Dukagjinçe

Poezi nga Azem Shkreli:

Po vinë argatët
Të heshtur. Të muzgët. Po vinë
Po vini. Err e terr
Brodhi arave të tyre dita
Po vinë. E poqën
Diellin e bakërt të bukës
Po vini. Po vinë
Me bimët mugullore ndër muskuj
Po vinë. Ditë argëtare
Grua që do t’ua mbash mend farën / KultPlus.com

Botohet libri ‘Lirika e dashurisë’-Arapi dhe Shkreli, të autores Serafina Lajçi

Këto ditë Shtëpia Botuese ‘Olymp’, botoi veprën me studime letrare me titullin  ‘Lirika e dashurisë” Arapi dhe Shkreli, të autores Serafina Lajçi, përcjellë KultPlus.

Objekt i këtij studimi është lirika e dashurisë e poezisë së Fatos Arapit dhe Azem Shkrelit. Kjo lirikë, e shprehur me një figuracion të pasur dhe me një mjeshtëri poetike është ndër lirikat më të realizuara të dashurisë në poezinë shqipe. Krijimtaria poetike e këtyre dy poetëve të mirënjohur, Arapi dhe Shkreli, e pasuroi poezinë shqipe me elemente, veçori dhe tendenca të reja ideoartistike dhe stilistike.

Arapi dhe Shkreli, krijuan në një kohë të përbashkët, i pari në gjysmën e dytë të viteve ’50, dhe i dyti në etapën e parë të këtyre viteve, atëherë kur letërsia shqipe i ishte nënshtruar censurimit të saj, si pasojë e problemeve të shumta ideologjike, në mes të ish Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Kjo ndikoi që letërsia e Kosovës për periudha kohore të caktuara, të mbetej krejtësisht e larguar dhe e veçuar nga letërsia që krijohej brenda territorit të Shqipërisë. Në këtë periudhë kohore, zë fill krijimtaria poetike e Arapit dhe e Shkrelit, e cila duke filluar rrugëtimin e saj nga trevat rajonale të Vlorës dhe të Rugovës, erdh dhe u zhvillua më tej, duke zënë vend në panteonin e vlerave të poezisë shqipe.

Poezia e tyre, e përshkruar nga motive të shumta, shpërfaq spektre të gjera që sjellin koloritin e mjedisit të cilit i përkasin poetët, duke u nisur kështu nga vetvetja, drejt një konceptimi universal. Krahas lirikës atdhetare, sociale, meditative, të peizazhit, që zë një pjesë të konsiderueshme të krijimtarisë poetike të tyre, lirikae dashurisë tek këta dy poetë, mund të thuhet më shumë të drejtë që arrin kulmin e talentit të tyre krijues. Dashuria për gruan, dhembja që sjell kjo dashuri, tensionimi dhe çekuilibrimi shpirtëror, reflektohet fuqishëm në vargun poetik të Arapit dhe të Shkrelit.

Kjo lirikëe dashurisë që i përshkon poezitë e këtyre dy poetëve, ndonëse nuk shfaq vëllimshmëri, në krahasim me motivet e tjera të poezisë së tyre, zë një vend të veçantë në lirikën erotike shqipe. Nëse tek Arapi, tema e dashurisë është e pranishme që në fillimet e tij poetike, por që më vonë shkon duke u rrudhur, tek Shkreli, lirika e dashurisë zë një vend të rëndësishëm, ndonëse jo me vëllim të madh.

Duke u nisur nga ky aspekt dhe duke marrë parasysh konceptin e ndryshëm tematik dhe motivor të këtyre poetëve për dashurinë, studimi i nënshtrohet dy metodave, metodës analitike, përmes së cilës do të njihet më afër poezia e tyre erotike me të tëra elementet e saj, dhe asaj krahasimtare, që do t’i vë ballë për ballë Arapin dhe Shkrelin, qëllim ky që do të shërbejë për t’i njohur më mirë veçantitë e njërit kundrejt tjetrit. Thelbi i lirikës erotike të këtyre dy poetëve, në mënyrë përmbledhëse do të shpaloset bashkë me historikun dhe zhvillimin periodik të lirikës në përgjithësi, veçmas asaj shqipe, për të shpalosur kështu një informacion më të plotë tëlirikës erotike dhe rrugëtimit të saj nëpër kohë, si dhe vendin e caktuar të Arapit dhe të Shkrelit në të.

Studimi është i ndarë në disa kapituj: “Etimologjia e poezisë lirike, (termi, tipat, zhvillimi historik)”, “Në vend të biografisë, Arapi dhe Shkreli, Deti dhe Mali”, “Lirika e dashurisë në fillimet e krijimtarisë poetike- etapa e parë”, “Lirika e dashurisë në etapën e dytë krijuese”, “Në botën poetike erotike të Arapit”, “Një vështrim mbi mjeshtërinë dhe veçantinë krijuese të Arapit dhe të Shkrelit” dhe Përfundimi.

Tek kapitulli i parë, sikundër u cek më lart, do të shpaloset historiku i lirikës, që nga antikiteti gjer në kohët e sotme, duke u ndalur në manifestimin e lirikës erotike dhe vendin e saj në letërsinë shqipe, që nga krijimet popullore gjer tek poezia bashkëkohore; tek kapitulli i dytë, do të vihet në pah binomi deti-mali, si komponent i rëndësishëm në poezinë erotike të Arapit dhe të Shkrelit; tek kapitulli i tretë do të trajtohen fillimet e poezisë erotike të këtyre dy poetëve, gjegjësisht konceptimi dhe qasja e tyre mbi dashurinë dhe ndikimet e tyre të para; tek kapitulli i katërt do të veçohet krijimtaria poetike e Shkrelit, gjegjësisht vëllimi “E di një fjalë prej guri”; tek kapitulli i pestë poezia erotike e Arapit, elementet dhe veçantitë e saj; tek kapitulli i gjashtë do të shpalosen veçoritë e poetikës, stili, figurshmëria dhe veçantitëkrijuese të Arapit dhe të Shkrelit, si dhe pjesa e fundit e që është përfundimi.

