Kisha e Shën Nikollës në Paftal të Beratit, vlerë e shtuar për turizmin kulturor

Kisha e Shën Nikollës në fshatin Paftal të Beratit, është e tipit bazilikal me tre nefe dhe tavan të rrafshët. Kisha është ndërtuar në mars të vitit 1875, sipas mbishkrimit, i cili gjendet i gdhendur mbi gur, jashtë portës perëndimore të kishës.

DRTK Berat shkroi në një postim online se, kjo datë mendohet se i përket ndonjë rindërtimi apo meremetimi të kishës, pasi para kësaj date kisha përmendet prej Anthim Aleksudhit, në botimin e tij (Korfuz, 1868). Gjithashtu edhe në traditën gojore të banorëve të zonës thuhet, se kisha ekzistuese është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe më të hershme.

Monumenti i atribuohet punës së kryemjeshtrit usta Veliko nga Opari i Korçës. Në ditët e sotme kjo kishë prezantohet si një nga objektet e kultit me vlera të rëndësishme historike -arkitektonike dhe për nga pozicioni gjeografik i vendndodhjes së saj ajo është një vlerë e shtuar si për turizmin kulturor në qarkun e Beratit, ashtu edhe një vend i rëndësishëm pelegrinazhi për besimtarët./ atsh / KultPlus.com

Bujtinat karakteristike të Beratit, mikpresin vizitorë vendas e të huaj

Ish banesa e Llambi Kolovanit, sot bujtina “Kodikët” e Vasilika Gogut, është një zgjidhje e arritur e variantit përpendikular me gjysmëkat. DRTK Berat shkruan se, banesa mund të jetë ndërtuar gjatë shek. XVIII.

Data 1842 e shkruar mbi dritaren anësore në pamjen jugore të banesës, mund të jetë koha e ndonjë riparimi, që i është kryer kësaj trashëgimie arkitektonike. Në katin e banuar, ambienti i dhomës së miqve, duket se ka pësuar një rindërtim të kompleksit fundor gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX.

Prej vitit 1961, kjo pasuri ndërtimore mban statusin juridik Monument Kulture, Kategoria I.

Një pjesë e madhe e banesave karakteristike të Beratit, janë restauruar dhe kthyer tashmë në bujtina mikpritëse të vizitorëve vendas e të huaj, numri i të cilëve, vitet e fundit ka ardhur gjithnjë në rritje.

Berati me kalanë e tij, kishat e xhamitë, lagjet karakteristike etj, të cilat bartin vlera historike, arkitektonike e kulturore, ka se çfarë t’u ofrojë vizitorëve të tij./atsh/KultPlus.com

Rama: Berati, spektakël magjik ngjyrash mbi shtëpitë e lagjes Mangalem

Festat e fundvitit e kanë zbukuruar qytetin e një mbi një dritareve si asnjëherë më parë.

Dritat festive të vendosura në të gjitha hapësirat publike e kanë shndërruar Beratin në një qytet vërtet magjik.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga lagjja Mangalem, në natën e Krishtlindjes.

“Berati në një spektakël magjik dritash, ngjyrash, historish e tingujsh mbi shtëpitë e lagjes Mangalem”, tha Rama.

Ndriçimi me drita shumëngjyrëshe është realizuar edhe në dy urat mbi lumin “Osum”, në urën Goricës dhe “Urën e Varur”, dritat e të cilave kanë reflektuar si një ylber mbi lumë.

Bashkia e Beratit ka ndezur dritat e pemës tradicionale të Krishtlindjeve, e cila është vendosur këtë vit në mes të lagjeve muzeale “Mangalem” e “Goricë”, ndërsa vezullimi i dritave ka mbuluar gjithë qytetin.

Dritat dhe zbukurimet janë vendosur gjithashtu në të gjitha pemët përgjatë Pedonales së qytetit si dhe në lagjet muzeale, ndërkohë që edhe rrugët janë mbuluar nga dekori festiv./atsh/KultPlus.com

“Beautiful Albania”, Rama publikon foto të urës së Goricës, në Berat

Berati, qyteti i një mbi një dritareve, po mirëpret një numër gjithnjë e më të lartë turistësh, në të gjitha stinët e vitit, ndërsa qeveria po investon në disa vepra infrastrukturore në këtë zonë.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot foto të një prej urave më të bukura të periudhës së perandorisë osmane në Shqipëri, e ndërtuar në shek. XVIII, asaj të Goricës që lidh qytetin me lagjen e të njëjtit emër.

