Në pritje të ligjit të ri për kulturën, organizohet bisedë me temë “Ku Kultura?”

Si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP, këtë javë do të zhvillohet një bisedë interesante ku do të flitet për kulturën dhe ligjin e ri për kulturë i cili është në ardhje.

Sipas organizatorëve, një ligj i ri për kulturën është udhës. Me aq pak sa dihet në publik për përmbajtjen e këtij ligji, shpresat janë që ai do t’ua zgjidhë nyjën problemeve të kamotshme të kulturës. Derisa sipas ministrit të tanishëm të kulturës, ky ligj do “sjellë zgjidhje strukturore”, kjo ministri është kritikuar shpesh për mosshtyerjen përpara të ligjeve që lidhen me kulturë, derisa procesi i hartimit të ligjit të ri është konsideruar si një proces shumë i ngadalshëm.

Përkundër premtimeve të vazhdueshme të ministrisë për reforma të thella në kulturë, telashet pothuajse banale e që janë përcjellur me vite të tëra, prej pamundësisë për mbajtje të shfaqjes për shkak të mungesës së energjisë elektrike e problemeve me mikrofonë në teatër deri te formularët e ndërlikuar e të paqartë për aplikim për fonde e anulimet “abitrare” të thirrjeve publike, kanë vazhduar.

Një vështirësi tjetër është (mos) mbështetja adekuate dhe e qëndrueshme e skenës dhe krijuesve të pavarur kulturore, e cila, përtej kushteve të vështira në të cilat gjendej përpara pandemisë, u godit rëndë nga kjo e fundit. Krijuesit e pavarur tash po kërkojnë hapa konkretë për ndërhyrje nga ministria që të trajtohen dëmet që pandemia u ka shkaktuar.

Midis kësaj gjendjeje, në pritje të ligjit të ri për kulturën, përmes kësaj bisede synohet të dihet më shumë se çka do të përmbajë ky ligj? Si po organizohet procesi i hartimit? Kush janë njerëzit që janë angazhuar në proces? Si do të zgjidhen hallet e kahershme të kulturës përmes këtij ligji? Ku qëndron kultura, një vit pas ardhjes në pushtet të qeverisë së re?

Në bisedë e cila do të zhvillohet më datë 24 qershor në ora 17:30, do të bashkohen: Hajrulla Çeku – Ministër i Kulturës, Vullnet Sanaja – Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv i Anibar, Donjetë Murati – Punëtorët në Art.

Biseda do të moderohet nga Lirika Demiri, gazetare në K2.0.

Kjo bisedë është organizuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 dhe Instituti GAP. Përmbajtja e kësaj bisede është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Evropian. / KultPlus.com

Harris pas bisedës me presidenten Osmani: U pajtuam të vazhdojmë forcimin e raportit të rëndësishëm Kosovë-SHBA

Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, ka njoftuar për bisedën telefonike që ka pasur dje me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, transmeton KultPlus.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Harris ka thënë se me Osmanin janë pajtuar që të vazhdojnë forcimin e raportit të rëndësishëm SHBA-Kosovë.

“Ishte kënaqësi të flisja me Presidenten Vjosa Osmani dje për t’ia shprehur falënderimet e kombit tonë Kosovës për strehimin e afganëve të ndjeshëm në Kampin Bonsteel. U pajtuam që ta vazhdojmë fuqizimin e raportit të rëndësishëm ShBA – Kosovë”, ka shkruar Harris.

Presidentja Osmani fton Harrisin ta vizitojë Kosovën, bisedojnë për refugjatët afganë dhe pandeminë COVID-19

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, zhvilloi sot një bisedë telefonike me zëvendëspresidenten e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sh.S., znj. Kamala Harris.

Partneriteti i shkëlqyeshëm mes dy vendeve tona dhe raportet e veçanta ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve ishin në qendër të kësaj bisede. Me këtë rast, Presidentja Osmani i ka shprehur zv.presidentes Harris mirënjohjen e përhershme të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA-të dhe ka ritheksuar se SHBA-të mbeten partner kryesor strategjik i vendit tone në procesin e konsolidimit të shtetësisë.

Palët diskutuan dhe për situatën me pandeminë, me ç’rast Presidentja Osmani i falënderoi dhe njëherë SHBA-të dhe presidentin Biden për donacionin prej mbi 500.000 vaksinash. Presidentja Osmani tha që një veprim i tillë e ka vulosur edhe njëherë miqësinë e palëkundshme në mes të dy vendeve tona, si dhe është dëshmia më e pastër e përkrahjes së parreshtur të SHBA-ve për vendin tonë.

Ndërkaq, zëvendëspresidentja Harris theksoi se SHBA-të janë thellësisht mirënjohëse ndaj Kosovës për bashkëpunimin e ngushtë dhe gatishmërinë e bujarinë e treguar për mikëpritjen e mijëra qytetarëve afganë.
Zv. Presidenja Harris shprehu po ashtu mirënjohjen e administratës Biden për mbështetjen e Kosovës në këtë mision dhe ritheksoi lidhjen personale dhe të thellë midis Administratës Biden dhe popullit të Kosovës. Gjatë bisedës, zv. Presidentja Harris përcolli falënderimin e saj të përzemërt për organizimin e ceremonies nga ana e Presidentes Osmani për dhënien e Medaljes Presidenciale për Sundim të Ligjit për të ndjerin Joseph Robinette “Beau” Biden III.

Në këtë shkëmbim të parë ndërmjet të dy lidereve, presidentja Osmani shfrytëzoi rastin që edhe njëherë ta urojë zv.presidenten Harris për emërimin në pozitën e dytë më të lartë shtetërore. Ajo theksoi se fitorja e ekipit Biden-Harris nuk është një fitore vetëm për Amerikën, por për gjithë botën demokratike. Tutje, ajo theksoi se emërimi i znj. Harris si zëvendëspresidente e parë grua e SHBA-ve, si dhe shembulli i dhënë prej saj, do të mbeten të shënuara si moment lavdie në historinë tonë moderne. Puna dhe angazhimi i saj, sipas Presidentes Osmani shërbejnë si inspirim dhe për shumë gra e vajza lidere të së ardhmes anë e mbanë botës.

Presidentja Osmani e ftoi zv. Presidenten Harris ta vizitojë Republikën e Kosovës, për t’i parë për nga afër sukseset tona të përbashkëta. Të dy lideret u pajtuan që të takohen personalisht së shpejti. / KultPlus.com