Duke iu qasur në mënyrë sa më përfshirëse lirikës së dashurisë të këtyre poetëve, synohen të arrihen qëllime dhe rezultate të caktuara. Duke e vënë në pah fazën e parë të krijimtarisë poetike të tyre, gjegjësisht poezinë e dashurisë në fillimet e saj, dhe duke e gërshetuar, krahasuar me atë të periudhave më të mëvonshme, do të arrihet një njohje më e plotë e konceptit krijues të këtyre poetëve mbi dashurinë, të ndryshimeve dhe të zhvillimeve që do të shfaqë ky lloj i poezisë së tyre gjatë etapave krijuese të saj.

Biografi e autores

Serafina Lajçi u lind më 17.07.1989 në Pejë, ku kreu shkollimin fillor dhe atë të mesëm. Vijoi studimet bachelor dhe master në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Letërsisë Shqipe, ku aktualisht është duke ndjekur edhe studimet e doktoratës.

Interesimi i saj profesional lidhet kryesisht me veprat e autorëve romantikë shqiptarë, me fokusim tek ‘Poema romantike arbëreshe’ që është orientimi i saj kryesor në studimet e doktoratës.  

Ka botuar shkrime, recensione dhe studime në gazeta e revista letrare-kulturore, brenda dhe jashtë vendit, duke marrë pjesë edhe në konferenca të organizuara ndërkombëtare për letërsinë.

Aktualisht, punon si asistente e rregullt në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë. / KultPlus.com

‘Kënga e turpshme’ e Azem Shkrelit nën interpretimin brilant të Aurela Gaçes (VIDEO)

“Kënga e turpshme” e Azem Shkrelit është një nga poezitë e tij më të shkurtra por më kuptimplota, ku vargu të merr me dhimbjen e njeriut që bart në vete borxhin ndaj atdheut.

Kur këto vargje të një poeti të rrallë siç ishte Shkreli, bashkohen me zërin brilant të këngëtares Aurela Gaçes që dëgjohet çdo ditë e më shumë, bëjnë që vargjet të përjetohen në shumë dimensione artistike e të prekin shpirtin lehtë shpirtin e brendshëm. KultPlus sot ju përcjellë interpretimin e Aurela Gaçe.

Sonte
Qava sonte për ty
Arbëri
Nuk më vjen turp
Pse qava
Më vjen turp pse s’munda
Të bëj tjetër
Nga turpi qava.
/ KultPlus.com

Sot 83 vjet nga lindja e poetit Azem Shkreli

Azem Shkrelí ishte një poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Librat e tij me të njohur me poezi janë: Bulzat, Engjujt e rrugëve, E di një fjalë prej guri, Nga bibla e heshtjes, Pagëzimi i fjalës, Nata e papagajve , “Lirikë me shi, Zogj dhe gurë. Ndërsa në prozë ai shquhet sidomos me romanin e tij “Karvani i bardhë”.

Azem Shkreli u ngjit në maje të letrave shqipe dhe vazhdon të mbetet i tillë falë thesarit që ka lënë si pjesë e letërsisë shqipe. / KultPlus.com

Koha e krymbave

Poezi nga Azem Shkreli:

Dalin kryezezë, kryeverdhë, nga vullnet i vrimave
Turren terr në sy, myshqeve, mendimeve, muranave


Trup e tërthori u bien trupave të palëndshëm
Sa marrin trok lëngatave, sa kalirojnë ligësive


Lakmojnë krymbas, zbirojnë, gropojnë, krymben
Në kenaqesi të zeza, gëzohen zi, cimbojnë me të zezë


Marshim i jargët i tyre zvarret tryezave, shikimive
Bien në dy gjunjë, luten të marrë mot i lemashekët


Hipin shoq me shoq dhe shpallin kremten e krymbave
Shih si levrijnë, si i shtyn me gisht të madh koha


Shenjti i Shënkoll, po tallemi apo na mori krymbëria?! / KultPlus.com

Në rrugë

Poezi nga Azem Shkreli

Tash jam diku larg teje, larg vedi

dhe – ku me dijtë kah më tresin

udhëkryqet e shumta t’jetës?

Jam ba përshëndetje e harrueme e kalimtarëve,

jam ba lot e kangë,

jam ba betim i rrugëve dhe rreze e shkrepun

majë gurit.

Tash jam diku larg teje, larg vedi

dhe – ku me dijtë ku sosin

fijet e këputuna t’kësaj kange?

Jam ba pre shitimi i syve zjarr,

jam ba bekim e namë,

jam ba zog e re n’krah t’agsholeve t’bardha?

Tash jam diku larg teje, larg vedi

dhe – ku me dijtë kah m’tresin

udhëkryqet e shumta t’jetës?!/ KultPlus.com

Ese për mediokër

Azem Shkreli

Për kulturën e një populli, jo vetëm për kulturën, koha më e ligë është koha e mediokërve. Jo pse ata sjellin e krijojnë kohën e ligë, sado që i ndihmojnë të krijohet, por se me shfaqjen dhe praninë e tyre tregojnë sa është ora në një kulturë e shoqëri. Shfaqja e mediokërve bëhet shpejt, vërshuese, pushtuese dhe pastaj sunduese. Ajo nxjerr krye në tregun e lëkundur të vlerave dhe merr misionin përmbysës të këtij tregu. Interesi i mediokërve është pikërisht lëkundja, zhvendosja, dhe përmbysja. Mediokrit janë në mënyrë latente, të armiqësuar me hierarkinë e vlerave. Ata janë të interesuar ta shkonstituojnë dhe ta shpërbëjnë përherë rregullin civilizues të kësaj hierarkie. Jo për të përsosur dhe ngritur shkallat dhe pikët kulmore të saj, të cilat s’i arrijnë dhe s’i prekin dot, po për t’i rrafshuar ato, për t’i shpallur të gabuara, joekzistente, dhe të padrejta ndaj tyre, sipas kaçikut të tyre të cilin e cilësojnë pikërisht hapat e imtë e të vocërr, mundësitë e kufizuara krijuese e vepruese. Mediokrët kanë një epërsi të pakontestueshme. Ata përherë bëjnë shumicën. Ky raport i favorit të tyre është i përhershëm. Kjo ndodh për shkak të një fakti përherë të pandryshueshëm dhe, për fat të mirë, të pamëshirë: Asnjë kulturë, asnjë fushëveprim i rëndësishëm, në asnjë kohë dhe në asnjë histori nuk ka patur fatin që shumicën ta bëjnë më të mirët krijues e veprimtarë, më të mirat vlera. Atë përherë e kanë bërë dhe do ta bëjnë ata që ndodhen përfundi tyre dhe nga masa e të tillëve rekrutohet përherë armata e madhe e mediokërve.