Ajo harkohet në mes me një elegancë të theksuar, me këmbët e saj të cilat zbresin nga 10 metra lartësi mbi dy anët e shtratit të lumit Osum. Shtatë harqe, parmakë prej druri, e “dritare” të vogla, të cilat shpeshherë duken si fytyra njerëzish, i japin kësaj ure një pamje të rrallë.

Berati, tashmë qytet i UNESCO-s, të ofron ndër të tjera plot shtëpi të epokës otomane, struktura mbresëlënëse të kështjellës dhe kishave mistike dhe xhamive, të vendosura në krah të kodrave dhe maleve që kanë në mes lumin Osum.,

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.

Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit./atsh/KultPlus.com

Fluks i lartë turistësh në Berat, deri tani 640 000 vendas e të huaj

Turistët e shumtë kanë mbushur rrugicat dhe kalanë e qytetit të  Beratit këtë sezon veror dhe sidomos në këto ditë të fundit të gushtit.

Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha sot për ATSH-në se “nga janari deri në 20 gusht Berati ka tërhequr 640 mijë vizitorë, një shifër e lartë si asnjë vit më parë”.

Sipas saj, fluksi më i lartë ka qenë në muajt maj-gusht.

“Pjesa më e madhe e turistëve vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe nga Azia , SHBA , Kanada dhe Australia. Në krye të listës janë turistët nga Gjermania, Polania, Spanjat, Franca, Italian etj”, tha Merdani.

Berati ka një sërë pikash turistike që zgjojnë interesin e turistëve disa prej të cilave janë Qendra Historike e qytetit, Kalaja, Gorica Mangalemi qe kanë pasuri UNESCO, Muzeu Ikonografik Onufri, Qendra Mesjetare, objektet e kultit Bizantin dhe Xhamitë e vjetra të periudhës Otomane.

Vitet e fundit turistët kanë treguar interes edhe për atraksionet e eko-turizmit, fshatrat turistik Roshnik, Sinjë , Drobonik, kantinat e verës, aktivitetet rafting në Lumin Osum, ngjitje në malin e Tomorit, hedhje me parashuta nga Mali Shpirag, kanoe në liqenet e Tomorit, ecje me biçikletat malore në rrethinat e Beratit, vizitë në Kanionet e Osumit, pjesëmarrje në turret e gastronomisë në agrobizneset në fshatrat turistikë etj.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet që tërheq edhe më shumë turistë. Ajo është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës./atsh/KultPlus.com

Fluks vizitorësh, 300 mijë turistë vizitojnë Beratin në periudhën janar-qershor

Qyteti i një mbi një dritareve, një dëshmi e pasurisë dhe e diversitetit të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike, ka shënuar një numër të lartë vizitorësh për periudhën janar-qershor të këtij viti.

Drejtoresha e Turizmit dhe Aktiviteteve në bashkinë e Beratit, Silvi Merdani tha sot për ATSH-në se “në janar-qershor Berati u vizitua nga 300 mijë vizitorë vendas e të huaj”.

“Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të jashtëzakonshme të numrit të vizitorëve gati 50% më shumë se vitin e kaluar”, theksoi Merdani.

Sipas saj, turistët janë kryesisht nga Polonia, Gjermania, Spanja, Italia, Franca, etj.

“Lagjja Mangalem, kalaja dhe lagjja Goricë janë tre nga sitet më të vizituara nga turistë vendas dhe të huaj në qytetin e Beratit.Por përveç këtyre turistët tregojnë interes edhe për Kanionet e Osumit, muzeun “Onufri”, objektet e kultit, kishat dhe xhamitë”, theksoi Merdani.

Vitet e fundit qytetarët beratas i kanë kthyer shtëpitë e tyre në lagjen Mangalem dhe Goricë në bujtina dhe hotele për të mikpritur vizitorët e shumtë, të cilët tashmë qëndrojnë nga dy ditë ose edhe më shumë për t’u njohur më mirë me historinë dhe kulturën e këtij qyteti të lashtë.

Në rritjen e fluksit të vizitorëve këtë vit kanë ndikuar edhe aktivitetet e shumta të organizuara nga bashkia, si festivale, teatër kukullash, teatër për të rritur, fundjavat e muzikës live në pedonale, ekspozita, etj.

Kalaja e Beratit është një nga atraksionet më piktoreske në zonë. Kjo kështjellë e epokës romake ulet sipër një kodre shkëmbore në bregun e majtë të lumit Osum me pamje nga qyteti i Beratit.

Numri i vizitorëve ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe ky sezon veror ka pritshmëri të lartë jo vetëm në Berat, por edhe në destinacionet e tjera turistike të vendit.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit./atsh/KultPlus.com

Punime restaurimi në Muzeun Etnografik në Berat

Në Muzeun Etnografik në Berat po vazhdojnë punimet e restaurimit ndërsa deri tani janë bërë punime në: suvatimin e fasadave në eksterier si dhe suvatimet në interierin e muzeut.

