Mbi 20 mijë civilë të vrarë në qytetin Mariupol në Ukrainë

Kryetari i qytetit Mariupol ka deklaruar se shifrat e fundit flasin për më shumë se 20 mijë civilë të vrarë nga sulmet ruse që nga fillimi i agresionit në Ukrainë.

Kryetari Vadym Boichenko ka thënë se është e pamundur të kalkulohet numri i saktë i të vrarëve shkaku i luftimeve në rrugë shkruan The Guardian.

Ndërkaq në qytetin Bucha aty ku ndodhi masakra më e madhe deri më tani e ushtrisë ruse, janë gjetur 403 trupa të civilëve të vrarë deri tash.

Mariupoli, që gjendet në juglindje të Ukrainës, është i rrethuar nga trupat ruse. Ky qytet është goditur më së keqi nga bombardimet dhe sulmet ajrore ruse.

Ukraina ka thënë se banorët që ende gjenden në qytet nuk kanë qasje në ujë, rrymë dhe nevoja të tjera bazike.

Rrethimin e qytetit të Mariupolit zyrtarët ukrainas e kanë quajtur krim lufte. Ky qytet është i një rëndësie të madhe për Rusinë, pasi nëse bie nën kontrollin rus, do të krijonte një urë tokësore midis Krimesë së aneksuar nga Moska dhe rajonit lindor ukrainas të Donbasit, pjesë të së cilit, që prej vitit 2014, kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia. / KultPlus.com

E mbijetuara në Bucha rrëqeth me rrëfimin e vrasjes së bashkëshortit nga forcat ruse: Ishin çnjerëzorë

Sa më shumë që flitet me njerëzit në Bucha, aq më shumë mësohet për terrorin që kanë përjetuar njerëzit në këtë qytet.

Irina Abramova tregoi për BBC vendin në rrugën jashtë shtëpisë së saj ku burrit të saj, 40-vjeçarit Oleg Abramov, iu kërkua të gjunjëzohej dhe më pas u qëllua në kokë nga ushtarët rusë rreth 1 muaj më parë.

Irina tha se ajo u bërtiti trupave ruse dhe më pas u kërkoi atyre që ta qëllonin edhe atë.

“Sytë e tyre ishin si akulli,” tha ajo, duke i rrjedhur lot në fytyrë. “Burri im nuk ishte ushtar. Ne u thamë se jemi civilë. Por ata ishin çnjerëzor.”

Ajo tregoi unazën e martesës që kishte dhuruar i shoqi, të cilën tani e mban në një zinxhir në qafë./tvklan.al / KultPlus.com