të vlerësuar aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në kontekstin e së drejtës ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara ishin avokatët më të zëshëm në mbrojtje të pavarësisë së Kosovës. Si rezultat i një angazhimi të tillë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në qershor të vitit 2010, shpalli mendimin e saj duke konfirmuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në harmoni me të drejtën ndërkombëtare.
Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ruajtur si të mira dhe të veçanta për Kosovën. Në pjesën më të madhe, secila qeveri e Kosovës ka qenë e kujdesshme në marrëdhëniet e saj me SHBA-në pa asnjë mosmarrëveshje të madhe në këto marrëdhënie. Jam i bindur se Kosova gjithmonë mund të dërgojë mesazhe të qarta në krijimin e një marrëdhënieje edhe më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që do të prodhonte një partneritet edhe më të dobishëm për shtetin e Kosovës…
Si popull, shqiptarët kanë një ndjenjë të thellë respekti për Amerikën. Nuk kam hasur në asnjë shqiptar, qoftë në Shqipëri apo në Kosovë, që të mos ketë shprehur mirënjohjen dhe admirimin e tij për mikun më të madh të shqiptarëve – Amerikën. Prandaj Kosova sot përfaqëson shtetin më pro-amerikan në botë. Megjithatë, mirënjohja më e mirë për çdo shqiptar sot është mbështetja për parimet demokratike dhe ndërtimi i një shoqërie të drejtë në vendin tonë. Duke mbështetur vlerat njerëzore për të cilat qëndron dhe lufton Amerika, ne do të kemi mbështetjen e vazhdueshme të Amerikës dhe miqësinë mes vendeve tona.
Do theksuar se në të gjitha marrëdhëniet shqiptaro-amerikane ka një përputhshmëri të vazhdueshme që ka të bëjë me frymën e përbashkët të lirisë dhe pavarësisë dhe respektimin e vlerave të demokracisë dhe njerëzisë. Dhe, kjo nuk është rastësi. Shqiptarët përgjithësisht gjithmonë ishin kuptuar lehtësisht me Amerikën, sepse ajo gjithmonë i dëgjonte dhe kuptonte aspiratat e tyre.
Si ambasador i parë i Republikës së Kosovës në Uashington, personalisht i jam mirënjohës shtetit dhe popullit amerikan dhe ndihem krenar që gjatë qëndrimit tonë në Uashington arritëm të kontribuonin në ndërtimin e këtyre raporteve duke bërë ndryshim në ndërtimin e marrëdhënieve miqësore dhe partneritetit të plotë ndërmjet dy vendeve./ KultPlus.com