“Po të ekzistonte mundësia e kthimi mbrapa në kohë, do të isha në gjendje t’i këmbeja të gjitha”

Marie Aubert (1979), debutoi më 2016 me përmbledhjen me tregime të shkurtra ‘Can I Come Home With You’. Romani i saj i parë është ‘Grown Ups’. Është shpërblyer me Young People’s Critics’ Prize.

-Sigurisht që ne mund të jemi miq, por edhe të dashur, – thashë unë më pas.

Në mes të errësirës zëri im u dëgjua i hollë dhe qesharak.

Ai vuri buzën në gaz.

–  Më duket se do që të tregohesh tip i fortë.

Kishim dalë për të pirë një birrë. Isha unë ajo që e kisha ftuar. Birra ma turbulloi mendjen më shumë mua sesa atij, dhe pavarësisht se ai nuk donte që të kishte një të dashur, unë e shtrëngova fort pas vetes jashtë lokalit Teddy’s Bar, ku të dy u puthëm derisa ai u dorëzua, e në vijim më mori në shtëpinë e tij.

Të nesërmen, pasi u puthëm shkurtas, i uruam ditën e mirë njëri-tjetrit. Pushimet e verës akoma nuk i kisha mbaruar, ndaj kisha zënë vend në ambientin e jashtëm të një kafeneje me një gazetë në dorë; dush nuk kisha bërë. Gjatë gjithë periudhës së pushimeve nuk isha ngritur kurrë kaq herët. Në ambientin e jashtëm kishte vetëm dy punëtorë të riparimit të rrugës, të cilët qëndronin ulur mbi dy karrige plastike të lagura nga vesa. Më merrej pak mendja, kokën e ndjeja të rëndë, qeshja me vete. Ishte vera e parë ndër shumë vite që kisha marrë pushimet, punën e rregullt e kisha siguruar vetëm një vit më parë, ndaj dhe nuk e kisha të nevojshme që të punoja gjatë verës. Pyesja veten nëse ai mendonte për mua, kjo ishte arsyeja që kafen e derdha dy herë, në një kohë që dhe gazeta më ra përtokë nga dora po aq herë.

Nuk bëra asnjë përpjekje për ta kontaktuar atë. Pas tri javësh mora një mesazh prej tij me anën e të cilit ai më pyeste nëse ndodhesha jashtë.

– Këtë nuk ma merrte mendja, – klitha tek bisedoja me Karinën; ndodheshim në një bar, dhe pikërisht në atë çast po përpiqeshim t’i tërhiqnim vëmendjen banakierit që të na shërbente.

– Ti nuk doje ta besoje, – thirri ajo me zë të lartë, – kurse unë isha krejtësisht e sigurt se ai do të merrte në telefon.

Vura re se trupi më ishte mbushur me vraja mavi që prej dy ditësh, gjë që vazhdoi edhe në ditët në vazhdimësi. Nuk isha në gjendje ta përcaktoja nëse një gjë e tillë më pëlqente apo jo. Ai më kapte nga flokët, unë shuaja etjen time seksuale, ndërkohë që ai më mbërthente me duart e tij në të dyja anët e trupit teksa lartësohesha mbi të; e gërvishta në pjesën e brendshme të kofshëve derisa ai rënkoi nga ngacmimi. Kështu vazhduam një copë herë. Ishte si një lojë e ashpër midis dy këlyshëve. Si rregull, ishim që të dy tepër të dehur, ndaj loja nuk shkonte asnjëherë deri në fund.

Ende vazhdoja të banoja në një apartament, të cilin e ndaja me të tjerë. Këtë vazhdoja ta bëja, jo se ideja më pëlqente, por thjesht përkohësisht, derisa të gjeja një hyrje më vete; me të tjerët nuk është se bisedoja për tema të veçanta, thjesht banoja së bashku me ta. Ato ishin kryesisht infermiere ose studente të shkollës së infermierëve, ndonëse nuk i mbaj mend të gjitha detajet me hollësi. Një herë dëgjova njërën prej tyre që kthehej nga turni i natës; qëlloi që ajo të futej në sallon në momentin që ne po bënim dashuri. Duhet të më ketë dëgjuar, por këtë fakt ajo nuk ma përmendi asnjëherë, ngaqë ne nuk flisnim për gjëra të tilla.

– Sa mirë që me ty nuk është problem të ushtrosh pak forcë, – tha ai tek më ceku lehtë të ndenjurat.

Kjo ishte një nga ato gjërat me të cilat nuk isha mësuar. Më pëlqente që situata të tilla t’i përballoja pa reaguar, dhe të tregohesha sikur nuk kisha dëshirë për të qenë e dashura e dikujt, apo të lëshohesha në krahët e tij.