Duke qenë shumicë, mediokrit rreshtohen e organizohen shpejt dhe pa mosmarrëveshje të mëdha. Si rreth njerëzish të cilët i afron dhe i lidh fat i njëjtë, domethënë i horizonteve, i prirjeve e i mundësive të kufizuara, ata krijojnë shpejt rrjetin e tyre, duke pushtuar sa më shumë hapësirë, rreth vetes i rreshtojnë e i afrojnë të vetët, domethënë ata të cilët i dinë si veten, sepse mes të njëjtëve e të barabartë për nga mundësitë, jo por për nga pamundësitë, konkurenca nuk është as e drojshme as e vështirë. Ajo u jep të gjithëve gjasë të barabartë të duken e të dallohen sado pak apo të mos dallohet asnjëri më shumë seç e konsiderojnë ata të lejueshme. Ndaj as lufta për të zënë e mbajtur kryet e karvanit, kur bëhet mes tyre, nuk është aq e ashpër. E vërteta, ata të gjithë bëjnë një karvan pa krye. Ata regjenerojnë, dhe shumëzojnë vetëveten. Pushteti i tyre, si pushteti i shumicës, përmes këtij lloji të barazimit të hansavet, që është një barazim të paaftësh, mund të zgjasë me pasoja të shumëanshme dhe të shumëfishta.

Mbretëria e mediokërve shtrihet me agresivitet të posaçëm në kulturë, në art, në shkencë, në të gjitha fushat e ndjeshme e të rëndësishëm të jetës shoqërore. Ata nxitohen të marrin në duart e veta pikat kyçe të vlerësimit, të gjykimit, të vendosjes. Ata pushtojnë forumet, institucionet, mjetet e informimit publik, redaksitë, botimet, duke krijuar gjithandej dhe me shpejtësi të madhe mekanizma mbrojtës e refuzues ndaj shfaqjes, afrimit dhe depërtimit të kujtdo që mund t’ua kërcënojë shansën e madhe. Dhe rrethi i tyre mbyllet. Nga ky rreth që ka prirja për zgjerim e shtrirje epidemike imitohen zëra të rremë të forumeve, të institucioneve, të kulturës, të shkencës, zëra të rremë të mediumeve, të opinionit dhe, qoftë larg, të popullit, të kombit. Imitohen, pra, zëra të “shumicës”. Mediokrët bëhen pozitë, sepse përfaqësojnë pozitën e shumicës. Të tjerët, ata që nuk i përkasin këtij rrethi të tyre, këtij lloji të shumicës, ata të cilëve u është përcaktuar fati të bëjnë përherë pakicën, janë opozitë. Radha e peshës dhe e shkallëve të vlerave çrregullohet. Promovohet anarkia e kompetencës së mendimit e të gjykimit kritik.

Asnjë vepër, asnjë vlerë e njëmendtët më nuk është e gjerë. Hapësira krijuese dhe verpruese në cilëndo fushë që përfshin lëngata e tillë mbushet me zbrazëri dhe amulli nëpër të cilën e kanë zor të lëvizin dhe të bëjnë shenj ide, projekte, vepra dhe vlera të njëmendëta. Nëse nuk kapërthehen nga merimanga e heshtjes dhe indeferencës lënguese, e cila mbulon përherë mykun e amullive të tilla, ato do të goditen patjetër nga injorime, mënjanime, minimizime, margjinalizime e diskualifikime gjithëfarësh. Sepse smira e mediokërve nuk duron të prishet rendi i studimit të saj. Ajo shqetësohet seriozisht nga çdo e arritur serioze e tjetrit, ajo rebelohet, xhindoset, bëhet ndëshkuese.

Gjë të re s’kemi thënë po thamë që strukturat e burokracive administrative dhe politike asnjë herë s’kanë dëshmuar vullnet e interesim të konfrontohen me regjime mediokrish dhe ky fakt nuk është i pashpjegim. Paaftësinë, mosprirjen, mosdijen dhe moskompetencën e tyre mediokrit përherë e kompensojnë me dëgjueshmëri shembullore.

Një grimëz konsideratë mbase gjendet për këtë raport brinjas mes mediokërve e krijuesve. Gjersa të parët, duke u përpjekur të nxjerrin kokën sado pak dhe në çfarëdo mënyre nga gëzhoja e trishtuese e anonimitetit, përpiqen për ekzistencë, të dytët përpiqen për më shumë se aq: ata përpiqen për rezultate që dallohen, që bëjnë shenjë, që bëjnë vlerat, për kulme që lëvizin zhvillimin. Dhe nëse në motivin e të parëve, megjithatë, ka diç njerëzore, motive i të dytëve është dyfish njerëzor dhe i domosdoshëm. Fatkeqsia e mediokërve, e kohës që i pjell dhe jona që i kemi, është se ata kurrë nuk janë të zotët ta kuptojnë këtë fakt.