Gjithashtu, është realizuar vendosja e tavanit në “Dhomën e Çiftit”, restaurimi i tavanit tek “Dhoma e Miqve”, drenazhime rreth gjithë perimetrit të objektit, instalimet elektrike, restaurimi i trarëve në tavanin e Çardakut, si dhe lyerja e tyre me antimol e vaj lini.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat bën me dije se restaurimi i gjithë çatisë së muzeut si dhe shumë punime të tjera restauruese, si dritaret e dyert, tashmë janë në proces pune.

Kohët e fundit rezulton se vizitueshmëria në muzetë e vendit tonë është rritur ndjeshëm.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ndau dje në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve në muzetë e vendit, ku grafiku ka ardhur gjithnjë në rritje, nga 2020 deri më 2023-shin, gjë që dëshmon se trashëgimia kulturore tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë dhe një nga arsyet është kujdesi i shtuar ndaj siteve arkeologjike e muzeve./ atsh / KultPlus.com

Agron Polovina lë detyrën si drejtor i Qendrës Muzeore në Berat

 Pas 9 vitesh në krye të Qendrës Muzeore në Berat, piktori i njohur Agron Polovina lë detyrën për të vijuar me të tjera projekte.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Margariti shprehu mirënjohjen për punën e Polovinës në krye të Qendrës Muzeore të Beratit duke e cilësuar si bashkëpunëtor të vyer.

“Mirënjohje për punën në qytetin e mrekullueshëm të Beratit, për nismat që kemi çuar bashkë përpara dhe suksese në rrugën e artit dhe trashëgimisë kulturore”, tha Margariti.

Polovina më parë ka drejtuar edhe Galerinë e Arteve, Edward Lear, Departamentin e Grafikës së Liceut Artistik dhe Drejtorinë Rinore të Bashkisë, të gjitha në Berat. Ka studiuar në Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës. Është diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve të Tiranës, Dega Pikturë dhe Grafikë, në vitin 1993. Ka marrë pjesë në projektet për restaurimin dhe katalogimin e trashëgimisë kulturore./atsh/KultPlus.com

Turistë nga Franca, Spanja dhe Gjermania vizitojnë Qendrën e Muzeumeve në Berat

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat ka pritur kohët e fundit një numër të madh vizitorësh, kryesisht të huaj.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina, tha për ATSH-në se Muzeun e Ikonografisë “Onufri”, në periudhën janar- 4 maj, e kanë vizituar 7971 vizitorë vendas dhe të huaj që rezulton gati dyfishi i të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.

“Vetëm në ditët e para të majit ka pasur më shumë se 1000 vizitorë, të cilët kanë qenë spanjollë, gjermanë, francezë, sllovenë etj”, është shprehur Polovina.

Rritja e numrit të vizitorëve është ndikuar edhe nga moti i mirë dhe afrimi i nisjes së sezonit turistik. Megjithatë duhet theksuar se Berati me trashëgiminë e tij kulturore e historike, po njeh një ngritje cilësore dhe të stabilizuar të turizmit, në të gjitha stinët e vitit.

Përtej një turizmi me qëllim çlodhjen, veçanërisht vizitorët e huaj, synojnë njohjen me artin e kulturën vendase, arkitekturën tipike osmane dhe historinë interesante të kësaj zone.

Ndër objektet më të vizituara në këtë qytet, i cili renditet si pasuri botërore e UNESCO-s, mbetet kalaja e Beratit, Muzeu Etnografik, Muzeu Onufri, lagjja Mangalem e Goricë, Teqja e Helvetive etj./atsh/KultPlus.com

Berat, ekspozohen zbukurimet e banesave dhe monumenteve të kultit

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat organizoi ekspozitën “Zbukurimorja në brendësi të objekteve monument kulture në Berat”.

Kjo ekspozitë u çel në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve Arkeologjike, e cila vjen si dita e ndërgjegjësimit, vëmendjes dhe promovimit të trashëgimisë sonë kulturore.

Në ekspozitë u prezantuan 20 panele me hollësi të zbukurimores që gjenden në banesa dhe monumente kulti.

Ato përmbajnë punime të gdhendjes ne dru, stuko reliev(allci), pikture murale dhe dysheme të ndërtuara me materiale guri, tulle, zaje lumi.

