Qyteti antik i Butrintit jepet me koncesion!

Qendra më e njohur arkeologjike në Shqipëri, qyteti antik i Butrintit, pritet të menaxhohet për dhjetë vitet e ardhshme nga një agjenci e re. Në ligjin e miratuar së fundmi, ajo njihet si “Fondacion”, por për të nuk ka shumë hollësi, me përjashtim të faktit, që do të jetë një partneritet mes Ministrisë së Kulturës dhe një partneri strategjik.

Ndryshimi është pjesë e “Planit të Menaxhimit të Integruar për Parkun Kombëtar të Butrintit”, një dokument prej 300 faqesh, miratuar nga qeveria shqiptare dhe hartuar nga kompania angleze “Prince and Pearce”, kontraktuar dhe mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim (AADF).

Kjo do të ishte hera e parë që në menaxhimin e qytetit antik të Butrintit do të përfshihej drejtpërdrejt edhe një subjekt jo-publik.

Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës, Ministria e Kulturës tha se “Fondacioni” i ri do të krijohet përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi me një partner strategjik, për të cilin ajo nuk dha shumë hollësi, por shtoi se “organizimi dhe funksionimi i “Fondacionit” do t’i nënshtrohen legjislacionit për organizatat jofitimprurëse”. Marrëveshja mes Ministrisë së Kulturës dhe fondacionit të ri duhet të miratohet në parlament.

Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, një organizatë që ka rreth 10 vjet e përfshirë në projekte për Butrintin, dhe së fundmi financuese e studimit, e pyetur nga Zëri i Amerikës nëse është e interesuar të jetë partneri strategjik, ndonëse nuk u përgjigj drejtpërdrejt, la të kuptohet se është e interesuar. “Duke konsideruar rëndësinë e Butrintit si një Sit i Trashëgimisë Botërore dhe faktin se administrimi indirekt i trashëgimisë kulturore është një risi në kontekstin shqiptar, nuk do të ishte e kujdesshme që qeveria të mos përfshinte një donator të besueshëm dhe të gatshëm në fillim të procesit të ri. Për këtë, AADF ka angazhuar deri tani mbi 7 milion USD për projektin e Butrintit”, shprehet AADF.

Më tej, ajo shpjegon se: “fondet e dedikuara dhe të gjitha të ardhurat e tjera të krijuara do përdoren vetëm për pasurinë kulturore dhe Parkun Kombëtar të Butrintit. Themeluesve nuk u lejohet asnjë përfitim financiar dhe material nga të ardhurat dhe fitimet e fondacionit, apo kthim të investimit të tyre”.

Studiues dhe emra të njohur të trashëgimisë kulturore shqiptare kanë ngritur shqetësime për një formë të tillë menaxhimi të Butrintit përmes fondacioneve jo-shtetërore.

Sipas studiuesit Agron Alibali, në menaxhimin e Butrintit, si pasuri e UNESCO-s, me formën e re Shqipëria është në shkelje të Konventës së Parisit, e cila përcakton rolin e padiskutueshëm parësor të shteteve anëtare, të njohura si “shtete palë”, në administrimin e pasurive kulturore dhe natyrore në territoret e tyre.

Ndërsa sipas arkeologut të njohur Neritan Ceka, Plani i Menaxhimit nuk kishte në ekipin e tij asnjë arkeolog shqiptar.

E pyetur nga Zëri i Amerikës për këto kritika, Ministria e Kulturës thotë se Plani i ri i Menaxhimit ka qenë objekt i një konsultimi të gjatë me Qendrën e Trashëgimisë Botërore (UNESCO) dhe trupat këshillimore ICOMOS dhe ICCROM.

Plani, sipas Ministrisë së Kulturës, është hartuar në referencë të plotë me Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe rekomandimet e Vendimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe organeve këshillimore të Qendrës së Trashëgimisë Botërore/UNESCO”.

Një tjetër çështje e ngritur nga kritikët është mos-shfrytëzimi i nivelit të lartë të të ardhurave që realizon Butrinti aktualisht (në pritshmërinë e rreth 1 milionë dollarëve në vit) nga të cilat Parku nuk harxhon as 30% të tyre.

