Botohet “Arti i joshjes” nga Robert Greene, me përkthim të Elvi Sidherit

Porsa është botuar në shqip, nga botimet “PEMA”, libri i famshëm “Arti i joshjes”, nga autori i njohur amerikan Robert Greene, me përkthimin e Elvi Sidherit, përcjell KultPlus.

“Arti i joshjes” nga Robert Greene, është një udhëzues ku shtjellohet përkryer ‘Joshja’ në çdo aspekt të saj thelbësor, përmes përvojave, bëmave dhe shembujve jetësore të gjithë joshësve të mëdhenj në histori, gjithashtu bashkëngjitur nëpërmjet përshkrimeve të poetëve e shkrimtarëve më të shquar në histori, nga lashtësia në ditët e sotme, në dy tekste paralele, ku shpërfaqet thelbi i ‘Joshjes’ mrekullisht.

Të arrish çfarëdo që dëshiron duke mundur të shfrytëzosh dobësinë kryesore të gjithkujt: dëshirën për të ndier kënaqësi.

Joshja përbën formën më butë, të pakapshme, dhe efikase të pushtetit.

Kjo gjë vërtetohet njëlloj në rastin e grishjes që John. F. Kennedy ushtronte ndaj masave popullore, por gjithashtu edhe në magjepsjen që Kleopatra i pati shkaktuar Mark Antonit.

Tashmë, autori i librit bestseller, “48 Ligjet e Pushtetit”, ka shkruar një udhëzues ku sakaq sintetizohet letërsia klasike e joshjes, nga Frojdi të Kierkergaard, nga Ovidi te Kazanova, ku shpalosen strategjitë të shumta mendjemprehta, të cilat ilustrohen nga sukseset dhe dështimet e njerëzve të shquar përgjatë gjithë historisë.

E sërish Robert Greene ka mundur t’i identifikojë rregullat kësaj loje të përhershme amorale, duke shtjelluar mënyrat si zhvillohet magjepsja në joshje, si thyhet qëndresa e tjetrit, duke mundur si përfundim t’i detyrojmë të tjerët të na dorëzohen.

“Arti i Joshjes” na shpie në një rrugëtim përmes karaktereve dhe cilësive të dhjetë figurave tipike në joshje (ku përfshihet Sirena, Dashnori Ideal, I Vardisuri, I Natyrshmi, Karizmatiku dhe Ylli), krahas njëzet e katër mënyrave falë të cilave gjithkush mund ta mposhtë qëndresën e kotë të viktimës së vet, pikërisht duke zbatuar këtë formë të përhershme dhe të paepur arti.

“Arti i Joshjes” ofron një shembull të domosdoshëm për joshjen, ku shpërfaqet njëra nga armët kryesore në gjithë historinë e njeriut, që përbën ndërkaq formën më të epërme të pushtetit. / KultPlus.com