Në aktivitet morën pjesë kryetari i bashkisë Berat Ervin Demo, deputetë të qarkut dhe drejtues të institucioneve./ atsh / KultPlus.com

Veshjet popullore të Beratit ekspozohen në Apoloni

Ekspozita “Vishu me trashëgimi”,  një koleksion veshjesh popullore të qytetit të Beratit vazhdoi rrugëtimin duke u ndalur në Apoloni, si bashkëpunim midis Qendrës Muzeore Berat dhe Parkut Arkeologjik të Apolonisë.

Në këtë ekspozitë paraqiten një kolanë fotosh të realizuara në kuadër të programit “Edukimi përmes Kulturës”, në bashkëpunim me shkollën jopublike “Drita e Dijes” e të realizuara mjeshtërisht nga artisti Ardian Fezollari si një celebrim i një pjese të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit.

Ekspozita “Vishu me trashëgimi” do të qëndrojë e hapur deri në fund të muajit mars në Trapezarinë e Manastirit të “Shën Mërisë” (Muzeu Arkeologjik) në Apoloni. / atsh / KultPlus.com

Dyfishim vizitorësh në Qendrën e Muzeumeve në Berat

Vizitueshmëria në muzetë e Qendrës Kombëtare të Muzeumeve Berat, është dyfishuar.

Drejtori i QKMB, Agron Polovina, tha për ATSH-në se për vitin 2022 vizitueshmëria ka qenë 49 588 vizitorë vendas dhe të huaj, që krahasuar me vitin 2021, është pothuaj 200 % dhe që i afrohet nivelit të vitit 2019, përpara se të niste pandemia e Covid-19.

Rrjedhimisht, janë rritur edhe të ardhurat e Qendrës së Muzeumeve të Beratit. Në krahasim me 2021, të ardhurat kanë pësuar një rritje prej 227% ndërsa krahasuar me vitin 2019, kanë një rritje prej 131%.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. /atsh /KultPlus.com

Muzeu “Onufri” në Berat, pret vizitorët e parë të 2023

Muzeu “Onufri” në Berat vazhdon të zgjojë interesin e vizitorëve e sidomos atyre të huaj edhe në këtë fillim viti, me vlerat e koleksioneve të tyre.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve në Berat ndau sot në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve në këtë muze.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeumeve në Berat, Agron Polovina tha sot për ATSH-në se “muzeu ka qenë i hapur edhe ditën e djeshme dhe është vizituar nga çift gjermanësh, një grup me vizitorë italianë, por edhe shqiptarë”.

Muzeu Ikonografik “Onufri”, që mban emrin e njërit prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shekullit XVI, është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe të rindërtuar në vitin 1797 në lagjen “Kala”, e cila ka qenë katedralja e qytetit, që është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit.

Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë./ atsh / KultPlus.com

“Bonusi i Rijetësimit”, nis restaurimi i banesës Mbrica në Kalanë e Beratit

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat njoftoi se ka nisur puna për restaurimin dhe rijetësimin e banesës së familjes Mbrica. Banesa Mbrica gjendet në lagjen Kala të qytetit të Beratit dhe ka përfituar nga programi i Ministrisë së Kulturës, “Bonusi i Rijetësimit”.

Ndërhyrjet që do të realizojnë specialistët e DRTK Berat, përfshijnë rindërtimin në gjurmën e konfiguracionin origjinal të një shkalle guri të jashtme me qemer, e cila është rrëzuar. Do të bëhet gjithashtu pastrimi nga bimësia e inertet, nivelim e sistemim si dhe ngritjen e një pjergullate druri, dhe sistemimin e verandës për të shërbyer mëngjes.

Berati si qytet i mbrojtur nga UNESCO, është një nga përfituesit më të mëdhenj nga “Bonusi i Rijetësimit”, në kuadër të të cilit, në të gjithë vendin kanë nisur restaurime dhe rijetësime banesash me vlerë për trashëgiminë kulturore. /atsh / KultPlus.com

Murale në fasadën e pallatit, e para në peizazhin e Beratit

Në qytetin e Beratit për herë të parë ka nisur puna për shndërrimin e fasadave të pallateve në murale.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau në rrjetet sociale momente nga puna e artistëve në realizimin e muraleve në një pallat pranë shëtitores së qytetit.

Duke i cilësuar një histori në mur, Demo tha se “kjo është vetëm e para vepër artistike në peizazhin e Beratit”.

“Në muralen e parë është pikturuar Kalaja, motra e cila përjetoi zënkën e vëllezërve, Shpiragut me Tomorin, lotët e së cilës krijuan lumin Osum”, u shpreh Demo.