Kritikët thonë se me këto tregues financiarë, Butrinti nuk ka nevojë për një partneritet me subjekte private.

Ministria e Kulturës pohon se “edhe pse sistemi aktual i menaxhimit ka siguruar i sforcuar mbrojtjen e vlerave kulturore të Parkut, ai nuk është fleksibël, nuk ka arritur pritshmëritë e tij dhe nuk garanton në perspektivë mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kulturore dhe natyrore”. Ministria e Kulturës “i lidh nevojat për ndryshim në Butrint nga nevojat për të sjellë burime të reja financimi, të qëndrueshme dhe afatgjatë dhe qasje të reja menaxhimi për Parkun Kombëtar”.

Plani i ri i menaxhimit i sapomiratuar ndan qytetin antik

Plani i Menaxhimit për Parkun Kombëtar të Butrintit, parashikon krijimin e një “Fondacioni” të ri, që do të menaxhojë vetëm qytetin antik të Butrintit, duke e ndarë atë nga sipërfaqja e përgjithshme aktuale e Parkut Kombëtar prej 9424 hektarësh.

Qyteti Antik ka një sipërfaqe prej 614 hektarësh dhe njihet si zona A-3. Aktualisht i gjithë Parku Kombëtar menaxhohet nga agjencitë shtetërore dhe ai përfshin si qytetin antik ashtu edhe pjesën natyrore përreth qytetit.Zona A-3 është një pjesë e sipërfaqes prej 2500 ha që mbrohet nga UNESCO.

Autoritet shqiptare thonë se do të dëshironin ta shtrinin menaxhimin në gjithë sipërfaqen prej 9424 ha, por sipas ligjeve në fuqi, kjo nuk është e mundur. Në dokumentin e miratuar thuhet se“sipas rregullimeve aktuale nuk mund të krijohet një fondacion i posacëm për mbarë Parkun Kombëtar edhe nëse kjo do ishte e dëshirueshme”.

Plani i menaxhimit të Butrintit një sfidë prej vitesh për autoritetet shqiptare

UNESCO në vitin 2012, pas një misioni monitorues në Butrint, u kishte kërkuar autoriteteve shqiptare si “shteti palë” hartimin e një plani të kombinuar menaxhimi, që do të përfshinte si qytetin antik të Butrintit edhe pjesën e mbrojtur natyrore përreth tij.

Ministria e Kulturës ngriti atëherë një grup ndër-institucional për hartimin e planit nën drejtimin e Parkut të Butrintit.

Ky proces u mbështet financiarisht po nga Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim.

Studimi përfundoi në vitin 2013 dhe nuk parashikonte menaxhimin e Butrintit përmes një pale të tretë, por përmes forcimit të kapaciteteve dhe bashkërendimit nga institucionet shqiptare. Studimi gjithsesi mbeti në formë projekti dhe nuk u miratua ndonjëherë.

Procesi i menaxhimit të Butrintit u rihap përsëri në tetor të vitit 2018 kur u nënshkrua një tjetër marrëveshje për bashkëpunim midis Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim me një financim prej 250 mijë dollarësh prej këtij të fundit.

Marrëveshja pasoi miratimin e Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, ku parashikohej edhe administrimi indirekt i pasurive kulturore shqiptare në pronësi publike.

Në përgjigje të interesimit të Zërit të Amerikës se përse ishte hequr dorë nga dokumenti i vitit 2013, Fondacioni Shqiptaro Amerikan i Zhvillimit tha se “përvoja gjatë fazës së parë të ndërhyrjeve në Butrint i njohu me shumë problematika në operim, të cilat në një këndvështrim më të gjerë shtronin nevojën e rishikimit të kornizës ligjore në sistemin e trashëgimisë kulturore dhe kërkimin e modeleve të reja në menaxhimin e siteve”.

Si rrjedhojë, thotë AADF “u gjykua që plani i menaxhimit të integruar të Butrintit do ishte më efektiv nëse do të hartohej pas reformës ligjore të cilën Ministria e Kulturës e kishte nisur dhe që e finalizoi në Maj 2018 me miratimin e Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë.”/VOA./ KultPlus.com

Mbështetje turizmit, ulje e çmimeve në sitet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot “se qytetarët do të kenë mundësi të vizitojnë sitet e trashëgimisë kulturore me çmime më të ulëta”.

