Bie një bllok i madh akullnajor në Alpet e Zvicrës, viktima dhe të plagosur

Disa alpinistë kanë humbur jetën dhe të tjerë janë plagosur nga rënia e një blloku të madh akullnajor në Alpet e Zvicrës. Ngjarja ka ndodhur në anën zvicerane të Grand Combin, një masiv malor në një lartësi 4,314 metra që ndodhet midis Luginës së Aostës dhe kantonit të Valais.

Sipas policisë atje ishin rreth 15 alpinistë, ndërsa flitet edhe për viktima, por pa specifikuar numrin. Disa prej tyre kanë mundur të evakuohen, ndërsa në operacion janë angazhuar 7 helikopterë dhe rreth dyzet grupe shpëtimi.

Rënia e bllokut akullnajor ndodhi në 3400 metra lartësi, gjatë ngjitjes në Grand Combin në zonën e quajtur “Plateau du Déjeuner”, përgjatë itinerarit “Voie du Gardien.

Në një deklaratë për shtyp në mesditë, policia tha se operacioni vazhdon ende, ndërkohë që alarmi është dhënë të premten në mëngjes rreth orës 6:20.

Mësohet Prokuroria Publike e Sionit ka hapur hetimet.

Grand Combin është një masiv malor në Alpet perëndimore Pennine në kantonin e Valais. Maja e Combin de Grafeneire është një nga majat më të larta në Alpe dhe e dyta më e spikatur e Alpeve Pennine. Grand Combin është gjithashtu një masiv i madh me akullnajë që përbëhet nga disa maja, ndër të cilat, tre janë mbi 4000 metra. Pjesa më e lartë e masivit është tërësisht në Zvicër, megjithëse kufiri me Italinë shtrihet disa kilometra në jug./A2CNN / KultPlus.com