Të përsërisim dhe ta përfundojmë: Për kulturën e një populli, jo vetëm për kulturën, koha më e ligë është koha e mediokërve. Cila është kjo koha jonë dhe sa është ora?/ KultPlus.com

Në Dyseldorf u mbajt manifestimi letrar “Azem Shkreli”

Të dielën, më 20 shtator në Virtschaftsklub në Dyseldorf është mbajtur manifestimi letrar „Azem Shkreli“ 2020.

Në kushte të Pandemisë COVID 19 manifestimi u mbajt me pjesëmarrje të redukuar duke iu pëeshtatur rregullave në fuqi, thuhet në një njoftim të dërguar nga kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani, organizatore e aktivitetit.

Salla e Wirtschaftsklubit në Dyseldorf ishte e rregulluar për 40 pjesmarrës dhe u mbush e tëra. Manifestimit i parapriu kënga me vargjet e Azem Skrelit „Kënga e turpit“. Mirëseardhje të pranishmëve ju uroi kryetari i LSHAKSH- në Gjermani z. Pal Sokoli.


Manifestimin e pershëndetën biznesmeni dhe humanisti io njohur z. Lazim Destani, përfaqësuesi i Ambasadës së Maqedonisë veriore, përfaqësia në Bon z. Burhan Caraja, Kryetari i nderit i LSHAKSH – në Gjermani z. Martin Çuni, Imami i Qendrës islamike në Dyseldorf dhe kryetar i Unionit të Qendrave islamike shqiptare në Gjermani z. Mensur Halili dhe Shoqata e Femrës shqiptare ne Dyseldorf.

Në fjalën kryesore për Azem Shkrelin, Pal Sokoli kishte përfshirë mbresa nga z. Ismail Kadare, Dritero Agolli dhe Don Lush Gjergji, ku përshkruhej veprimtaria letrare-artistike e Azem Shkrelit.

U vazhdua si tradicionalisht me Orën letrare ku poetët pjesmarrës lexuan poezi kryesisht kushtuar Azem Shkrelit. Poezi lexuan: Dibran Demaku, Martin Çuni, Sead Ramadani, Sadri Gashi, Angjelinë Krasniqi, Mehdi Ibrahimi dhe Pal Sokoli.

Pas Orës letrare u promovuan edhe dy vepra të reja të anëtarëve të LSHAKSH-në Gjermani.
U prezantua libri dokumentar i Martin Çunit, “Feniks në Kalvar“ për të cilin referoi poetja Angjelinë Krasniqi dhe libri poetik i Sead Ramadanit, “Në kthetrat e kohës“ për të cilin referoi Pal Sokoli.

Në fund të manifestimit u ndanë tri mirënjohje. Njëra prej tyre iu nda Sylejman Gashit (post mortem). Po kështu mirënjohje iu nda edhe z. Dibran Demaku për aktivitetet e vazhdueshme pranë Lidhjes që nga themelumi e deri ditët e sotme.

Një mirënjohje  tjetër iu nda Shoqatës se Femrës Shqiptare „Dora D‘ Istria“ nga Dyseldorfi për aktivitete të vazhdueshme dhe kontribuese për integrimine gruas shqiptare në rrethin ku jeton, për të cilën falënderoi kryetarja Znj. Lindita Kryeziu.

Artisti Abdullah Gjongecaj e përshëndeti këtë manifestim duke apeluar qe të koordinohen shoqatat dhe aktivitetët dhe të përkrahen nga institucionët.

Hajredin Ibrahimi u ndal me shumë të aktivitetet tona për tu bërë faktor që tërheq interesimin e institucioneve.

Manifestimi i djeshëm në një ambient të mrekullueshëm ishte një vazhdim tradite edhe pse në kushte pandemie.

Pas manifestimit, nikoqiri kishte siguruar pije dhe ushqime. Pjesëmarrësit patën rastin të kalojnë se bashku, në bashkëbisedim me njëri tjetrin.

Konkursi tradicional i këtij manifestimi kësaj radhe nuk u mbajt dhe veprat konkuruese u mbajtën për vitin tjetër. /albinfo/ KultPlus.com

Publikohet lista e poezive kualifikuese në “Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli 2020”

Konkursi letrar “Takimet Ndërkombëtare Letrare Azem Shkreli 2020” ka bërë të ditur listën e poetëve pjesëmarrës, të cilët do të priten në qytetin e Pejës në datat 23-24 shtator, shkruan KultPlus. 

KultPlus ua sjell të plotë listën e poetëve pjesëmarrës vendas për këtë vit: 

  1. Albana Zirka – Zgjoni ndjenjat e vrara 
  2. Elizabeta Gocaj – Kush jam unë të të jap ment ! 
  3. Ergisa Doko – Nje gote e mbushur 
  4. Fjolla Gashi -Me t’dashtë
  5. Marjola Dashi- Jaupi – Në Limbus
  6. Naxhie Berbati Kastrati – Pëshpëritej
  7. Zoica Gjolla Popi- E Larë Me Yjet
  8. Odise Plaku- Dashuri me djallin
  9. Ramadan Beqiri – Atdheu
  10. Zhaneta Barxhaj -Ti, je si cigarja e parë 
  11. Fran Ukcama – Engjujt tanë pellumba rreth zotit 
  12. Rami Kamberi- E, frikshme…
  13. Shqipe Hasani – Midis stuhive unat e paqes 
  14. Vijoleta Allmuça – Mendim për lirinë
  15. Anton Marku – Larg sa një ëndërr
  16. Elida Rusta- Kam me e gjetë nji shteg 
  17. Ramë Oraca – Mirë u pafshim fati im 
  18. Rozafa Shpuza – Rrugës për Kosovë

Gjithashtu në konkursin letrar do të marrin pjesë edhe autorë të huaj si Laura Garavaglia nga Italia, Agnieszka Lessmann nga Gjermania, Catherine Graham nga Canada dhe Kurt Gostentschnigg nga Austria/ KultPlus.com

Rri drejt!

