Shfaqja “Bretkosa” hapi mbrëmë festivalin PITF, ngjalli një emocion të paharruar për publikun

Xhemile Hysenaj

Arthur Milleri, e konsideronte teatrin si diçka shumë të ngjashme me jetën, diçka që është pafundësisht mahnitëse, thoshte ai. E ku më mirë se në teatër shfaqen e thuhen të pathënat e brengat që në një kohë qoftë ajo kohë aktuale qoftë e shkuar, e ka preokupuar një shoqëri te caktuar, shkruan KultPlus.

Në Kosovë, teatri zë një vend të rëndësishëm në kulturën dhe artin e vendit. Duke bërë kështu që festivalet e teatrove, të jenë shpesh herë të pranishme para publikut tonë kosovarë dhe jo vetëm.

Mbrëmë u hap zyrtarisht edicioni i tretë i festivalit të nivelit ndërkombëtar të teatrove në Kosovë, Prishtina International Theater Festival, i cili zë vend në Teatrin ”Faruk Begolli”, të Kolegjit AAB.

Hapjen e bëri regjisorja Burbuqe Berisha, e cila shprehi falënderimet më të larta për organizatorët e këtij festivali. ”Faleminderit qw keni krijuar një komunitet artistik, me një komoditet aq të mirë që bota artistike të frymojë brenda Universitetit AAB. Kjo është diçka shumë e veçantë”, tha ajo para publikut, duke e shpallur kështu zyrtarisht të hapur festivalin.

Fjalën e mori edhe përfaqësuesja e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit, Jehona Shyti, e cila shprehi kënaqësinë e saj që ishte pjesë e hapjes së këtij edicioni. ”Mendoj që është një edicion i rëndësishëm. E kemi për obligim të mbështesim ngjarje të tilla që i sjellin publikut shumë vlera”, tha ajo.

Pas hapjes së festivalit, publiku vazhdoi drejt teatrit për të shikuar shfaqjen ”Bretkosa”, shfaqje kjo nën regjinë e Burbuqe Berishës, e cila shprehej të jetë tejet e kënaqur që ”Bretkosat” po shfaqej prapë për publikun kosovarë.

”Unë i dua shumë këto tema dhe ka qenë shumë kënaqësi realizimi i shfaqjes. Aktorët kanë qenë shumë të mirë dhe ka qenë njëra ndër sfidat më të mira dhe më të guximshme për mua”, potencoi ajo për KultPlus.

”Bretkosa” shpaloste një realiteti të hidhur, që ndeshej me njerëzoren, një anë njerëzore që binte ndesh me parimet personale duke bërë kështu që jeta e personazheve të merrte kahje tjetër, një kahje të padëshirueshme prej së cilës humbiste filli e zhytja në llum ishte më e thellë sesa njeriu mund ta përballonte.

Tri personazhe, tri jetë të shkatërruara, tri jetë që kërkonin me ngulm një ndryshim që me shumë gjasë nuk do të vinte kurrë.

Ilir Tafa, në rolin e një berberi, i cili në rininë e tij të hershme kishte qenë pjesë e luftës së fundit në Kosovë, me trauma të ngjitura fort pas qenies së tij prej luftëtari krenar, kishte humbur gruan dhe djalin e tij si pasojë e krizave psikike që kishte pësuar. Në tjetrën anë, vëllai i tij, rolin e të cilit e luante Donat Qosja, vuante varësinë nga alkooli dhe bixhozi i cili poashtu kishte humbur punën dhe nuk gjente guximin t’i tregonte gruas së tij të vërtetën. Shoku i tyre, një taksist që luhej nga Basri Shala, tradhtonte gruan me një vajzë të re dhe personazhi i katërt, nën interpretimin e Valmir Krasniqit, i cili vinte në formë shprese për personazhin kryesor, berberin.

Berberi (Ilir Tafa), vuante pamundësinë për ndryshim dhe vazhdimisht shtynte të vëllain dhe shokun e tyre taksist për të ndryshuar, për të filluar një jetë më ndryshe. Ndërsa, këta të dy, një gjë të tillë e konsideronin të pamundur deri në pikën që edhe talleshin me të.

Dashuria e madhe për kombin, një jetë e dëmtuar si pasojë e humbjeve dhe sakrificave, vinin nën interpretimin e një kasti prej katër aktorësh, që publikut i falën emocione të pakrahasueshme. Ku përmes këtyre katër personazheve, trajtohej e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e secilit që ka qenë viktimë e luftës dhe traumave të saj.

”Bretkosa”, ngjalli një emocion të paharruar për publikun duke përfunduar me shumë duartrokitje e brohoritje nga ana e tyre.

Të pranishëm ishin edhe disa aktorë, ndër ta edhe Vlora Merovci, e cila për KultPlus u shpreh të jetë tejet e kënaqur me shfaqjen dhe performancën e aktorëve. ”Ka një kohë të gjatë që nuk kam parë shfaqje kaq të mirë, aktorët na falën shumë emocione”, potencoi ajo për KultPlus.

