Hapet ekspozita “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” nga Jeton Gusia, vjen si reflektim ndaj esencës së të jetuarit

Era Berisha

Afro tridhjetë piktura kanë pushtuar mbrëmë muret e ngjyrosura në ngjyrë të zezë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, me ç’rast është shpërfaqur një atmosferë që rëndom përshtatet njëtrajtshëm me përditshmërinë e jetesës së njeriut. Në secilin qosh, ndjehet prezenca e një atmosfere të pastër, ku mbizotërojnë tonet e ngrohta të tokës. Ngjyrat si: kafe, verdhë, rozë, kaltër, kuqe, zezë, portokalli, e të tjera, dukshëm janë ngatërruar me njëra-tjetrën, asisoj që secili vizitor të ndjehet si muza e çdo pikture. Këto emocione janë përcjell me rastin e hapjes së ekspozitës personale të artistit Jeton Gusia, nën emërtimin “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne”, shkruan KultPlus.

Të pranishmit qenë në një numër tejet të lartë, andaj prezenca e madhe e tyre ka krijuar një ngrohtësi mes shikuesve dhe veprave. Fokusi dhe vëmendja e tyre iu dedikua plotësisht pikturave, andaj në fillim publiku u përball me dy piktura në një format më të vogël, me ç’rast ato dy vepra që dukshëm dallohen nga të tjerat, e jo vetëm për nga madhësia por edhe për nga teknika, kanë dhuruar një emocion të papërshkrueshëm. Muret e zeza përreth të jepnin një ndjesi që ke hyrë brenda dheut të tokës, diku në një errësirë të thellë që ka një ngjashmëri me shpirtin e qenies njerëzore, dhe kjo qe një nga veçantitë e kësaj ekspozite.

E kuruar nga Blerta Hoçia, ekspozita na vjen si një luftë e brendshme që tregohet nëpërmjet dy skajeve ekstreme; shtëpia dhe ekskavatori. Këto dy elemente shpalosin një pamundësi për të parë dritën nga themeli si dhe qetësinë e jetës së përditshme, kësisoj edhe pranohen siç janë të tilla, por që janë mjaft qenësore në vetë ekzistencën e njeriut. Bota jonë tregohet nëpërmjet imtësimeve që shfaqen qartazi në peizazhet urbane, rurale, situata në vende si pishina, qendra masazhi, autobusë, mensa e qendrës tregtare apo thjesht nga luajtja e shahut.

Ndonëse, anash pikturave nuk ishin të vendosura emrat e tyre, mungesa e prezencës u zëvendësua nga imagjinata e gjithsecilit. Të veçanta për t’u admiruar e analizuar, pikturat frymonin nëpër emocionin e durimit e rezistencës dhe kjo vërehej në secilën situatë të plasaritur. Gjendja e ngatërruar e ngjyrave, situatave diversive e detajeve të futura me një precizitet tejet të përsosur, kanë pikasur syrin e gjithsecilit mbrëmë, andaj artisti Gusia intensitetin e pasur pamor e ka thumbuar në pikturë në një mënyrë të mrekullueshme.

Problematikat shoqërore janë qëndisur lehtazi nga pena e piktorit Gusia. Ai ka komunikuar ndryshe me audiencën, e cila ka perceptuar me vëmendje të gjitha nivelet e të jetuarit. Pjesa vizuale e pikturave i ka ofruar të pranishmëve një ritëm të vazhdueshëm të fragmenteve që përmes imazheve kanë interpretuar thjeshtësinë e veprimeve njerëzore. Sendet e çmuara kanë qenë muzat e çdo personazhi në secilën vepër artistike, pra ato të cilat kanë portretizuar gjithë se çfarë personazhet kanë tentuar të përfaqësojnë faktikisht.

Alisa Gojani-Berisha, kuratore në Muzeun Kombëtar të Kosovës për KultPlus ka potencuar se artisti Jeton Gusia veçse e ka publikun e vetë që i sheh ekspozitat e tij.

“Kjo ekspozitë e Jetonit është ekspozita e parafundit që po hapet në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Ne kemi pasur një kënaqësi të madhe për të mirëpritur me ekspozitën e tij personale. Jetoni është një artist i jashtëzakonshëm dhe mjaft i veçantë në punën e tij. Gjithashtu, kuratorja Blerta me kurimin e saj, e ka bërë këtë ekspozitë ende më të pasur. Në fakt, Jetoni e ka publikun e tij, dhe kjo është parë edhe sonte me pjesëmarrjen e tyre, mirëpo shpresojmë që edhe ditëve në vazhdim, të vijnë edhe vizitorë të tjerë për të parë këtë ekspozitë, sepse ia vlen të vizitohet”, thotë ajo.