Poezi nga Jevrem Bërkoviq

Përktheu Azem Shkreli

Edhe kur të të mundin
(Të mundurve vetëm kjo u mbetet),
Edhe kur zgjedhën ta venë në qafë
Edhe kur këmbanën në fyt ta varin,
Edhe kur të heqin në vargonj qeni,
Edhe kur thonjtë t’i çkulin me darë,
Edhe kur varrin ta gërmojnë,
Rri drejt!
Le të shohin se vetëm ashtu di.

Rri drejt!
Rri drejt edhe kur të çlirohesh
Çlirimtari është çlirimtar
Nëse rri krejtësisht drejt.
Ç’na duhet Çlirimtari i kërrusur!
Rri drejt!
Liria është barrë e madhe njerëzore
Ndoshta më e madhe se çdo barrë.
Kush ngrihet nën atë peshë,
Ai është i lirë dhe i drejtë,
Atij nuk i duhet shkollë tjetër.

Rri drejt!
Edhe kur asgjë nuk të pranohet,
Kur të lënë pa medale e pa grada
Kur parzmën ta ndukin e krahët t’i lakuriqojnë
Kur je i dyshimtë e nën sogjë,
Kur edhe emrin në varr ta rrafin
Rri drejt!
Edhe kur pushteti yt të shpie në burg
Para tij patjetër drejtohu
Le të shohin
Përse ke luftuar dhe ke fituar. / KultPlus.com

Dritëro Agolli: Kur në Kosovë takova Azem Shkrelin

   

Azem Shkreli ishte nga shkrimtarët e parë të Kosovës që njoha nga afër. Nga ai kisha lexuar poezi dhe kisha dëgjuar të më tregonte ndonjëri, se jeton në Prishtinë një poet me emrin Azem Shkreli , se ka një pamje të tillë dhe se flet kështu apo ashtu dhe kaq. Por kur shkova për herën e parë në Kosovë në vjeshtën e 1972-së për Ditët e Poezisë që organizoheshin në Gjakovë e takova edhe Azemin mes grupit të shquar të poetëve të asaj ane të Shqipërisë.

Në fillim më bënë përshtypje lëvizjet e tij të përhershme si veriu. Ai ulej pak në tryezë dhe papritur ngrihej, shkonte të takonte ndonjërin, kthehej për të qëndruar pakëz në tryezë dhe ikte përsëri ,se dikush e priste në ndonjë anë. Por edhe kur rrinte në tryezë , shpesh heshtëte me sy të përhumbur diku dhe dukej sikur nuk dëgjonte asgjë nga ç’flitej. Vetëm kur fjala vinte tek poezia dhe tek arti në përgjithësi dhe kur ndizej ndonjë polemikë, sytë e tij dilnin nga përhumbja duke shkrepëtirë, shikonte me kokën mënjanë dhe pastaj hidhej për të pohuar apo mohuar ndonjë mendim . Atëherë harronte të lëvizte nga tryeza dhe bëhej një bashkëbisefues i mirë. Megjithatë ai nuk fliste shumë.

Kjo ishte përshtypja ime e parë në takimet e fillimit me Azem Shkrelin. Në ato takimet poetike të Gjakovës , ku lexonim nga një vjershë poetët pjesëmarrës , unë lexova disa vargje kushtuar nënës sime, që fillonin: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat, Atje në minder mbi një dyshemé, Më polli mua kur u kthye nga arat.

Azem Shkreli gjithë ato ditë që qëndrova në Prishtinë, sa më takonte , e bënte zërin si timin, më imitonte dhe përsëriste: -Dritëro! -Hë, Azem?-përgjegjesha unë. Dhe ai qëndronte para meje, duke më imituar në recitim dhe duke përsëritur vargjet: Nëna ime , e bukura Hatixhé, Më e bukura nga gjithë fshatarkat… Pastaj qeshte dhe tundte kokën: -E, Dritëro, nëna ime e bukura Hatixhé? Edhe ti boll i bukur ke dalë!… Kaluan vitet dhe ne u bëmë miq. Sa herë që vinte në Tiranë , kur ishte drejtor i Teatrit të Prishtinës dhe më vonë drejtor i Kosova Filmit, ne takoheshim herë në Hotel Dajti dhe herë në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, takoheshim edhe me Beharen, të shoqen e tij , një grua e dashur, e këndshme në kuvendime , e pashme dhe atdhetare.

Por më vonë , pas lëvizjeve për liri dhe pavarësi në Kosovë, në fillimin e viteve 80-të, dhe pas mbylljes së kufinjve , rrallë takoheshim. Vetëm në vitet 90-të , filluan përsëri të vinin në Tiranë poetët e Kosovës, si zogj shtegtarë, të vinin nga vendet e tjera të Evropës, nga Gjermania, Zvicra apo Austria. Ne këtej po nuk mund të lëviznim për në Kosovë për ato arsye që përmenda . Megjithatë , në vitin 1992, pas Mbrëmjeve Poetike të Strugës, unë dhe gruaja ime Sadija, morëm guximin dhe shkuam në Prishtinë , duke e kaluar kufirin me Maqedoninë së fshehurazi.

