Projekti i ri i financuar nga Bashkimi Evropian përdor artin dhe kulturën për të promovuar përfshirjen sociale në mbarë Kosovën

Prishtinë, Kosovë – Një nismë e re e titulluar Iniciativa e Barabar (shkon) në komunitet, e cila është lansuar zyrtarisht këtë muaj, synon të shfrytëzojë fuqinë e artit dhe kulturës për të promovuar përfshirjen, kohezionin dhe pjesëmarrjen demokratike në mbarë Kosovën.

Financuar nga Bashkimi Evropian dhe udhëhequr nga Integra në partneritet me Qendrën për Veprime Afirmative Sociale (CASA), projekti dyvjeçar do të mbështesë organizatat e shoqërisë civile (OSHC) me bazë në komunitet, gratë artiste dhe aktiviste dhe punonjësit lokal të kulturës për të udhëhequr përgjigjet kreative ndaj disa prej sfidave sociale më urgjente të Kosovës.

“Duke krijuar hapësirë për zërat e nismave me bazë në komunitet, veçanërisht grave dhe komuniteteve e nënpërfaqësuara, ndërtojmë një platformë për dialog, kreativitet dhe ndryshim civil”.

Në qendër të nismës është Rrjeti Barabar në Komunitet (BGN), një kornizë e re bashkëpunimi që do të bashkojë së paku 15 OSHC-të me bazë në komunitet dhe 10 artiste nga e gjithë Kosova. Nëpërmjet trajnimeve të përshtatura, nën-granteve dhe ngjarjeve bashkëpunuese, anëtarët e BGN do të zbatojnë nismat lokale dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e politikave kombëtare, veçanërisht në fushat që lidhen me përfshirjen sociale, pjesëmarrjen kulturore, drejtësinë tranzicionale dhe barazinë gjinore.

Projekti BIG bazohet në mësimet e nxjerra nga Qendra Barabar në Prishtinë, një hab kulturor ndëretnik i nisur në vitin 2023. Ky projekt e zgjeron këtë model përtej kryeqytetit dhe në komunitetet lokale, duke ofruar mbështetje për ata që tashmë janë duke punuar në vijën e parë të përfshirjes dhe angazhimit qytetar.

“Arti dhe kultura nuk janë vetëm shprehje, ato janë mjete për shërim, fuqizim dhe ndryshim politikash”

Materialet informuese publike, duke përfshirë një broshurë dhe njoftime e ardhshme për aktivitetet e radhës, janë në dispozicion në faqet e internetit dhe kanalet e mediave sociale të partnerëve të projektit./ KultPlus.com

‘Shpirti’ shfaqja premierë sonte në Qendrën Barabar

Në Qendrën Barabar në Prishtinë, sonte nga ora 20:00 jepet premiera e shfaqjes “Shpirti” me regji të Agim Selimit, bashkëprodhim ky me Artpolis.

Kjo shfaqje është e bazuar në veprën e njohur të Brian Weiss, e cila sjell në skenë një rrëfim prekës mbi jetët e mëparshme, rimishërimin dhe fuqinë e dashurisë në përballjen me dhimbjen emocionale dhe çrregullimet mendore. Një udhëtim përmes ndërgjegjes dhe kujtimeve që tejkalojnë kohën!

Në qendër të dramës janë Katerina, një grua e rraskapitur nga ankthi dhe depresioni dhe Dr. Briani, një psikiatër që guxon të eksplorojë kufijtë e shkencës dhe shpirtit. Shfaqja jetësohet nga aktorët Albionë Sahiti dhe Drin Berisha.

“Shpirti” është një histori që trajton thellësisht shëndetin mendor, rimishërimin dhe fuqinë e shërimit përmes dashurisë dhe ndërgjegjësimit shpirtëror.