E ftuar në një studio televizive, Margariti tha se “janë marrë masa për të mbështetur sa më tepër bizneset lokale dhe në këtë nismë Ministria e Kulturës afrohet duke mbështetur sidomos turistët lokalë për t’i bërë të mundur aksesueshmërinë në site dhe duke bërë uljen e tarifave”.

“Ne kemi pasur vitin që shkoi një rekord mbi 1 milion vizitorë në të gjitha sitet e trashëgimisë kulturore dhe kishim ndërmarrë ndërkohë edhe një nismë tjetër, shtimin e  shërbimeve dhe rritjen e tarifave në këto site. Por duke pasur parasysh se pandemia solli detyrimisht edhe një gjunjëzim të disa sektorëve të ekonomisë ne menduam se për ne është e rëndësishme promovimi dhe të mos ulim ritmin e vizitueshmërisë në site. Ndaj kemi ulur tarifat që kanalizohet më shumë në biletarinë online, një risi e Ministrisë së Kulturës”, tha Margariti.

Ajo theksoi se “në sportel kemi biletarinë si gjithmonë manuale por kemi edhe 10 site me biletari elektronike dhe në këto site ku kemi biletarinë elektronike kemi edhe çmimet më të reduktuara nëse bileta blihet përpara online”.

Margariti tha se turisti i huaj është një shtyllë e rëndësishme e ekonomisë që sjell të ardhura në të gjitha sitet kulturore. “Nga statistikat 60% e turistëve janë turistë të huaj në sitet tona kulturore. Ne kemi pasur parasysh këto kohë bashkë me ministritë e tjera që të ndërmarrin masa që të mbështesim bizneset lokale, dhe në këtë nismë Ministria e Kulturës, afrohet duke mbështetur sidomos turistët lokalë”, tha ministrja.

Ajo gjithashtu tregoi detaje për punën që po bëhet në restaurimin e siteve kulturore, të cilat  janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Ne paralelisht kemi nisur një sërë hartime projektesh për restaurimin dhe konsolidimin. Do të fillojmë së shpejti fazën më të detajuar të projekteve të zbatimit. Do të fillojë këtë muaj por ndërkohë kemi filluar me konsolidimin dhe vënien në siguri të disa siteve duke filluar nga Durrësi që ka qenë një nga sitet më të prekura, në Kalanë e Krujës. Së shpejti do të fillomë të ndërmarrim hapa konkret. Kruja ka një problem specifik nga sitet e tjera se ka edhe një problem gjeologjik shkëmbor që nuk i përket vetëm specialistëve tanë për të hartuar një projekt të detajuar, por kemi një ekip të mirë ekspertësh që na mbështesin dhe do të fillojmë shumë shpejt edhe atje. Por kemi filluar në kullën e murit rrethues në Durrës”, tha ministrja.

Më tej, Margariti ftoi qytetarët që të zbulojnë vendet turistike, ndërsa zbuloi ofertën për Butrintin.

“Ne po punojmë që të sjellim paketa të plota. Edhe për Butrintin do të dalim me një ofertë e re, e cila do jetë një biletë prej 400 lekësh. Duhet të gjejmë pak kohë dhe të shëtisim vendet tona. Butrinti është i vizituar, Kalaja e Shkodrës, por edhe parqet arkeologjike dhe kalatë janë ndër sitet më të vizituara. Ne kemi filluar të hedhim sytë drejt parqeve arkeologjike, ndërsa e kemi parë tërmetin jo vetëm për dëmet që shkaktoi, por edhe për të parë një plan më të gjerë menaxhimi”, shtoi Margariti./atsh / KultPlus.com

Zbulime në Butrint, dalin në dritë elemente të reja në tabanin e faltores pagane

Dita e fundit e një ekspedite arkeologjike 7 javore, në Butrint solli një zbulim befasues për ekipin shqiptaro-amerikan të arkeologëve. Ata besojnë se gërmimet në këtë hapësirë do të mund të rishkruajnë pjesë të historisë së Butrintit.

