Më 16-19 tetor 1448 u zhvillua Beteja e Kosovës

Nga Jahja Drançolli

Si sot, më 16/19 tetor 1448, u zhvillua Beteja e Kosovës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në Europën mesjetare. Vëmendje e veçantë tërheqin burimet që dolën pas betejës të cilat së bashku me epikën popullore ngatërruan personazhet tregimtarë të Betejës së Kosovës të vitit 1389 me ato historike të Betejës së Kosovës të vitit 1448!

Ndërsa, për Betejën e Kosovës në vitin 1389, historiografia e sotme ende nuk ka qenë në gjendje të dallojë Kosovën historike nga Kosova mitike, nga ana tjetër Beteja e Kosovës e vitit 1448 sipas burimeve historike të kohës konsiderohet si një nga më të famshmet betejat që ndodhën në Europën Mesjetare. Prandaj, nga mesi i shek. XV, Kosova kishte tërhequr vëmendjen e frymëzuesve të luftërave anti-osmane të udhëhequr nga Janosh Hunyadi dhe Gjergj Kastriot-Skënderbeu.

Fushë Kosova, më 16-19 tetor 1448, u bë arena midis aleancës së Europës Juglindore të udhëhequr nga Hunyadi dhe ushtrisë osmane të udhëhequr nga Sulltan Murati II. Në krah të aleancës europiane ishin arbërorët e drejtuar nga Skenderbeu.

Në verën e vitit 1448, pasi mblodhi njësitë hungareze, polake, rumune, çeke, etj., Hunyadi kishte kaluar Danubin dhe shkoi në Krushevac. Nga atje, ai mbërriti në Kosovë. Nga ana tjetër, Murati II, pasi u informua nga despoti Brankoviq, kishte ndërprerë ekspeditën e përgatitur kundër Arbërisë dhe, në Sofje, kishte mbledhur rreth tij të gjitha njësitë, të cilat numëronin 50,000-60,000 ushtarë; nga kronikat perëndimore numri i tyre trefishohet. Njësitë e aleancës së krishterë, sipas burimeve perëndimore numëronin 22-72.000 ushtarë, ndërsa sipas burimeve osmane 24.000. Lufta tre-ditore përfundoi me humbjen e ushtrisë së aleancës.

Premtimet e bëra nga Skënderbeu për t’u angazhuar në anën e aleancës së krishterë e kishin inkurajuar Hunyadin të nxitonte për t’u përballur me osmanët. Përgatitja e Skënderbeut për këtë përplasje dëshmohet sipas burimeve zyrtare dhe narrative. Përveç përgatitjeve të Skënderbeut, si dhe rrjedhës dhe pasojave të betejës, burimet kohore japin detaje për vonesën e shqiptarëve në bashkimin me trupat hungareze. Arsyeja kryesore për vonesën e Skënderbeut ishin pengesat e despotit Gjuragj Brankoviq, aleat i dhëndrit Murat II, i cili mbylli të gjitha rrugët dhe shtigjet në të cilat ai mund të kalonte. Shumica e burimeve, duke justifikuar vonesën e Skënderbeut, nxorrën në pah dhe pa aftësinë e Hunyadit, i cili nuk duhet ta kishte pranuar betejën para ardhjes së Skënderbeut në Kosovë. Përveç të dhënave të epilogut, janë ruajtur detaje për fatin e ushtrisë së mbetur pas luftës; një pjesë e trupave, pasi kishin marrë rrugën drejt jugut jo larg Fushë-Kosovës, takuan Skënderbeun, i cili kishte filluar të bëhej bashkëluftëtar i Hunyadit; pjesa tjetër në malet e Çiçavicës, afër Vushtrrisë, u përpoqën të gjejnë Bogdanin, një paraardhës të Pjetër Bogdanit. Burimet që dolën pas betejës tërheqin vëmendje të veçantë, të cilat së bashku me eposin popullor kanë ngatërruar personazhet e Betejës së Kosovës në vitin 1389 me ato të Betejës së Kosovës në vitin 1448. Si shembull, mes tjerash këtu, duhet parë librin e përmasave europiane të humanistit nga Raguza, Mauro Orbini (1601), dhe ndonjë tjetër pas tij.!

Historianët e Deçanit për betejën e Kosovës: Serbia po tenton ta falsifikojë historinë

Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan, ka akuzuar Serbinë se duke e prezantuar si fitore të saj betejën e humbur të Kosovës të vitit 1389, po tenton ta falsifikojë historinë duke u bazuar në mite dhe gënjeshtra.

Në reagimin e tyre, historianët e Deçanit kujtojnë opinionin se historia nuk mund të shtrembërohet mbi Betejën e Kosovës.

“Beteja e Kosovës e 28 qershorit 1389, ka qenë disfata me e madhe që e ka pësuar aleanca ballkanike antiosmane e përbërë nga princat ballkanas, si dhe ndër fitoret më të mëdha që ka shënuar Perandoria Osmane në shekullin XIV”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, Shkodran Imeraj.

Për më tepër, historianët e Deçanit thonë se humbja e aleancës ballkanike karshi forcave osmane, e cila festohet si fitore nga serbët, të cilët kanë qenë pakicë ushtarake në këtë aleance, nuk është asgjë tjetër së vetëm një mit dhe tentim për të falsifikuar historinë.

“Manovrat e tyre për të shndërruar Kosovën si “toke të shenjtë serbë” nuk qëndron, ngase serbet zyrtarisht ortodoksinë e kanë pranuar nga shqiptarët, të cilët në masë të madhe ishin të përkatësisë fetare ortodokse, ngase pjesa me e madhe e tokave shqiptare pas vitit 1054, kur ndahet kisha në dy rite, në atë katolike – perëndimore dhe në atë ortodokse – lindor, i kanë takuar kishës lindor, ngase ishin në administrimin e Perandorisë Bizantine, perandori e cila si fe zyrtare e kishte ortodoksinë. Historia serbe është e ndërtuar mbi mite dhe gënjeshtra. Ata, si popull gjithnjë kanë qenë uzurpator dhe si të tillë sillen qysh nga shekulli VII, kur kanë ardhur në Ballkan si fise barbare”, përfundon reagimi. / Gazeta Express / KultPlus.com

Serbët festojnë betejën e humbur të Kosovës

SERBËT FESTOJNË BETEJËN E HUMBUR TË KOSOVËS

Numër i vogël i serbëve janë mbledhur sot në fshatin Gazimestan të Obiliqit, vend në të cilin për çdo vjet festojnë ‘betejën e Kosovës’ të cilët e konsiderojnë si fitore të tyre.

Në këtë ceremoni përkujtohet princi serb Car Llazari, që kishte vdekur në Betejën e Kosovë 627 vite më parë.  / KultPlus.com