Dita e Flamurit përkon me hapjen e “Rrënjë” nga Nagip Tashi, portreti i Nënës Terezë për herë të parë në teknikën e drurit

Era Berisha

Janë pikërisht ato copëzat e drurit që formojnë mozaikë dhe gjegjësisht na portretizohet një figurë e dukshme për syrin e publikut. Me këtë teknikë të veçantë, krijon edhe artisti i njohur me stilin e tij, Nagip Tashi që sot ka hapur ekspozitën e tij “Rrënjë”, pikërisht në nderë të Ditës së Flamurit, shkruan KultPlus.

Gjithsej 11 portrete të figurave të rëndësishme shqiptare, sikurse: Gjergj Kastrioti, Nëna Terezë, Bekim Fehmiu, Gjergj Fishta, Shtjefën Gjeçovi, Ibrahim Rugova, Adem Demaçi, Ukshin Hoti, Abdurrahman Shala, Ibrahim Kodra e Fahrije Hoti, janë jetësuar përbrenda hapësirës në bibliotekën “Ernest Koliqi” brenda Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

Krijimtaria e Tashit fokusohet në vlerat e mëdha që këto figura të ndritura të historisë e kulturës shqiptare shpërfaqin. Andaj, për të mos i lënë në harresë vlerat e tyre, ai portretet e tyre i ka sjell nëpërmjet teknikës së drurit. Nëse shikoni thellë në këto punime, do të përjetoni mundin, kohën, pasionin e dashurinë e artistit Tashi, i cili i ka shkrirë të gjitha në një vend.

Ajo që vjen si një portret ekskluziv është figura e Shën Nënë Terezës. Fytyra e saj e njomë dhe e mbushur plot dashuri, na vjen e punuar në një formë që jo rrallëherë e shohim. Me lloje diversive që krijon vetë druri, dhe ato ngjyrime që krijohen vetvetiu pas një kohe të gjatë të qëndrimit të drurit, na është shfaqur edhe portreti i Terezës, nga duart e talentuara të artistit Tashi.

Në anën tjetër, ambienti i ngrohtë i bibliotekës “Ernest Koliqi” ka mbledhur rreth vetes një numër të konsiderueshëm të artdashësve. Në ndërkohë, të pranishëm ishin edhe bashkëpunëtorët, kryeredaktorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti, Don Fatmir Koliqi dhe vetë artisti Nagip Tashi.

Fillimisht, ka qenë kryeredaktorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti ajo që ka thënë se fillimisht ekspozita është hapur në KultPlus Caffe Gallery, pastaj në Shqipëri, për të vazhduar edhe sot në bibliotekën ‘Ernest Koliqi’.

“Faleminderit shumë që keni ardhur. Jemi në ekspozitën e radhës së Nagip Tashit, që vjen nga Tërrnovci e që veçantia e krijimeve të tij shihet lehtazi sikurse që po e shihni edhe ju. Ai ka sjell figura shumë të rëndësishme të kombit. Por në anën tjetër, ai krijon edhe portrete të tjera me dru. Njashtu është edhe kënaqësi e madhe që pikërisht për 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, kemi një bashkëpunim me Katedralen, për të sjell këtë ekspozitë në këtë datë. Është vendosur për përzgjedhjen e disa figurave të teatrit por edhe të historisë të kombit tonë. Unë jam tejet e kënaqur sepse kjo është hera e tretë që bashkëpunojmë me Nagipin. Fillimisht, e kemi hapur ekspozitën në KultPlus Caffe Gallery, pastaj e radhës ka ardhur në Shqipëri, kurse sot këtu. Sot e kemi një ekskluzivitet tjetër për arsye që Nagipi po e prezanton portretin e Nënës Terezë, pikërisht në vendin që mban emrin e saj”, thotë Pajaziti.

Ndërsa, nikoqiri i këtij organizmi, Don Fatmir Koliqi është shprehur i lumtur që artisti Nagip Tashi i ka sjell rrënjët e kombit tonë në këtë vend.