Ndërsa, kuratorja e kësaj ekspozite Blerta Hoçia për KultPlus ka thënë se imazhet në piktura rilindin nga imagjinata, përditshmëria dhe rikthehen në formën e pavetëdijes kolektive.

“Qëllimisht e kemi quajtur ekspozitën ‘Idile të rëndomta të jetës moderne’ sepse edhe vetë pikturat ta rikujtojnë një lloj idili edhe pse ndoshta jo të gjitha skemat e pikturuara janë idilike, pra që të ngjallin atë mallëngjimin apo ndërrimin e jetës së përditshme. Ekspozita nis me një pikturë që e merr më shumë vëmendjen, pra piktura në të cilën është një ekskavator dhe një shtëpi në sfond. Në mënyrë figurative, kemi dashur që kjo pikturë të jetë e para dhe në një farë mënyre, e gërryen gjithë këtë hapësirën e errët dhe kjo hapësirë nënkupton pavetëdijen kolektive. Imazhet rilindin nga imagjinata, përditshmëria dhe rikthehen në formën e pavetëdijes kolektive. Pra, në një farë mënyre, këto ambiente të errëta prezantojnë vetë këtë pavetëdije por edhe ndoshta një tunel ku veprat janë të ndriçuara njëjtë sikur janë të ndriçuara gurët e çmuar”, ka thënë ajo.

Ekspozita “Idile të Rëndomta të Jetës Moderne” do të qëndrojë e hapur deri më 30 nëntor 2022. / KultPlus.com

‘Më i mirë ish varri sesa mos me ditë’, dedikuar 1622 personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë

Flonja Haxhaj

Kujtimi për 1622 personat e zhdukur gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë dhe menjëherë pas tij, u bë edhe më i fortë pas hapjes së ekspozitës ‘Më i mirë ish varri sesa mos me ditë’ që u hap të enjten në Atelien e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Ekspozita e realizuar nga artisti Driton Selmani dhe kuratorja, Blerta Hoçia,  paraqet të dhënat e 1622 personave që u zhdukën me forcë, u rrëmbyen dhe u ekzekutuan gjatë asaj periudhe,  familjarët e të cilëve presin me shpresë edhe sot, më shumë se dy dekada pas luftës.

‘Më i mirë ish varri sesa mos me ditë’ është fragment që organizatorët e ekspozitës e kanë marrë nga biseda me Kumrije Jahmurataj, e cila akoma pret për burrin e saj,  për fatin e të cilit nuk di gjë që nga koha e luftës në Kosovë. Kjo frazë është përdorur për të përshkruar dhimbjen me të cilën përballen çdo ditë familjarët e 1622 personave të zhdukur gjatë viteve 1998-2000.

Artisti Driton Selmani, tregon për KultPlus se kjo ekspozitë është iniciuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ku më pas është përzgjedhur koncepti i tij dhe kuratores Blerta Hoçia. Ai thekson se ka qenë e vështirë për të të punojë në një ekspozitë për këtë dramë shumë të madhe, e cila sipas Selmanit shpeshherë është keqpërdorur, neglizhuar dhe harruar

“Ekspozita përmban harresën si harresë, kujtimin si kujtim mbi harresën dhe në fund një vendprehje, një altar, një memorial edhe një peligrinazh ku njerëzit munden me hi me reflektu mbi një dramë dhe një flakë kaq të madhe që vazhdon të jetë pjesë e të paktën 1622 familjeve.” – thotë Selmani për KultPlus.

Ekspozita është e ndarë në dy pjesë, pjesa e parë paraqet të dhënat bazë të personave të zhdukur dhe ditën kur ata u panë për herë të fundit, kurse në pjesën e dytë është vepra e artistit Selmani që  paraqet gurë në formë të varrit të përkohshëm që nuk përmbajnë njerëzit, por vetëm kujtimin për ta. Pjesë e këtij instalacioni janë edhe orët digjitale që ecin duke numëruar sekondat, minutat, orët dhe ditët pa personat e zhdukur.

Kuratoja Blerta Hoçia thotë se kjo ekspozitë vjen në një kohë kur po zbardhen denoncime dhe zbulime të reja të këtyre varrezave masive të dyshuara më herët.

“Ekspozita është e një forme që i ngjan më shumë një memoriali, nuk është ekspozitë që ka artefakte ose shumë materiale, janë vetëm të dhënat bazë, ato që të gjithë ne i dimë, nuk ka të dhëna të tjera. E gjithë kjo mungesë, me mungesën më të madhe që është vetë mungesa e personave të zhdukur me forcë reflektohet edhe me këtë ekspozitë.”- thotë për KultPlus kuratorja Hoçia.

Ndërkaq, ekspozita ‘Më i mirë ish varri sesa mos me ditë” do të qëndrojë e hapur edhe për tre muaj./KultPlus.com