Një burim antik ende funksional në tabanin e një faltoreje të shek. të I, para Krishtit, në Butrint u cilësua si gjetja më e vjetër e llojit të saj në të gjithë Ballkanin. Burimi ende nxjerr ujë të pastër të pijshëm dhe duket qartë e gjithë struktura e pastrimit bashkë me një vaskë që mbushej nga burimi dhe i shërbente freskimit të popullsisë në një mjedis me karakter publik. Arkeologët besojnë se bëhet fjalë për tempullin antik dedikuar Zeusit Shpëtimtar. Struktura e tempullit ku emri i Zeusit u gjet dhjetëra herë ishte mes vendeve më të rëndësishme në qytet pas teatrit. Emrat e dhjetëra skllevërve që fitua lirinë ishin gdhendur në strukturat e gurta.

Ekspedita 7 javore i tejkaloi pritshmëritë, thotë David Hernandez, bashkë drejtor i projektit pasi provoi se ujësjellësi i ndërtuar nga perandori August, mes vitit 27 para Krishtit dhe vitit 14 të shek. të parë, është më i vjetri në të gjithë historinë e ndërtimeve me këtë natyrë. Augusti që u kujdes ta shndërrojë gjithë qytetit në një mjedis që vuloste shkëlqimin e Romës me trotuare, godina masive të gjitha të bardha dhe mbishkrime të arta ndërtoi një ujësjellës 6 km të gjatë që përshkonte Butrintin.

Gjetja e tretë e rëndësishme është konfirmimi i një Basilike mbi strukturën e Forumit Romak që ju mbivendos tempullit të Zeusit. Strukturat e granitit që u mbërritën në Butrint nga Egjipti si pasuri ekskluzive e Augustit u bënë pjesë e kolonadës së Basilikës dhe më pas në shek. VI u ripërdorën për Baptisterin.
Gjithë struktura e mureve dhe kanalizimeve të shkëlqyera të periudhës janë stabilizuar prej arkeologëve, ndërsa Prof.Dr.Dhimitër Çondi kreu shqiptar i ekspeditës, thotë se gjetjet në objekte janë gjithashtu mbresëlënëse. Mes tyre dallohen instrument kirurgjie, lodra fëmijësh, objekte supersticioni etj.

Hapësira më e rëndësishme në Butrint, pas teatrit fsheh ende shumë enigma, por arkeologët besojnë se gërmimet në këtë hapësirë do të mund të rishkruajnë pjesë të historisë së Butrintit, sidomos gjatë periudhës së shkëlqimit të tij, kohës kur qyteti mori emrin dhe mbrojtjen e Augustit dhe u quajt “Colonia Augusta Buthrotum”.

Provokon “The Times”: Qyteti i lashtë shqiptar Butrinti është grek

Faqja britanike “The Times”, ka botuar një shkrim, me titull “Gërmimet zbulojnë të shkuarën greke të qytetit antik shqiptar”, duke pretenduar se Butrinti është qytet grek.

Shkrimi i plotë

Për dekada të tëra, qyteti i lashtë i Butrintit në bregun jugor të Shqipërisë ka qënë i dukshëm por i pavizitueshëm nga banorët. Madje, vetë shqiptarët duhet të merrnin një vizë të brendshme për të arritur atje, në gadishullin buzë liqenit, fare pranë kurit grek. Tashmë, arkeologët janë zhytur në thellësitë e tij nënujore dhe kanë zbuluar prova që kur “Bouthroton” u themelua më shumë se 2 700 vjet më parë, si një koloni greke e Korintasve.
“Butrinti i ka Virgjilit një borxh të paçmuar. Në poemën e tij ai e dërgoi heroin nga Troja, Enean, të pushonte në Butrint gjatë rrugës për të gjetur Romën.

“Me një goditje, Butrinti ishte në hartën e botës”, tha Richard Hodges.
Virgjili pohoi se Butrinti ishte themeluar nga Helenus, djali i mbretit Priam të Trojës dhe kur romakët e pushtuan në vitin 228 p.k. ishte një qytet i begatë me mure të larta, kishte një teatër dhe një vend të shenjtë në nderim të zotit Asklepios. Pas rrëzimit të Romës, Butrinti pësoi mjaft disfata dhe ra në duart e bullgarëve bizantinë, normanëve, venecianëve dhe francezëve, përpara se të bëhej pjesë e Perandorisë Osmane në vitin 1799. Megjithatë, Butrinti nuk u harrua kurrë.

