Ura dhe brigje

Poezi e shkruar nga Bardhyl Londo.

Ne jemi si dy brigje të një lumi,
përjetë përballë, përjetë të ndarë,
natën ndërtojmë në ëndrra një urë,
ditën mbetemi të huaj si më parë.

Ne jemi si dy brigje të një lumi,
(Fat të rendë paskan, e dashur, brigjet!)
Ne ëndrra qajmë e qeshin bashkë,
ditën të flas, ti s’më përgjigjesh.

Dhe në mos me pafsh një ditë ne vendin tim,
përballë teje në mos me pafsh një natë,
mos u beso fjalëve qe thonë të kam harruar,
besomë mua: jam shndërruar në Rozafë.

Një urë të ngre të lidhen brigjet,
me ditë e mia, me ëndrrat do ta mbaj,
të vij të mbështes kokën mbi supin tënd
dhe të hesht, të qesh, të qaj.

Na janë mbaruar fjalët

Poezi e shkruar nga Bardhyl Londo.

Na janë mbaruar fjalët.
Buzëqeshja ka mbetur në mes të udhës.
Ç’të bëjmë?
të shkojmë a të mos shkojmë për një kafe
në pallat të Kulturës?
Tavoline e zakonshme
tej dritares qyteti vishet në muzg.
një gote ujë për të dy,
kafja jote mbetur përgjysmë,
imja pirë me fund.
përgjysmë, përgjysmë, përgjysmë,
fjala,
buzëqeshja,
ledhatimi,
si dy shina paralele përjetësisht të provuara nga ndarja,
përjetësisht nga takimi.
Sa here t’i puthja sytë e bukur,
papritur binte briri i kushtrimit.
Kohë e ashpër :
Ne që ishim aq të etur për njeri-tjetrin
të ndarë na duhej të vdisnim.

Requiem

Poezi nga Bardhyl Londo.

Pasi i hëngrën të gjitha banketet,
Pasi i shijuan të gjitha presidiumet,
Pasi i morën të gjithë çmimet, të gjithë titujt,
Pasi i bënë të gjitha udhëtimet jashtë shtetit,
Befas një mëngjes folën krejt ndryshe:
Atë që kemi puthur, ta pështyjmë tani.

Dhe zgjatën duart prapë drejt banketeve, çmimeve,
titujve, udhëtimeve…
Rituali i ripërtypjes filloi në remaxhor:
përtyppështy, pështypërtyp…

Zoti të ruajt, demokraci!

Vetën e vrasim përditë

Vetën e vrasim përditë
në tavolina
të pista kafenesh
në rrjeshta
të ndytë gazetash
në qarqe
prapësish, intrigash
vritemi
në një vdekje të ngadaltë
dhe, oh, zot,
s’arrijmë ta kuptojmë vetëvrasjen tonë
vjen pastaj një cast
merr revolverin
këmbëza
nuk hiqet
ke vdekur prej kohësh
i vdekuri nuk vetvritet./KultPlus.com