Teatri Adriana do të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar

Shfaqja e Teatrit Adriana “Gratë në Parlament” do të udhëtojë më 6 dhjetor në Tuniz të Afrikës për të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

Suksesi i jashtëzakonshëm i premierës së sivjtme, kjo shfaqje do të udhëtojë për një festival ndërkombëtar.

Ekipi i Teatrit Adriana udhëton më datë 6 dhjetor, derisa shfaqja në këtë festival do të bëhet më 9 dhjetor.

Shfaqja pasqyron abuzime me pushtetin. Për shkak të qeverisjes së keqe nga burrat, gratë rebelohen dhe marrin pushtetin në dorë e tyre.

Në shfaqje luajnë: Vjosa Abazi, Mevlan Saraçi, Valdrin Osmani, Blin Sylejmani, Jajush Ramadani, Milot Salihu dhe Dora Xhemajli. /KultPlus.com

Gratë në parlament' shfaqet sonte në Teatrin ' - Syri Kosova | Lajmi i  fundit

‘Ditë e Kuqe’ nga Ugzmajli, filmi që shfaq realitetin e hidhur të shoqërisë përmes një vajze 13-vjeçare

Xhemile Hysenaj

Përpjekja e jashtëzakonshme e një gruaje dhe vajzës së saj për të zënë vend në një shoqëri të kontaminuar patriarkale, përpjekja për të marë atë që ato meritojnë dhe kërkojnë me çdo kusht, persona të mveshur me pushtet që veçse fuqizojnë sfidat dhe vështirësitë e këtyre dy personazheve, vijnë pëmes ”Ditë e Kuqe” nën regjinë dhe skenarin e Besim Ugzmajlit. Një film ky i metrazhit të shkurtë, për të cilin regjisori Ugzmajli ka shpalosur më shumë detaje në një intervistë për KultPlus.

Loja me simbole te regjisori Ugzmajli nuk është kurrë e rastësishme, në filmat e tij paraprak e që kanë rezultuar tejet të suksesshëm, kemi parë shpesh se arti filmik i regjisorit në fjalë shkon përtej asaj që jemi mësuar të shohim më parë. Ai ka një mënyrë më unike të trajtimit të ngjarjeve, përmes së cilave hedh dritë mbi shumë faktor negativ të shoqërisë. ”Ditë e Kuqe” vjen po në këtë mënyrë të veçantë, pra, e kuqja si një variant i gjakosjes, si moment realizimi, përkatësisht si një moment kur dikush është gati për diçka magjike. Pra, siç ka theksuar tutje regjisori për KultPlus, Dita e Kuqe është ditë alarmi për shoqërinë që vjen përmes një vajze 13 vjeçare dhe sjell në vëmendje gruan si vlerë kulminante në shoqërinë botërore.

”Unë përpiqem që çështjet sociale t’i sjell si rrëfime që ndërtohen në rrafshin psikologjik të situatave dhe personazheve. Sigurisht që këtë mënyrë e konsideroj më të përshtatshmen për mua për t’i paraqitur shqetësimet e mia të përgjithshme në medium kinematografik si vepra artistike. Imazhi është komunikimi absolut i këtij shekulli dhe kinematografia padiskutim ka një imazh të jazhtëzakomshëm komunikues”, ka theksuar regjisori për KultPlus.

”Ditë e Kuqe” ka filluar me xhirime në mars të këtij viti dhe filmi është xhiruar brenda një ditë, mirëpo, provat e këtij filmi kanë zgjatur mbi dhjetë ditë dhe janë përfshirë diku rreth 150 persona deri në realizimin final. Kjo mënyrë e xhirimeve ka të bëjë me faktin që ”Ditë e Kuqe” është realizuar në One-Shoot dhe koha e provave siç ka treguar regjisori për KultPlus, ka të bëjë me sinkronizimin dhe harmonizimin e të gjitha departamenteve në filmbërje në mënyrë që gjithçka të shkoj sipas planit në ditën e xhirimit.

Duke pasur parasysh se situata pandemike ka vështirësuar gjithçka, edhe ”Ditë e Kuqe” ka hasur në vështirësi të shumta deri në finalizimin e vet. Ugzmajli ka treguar për KultPlus se i gjithë projekti është punuar nga një presion që lidhej ngushtë me pandeminë.