Muralet janë kthyer në atraksionin më të ri turistik në disa qytete të vendit, ku syri kureshtar i qytetarëve mahnitet nga ngjyrat, ndërthurja e elementëve dhe sidomos nga mesazhet që transmeton ky art. / atsh / KultPlus.com

Shifra në rritje të vizitorëve në muzetë e Beratit

Berati vazhdon të jetë një nga qytetet më të frekuentuara të vendit, nga turistët e huaj e vendas.

Shifrat tregojnë se sezoni veror ka rezultuar i suksesshëm për Qendrën Kombëtare të Muzeumeve, Berat.

Edhe me këtë verë të nxehtë, muzeumet e QKM, Muzeu i Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik kanë qenë destinacionet më të preferuara të vizitorëve dhe turistëve vendas e të huaj në qytetin e Beratit.

Këto muze në periudhën maj-korrik 2022 rezulton të jenë vizituar nga 17280 vizitorë.

Ndërsa gjatë muajit korrik, muzeumet e Beratit patën 5629 vizitorë nga të cilët 1172 vendas dhe 4557 të huaj.

Kombësitë e turistëve të huaj janë kryesisht të vendeve europiane, si francezë, polakë, spanjollë, italianë, gjermanë, holandezë, etj./atsh/ KultPlus.com

Del në dritë ikona “Shën e Premtja me 4 shenjtorë”

Ikona “Shën e Premtja me 4 shenjtorë” doli në dritë në laboratorin e restaurimit të veprave të artit pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Berat.

Specialistët e DRTK Berat rikthyen në jetë këtë pasuri të trashëgimisë kulturore, me autor Kostandin Zografin.

“Puna e imtësishme, delikate dhe me pasion e restauratorëve të DRTK-Berat ka nxjerrë në dritë një tjetër vepër arti nga laboratori i restaurimit”, theksoi DRTK, Berat.

DRTK Berat ndau pamje para dhe pas restaurimit të ikonës “Shën e Premtja me 4 Shenjtorë”.

Kjo ikonë është gjetur në Kishën e Shën Kollit, në fshatin Vanaj të Fierit. Shën Kolli është një ndër shenjtorët më të njohur si për Kishën Katolike Perëndimore, por edhe për Kishën Lindore Ortodokse. Kulti i këtij shenjtori daton që në shek. VI ndaj edhe trojet shqiptare nuk përjashtohen për shkak të besimit dhe devotshmërisë së vjetër ndaj Krishtërimit.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Berat, ka si qëllim kryesor nxjerrjen e këtyre veprave të artit nga faza e degradimit duke i dhënë mundësinë e ekspozimit në vijimësinë e një procesi që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore./ atsh / KultPlus.com

Biblioteka në natyrë edhe në Berat

Në qytetin e Beratit është përuruar sot minibiblioteka e re në pedonalen e qytetit.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, u shpreh se biblioteka e re është tashmë një mundësi e mirë për të gjithë lexuesit.

Sipas tij, nën sloganin “Merr një libër, lër një libër” biblioteka është gjithnjë pranë qytetarëve të cilët do të gjejnë aty, libra për fëmijë ose të rritur, shqip ose anglisht.

“Mund të merrni një libër i cili u pëlqen dhe ta zëvendësoni me një tjetër që keni në shtëpi të cilin e keni lexuar”, tha Demo, teksa shtoi se modeli i bibliotekave të tilla i jep mundësi qytetarëve të afrohen më shumë me librin. / KultPlus.com

Vjen për herë të parë në Berat kampionati ndërkombëtar i hedhjes me parashuta

65 pilotë nga 7 vende të ndryshme fluturuan në qiellin e Beratit në kuadër të kampionatit ndërkombëtar të hedhjes me parashuta “Berati Open Air”.

Në këtë event sportiv, që u zhvillua në datat 11-13 mars, morën pjesë pilotë nga Shqipëria, Kanadaja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovenia dhe Bullgaria.

Drejtori i Eventeve dhe garave në Federatën e Aeronautikës së Shqipërisë, Alket Islami theksoi se kjo është hera e parë që organizohet një aktivitet i tillë në qytetin e Beratit.

“Jemi shumë të kënaqur nga mikpritja dhe organizmi që ka bërë pushteti vendor për këtë event të rëndësishëm botëror. Qëllimi i organizimit është që të kthenim Ditën e Verës në një festë të madhe të fluturimit. Teknikisht është një garë shumë e vështirë sepse kemi një lumë në mes siç është Osumi, i cili është shumë afër vendit të uljes së parashutave dhe kjo shkakton turbulenca e rryma të forta, duke e bërë të vështirë për pilotët marrjen e pikës maksimale që është pika zero”, tha ai.