Ndërkaq, Ilir Tafa i cili ishte në rolin kryesor, pohoi të jetë shumë i kënaqur që ishte pjesë e kësaj shfaqjeje. ”Është hera e 12-të apo e 13-të, që po luhet kjo shfaqje. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e një kasti kaq të mirë aktorësh, që i kanë dhënë frymë dhe jetë shfaqjes”, deklaroi ai për KultPlus.

Festivali do të zgjasë deri më 9 nëntor 2019, në dy skenat e Teatrit AAB “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, ku aty do të ngjiten shtatë trupa artistike në programin konkurrues, të cilat vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Greqia, Bullgaria e Kroacia. /KultPlus.com

Shfaqja “Bretkosa” një dramë që të prek thellë

Ekrem Kryeziu

Pas mbylljes së Festivalit të Dytë Ndërkombëtar Teatror, në fund të vitit 2018, në skenën e madhe të Teatrit “Faruk Begolli” të Kolegjit AAB, ku garuan trupat teatrore nga Kosova, Italia, Bullgaria, Kroacia, dhe Shqipëria (me dy drama), në vigjilje të Vitit të Ri 2019, me 26 dhjetor 2018 në orën 20, u inaugurua edhe një skenë teatrore në këtë institucion universitar – skena kamertale.

Me inaugurimin e kësaj salle u hap edhe një dritare, që frymëmarrjes teatrore në Kosovë, t’ i shtohet fuqia. Me këtë hap, Kolegji AAB po bëhet jo vetëm qerthull i dijes po edhe institucioni më i kompletuar teatror në Kosovë.

Trupa “Ad hoc” e AAB-së, në këtë sallë shfaqi dramën “Bretkosa” të autorit nga Kroacia, Dubravko Mihanoviq, e adaptuar për shikuesit e Kosovës nga dramaturgja Seadet Beqiri. Tema e kësaj vepre, për kah ideja, ngjason me të gjitha dramat nga letërsitë vendeve që kanë përjetuar luftëra.

Karakteristikë kryesore e kësaj vepre, që atë me nder e radhit krahas veprave të proveniencës së letërsisë botërore War and after war (Lufta dhe pas lufta) njerëzorja është në plan të parë. Edhe pas mbarimit të luftërave plagomat që lënë luftërat në njeriun vështirë shërohen.

Drama “Bretkosa”, e ndërtuar dhe e adaptuar mbi këto koordinata stilistike, bëri që publiku shqiptar në këtë sallë kamertale të Kolegjit AAB ta përjetojnë thellë fatin e personazheve ngase kjo temë sa ishte botërore ishte edhe plagomë e popullit shqiptar të Kosovës

“Kuarteti” i aktorëve, i prirë nga Ilir Tafa, “berberi”, kryepersonazhi i kësaj drame, rolin e të cilit Ilir Tafa gjatë shfaqjes, e ndërtoi me ritme dhe kundër-ritme, sa fizik aq edhe njësorë. Variacionet e interpretimit të tij shquheshin edhe me të folurit sa me turp, sa me plasje të herëpashershme që shënjonin baticat dhe zbaticat e oqeanit të dhembjes që buburitë në shpirtin e “Berberit”, ish luftëtar të cilit i ishin vrarë shokët e togut e ai e mallkonte veten që ka shpëtuar. Plasjet e tij,

hove hove ngjasonin me erupsione “vullkanike” që nuk e lënin të qetë shpirtin e tij.

Interpretimin “filigran” të Ilir Tafës denjësisht e përcollën Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi. Secili veç e veç dhe të gjithë së bashku, të mbikëqyrë nga regjisorja Burbuqe Berisha dhe asistenti i saj Ledri Vula, dëshmonin në mënyrën më njerëzore për pasojat që lufta dhe paslufta kishte lënë vragë të mëdha në personazhet që ata luanin.

Kjo shfaqje, jo vetëm që e meriton por, e ka për obligim kulturor që të nisë një pelegrinazh teatror nëpër çdo qytet të Kosovës, patën apo s’ patën sallë teatri, ngase shfaqje e mrekullueshme është e “paketuar” ashtu që të komunikojë me sukses kudo që të shfaqet dhe nga akëcila “skenë” të ngritet ajo komunikon me sukses me shpirtin e molisur të atyre që plagomat e luftës ende lëngojnë në ta, e të atillë ka anë e kënd Kosovës./ KultPlus.com

“Bretkosa”, drama psikologjik e ish-ushtarit që vuan nga PTSD dhe njerëzve që e rrethojnë

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në skenën e re kamertale të Teatrit AAB është dhënë premiera e shfaqjes “Bretkosa”, në regji të Burbuqe Berishës dhe me aktorët: Ilir Tafa, Donat Qosja, Basri Shala dhe Valmir Krasniqi, shkruan KultPlus.