“Kjo është ekspozita ‘Rrënjë’ dhe artisti Tashi na sjell rrënjët e kombit tonë, pra ato vlera të cilat në fakt neve na mbajnë gjallë me këto figura. Janë një pjesë e rrënjëve tona të cilat ne të gjithë i duam dhe dëshirojmë t’i kultivojmë e të jetojmë sipas tyre. Dëshiroj t’i përmendi disa gjëra që të gjithë ju që jeni të pranishëm, duhet t’i dini. Kjo ekspozitë është koincident me 25 vjetorin e kalimit në amshim të Nënës Terezë dhe gjithashtu sot është Dita e Flamurit tonë Kombëtar dhe po ashtu është një bashkëpunim që e kemi me KultPlus-in, si kulturë për të promovuar vlerat tona. Prandaj, është gjithmonë kënaqësi që të ju pranojmë e të bashkë ndajmë këto vlera. Edhe unë sot i kam parë këto mozaikë të bukura të punuara me dru dhe shpresoj që gjatë gjithë javës, të jetë e hapur ekspozita në bibliotekën ‘Ernest Koliqi’”, ka thënë Koliqi.

Krejt në fund, qe vetë artisti Nagip Tashi ai i cili ka thënë se vetë puna dhe koha e tij, kanë respektuar këto figura që janë pjesë e punimeve të tij.

“Unë gjithmonë e kam një emocion në këso raste. Kësaj here nuk dua të flas shumë por dua të ju falënderoj për prezencën e juaj e sidomos Ardianën për këtë bashkëpunim. Nuk e kam filluar këtë punë dje por e kam nisur shumë vite më parë. Këto punime qëndrojnë në një periudhë kohore prej 15 vitesh. Unë këto figura kam dashur t’i respektoj duke i punuar, dhe ashtu bëra. Besoj që është e mjaftueshme respekti që e kam dhënë për këto figura, duke i sjell ata edhe njëherë në kujtesë. Aq më shumë, sot për këtë datë të rëndësishme”, thotë Tashi.

Ekspozita “Rrënjë” do të qëndrojë e hapur deri më 2 dhjetor në bibliotekën ‘Ernest Koliqi’ dhe tashmë veprat e artistit Nagip Tashi janë edhe në shitje.

Kjo ekspozitë është organizuar nga “Drita” dhe “KultPlus”. / KultPlus.com

Në ditëlindjen e tij të 119-të, inaugurohet Biblioteka ‘Ernest Koliqi’ në Prishtinë

Mbrëmë në ditëlindjen e 119-të të shkrimtarit Ernest Koliqi, u inaugurua biblioteka “Ernest Koliqi” në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Biblioteka është themeluar në vitin 2020 me iniciativën e Imzot Dodë Gjergji e cila është pjesë e projekteve të Katedrales ‘Shën Nënë Tereza’, përkatësisht e qendrës ‘Bodani Polis’ dhe udhëhiqet nga Ipeshkvia.

Salla ka një kapacitet me rreth 20,000 libra, ndërsa ka dhe tre salla tjera që priten të sistemohen rreth 50,000 tituj të tjerë. Biblioteka ka tituj nga të gjitha fushat e shkencave dhe krijimtarisë në gjuhët si: shqip, latinisht, italisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht e kroatisht. Në anën tjetër, dominojnë shkencat albanologjike, histori, letërsi shqiptare, pastaj edhe shkencat teologjike.

Në të ardhmen pritet të ketë një koleksion të digjitalizuar të dokumenteve arkivore nga arkiva të Vatikanit dhe të Vjenës. Biblioteka është pjesë e rrjetit të sistemit bibliotekar, informues dhe sistemeve të informacionit për veprimtari shkencore.

Fillimisht, ishte kënga e bukur arbëreshe ‘Moj e bukura More’ e cila u interpretua fillimisht. Nën zërin e Doruntina Gjinit, tingujt e pianos nga Anamarija Nulleshi, tingujt e violinës nga Qendresa Bunjaku dhe tingujt e kitarës nga Alban Markaj, u krijua një atmosferë tejet e ngrohtë dhe e bukur përbrenda vendit.

Më pas, për një fjalë përshëndetëse doli edhe Imzot Dodë Gjergji, i cili e shpjegon idenë e krijimit të një biblioteke të tillë.

“Katedralja dhe gjithë ky kompleks dëshiron të dhurojë një domethënie shpirtërore ndaj gjithë qytetit, një kujtim për të kaluarën tonë dhe njëkohësisht kemi dashur që në kuadër të Katedrales, të kemi qytetin e Bogdanit, që e kemi quajtur në gjuhën greke “Bogdani Polis”. Por, një i ditur thoshte se një qytet që nuk ka një bibliotekë, nuk mund të jetë qytet. Andaj ne menduam që edhe kjo qendër të ketë një bibliotekë sepse në bibliotekë është e mbishkruar e gjithë ëndrra e çdo njeriut për arsye se nuk ka ëndërr që nuk lind nga një kujtim i të kaluarës”, thotë ai.