Në përfundim të këtij kampionati, fitues i vendit të parë u shpall Adam Spirkoski nga Maqedonia e Veriut, në vendin e dytë Matjas Sluga nga Sllovenia dhe në vendin e tretë Xhonatan Islami nga Shqipëria./atsh/ KultPlus.com

Veshjet popullore të Beratit ekspozohen në Muzeun Arkeologjik të Durrësit

“Vishu me trashëgimi” titullohet ekspozita e hapur në Muzeun Arkeologjik të Durrësit, një koleksion veshjesh popullore të qytetit të Beratit.

Kjo ekspozitë u hap nga Qendra Muzeore e Durrësit dhe Qendra Muzeore e Beratit, me qëllim njohjen dhe promovimin e vlerave tona kombëtare.

Përmes kësaj ekspozite është sjellë pranë publikut durrsak një pjesë e çmuar e trashëgimisë beratase, veshje autentike dhe origjinale, të fotografuara mjeshtërisht nga Ardian Fezollari në mjediset e Muzeut Etnografik të Beratit.

“Vishu me trashëgimi” është një formë e re edukimi, ndërgjegjësimi e sensibilizimi në shërbim të njohjes së vlerave muzeale e trashëgimisë sonë kulturore. Veshjet popullore janë pa dyshim një pasuri e madhe e kombit shqiptar.

Ekspozita do të jetë e hapur deri në datën 11 shkurt, në pritje të vizitorëve nga qyteti i Durrësit. /atsh/ KultPlus.com

Kthimi në identitet i urës së Vokopolës në Berat

Ura e Vokopolës, monument kulture i kategorisë së parë në Berat, është kthyer në identitet pas punimeve restauruese.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore ‘Berat’ bën të ditur se “punimet u përqendruan në heqjen e betonit mbi kalldrëm, restaurimin e kalldrëmit me gurë lumi, konsolidimi i  muraturës së harkut të madh, pastrimi nga bimësia, etj.”.

Projekti për restaurimin e urës së Vokopolës u hartua dhe u financua nga DRTK Berat dhe Ministria e Kulturës.

Kjo urë, e cila lidh fshatin Vokopolë me atë të Tërpanit, përbëhet nga harku kryesor dhe nga dy harqe më të vegjël bregorë anash. Monumenti futet në tipin e urave me një qemer dhe me një dritare shkarkuese.

Ura është me kurriz të theksuar në kyç, gjë që i jep një pjerrësi të madhe kalldrëmit nga të dyja anët. Nga ana e majtë e urës ndodhet një mbishkrim, i cili për arsye të dëmtimit nga koha është i padeshifrueshëm.

Kjo urë mendohet të jetë ndërtuar rreth viteve 1750, gjatë kohës së Kurt Pashës së Beratit dhe ka shërbyer si pikë e rëndësishme në lidhjen e luginës së Osumit me luginën e Vjosës. / KultPlus.com

Kisha e Shën Gjergjit në Berat, objekti ku kanë lënë gjurmë ndryshimet historike

Në kishën e Shën Gjergjit në Berat vijon puna për kthimin e saj në identitet.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në kuadër të muajit të Trashëgimisë Kulturore solli sot në vëmendje punën që po bëhet në këtë monument kulture të ndërtuar në shekullin XVIII në Berat.

“Kisha e Shën Gjergjit në Berat, një objekt i veçantë, ku kanë lënë gjurmë ndryshimet historike”, – tha Margariti.

Kjo kishë, në vitet ’80, u transformua në një rezidencë dhe pikë turistike qeveritare dhe si rrjedhojë u shemb pjesa e sipërme e kishës, për të ndërtuar një imitim të shtëpisë karakteristike beratase.

Nga gjurmët që ruhen ende sot, duken muret origjinalë në katin përdhe, ku janë përdorur brezat e tullës së kombinuar me gurë.

Kisha e Shën Gjergjit ndodhet në anën juglindore të kalasë së Beratit dhe aktualisht ruan shumë pak nga ndërtimi i saj origjinal i shek. XVIII.

Një nga dëshmitë e para që kemi lidhur me arkitekturën e mëparshme të saj, është një imazh fotografik bardhezi nga agjencia LUCE gjatë viteve ‘40 të shekullit të kaluar. Në të duket se bëhet fjalë për një kishë tipmanastir, të rrethuar me mure prej guri dhe hyrje kryesore nga perëndimi.

