Dy nga emrat më të njohur të muzikës italiane, Bobby Solo dhe Marco Zappa, do të performojnë për herë të parë së bashku në Tiranë, në një koncert të jashtëzakonshëm, që do të mbahet më 3 qershor në Pallatin e Kongreseve.
Ky event i veçantë vjen me mbështetjen e Bashkisë Tiranë, si pjesë e promovimit të aktiviteteve artistike dhe kulturore në kryeqytet, duke i dhënë publikut shqiptar mundësinë të përjetojë nga afër magjinë e muzikës së mirëfilltë italiane.
Bobby Solo, i njohur për hitet që kanë shënuar historinë e muzikës pop dhe rock italiane, dhe Marco Zappa, një nga kantautorët më të dashur në hapësirën italishtfolëse, do të sjellin në Tiranë një mbrëmje të mbushur me emocione, kujtime dhe tinguj që nuk harrohen lehtë.
Koncerti do të zhvillohet në datë 3 qershor, në orën 20:00, në Pallatin e Kongreseve, ndërsa biletat tashmë janë në shitje për të gjithë të interesuarit që duan të bëhen pjesë e kësaj nate të veçantë.
Një mundësi unike për të gjithë dashamirësit e muzikës italiane dhe për publikun shqiptar që vlerëson artin cilësor ndërkombëtar./ KultPlus.com