“Bretkosa” është një dramë psikologjike, historia e të cilës zhvillohet brenda katër mureve të një dyqani të vjetër për qethje. Gjithë drama zhvillohet ditën e bajramit.

 Zeka (Ilir Tafa), është një veteran i luftës i cili vuan nga  Sindroma Post Trauamtike (PTSD). Një njeri të cilin familja e ka lënë pasi që ka qenë i dhunshme. Në anën tjetër është vëllai i tij Toni (Donat Qosja). Ai është një burrë familjar i cili ka humbur punën dhe ngushëllimin e gjen në pijë dhe në kumar.

Vëllai i madh dëshiron ta bind të voglin që të ndryshojë, ndoshta edhe me forcë.  Në mes të gjithë kësaj gjendet miku i tyre, një taksist (Basri Shala) i cili ka ikur gjatë luftës dhe e ka lënë Kosovën. Si dhe shitësi i librave (Valmir Krasniqi).

Tekstin e kësaj shfaqje e ka realizuar autori kroat  Dubravko Mihanović. Shfaqja erdhi mbrëmë në Prishtinë e adaptuar nga regjisorja Burbuqe Berisha duke iu referuar realitetit në Kosovë. Këtë e ka pohuar edhe regjisorja në një prononcim për KultPlus.

“Aktorët i kam zgjedhur duke besuar se ata do të mund ta bartin barrën të cilën e ka kjo shfaqje pasi që kjo shfaqje nuk i takon regjisores por aktorëve. Mendoj që shfaqja do të ketë jetë të gjatë pasi që korrespondon shumë mirë me shikuesin dhe është shfaqja e tyre. Së fundi kam vendosur që të merrem me individin edhe me dramën e tij brenda këtij vendi, dhe kjo ka qenë edhe një sfidë e imja”, theksoi Berisha për KultPlus.

Regjisorja Berisha thekson po ashtu që aktori Ilir Tafa ka qenë promotori i gjithë kësaj shfaqje. Drama merret me problemet e kohës së sotme që janë të njëjta ose të ngjashme edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, Kroaci, por edhe në Kosovë, vende këto ku edhe është realizuar kjo shfaqje. Madje, në Bosnjë aktori Ilir Tafa ka qenë pjesë e filmit të metrazhit të gjatë i cili zbërthen tekstin e skenaristit Dubravko Mihanović. Pas dhjetë viteve, aktori Ilir Tafa është rikthyer përsëri në Kosovës për të sjellë rolin e berberit, një ish-ushtari të UÇK-së.

“Së fundi kam luajtur vetëm në Bosnjë dhe Kroaci dhe për mua kjo ka qenë edhe premierë edhe në kuptimin që jam rikthyer para publikut në Kosovë. Ka qenë e vështirë pasi që rolinuk është i lehtë. Madje mund ta konsideroj si një nga rolet më të vështira që kam luajtur deri tani. Procesi na ka marrë më shumë kohë sesa e kemi menduar kështu që tani i mbetet publikut për ta vlerësuar”, u shpreh Tafa për KultPlus.

Teksti ka më shumë se 10 vite që është pjesë e repertorëve në teatrot të ndryshëm. Prandaj, sipas aktorit Donat Qosja, merita më e madhe i mbetet skenaristit.

“Skenaristi i ka gdhendur këto karaktere jashtëzakonisht mirë dhe na e ka bërë neve aktorëve punën më të lehtë”, ka theksuar ai duke shtuar se shfaqja ka momente mjaft të rëndë e të cilat gjatë provave kanë kërkuar shumë angazhim.

Kjo shfaqje parqet një gërshetim në mes të mungesës së komunikimit dhe pamundësisë për të dëgjuar mendimin e dikujt tjetër. Personazhet frymojnë dhe bashkëjetojnë me realitetin dhe janë në luftë të përhershme me veten e tyre për të bërë ndryshime. Sipas aktorit Basri Shala, shfaqja është e tillë që publiku nuk e ka idenë se çfarë do të ndodh pasi biseda është e tillë, intime por edhe konfliktuoze.

“Jam inkuadruar shumë vonë në projekt mirëpo tema jashtëzakonisht e rëndë, e të cilën e jetojmë edhe sot, si dhe ekipi më kanë bërë që më çdo kusht të pranoj që të jem pjesë e kësaj shfaqje. Ndryshimi i vetëm në këtë shfaqje tek ne është se ajo është përditësuar me elemente tona, të Prishtinës. Përndryshe, kjo shfaqje reflekton Ballkanin, një realitet ballkanas e që vë në pah se gjenerata e re e ka më problem”, u shpreh ai për KultPlus.

Reprizat e shfaqje “Bretkosa” do të jenë më 27 dhe 28 dhjetor duke filluar nga ora 20:00 në Skenën Kamertale të Teatrit AAB./ KultPlus.com