Një element arkitektonik me rëndësi ishte prezenca e këmbanores me dy vendosje këmbanash në anën perëndimore të monumentit. Kisha, duke iu përshtatur terrenit shquhej për lartësinë dhe madhësinë e saj. Planimetria ishte drejtkëndore dhe në anën perëndimore ndodhej edhe një portik me kolonadë prej guri. Kisha e Shën Gjergjit është pjesë e monumenteve të tjerë të kulturës në Berat me vlera për trashëgiminë tonë kulturore. / KultPlus.com

The Telegraph: Bëni një pushim në Berat, para se ta bëjë pjesa tjetër e botës

Media britanike The Telegraph i ka kushtuar një artikull qytetit të Beratit. Nën titullin “Bëni një pushim në Berat, para se ta bëjë dhe pjesa tjetër e botës”, artikulli i gazetares Elise Morton, flet për bukuritë historike dhe natyrore të këtij qyteti muze.

ARTIKULLI

Rruga për në Berat ishte më e gjatë nga sa dukej në hartë. Edhe pse afërsisht 62 milje nga kryeqyteti shqiptar, Tirana, udhëtimi me autobus ose “furgon” zgjat dy deri në tre orë, zakonisht duke bërë një devijim jo plotësisht logjik në vendpushimin në qytetin bregdetar të Durrësit. Udhëtimi në jug kalon nëpër një numër fshatrash, ku autobusi lëviz në mënyrë të çrregullt për të marrë të tjerët që shkojnë drejt “qytetit të një mijë dritareve”.

Ishin këto dritare në dukje të pafundme, të vendosura brenda shtëpive të zbardhura, që siguruan një pjesë kryesore të listës për të vizituar për Shqipërinë, i hapur tani për vizitorët nga Britania. Këto shtëpi të mrekullueshme të epokës osmane, shumë me ballkone tradicionale të mbuluara, ngjiten në kodrat e thepisura që kufizojnë lumin Osum dhe janë ruajtur jashtëzakonisht mirë. Nuk është vetëm statusi i Beratit si një vendbanim i rrallë i paprishur osman që e bën atë të jashtëzakonshëm; arsyeja e mbijetesës së saj është po aq befasuese. Jo vetëm që qyteti mbijetoi ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës, i cili pa shumë trashëgimi arkitektonike myslimane të çmontuar si një mbetje e padëshiruar e periudhës osmane – është, në fakt, pjesërisht falë Hoxhës që arkitektura e tij mbetet dhe sot. Një nga vetëm dy qytetet që mori titullin muze nën regjimin e Hoxhës, Berati u caktua një “qytet muze” në 1961, duke i dhënë atij mbrojtje të veçantë nga planifikuesit e zellshëm urban.

Nëse spastrimi madhështor i shtëpive osmane është ëmbëlsira e kushtueshme, kështjella e shekullit të 13-të (Kala) është qershia shkëlqyese metaforike. E ulur në një kodër të ashpër me pamje nga qyteti, kalaja është një ngjitje e madhe nga qyteti i vjetër. Ne kaluam lart, duke iu shmangur gërmuesve dhe punëtorëve me lopata përgjatë rrugës kryesore drejt kalasë: përgatitjet për vizitorët ishin duke u zhvilluar. Rreth njëqind familje akoma jetojnë brenda mureve të Kalasë së madhe, shtëpitë e tyre të vendosura mes kishave bizantine, tezga që shesin dantella dhe restorante që shërbejnë mish të pjekur në skarë me ajvar (një erëz e ëmbël e bërë me piper të kuq dhe patëllxhan). Afrim, i cili shet reçel shtëpie dhe kishte hapur dyqan për atë ditë pranë rrënojave të ish Xhamisë së Kuqe, e gjen të arsyeshme që ai të shesë ushqime të rrethuara nga ndërtesa të shenjta: “Njerëzit ndonjëherë vijnë këtu për ushqim shpirtëror,” thotë ai, ” qyteti e siguron këtë, dhe unë siguroj një lloj tjetër ushqimi. ”

Arkitektura fetare e Beratit është një emblemë fizike e një kulture të thelluar të pranimit; qyteti vazhdon të dëshmojë për bashkëjetesën harmonike të bashkësive të ndryshme fetare dhe kulturore. Si një londineze mijëvjeçare, unë jam e prirur të kap thelbin e kësaj tradite. Sot, pas ndalimit të fesë nën regjimin e Hoxhës, fetë mbizotëruese janë Islami dhe Krishterimi, me myslimanët që përbëjnë shumicën.