Në Prishtinë ne fjetëm atë natë gushti në shtëpinë e mikut tonë të dashur, Ali Aliut , që bashkë me të shoqen e tij Merza, grua fisnike dhe e palodhur për mysafirët, na pritën ngrohtë dhe mirë. Të nesërmen dolëm nëpër Prishtinë, e cila nuk e kishte atë gëzimin e njëzet vjetëve të shkuar , por dukej sikur ishte mbuluar nga një hije e rëndë si teneqe, hije e pushtimit të egër sërb. Nën këtë hije si teneqe ne u takuam me Rexhep Qosen, me Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e të tjerë. Mes tyre takuam edhe Azem Shkrelin. Ai na tha se gruan e kishte të sëmurë rëndë nga veshkat dhe ne vumë re një trishtim në sytë e tij . Por Azemi ishte i çuditshëm! Na ftoi për drekë në shtëpi , edhe se Beharen e kishte të sëmurë. Në shtëpi ne e gjetëm Beharen duke punuar për tryezën e mysafirëve. Kishte një fytyrë gati gri, fytyrë prej të sëmuri të vërtetë, por sëmundjen mundohej ta vinte poshtë me punën. U përqafuam dhe u ulëm bashkë me Ali Aliun , që ishte me ne. Pastaj erdhi edhe Ibrahim Rugova dhe një tjetër që nuk më kujtohet. U ul edhe Beharja në tryezë dhe ne shijuam gjellët e saj të mira. Azemi, në fillim i heshtur, u gjallërua. Duke pirë ne filluam të flisnim për politikën , dhe vetëm për atë, për gjendjen në Tiranë , për rrugën e demokracisë në Shqipëri, për genocidin sërb në Kosovë, për problemet e Lidhjes Demokratike e me radhë. Azemi, i menduar, donte t’ia ndryshonte drejtimin bisedës: -E po, si nuk folëm për letërsinë!- tha ai dhe psherëtiu. -Kur gjëmojnë topat, hesht muza!- përsërita unë një shprehje latine. Vërtet , Azemin e shqetësonte letërsia : si do ecte ajo në kushtet e reja të ndryshimeve demokratike pas rënies së sistemit të socializmit totalitar, cilat do të ishin raportet mes shkrimtarëve dhe çfarë lidhje do të kishin shkrimtarët e Shqipërive këtej dhe andej Drinit.

Këto shqetësime ai i kishte të sinqerta, pasi ishte një shkrimtar i vërtetë, një poet i shquar me një origjinalitet të papërsëritshëm. Ai është njê poet modern i një natyre të veçantë. Në poezinë e ti shkrihet fryma kombëtare me frymën evropiane me një harmoni të natyrshme, duke krijuar një variacion të lakmueshëm në artin poetik. Vargjet e tij janë metrikë dhe ametrikë , të matur e të lirë , po gjithmonë të shoqëruar me muzikalitetin poetik. Në to ndjehet shqetësimi për kohën dhe njeriun, kombin dhe lirinë. Në gjithë poezinë e Azem Shkrelit mbizotërojnë zogjtë dhe guri. Këto janë dy simbole apo metafora të qëndresës dhe ëndrrës , që përbëjnë jetën. Edhe vëllimi i fundit poetik , i botuar pas vdekjes, në qendër ka këto dy metafora. Këtë e tregon edhe titulli”Zogj dhe gurë”. Unë këtë libër e kam lexuar në dorëshkrim para nja dy muajve se të vdiste Azemi .Ai erdhi në shtëpi tek unë , si gjithmonë kur ndodhej në Tiranë , dhe ma dha dorëshkrimin në gjysma letrash . -Ky është libri im i fundit-tha ai. -Jo i fundit , por i gjashtëmbëdhjeti !- thashë unë duke qeshur. -Fjala që vjen !- tha ai i skuqur pakëz. Unë pastaj e pyeta për Ali Podrimjen se çfarë po bënte, biseduam për Fahredin Gungën dhe e kujtuam me dhimbje për vdekjen e tij të papritur.

Folēm për Din Mehmetin dhe për poezinë e tij , që unë e çmoj shumë, e me radhē. Pastaj kujtuam ato shtatë-tetë ditë të vitit 1992, kur ai bashkë me Ali Podrimjen banuan në shtëpinë time . Në ato ditë mbrëmjeve polemizonim për partitë e majta dhe të djathta në Shqipëri. Unë mbroja të majtën , ata anonin nga e djathta. Kur polemika ndizej. Azemi ngrihej në këmbë me kokën mënjanë dhe me duart në xhepa, ndërsa Aliu shtrihej në kanape me krahun nën qafë. Heshtnim për një çast dhe pastaj fillonim e lexonim vjetsha. Ata kishin qenë në Vlorē dhe kishin shkruar vargje me motive nga ai qytet dhe nga deti . -E , Azem? Poezia nuk na zemëron si politika!-thosha unë. -Po të mos ishte poezia , do të kishim ngrënë njëri-tjetrin , siç ke thënë ti njëherë!- kujtonte Azemi një thënien time të vjetër diku në ndonjë tryezë. Pas disa ditëve nga çasti që ma la dorëshkrimin “Zogj dhe gurë”, erdhi dhe e mori, doemos të përcjellë me lavdërimet e mia të përzemërta. Kur hyri në shtëpi ai ishte skuqur dhe merrte frymë me zor. – Janë të larta këto shkallët tuaja!- i tha ai Sadijes. Dhe këto ishin fjalët e fundit që dëgjova prej tij.

***

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.

Poezia e tij, shënoi kthesën e parë më të rëndësishme, në radhë të parë, duke e çliruar unin lirik intim nga ai kolektlv, duke skalitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj.

Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Vdiq në pranverën e vitit 1997. / KultPlus.com

Në vend të përshëndetjes

Poezi nga Azem Shkreli

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.

Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com

23 vjet nga vdekja e Azem Shkrelit


Azem Shkrelí ishte një poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Ka botuar këto vepra në poezi: Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fjalë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjit natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997. Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare.

Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit.

Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektiv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër.

Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive. / KultPlus.com

Sot 82 vjet nga lindja e poetit Azem Shkreli

Azem Shkrelí ishte një poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Librat e tij me të njohur me poezi janë: Bulzat, Engjujt e rrugëve, E di një fjalë prej guri, Nga bibla e heshtjes, Pagëzimi i fjalës, Nata e papagajve , “Lirikë me shi, Zogj dhe gurë. Ndërsa në prozë ai shquhet sidomos me romanin e tij “Karvani i bardhë”.

Azem Shkreli u ngjit në maje të letrave shqipe dhe vazhdon të mbetet i tillë falë thesarit që ka lënë si pjesë e letërsisë shqipe. /KultPlus.com

Nënat

Poezi nga Azem Shkreli

Ato lahen në gazin
Tonë në lotët e tyre.

