‘Po të vijë pushtuesi në qytet, ta bëni të hajë dhé, të rrojë përmbi zjarr’

Nga Bertolt Brecht
Përktheu nga gjermanishtja Petraq Kolevica

Po të vijë pushtuesi te ju, në qytet,
Ta bëni t’i duket që s’e ka pushtuar vërtet.
Askush ndër ju atij të mos i japë çelës,
Se ai s’vjen si mik, se ai vjen si shkelës.
Mos i nxirrni për të ngrënë dhe sofër mos i shtroni.
Karrige e shtrat për të të shkoni t’i copëtoni.
Atë çka s’digjni dot, ta fshihni ku mos duket.
Përmbysni çdo gotë qumësht, groposni çdo krodhë buke.
Ta bëni të klithë:Ndihmë! Ta quani:Barbar!
Ta bëni të hajë dhé, të rrojë përmbi zjarr.
Edhe sikur të lutet, as gjellë – as mëshirë.
Që s’ka qytet për të, ta marrë vesh fort mirë.
Ku sheh – të shohë hiç; ku hyn – të gjejë asgjë.
Ta dijë që në qytet bujtinë s’ka për të./ KultPlus.com

Bertolt Brecht in 1937. (Fred Stein/picture-alliance/dpa/Associated Press)

‘Unë kam armiq, pra duhet të jem i famshëm’

Dhuna, shterpësia dhe një citim (3 vjersha) nga Bertolt Brecht

Përktheu: Arbër Zaimi

Mbi dhunën

Lumi i rrëmbyer quhet i dhunshëm

Por shtrati nën të që ia përcakton rrymën nuk

Quhet i dhunshëm prej askujt.

Stuhia që përkul drunjtë e mështeknave

Mbahet si e dhunshme

Por çka sa i përket stuhisë

Që përkul shpinat e punëtorëve që shtrojnë rrugë?

Mbi shterpësinë

Druri që nuk jep pemë

Quhet shterpë. Kush

Ia analizon dheun?

Dega që thyhet

Quhet e prishur por

A s’pati borë mbi të?

Citim

Poeti Kin tha:

Si vallë do të mund të shkruaj vepra të pavdekshme nëse nuk jam i famshëm?

Si vallë do të përgjigjem, nëse nuk më pyesin?

Pse duhet të harxhoj kohë mbi vargje nëse ato do të fshihen e do të harrohen me kohën?

I shkruaj këshillat e mia në një gjuhë të qëndrueshme

Sepse kam frikë se do të kalojë ca kohë gjersa të zbatohen.

Për të mbërritur një qëllim të madh, nevojiten ndryshime të mëdha.

Ndryshimet e vogla janë armiq të ndryshimeve të mëdha.

Unë kam armiq. Pra duhet të jem i famshëm./DefektT/ KultPlus.com

Bertolt Brecht in 1937. (Fred Stein/picture-alliance/dpa/Associated Press)