”Gjithçka është punuar në njëfarë presioni që lidhet me pandeminë, mirëpo ky fakt edhe ka ndihmuar në një mobilizim të jashtëzakonshëm të gjithë ekipës e në veçanti të aktorëve dhe ekipës kreative ku vlen të përmendim punën e jashtëzakonshme të aktorëve siç janë: Teuta Krasniqi, Agron Shala, Orgesa Mehmeti, Blin Sylejmani, Gresa Gashi, Sherif Bega, Egzona Salihu, Milot Salihu. Pastaj drejtori i fotografisë Aleksandar Krstevski, Kompozitori Memli Kelemndi me korin e tij fantastik ”Sipararantum Choir” dhe gjithsesi një angazhim i jashtëzakonshëm i asistentëve Sovran Nrecajt, Lorena Sopit, Leart Binakut, Ndriçuesit Hajrullah Elelezit, Kostumografes Eleonora Gagica, Dizajnerit Ngadhënjim Ismani, Skenografit Bekim Korça e shumë të tjerëve që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në film e që është një listë e gjatë profesionistësh”, shprehet Ugzmajli tutje për KultPlus.

Deri më tani, regjisori ferizajas para adhuruesëve të filmit është paraqitur me filma të metrazhit të shkurtë, mirëpo, regjisori ka treguar për KultPlus se në planet e tij të ardhme është edhe filmi i metrazhit të gjatë.

”Unë kam disa skica e tritmente për film të gjatë, vështirësia ime më e madhe është në përcaktimin e asaj që vërtetë dua ta punoj, kjo ndoshta është edhe dobesia ime si skenarist e regjisor, pra përcaktimi në idenë që dua ta realizoj si film. Është vëretetë e vështirë për mua të vendosi se cilës ide me ia dhanë gjithë mundin drejt një filmi. Por ajo që dihet me siguri është fakti se filmi i gjatë është qëllimi im i radhës. Do të jetë rrugë e vështirë e gjetjes së mbështetjes financiare, por përvoja më ka mësua se duhet ta përfundoj skenarin dhe pastaj gjithcka tjetër do të bëhet e mundur si me magji”, potencon Ugzmajli.

Besim Ugzmajli ka treguar për KultPlus se kanë bërë një marrëveshje me kompaninë italiane ”Premiere Film”, zyret e së cilës ndodhen në Itali dhe në Los Angeles, kompani kjo e cila do të merret me distribuimin e filmit në festivale dhe televizione. Regjisori ndër të tjera thekson se ambicien kryesore në punën e tij e ka gjithmonë realizimin e ideve të tij kinematografike dhe asgjë tjetër nuk i jep më shumë kënaqësi se puna në film. ”Festivalet dhe shitjet eventuale janë gjithmonë sekondare, prandaj filmin ua kam dhënë për distribuim kompanisë profesionale që merret me këtë punë dhe kështu unë të jem më i lirë në punë të tjera. Gjithashtu dihet mirëfilli se në mungesë të distributorëve është shumë i vështirë prezentimi ndërkombëtarë, sidomos viteve të fundit”, shprehet tutje Ugzmajli

Për artistin është shumë e rëndësishme përçimi i mesazheve që ai shpalos përmes artit të tij, cilido art qoftë ai. Ugzmajli zakonisht, si në teatër po ashtu edhe në film, përçon mesazhe të fuqishme tek shoqëria. Arti i tij prek thellë tek problemet e shoqërisë kosovare dhe jo vetëm. Njejtë ndodhë edhe tek filmi  ”Ditë e Kuqe”, tek i cili mesazhi është shumështresor dhe si i tillë mëotn të jetë krejtësisht personal, pra, siç ka treguar vetë regjisori, mesazhet e këtij filmi varen shumë se si dhe nga kush shikohen. ”Gjithmonë konsideroj që audienca gjenë mesazhe të ndryshme në secilin rrëfim apo film, prandaj nuk do ta kisha përkufizur këtë film me një mesazh të caktuar edhepse filmi konsiston në rendësinë që ka konsistenca e njeriut në qëllimet dhe aspiratat në të cilat synon me të drejt, por që pengohet rrugës”, shprehet Ugzmajli.

”Ditë e Kuqe” do të ketë premierën në Tirana International Film Festival i cili do të mbahet në shtator të këtij viti, ndërkaq, regjisori nuk ka treguar saktë se kur do të shfaqet edhe për publikun kosovar, por ka lënë të nënkuptohet se filmi do të ketë disa hapësira për tu shfaqur edhe në Kosovë gjatë vitit të ardhshëm. / KultPlus.com

Ditë e Kuqe | Red Day — trailer from besimugzmajli on Vimeo.

‘Kreolët e Ballkanit’, drama që shpërfaqë ballafaqimin dhe luftën e pranimit të vetvetes

Suada Qorraj

Dyert e Teatrit Kombëtar mbrëmë u hapën e pritën ‘Kreolët e Ballkanit’ për të parën herë për këtë vit. Përballja e identiteteve të dyfishta të atyre që dikur ishin fëmijë të martesave të përziera, erdhi para publikut si një ballafaqim me të kaluarën e dhimbshme. Ku pikërisht këta fëmijë, shpërfaqën udhëkryqet jetësore që dikur e ndoshta gjithmonë, fëmijët e tillë do të gjendeshin në mes dy udhëkryqeve, të qenurit heronjë apo tradhëtarë, shkruan KultPlus.