Bëhen rojë murane
Te krojet e shterra të gjirit.

Në ballin tonë përherë
U bëjnë dritë shejte gishtat.

Ditët na i prarojnë dhe rrugët.
Me nga një bekim më t’mirin.

Me rrëmetën e krrusur t’moteve
Na ruajnë nga hijet e liga.

Një ditë shkojnë si të shkonin
Të mos vijë më vdekja.

E s’na kërkojnë asgë
Pos një grusht dhe mbi krye.

Shkojnë. E sa herë vdes nënë
Vdes nënëmira ime.

“Takimet Ndërkombëtare letrare Azem Shkeli” hap konkurs për poezinë më të mirё

Drejtorati për kulturë, rini dhe sport -Sektori i Kulturës i komunës sё Pejës me rastin e Manifestimit tradicional, “Takimet Ndërkombëtare letrare Azem Shkeli” i cili organizohet në Pejë mё 23 e 24 maj tё këtij viti, shpall konkurs për poezinë mё tё mirё tё lexuar gjatё manifestimit letrar, e cila do të shpërblehet nga juria e propozuar nga Këshilli organizativ dhe aprovuar nga DKRS. Tё gjithë të interesuarit, poezinё e tyre duhet ta dërgojnë deri mё 31 mars 2020, nё adresën elektronike: [email protected]

Poezia duhet tё jetё e pabotuar, tё mos jetё mё e gjatё se dy faqe kompjuterike si dhe me emër dhe mbiemër.

Poezitё e përzgjedhura do të publikohen.

Konkurs për çmimin “Bulëzat”

Drejtorati për Kulturë, Rini dhe Sport nё Pejë, shpall konkurs për çmimin “ Bulëzat” i cili për çdo vit ndahet për krijuesit e rinj në kuadër të manifestimit letrar ndërkombëtar “Takimet e Azem Shkreli” i cili mbahet mё 23 dhe 24 maj 2020 në Pejë.

Të gjithë krijuesit e rinj, duhet të mos jenë mbi njëzet vjeç dhe të kenë një libër me poezi të botuar pas edicionit tё TNL 2019. Çmimi “Bulëzat” ka për qëllim pyetjen dhe motivimin krijues. Të gjithё të interesuarit mund të konkurrojnë deri mё 30 prill 2020, duke i dërguar krijimet e tyre në këtë adresë: [email protected]

Autorët të cilët dëshirojnë ti promovojnë librat në kuadër të këtij manifestimi, duhet të dërgojnë kërkesat me shkrim, në adresën elektronike: [email protected]. / KultPlus.com

Para elegjisë

Poezi nga Azem Shkreli

Një ditë do t’i marrësh në gji
gjethet e rëna të stinëve të tua
dhe do të kërkosh kot veten
shtigjeve të harruara të një moshe
e nuk do të kesh më as flokë ere,
as shikim ylberi ta matësh fillin
dhe fundin e mashtrimit tënd të shkurtër.

Një ditë do t’i shpalosh vjetët tua
si pajën e nuses së vdekur
e do të numrosh fluturat e shkuara
t’agsholeve t’prenduara
e s’do të kesh më as zjarr në buzë,
as lot në sy të qeshën ngrohtë,
të qajsh rrejshëm dhe t’i mahnitësh
djelmoshat.

Një ditë dot’i hash buzët e tua,
gjurmët e tua do t’i pështysh
dhe secilin muzg do ta pagëzosh
me nganjë pendim që dhemb
e s’do te kesh me as sy deti,
as hap te hedhur sorkadheje
te shohesh si t’perqeshin gonxhet
dhe te ikesh prej hijes sate.

Ruaju, moj se vashat më të bukura
i vret bukuria e vet. / KultPlus.com

Në Rrugë

Poezi nga Azem Shkreli

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah më tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?

Jam ba përshëndetje e harrueme e kalimtarëve,
jam ba lot e kangë,
jam ba betim i rrugëve dhe rreze e shkrepun
majë gurit.

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë ku sosin
fijet e këputuna t’kësaj kange?

Jam ba pre shitimi i syve zjarr,
jam ba bekim e namë,
jam ba zog e re n’krah t’agsholeve t’bardha?

Tash jam diku larg teje, larg vedi
dhe – ku me dijtë kah m’tresin
udhëkryqet e shumta t’jetës?!

Azem Shkreli, pena origjinale bashkëkohore

Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë bashkohore shqipe. Me poezinë e tij, Shkreli përmes cilësisë së vargut, shënoi kthesën në rrjedhën e poezisë në Kosovë dhe Shqipëri, po ashtu. Tematika e gjerë e vargjeve shkreliane i këndoi heroit lirik, duke e subjektivizuar dhe solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj peshës së gjuhës e fjalës.

Furishëm, ai solli në poezinë e viteve pesëdhjetë këtë veçori, kur poezia ishte plot me patosin e euforisë kolektive.

Rrëfim ekskluziv i Lazim Destanit: Takimi im i fundit me Azem Shkrelin

Nga Bajrush Morina

Aeroplani i fluturimit nga Dortmundi i Gjermansë për në Prishtinë, më 27 maj të vitit 1997 po e sillte për herë të fundit në Kosovë një udhëtar të veçantë. Ky udhëtar zbriti lehtë shkallëve të aeroplanit në Aeroportin e Prishtinës, u skajua pak nga rreshti i udhëtarëve, u ulë në tokë, puthi tokën dhe iu lut asaj (tokës) që tash e tutje t’ia bënte një vend edhe atij…Prej atij momenti shpirti i Azem Shkrelit u ngjit te Engjujt në qiell e trupi i tij (Guri i rëndë peshon në vend të vet) pushoi i qetë në tokën e vendit të vet, në Kosovë! Azem Shkreli shkoi në amshim dhe u bë i pavdekshëm!