Ndërsa, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në fjalën e tij e vlerësoi lart figurën e Ernest Koliqit.

“Me sa duket me tërheqjen e pandemisë, Prishtinës po i vinë të mirat njëra pas tjetrës me bollëk si me panaire të ndryshme, festivale apo edhe koncerte ndërkombëtare nga më të ndryshmet. Hapja e kësaj biblioteke sot është një event tjetër në mesin e këtyre ngjarjeve të mrekullueshme për kryeqytetin tonë. Shkodrani, Ernest Koliqi, një shkrimtar i madh i letërsisë shqipe ishte edhe ministër i arsimit në Tiranë që në kohën e luftës së dytë botërore ka pruar mbi 200 mësimdhënës shqiptar për të hapur shkolla shqipe anembanë viseve të Kosovës”, thotë Rama.

Sipas tij, përzgjedhja pikërisht e emrit të kolosit Ernest Koliqi për bibliotekën si dhe inaugurimi i saj pikërisht në ditëlindjen e tij, nderon të gjithë kryeqytetin dhe gjithë kombin shqiptar.

Po ashtu, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi e vlerësoi bibliotekën si një ndër më të veçantat ndonjëherë.

“Është një ceremoni shumë e jashtëzakonshme dhe shumë e veçantë. Duke pasur përballë Ernest Koliqin, ai me veprën e tij i tregon botës se pavarësisht sistemeve dhe represionit, e drejta, arti dhe kultura që i shërben popullit nuk shuhet kurrë. Politika është momentale ndërsa veprat e kolosëve tanë janë të pavdekshme. Është një bibliotekë shumë interesante dhe e veçantë në llojin e vetë. Por ajo që mbush më tepër është vepra e të madhit, Ernest Koliqi”, thotë Minxhozi.

Për figurën e Ernest Koliqit, tutje ka folur edhe profesori në Universitetin e Prishtinës, Xhavit Beqiri.

“Ernest Koliqi është guri i këndit në themelin e shkollës shqipe në Kosovë. Përtej figurës, shkollën shqipe në Kosovë dhe në hapësira të tjera shqiptare të ish-Jugosllavisë, e krijuan gjatë viteve dyzet të shekullit njëzet, afërsisht dyqind mësues normalist të cilët me misionin e shenjtë të përhapjes së shkronjës shqipe, u ngarkuan nga vetë Ernest Koliqi, asokohe ministër i arsimit. Për mua, Koliqi është profeti ndërsa ata normalistë të zgjedhur prej tij janë apostujt e shkollës shqipe në këto treva”, thotë Beqiri.

Proza poetike e Ernest Koliqit në shkodranishten e tij të bukur u vërejt më së miri edhe në dëgjimin e fragmentit nga proza “Ujët e pusit”, e cila aq ëmbëlsisht u interpretua nga Kristinë Berisha.

Po ashtu, kënga “Karajfila që ka Shkodra” erdhi nën zërin e Doruntina Gjinit, nën meloditë pianistike nga Anamarija Nulleshi, nën tingujt e violinës nga Qendresa Bunjaku si dhe nën tingujt e kitarës nga Alban Markaj.

Kështu krejt në fund të kësaj mbrëmjeje, për një fjalë rasti doli edhe përgjegjësi i bibliotekës, Don Fatmir Koliqi.

“Kam dashur që në fund të këtij programi të ju falënderoj të gjithëve që i jeni përgjigjur ftesës tonë që kjo ngjarje kulturore të jetë kaq e bukur së bashku me juve. Kjo bibliotekë do të jetë në mënyrë të veçantë në disponim të studentëve të Prishtinës që vijnë dhe studiojnë këtu. Këta që kanë kënduar dhe që kanë udhëhequr krejt këtë program, janë të gjithë studentë”, thotë ai.

Kontribuuesit për këtë bibliotekë janë: Imzot Dodë Gjergji, Dom Lush Gjergji, Don Fatmir Koliqi, Akademia e Shkencave dhe Arteve në Kosovë, Instituti Historik i Kosovës, Instituti Albanologjik i Kosovës, Biblioteka e qytetit “Hivzi Sylejmani”, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të shqiptarëve në Maqedoni, Kolegji AAB, Botimet “Fishta”, Botimet “Koliqi”, Botimet “Alfabet”, Botimet “Kuneus”, Botimet “Tenda, Botimet “Jakup Ceraja” dhe shumë të tjerë. / KultPlus.com