Lidhjet e këtij qyteti me Virgjilin, stimuluan gërmimet e para serioze arkeologjike nga Luigi Maria Ugolini, i cili punonte për qeverinë fashiste të Musolinit në vitin 1928. Por pas 1944, gërmuesit e huaj u ndaluan nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Një vizitë e Nikita Hrushovit në vitin 1945 solli interes të ri nga jashtë. Pas rënies së komunizmit në vitin 1991, Butrinti u bë fokusi i kërkimeve ndërkombëtare, të udhëhequra nga ekipi i Profesor Hodges.

Rrënojat helene, romake dhe mesjetare janë studiuar me një kujdes të veçantë dhe tani, pjesët të cilat shumica e gërmuesve nuk mund t’i arrijnë, poshtë forumit romak kanë dhënë prova lidhur me themelet greke të qytetit, gjatë shekullit të shtatë dhe të tetë p.k. Gërmimet e bëra nga një anëtar i ekipit të Hodges, David Hernandez nga Universiteti i Notre Dame, kanë treguar se shtresat poshtë forumit Romak shkojnë deri në 7 metra.

Punonjësit lokalë, të cilët profesor Hodges dhe Hernandez kanë trajnuar kanë qenë të aftë të identikojnë shtresa të ndryshme dhe t’i gërmojnë ato siç duhet. Disa prej tyre janë tani “ arkeologë shumë të aftë në fushën e tyre, të gatshëm për të përmbushur çdo detyrë që u jepet”, thotë David Hernandez në Journal Field of Archaeology

Nga viti 2011 e tutje, pjesë druri dhe sende të tjera organike janë gjetur si: okë, lëkurë dhe janë zbuluar fara bimësh që datojnë që në shekullin e 7 p.k.
Si rrallë ndonjëherë, në pjesën më të lartë dhe më të thatë të qytetit janë zbuluar sende nga jeta e përditshme, dëshmi nga ndërtesa masonerie, trotuare me mozaikë dhe vende të shenjta prej guri.

Mes gjetjeve ishin dhe plugje druri me moshë 2300 vjeçare. Butrinti u kuzua nga fusha pjellore e Vrinës, ku fermat u pasuan nga një varg vilash të fortikuara. Ekonomia vendase kombinonte agrikulturën me peshkimin në Liqenin e Butrintit dhe ngushticat e Korfuzit.

Profesor Hodges thekson se ndërkohë që Butrinti i perkiste Mesdheut dhe ishte qëllimisht një vend detar, gjithashtu ishte i lidhur me komunitetet bregdetare të Adriatikut e zonat e thella në lindje.
“Vendndodhja e Butrintit e mbrojti atë nga të këqijat e zhvillimit të turizmit pas luftës”, shton Profesor Hodges.

“Tani, arkeologët shqiptarë duhet të ngrenë kokën dhe të rishkruajnë historinë e Mesdheut. Nëse e bëjnë, gurët e brishtë dhe të përjetshëm të Butrintit do të vazhdojnë të rezistojnë”, thotë ai./tema/KultPlus.com

Butrinti, “mikrobota e historisë shqiptare”, 70 vjet monument kulture

Në vitin 1948, Instituti i Shkencave propozoi listën e parë të Monumenteve të Kulturës në mbrojtje nga shteti shqiptar. Butrinti këtë vit shënon 70- vjetorin e shpalljes monument kulture.

Butrinti së bashku me 106 monumente të tjera dhe qendra historike apo site arkeologjike u përfshinë në këtë listë.

Kjo listë u hartua kryesisht prej arkeologësh dhe figurash të njohura të kulturës shqiptare shumë prej tyre të shkolluar në universitetet e disa vendeve të zhvilluara të Europës.

Përzgjedhja e këtyre monumenteve u bë mbi bazën e disa kritereve themelore që respektoheshin për vënien në mbrojtje të një monumenti. Ndër këto kritere, më i rëndësishmi ishte ai i vlerave arkitektonike por pa përjashtuar edhe kriterin e gjinisë, kriterin kohor etj.

