‘Bub Rrenci’ – banori i ri i Teatrit të Qytetit të Gjilanit, Korça shpjegon idenë e personazhit “fiktiv”

Artistët Bekim Korça dhe Erson Zymberi kanë krijuar një strip të quajtur “Bub Rrenci” në prag të festave të fundvitit, shkruan KultPlus.’

Skenografi dhe dizajneri i Teatrit të qytetit të Gjilanit, Bekim Korça në një prononcim për KultPlus ka thënë se ky strip është krijuar në formën e kartolinës, me të cilën Bub Rrenci përkujdesët që në çdo fund të vitit të urojë e falënderojë gjithë dashamirët e teatrit pa dallime.

“Kjo ide është mirëpritur gjithmonë nga të gjithë dhe si proces i tillë ka vazhduar rrugëtimin deri në këtë vit dhe synimi ynë i përbashkët që kjo të bëhet traditë e mirënjohjes dhe urimeve për të gjithë”, ka thënë Korça.

Featured Image

Artisti nga Gjilani ka bërë të ditur se kjo ide ka qenë e tij dhe e drejtorit të teatrit të Qytetit të Gjilanit, Erson Zymberi, që kanë pasur diskutime rreth idesë së kartolinës dhe kanë vendosur që kësaj radhe të krijojnë një personazh pothuajse fiktiv.

“Ky banor, është banor i përhershëm i teatrit tonë, por i cili nuk vërehet nga askush për shkak të përmasave të vogla e në fund të fundit nuk jemi fajtor ne”, thotë tutje ai.

Korça shpjegon se ky Bub Rrenc është ai i cili bën vëzhgimin e çdo aktiviteti teatror e kulturor pa pyetur fare.

No photo description available.

“Është ai i cili neve na vëzhgon dhe bëhet pjesë e jona gjithmonë në çdo aktivitet teatror e kulturor pa pyetur fare. Veprimet e tij herë pas herë nuk janë edhe aq të hijshme, por ne kemi vendosur që ta mbajmë nën vëzhgim dhe veprimet e tij, cilat do qofshin ato, t’i publikojmë dhe t’i përkthejmë vizuelisht përmes një stripi minimal. Ky është një personazh çapkën, banor i përhershëm i teatrit të Gjilanit, i cili është në kërkim të gjithçkaje, kurioziteti dhe egoja e të cilit na bën të gjithë neve kureshtar për të parë se deri ku do të shkoj imagjinata e këtij insekti kreativ, gjë për të cilën nuk do ta kursejmë fare dhe do të ja publikojmë në baza dy javore”, shpjegon Korça.

Pagëzimi nga Bubrreci në Bub Rrenc vjen si pasojë e manipulimeve që ai bën herë pas here dhe paraqitet shumë i pafajshëm, pastaj kumbara i pagëzimit të këtij insekti është Ersoni.

Këtë projekt, Korça e vlerëson shumë të rëndësishëm për teatrin e Gjilanit, dhe shpreson qe rrugëtimi i tij të vazhdojë deri në fund të vitit të ardhshëm por duke pasur parasysh veprimet e pakontrolluara të Bub-it, Zoti e di se kur do të ndalet. /KultPlus.com

May be an illustration