Më 7 korrik të vitit të kaluar – 2018, rastësisht (rasti mbret i botës) po merrja pjesë në ceremoninë e dorëzimit të Flamurit amerikan për biznesmenin dhe filantropin e njohur shqiptar Lazim Destani, nga kongresmeni Eliot Engel. Ceremonia e dorëzimit të flamurit amerikan u mbajt në selinë e Kongresmenit Engel në Nju Jork pasi muaj më parë ishte votuar propozimi për këtë dekoratë për z Destani nga Kongresi amerikan në Uashington.
Pasdite në një nga restoranet më luskoze të Nju Jorkut, gjatë një dreke të përbashkët, bashkë me gazetarin e botuesin e gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” z Vehbi Bajramin dhe bashkëpunëtorët e z.Destani po dëgjoja një rrëfim sa interesant aq edhe mbresëlënës. Fjala ishte për Azem Shkrelin!

Kështu përveç Vehbiut, miku ynë i përbashkët doli të jetë edhe Azem Shkreli.
“Një ditë më parë Azemi erdhi në zyrën time në Dortmund dhe më tha: Lazim ma prej një biletë njëdrejtimëshe për Prishtinë!, I thashë pse një drejtimëshe, merre kthyese, shko rri sa të duash, tako familjarët e miqtë e tu e kthehu! Jo, më tha, Lazim kësaj here dua biletë një drejtimëshe! Në raste të tilla Azemi ishte pak kokëfortë”, nisi rrëfimin e tij Lazim Destani, biznesmen, filantrop i njohur shqiptar e mik i ngushte i Azem Shkrelit.
“Ishte e kotë të ktheja mendjen Azemit. Ai këmbënguli që bileta të jetë njëdrejtimëshe! Të nesërmen më 27 maj të vitit 1997 e përcolla në Aeroport, e ula në ulëset e përparme të Aeroplanit dhe i thashë: Kthehu mos u vono! Rri sa të duash dhe kur të mërzitesh atje, ma bën një telefon dhe ta bëj gati biletën për kthim! Ai vetëm luante kokën në shenjë pohimi dhe më falënderonte me buzëqeshjen e tij karakteristike për pritjen dhe përcjelljen që po i bëja atij…E ndjeja se Azemi nuk dukej si më parë…më dukej pak më i qetë se herave tjera, fliste shumë pak dhe herë pas here shiqimin e trette jashtë dritareve të aeroplanit. U përshëndetëm para se të nisej aeroplani. Unë zbrita e ai u ngrit në qiell…Ky ishte takimi im i fundit me Azemin. Unë pata fatin e dhimbshëm që të jem personi i fundit që u përshëndeta me Azem Shkrelin para se ai të shkonte në amshim!”.
Ky rrëfim i Lazim Destanit më ka mbushur sytë me lot. Lazimi po fliste qetë dhe herë pas herë me plot mallëngjim për Azemin dhe unë po e dëgjoja këtë rrëfim për herë të parë, për një takim të fundit dhe për një ndarje të fundit të Azemit nga ne, nga kjo botë!

Rreth 4 vjet më parë, më 1993, kisha patur fatin që të takoja dhe të miqësohesha me Azemin në Munih të Gjermanisë. Bashkë me mikun tim Sokol Topallin, madje në një moment u kujdesëm edhe për shëndetin e Azemit. Kur Lazim Destani përmendi fjalën “…kokëfortë” mu kujtua një moment i rëndësishëm i jetës së Azemit në marsin e vitit 1993. Ai po kollitej rëndë, kishte temperaturë dhe rrinte gjithë kohë i shtrirë në dhomën e tij në vilën Valberta të Tucingut në periferi të Munihut. Kishte fituar bursë për një qëndrim 6 mujor nga Ministria për Kulturë e Bavarisë së Gjermanisë. Unë pata fatin që ato ditë të qndroja me Azemin. E shihja se nuk ishte mirë. Disa herë i thoja; “Azem hajde shkojmë te mjeku!

Hajde burrë gjysmë ore punë, ta jep ndonjë hap a barnishte dhe të kalon! Shkojme të një doktoreshë, jo te ndonjë doktor gjerman me qehre të rëndë!!!” Ai nuk lëvizte nga shtrati. Ashtu i shtrirë, vinte dorën mbi ballë dhe më thonte: “Jo he burrë se kalon! A shkon tan ky burrë të mjeku!”
Kur një ditë e pa se ishte lodhur së tepërmi, më tha: “A të shkojmë djalo të ajo doktoresha e bardhë…vec thuj asaj se nuk merrë “gjilpana”, një burrë si unë nuk “shpohet me gjilpana” nga një grua doktoreshë” dhe në fytyrën pak të zbehur u shfaq një fije buzëqeshje. Atëbotë Azemi e mori veten.
Lazim Destani fliste sa me krenari aq edhe me mall për Azemin. E kishte mik për krye kreje. Njiheshin prej shumë vitesh. Azemi në Gjermani e kishte derën e hapur gjithë kohën te Lazimi. Ishin miq të vjetër.
Kjo fotografi që po e botojmë për herë të parë flet për miqësinë e përhershme të Lazim Destanit me Azem Shkrelin.
Në 22 vjetorin e amshimit të Azemit, të gjithë ndjejmë dhembje, mallëngjim por edhe krenari për jetën edhe veprën e Azemit. Familjarët ia lënë ende një vend në sofër, miqtë e tij poetë edhe sot thurin vargje për Azemin e Lazim Destani edhe sot e kësaj dite e ka “pikë në zemër” pse nuk ia preu biletën kthyese Azemit, së paku ta kthente edhe njëherë të gjallë në Dormtund të Gjermanisë!

Rrëfimet për Azemin nuk kanë të ndalur ashtu siç vargjet e tij nuk ndalin rrjedhën e tyre në rrjedhat e letërsisë shqipe./botasot / KultPlus.com

22 vjet nga vdekja e Azem Shkrelit

Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997.

Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit.

Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin “Karvani i bardhë” si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin “Sytë e Evës”, që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër.

Vdiq në pranverën e vitit 1997. /KultPlus.com