Muzeu Arkeologjik-Etnografik në Tiranë do të caktohej si qendër fillestare studimi, mbrojtjeje dhe konservimi për pasuritë e kulturës kombëtare materiale.

Parku Kombëtar i Butrintit me rrënoja mahnitëse greke, romake, osmane, i ndodhur në pjesën jugperëndimore të vendit, është një nga destinacionet që po vizitohet edhe këto ditë nga turistë vendas dhe të huaj adhurues të historisë së lashtë, pasi ky vend ofron numër të konsiderueshëm vendesh arkeologjike dhe konsiderohet si një “mikrobotë e historisë shqiptare”.

Butrinti është një mikrokozmos i historisë së Mesdheut, që prezanton ngritjet dhe uljet e perandorive të mëdha që kanë mbizotëruar në rajon. Sot është një amalgamë e monumenteve që prezantojnë një hapësirë me mbi 2000 vjet nga tempujt helenikë të shek. IV para Kr., deri në kalatë osmane të fillimit të shek. XIX. Në bazë të mitologjisë klasike, Buthrotum u ndërtua nga mërgimtarët që ikën pasi ra Troja. Me të arritur, djali i Priamit, Helenusi, sakrifikoi një dem, i cili përpëlitej i plagosur dhe ngordhi në breg. Duke e marrë këtë si një shenjë të mbarë, vendi u quajt Buthrotum që do të thotë “dem i plagosur”. Poema epike e Virgjilit, Eneida, rrëfen për Eneun që vizitoi Butrintin gjatë rrugës së tij për në Itali./a.a/ KultPlus.com

Rritet numri i vizitorëve në mrekullinë e quajtur Butrint

Monumentet e kulturës po dëshmojnë çdo ditë e më shumë që janë asete me vlerë historike dhe kulturore e vizitorët e shumtë që i shohin dhe i vlerësojnë janë ”miqtë” e tyre të përhershëm.

Në pritje të sezonit të ri turistik, monumentet e kulturës në vendin tonë janë gati për të pritur turistët për vizita të denja kjo dhe fal angazhimit të strukturave për mirëmbajtjen e tyre.

Një ndër vendet që po mrekullon turistët e huaj është Butrinti, qyteti që mbijetoi me ekzistencën e tij që nga krijimi në shekullin VIII para Krishtit.

Në pritje të sezonit turistik, vetëm në dy muajt e parë të vitit 2018, qytetin antik e kanë vizituar 2753 turistë. Ndërsa përgatitjet për sezonin parashikojnë një bum turistësh që çdo vit e më shumë janë në rritje.

Butrinti mendohet t’i ketë fillimet e tij në shekullin VIII para Krishtit, me vendosjen aty të tregtarëve të Korfuzit. Ky është qyteti që lidhet më shumë me legjendën e Eneas.

Në vitin 551 u sulmua nga barbarët. Historia që pasoi deri në shekullin e X, ashtu si ndodhi me shumë porte mesdhetare, mbetet mister. Më vonë u bë një port i rëndësishëm për lidhjen e Venecias me Bizantin. Për shumë kohë edhe në Mesjetë, ishte në duart e venecianëve, të cilët mbronin kufirin lindor të kanalit të Korfuzit.

Qyteti i Butrintit është i madh dhe kompleks, me rrënoja nga periudha të ndryshme.

Duke marrë në të djathtë dhe duke ndjekur rrugicat e ngushta, mbërrin në rrënojat që i përkasin banjos romane dhe një kulle veneciane dhe pastaj një seksion tjetër muresh që datojnë në shekullin e IV, pas Krishtit. Pas pothuaj 400 metrave të tjerë, të shfaqen rrënojat e një qendre të krishterë kulti dhe pastaj një pishinë në formën e kryqit që mund të ketë qenë pjesë e kishës mesjetare.

Në të djathtë të hyrjes sheh një pamje shumë të këndshme të zgjerimit të kanalit që më pas të çon tek liqeni. Më pas vazhdon një seksion tjetër, tepër i gjatë i mureve të jashtëm, edhe këto i përkasin antikitetit të mëvonshëm, ndërsa një shëtitje në pyllin e dendur në veri të ishullit është me të vërtetë tepër e këndshme. Në të majtë, ndërsa afrohet fundi i kësaj rrugice, shihen muret e një bazilike mesjetare afër pikës ku bashkohen muret lidhëse të fortifikime të jashtme.