‘Kreolët e Ballkani’ drama që u shkrua në vitin 1989, dhjetë vite para se të fillonte konflikti në Kosovë, erdhi para publikut si një kujtesë historike e si një thirrje për të mos u harruar se çfarë populli i Kosovës kishte përjetuar përgjatë atyre viteve të kobshme.

Për një orë e gjysmë, aktorët Blin Sylejmani, Agron Shala, Vanesa Petrovci, Leonit Maloku dhe Armend Zeqiri kanë interpretuar mbrëmë përballë një publiku më të shumtë në numër sesa që e kishin menudar.

Regjisori Enver Petrovci pas shfaqjes në një prononcim për KultPlus tha se është shumë i kënaqur që ndonëse në një perudhë pandemike shfaqja ka arritur që të ketë një publik të madh. Ai ka shtuar se premiera e kësaj shfaqje ishte e supozuar qe të bëhej në muajin nëntor, mirëpo deri në natën e mbrëmshme ishte shtyer tre herë.

‘Pas peripecive të gjata që i kemi pasur ne dhe krejt bota me këtë Covid, shfaqjen e kemi shtyer tre herë radhazi. Kjo shfaqje ka qenë në plan të ketë premierën në nëntorë. Mirëpo, ja që më në fund doli dhe jam shumë i lumtur edhe me pjesëmarrjen e publikut pasi kam pritur shumë më pak’, ka potencuar tutje Petrovci.

Sipas tij bukuria që mban në vete ‘Kreolët e Ballkanit’, ka të bëjë me faktin se edhe pse kjo dramë është shkruar në vitin 1989, çdo gjë doli që të jetë e vërtetë. Petrovci ndër të tjera tregoi se teksti si tërësi përgjatë gjithë këtyre viteve pati vetëm një ndryshim të vetëm, emri i personazhit nga Mallina në Maria.

“Është një ndjenjë shumë e mirë dhe nuk e kam të vështirë aspak. Me babanë jemi edhe shokë, edhe baba e bijë”, ka potencuar Vanesa Petrovci, e cila në ‘Kreolët e Ballkanit’ erdhi në rolin e Marias.

Për aktorin Leonit Maloku të luaj në një shfaqje ku regjisor është profesori i tij, ka qenë një ëndërr e bërë realitet.

‘Eksperienca ime me profesorin ka qenë shumë e mirë, ka qenë ëndërr e imja që të luaj me profesorin apo të jem pjesë e një drame të shkruar apo drejtuar nga ai, kështuqë kjo ëndërr u bë më në fund realitet. Ndër të tjera, procesi ka shkuar mjaft mirë, kemi pasur ndërprerje deri sa kemi arritur që më në fund të luajme shfaqjen, mirëpo ky pushim na ka bërë mirë sepse jemi kthyer fuqishëm’, ka deklaruar tutje Maloku për KultPlus.

E pranishme në preimerën e parë për këtë vit në Teatrin Kombëtar ishte edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi për të cilën ‘Kreolët e Ballkanit’ ishte një ndër shfaqjet përmes së cilës tregohej historia e dikurshme e martesave të përziera.

“Historia nuk duhet harruar asnjëherë dhe këto janë ndër format se si duhet ta tregojmë atë. Në këtë dramë për ndërgjegjen njerëzore u shpërfaqën edhe talentet e aktorëve të rinj që dhanë një interpretim fantastik”, theksoi Dumoshi për KultPlus.

Drama ‘Kreolët e Ballkanit’ merret me kreolë- fëmijë të lindur nga martesa të përziera (raca). Ato rrallë janë adresuar në të gjithë botën e letërsisë. Gjatë ish Jugosllavisë, këta fëmijë – njerëz kërkoheshin për çdo punë dhe veçanërisht për poste të ndryshme të larta shtetërore. Ishte pikërisht sepse ata llogariteshin që gjatë lindjes, për të mos qenë nacionalistë.

I gjithë tregimi zhvillohet midis dy Krijuesve: Hekuran (Celik) dhe Inspektorit, që janë themeluesit e konfliktit. Kreatori i tretë është Maria, e cila është vajzë infantile dhe nuk e di se çfarë po ndodh përreth saj. Ajo lufton për të mbijetuar, dhe ndërkohë, ajo dashurohet me Hekuranin sepse ai është i vetmi që i jep ushqimin, dhe nuk ka tendencë ta dhunojë.

Drama ka të gjitha emocionet themelore njerëzore. Të tilla si dashuria, urrejtja, ambicia politike, hakmarrja, torturimi, besimi në Zot, dinjiteti dhe më shumë. / KultPlus.com