Pamje të rënda: Në brigjet e Libisë uji nxjerr trupa të pajetë, në mesin e tyre një fëmijë

Një organizatë bamirëse nga Spanja ka publikuar fotografi prekëse të disa trupave të pajetë që janë gjetur në bregdetin e Libisë. OJQ-ja “Proactiva Open Arms” thotë se këta njerëz u munduan që ta kalonin Mesdheun dhe të shkojnë për të jetuar në Evropë.

Vetëm këtë vit, së paku 743 imigrantë kanë vdekur në Detin Mesdhe gjatë përpjekjeve për të shkuar në Evropë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Migrimit, e cila është pjesë e Kombeve të Bashkuara, vetëm në pjesën qendrore të Mesdheut këtë vit janë regjistruar 630 të vdekur, në krahasim me 289 viktima në tërë Detin Mesdhe vitin e kaluar.

Trupi i një gruaje (Foto e marrë nga faqja e OJQ-së “Proactiva Opean Arms” në Facebook”)

“Ne jemi në shok. Kur njerëzit mundohen që të ikin nga Libia, ata nuk duhet të kthehen apo të lihen në ujin e Mesdheut. Duhet të ketë operacion të kërkim-shpëtimit për ta mbrojtur jetën e njerëzve në det”, tha organizata spanjolle.

Trupi i pajetë i një fëmije, i mbuluar pjesërisht nga rëra (Foto e marrë nga faqja e OJQ-së “Proactiva Opean Arms” në Facebook”)

“Deti Mesdhe është varreza më e madhe në botë. Nuk duhet të jetë kështu”, deklaroi shefja për komunikime në OJQ-në “Proactiva Open Arms”, Laura Lanuza.

Një trup i pajetë, i mbuluar me batanije (Foto e marrë nga faqja e OJQ-së “Proactiva Opean Arms” në Facebook”)

Duke reaguar ndaj këtyre fotografive, kryeministri italian, Mario Draghi, tha: “Fotografitë e trupave të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël të nxjerrë nga uji në një plazh të Libisë janë të papranueshme.

Ndryshe, Evropa po përballet me një valë të re të njerëzve që po mundohen të hyjnë në territorin e saj përmes Detit Mesdhe. Rreth 13.000 persona tashmë kanë arritur në Itali vetëm gjatë këtij viti. Moti i ngrohtë në atë zonë e ka shtuar frikën se numri i njerëzve që do ta provojnë fatin për një jetë më të mirë do të rritet ende. / KultPlus.com