Butrinti, mbetet një ekspozitë e hapur e vlerave historiko-kulturore për këdo që e viziton.

UNESCO: Nuk jemi konsultuar për ndërtimin në Butrint

Drejtoresha e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, Dr. Mechtild Rössler, mohon që qeveria shqiptare të jetë konsultuar me UNESCO-n për këtë çështje.

Para disa ditësh, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, u pyet nëse ndërtimi në Butrint është i konsultuar me UNESCO-n, meqenëse siti në fjalë është nën mbrojtjen e këtij organizmi. Ministrja siç shikohet në video përgjigjet se “patjetër që është konsultuar”. Më tej ajo thotë se ndërtimi i një bar kafeje është në Parkun Arkeologjik është bërë 100% në përputhje me rreullat dhe ligjet, por pa denjuar të sqarojë opinionin të cilit i detyrohet më shumë sesa arrogance karakteristike.

http://shqiptarja.com/kulture/2730/lokali-n–butrint-kumbaro-p-r-report-…

Ndërkohë sot, “shqiptarja.com” publikon një intervistë me drejtoreshën e Qendrës së Trashëgimisë Botërore në UNESCO, Dr. Mechtild Rössler, e cila mohon që qeveria shqiptare të jetë konsultuar me UNESCO-n për këtë çështje.

Në vëmendjen tonë kanë ardhur disa artikuj nga media. Ne kemi kërkuar informacion shtesë më 9 Tetor 2017 nga autoritetet kombëtare përgjegjegjëse për ruajtjen e kësaj Pasurie Botërore nëpërmjet Delegacionit Permanent të UNESCO në Shqipëri. Qendra e UNESCO-s për për Trashëgiminë Botërore është njoftuar rreth aktivitetit për të cilin ju pyesni në fund të javës së shkuar. Ne më 9 Tetor 2017 këmi dërguar një letër tek autoritetet kombetare shqiptare përgjegjëse duke u kërkuar më shumë informacion të detajuar për këtë projekt.

shprehet Rössler.

Fakti që UNESCO është njoftuar javën e kaluar ndërkohë që vendimi nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë që në muajin maj, flet vetë për lehtësinë e gënjeshtrës, tipike për këtë kabinet qeveritar. Ky është i njëjti rast si me Velierën në Durrrës, kur tekat, interesat dhe përkedhelja e vetes me “shijet elitare” prej artisti, po krijojnë arna gjithëfarëshe për të cilat kërkohet si minimum një debat publik. Nuk është e ndershme dhe as e drejtë që të luash me ligjin siç bën ministrja në fjalë e cila ndërkohë që aty flitet për ndërtim të ri, me beton dhe tulla, do të kapet tek “argumenti” i përshtatjes së një objekti ekzistues. As edhe me faktin se shtetet janë përgjegjëse për vlerësimet e në sitet arkeologjike. Butrinti nuk është i qeverisë, edhe sikur qeveria të rrijë 50 vjet në pushtet. Kaq gjë shqiptarët e dinë.

Në Butrint zbulohen dy mozaikë për vizitorët (FOTO)

Butrinti, vendi turistik në Shqipëri i cili u shpall qytet muze më qershor të vitit 1961, është vlerësuar si pasuri e trashëgimisë së njerëzimit dhe mbrohet nga UNESCO që nga viti 1992. Ky vend turistik, tërheqë vizitorë nga vende të ndryshme të botës të cilët mbesin të mahnitur pas kësaj vizite, shkruan KultPlus.

Por këtë verë, në Butrint do të mund të shihni nga afër edhe dy mozaikët e zbuluar për vizitorët.

“Mozaiku i Baptisterit” (shek. IV pas.Kr) dhe “Mozaiku i Dhomës së Zhveshjes” (shek.II pas Kr.) i cili
ndodhet tek Termat Romake.

Mozaikët do të qëndrojnë të ekspozuar deri më 15 shtator 2017. / KultPlus.com