Ndërsa në vitin 2014 Papa Françesku vlerësoi Shqipërinë si një shembull të tolerancës së jashtëzakonshme fetare, Berati është veçanërisht i rëndësishëm. Megjithëse shumë pohojnë se kjo është një trashëgimi pozitive e politikave të shtetit komunist, Berati mban thesare që japin një mendim më të gjatë të tolerancës. Midis tyre është Muzeu Ikonografik Kombëtar Onufri i qytetit, kushtuar ikonave bizantine dhe objekteve liturgjike. Muzeu është shtëpia e Ikona Burimi Jetedhenes të shekullit të 18-të, një ikonë ortodokse që përmban minaret në sfondin e saj dhe është bërë simbolike e bashkëjetesës fetare për të cilën Berati lavdërohet.

Pjesa më e madhe e qytetit është e dukshme nga kalaja; shtëpitë e zbardhura që mblidhen në bregun verior të lumit përbëjnë qytetin e vjetër historik, lagjen Mangalem. Kjo zonë tradicionalisht myslimane është shtëpia e tre xhamive të mëdha: Xhamia Mbret (ose Sulltan) e shekullit të 15-të; Xhamia e Plumbit e shekullit të 16-të; dhe Xhamia e Beqarit e shekullit XIX. Përtej lumit, përtej shtëpive të Mangalemit, qëndron lagja Gorica, kryesisht e krishterë. Këto pjesë të qytetit janë të lidhura nga Ura e mrekullueshme Gorica, e bërë fillimisht prej druri në 1780 dhe e rindërtuar me gur në vitet 1920. Vendi i legjendave lokale që përfshijnë birucat dhe shpirtrat e këqij, ura tani është një pikë e nxehtë për të ushqyer të rinjtë që dëshirojnë atë foto të përsosur të profilit. Këto fotosesione shërbejnë si një kujtesë prekëse e Trashëgimisë Botërore të Unesco-s apo jo, Berati është një qytet i shekullit 21. Një kalim i shpejtë përmes Instagramit është i mjaftueshëm për t’ju ​​thënë se qyteti qëndron në pragun e ndryshimit: ndikuesit dhe blogerët, vendas dhe ndërkombëtarë, kanë filluar të depërtojnë.

Në vëzhgimin e horizontit nga kalaja, syri tërhiqet nga një kube e artë shkëlqyese. Ky nuk është një imitim i shkëlqyeshëm i ndërtesës së Kapitolit të SHBA, por një universitet. E themeluar në vitin 2009, Universiteti Shqiptar në Berat është fytyra shkëlqyese e marshimit gradual të qytetit përpara, dhe një përpjekje për të tërhequr një demografi më të re në këtë qytet.

Nora nëntëmbëdhjetë vjeçare u transferua këtu nga një fshat rreth 40 minuta larg, pasi kishte kaluar vitin e saj të parë të studimeve duke udhëtuar me furgon: “Vendosa të lëvizja këtu, edhe pse është më e shtrenjtë sesa të qëndrosh në shtëpi. Doja të përjetoja jetën në një qytet më të madh”, thotë ajo.

Më pak shkëlqyes por po aq domethënës, kodrat përreth Beratit kërkojnë vëmendjen tonë ndërsa ne admirojmë peizazhin nga Kalaja. Shikoni nga afër faqen e malit të lartë Shpirag dhe do të vini re një mesazh nga e kaluara, i konfiguruar si një vend i kujtesës dhe reflektimit kolektiv. Në vitin 1968, në kulmin e regjimit komunist, një brigadë fshatarësh vizatuan emrin “ENVER” në anën e këtij mali për nder të Hoxhës. Të larta 100 metra, shkronat gati u fshinë nga një sulm napalm nga qeveria e parë e zgjedhur në mënyrë demokratike e Shqipërisë në 1994, por më vonë u rivendosën nga vendasi Sheme Filja. Në vitin 2012, si pjesë e një dokumentari, ai nisi një ribërje delikate por radikale të mesazhit. Filja ndërroi dy shkronjat e para, duke lënë fjalën “KURRË (NEVER)” si një shprehje e jashtme e një kërkese të brendshme: kurrë më, kurrë. Koha nuk qëndron për askënd, as për Hoxhën.

Ylli i kuq me pesë cepa që vazhdon të ngrihet mbi varrezat partizane të qytetit e ndërlikon këtë premtim. Ndërsa shkronjat e bardha të pikturuara të malit Shpirag thonë “kurrë”, mbetje të tilla të epokës komuniste duket se shfaqin një spektakël më të nuancuar që pasqyron, pranon dhe afirmon të kaluarën komplekse të qytetit, politikën dhe popullsinë. Por përsëri, mbase kjo ishte e pritshme. Siç mishërohet nga shkronjat e ripunuara ndaj Hoxhës, Berati është i prirur të përshtatet. Vizitojeni tani që gjërat janë mirë. / KultPlus.com