Prej kohësh më kishte lindur mendimi për ta dhënë dorëheqjen në punë. Nga fundi i shtatorit bleva tesha të reja dhe çizme të lehta me taka shumë të larta me të cilat nuk mund të shkoja në ambientet e punës. Ato i vesha vetëm kur bashkë me Karinën dhe një shoqen e saj shkuam në St. Hanshaugen. Në një ditë që dielli shkëlqente fuqishëm dhe të jepte kënaqësi, tek ecnim, ne shkelmonin gështenjat e rëna në tokë dhe gjethnajën, duke pasur njëkohësisht mundësinë për t’i hedhur një vështrim fjordit që shtrihej më poshtë. Në qytet syri na kapi bare të reja, kafene, restorante e taverna pa fund; kjo ishte dhe arsyeja që ne filluam të dilnim çdo fundjavë. Unë sillesha sikur të isha njëzetë vjeçe dhe sapo t’i kisha nisur studimet, me pritshmërinë për të vrapuar më shpejt dhe për të folur me zë më të lartë. Ato më bënë disa pyetje në lidhje me të, i thashë se ne shkonim mirë dhe se takoheshim herë pas here, por unë gjithçka në jetë e prisja ashtu siç vinte, pa kurrfarë stresi. Ato m’u përgjigjën se ajo çka unë po thosha tingëllonte shumë zbavitëse, dhe se nuk ishte aspak tipike për mua që t’i merrja gjërat me kaq shumë qetësi. Unë nuk isha nga ato që mbanin të dashur, nuk qahesha, nuk zhgënjehesha, nuk isha as romantike dhe as nuk digjesha nga dëshira për të pasur një mori gjërash.

– Ai sigurisht që të do, qoftë edhe pak, – tha shoqja e Karinës.

Iu thashë se po mendoja të largohesha drejt New York-ut, të banoja aty pas korrikut për ndoshta rreth gjysmë viti, të gjeja aty një punë, të mësoja gjuhë të huaja dhe të lexoja libra.

– Këtë duhet ta bësh, – tha Karina. – Ka shumë mundësi që të gjitha këto t’i realizosh. Ne jemi tashmë në gjendje që t’i arrijmë këto objektiva.

-Kini parasysh se është dhe puna në mes, po kështu ka dhe mjaft gjëra të tjera, – thashë unë. – Sidoqoftë, do të ishte gjë e bukur që, thjesht, ta jepje dorëheqjen nga puna dhe t’ia mbathje diku.

Përfytyrova në atë çast trotuare të gjera me pemë të larta e të gjelbra, apartamente me dritare të mëdha, parkete prej kockash peshku që kërcisnin kur shkelje mbi to, pirgje librash, bare sekrete ku lejohej të pije duhan në ambientin e tyre të brendshëm, biseda të gjata me djem të rinj izraelitë, me flokë kaçurrela dhe sarkastikë, si edhe vajza që i shëmbëllenin Lena Dunham-it.

Ai më mori në telefon rreth orës nëntë e gjysmë, një të mërkurë në mbrëmje në muajin tetor. Kurrë më parë nuk më kishte marrë në telefon në ditë jave; më pyeti nëse doja të dilnim së bashku, thjesht të merrnim autobusin për në Maridalen dhe të ngrinim aty një tendë. Ai do të merrte me vete disa shishe me birrë; tingëllonte shumë entuziast.

– A nuk vjen më mirë tek unë, – e pyeta menjëherë. – Të nesërmen kam për të shkuar në punë.

– Po e marr një herë tendën me vete, pastaj vendos si të duash, – tha ai.

Gjeta dy dyshekë-thasë, pulovra të leshta dhe një pako me biskota; sigurisht që unë mund ta bëja një gjë të tillë, të hidhesha rrokapjekthi, ta takoja atë dhe të flinim të dy në një tendë diku jashtë në natyrë. Gjithsesi nuk shkova gjëkundi, ndihesha e lodhur dhe kisha ftohtë, temperatura jashtë kishte zbritur nën zero, e për më tepër, kishin kaluar gjashtë vite që nuk kisha fjetur në tendë.

– Sot nuk paske ndonjë qejf të madh, – tha ai teksa qeshi në momentin kur e lashë të futej brenda.

– Jam zbutur ndopak? – pyeta unë.

– Jo, aspak, – tha ai. – Sidoqoftë, shijet e njerëzve janë të ndryshme.

Ne pimë birrë nën jorganin me pupla dhe qeshëm mbyturazi. Unë ulërita në çastin kur ai më ktheu në shpinë dhe të brendshmet e mia përfunduan pranë këmbëve. Më pas ne pamë filmin e parë të serisë Lufta e Yjeve, versionin e vjetër. Për mua, filmi ishte i mërzitshëm, ndaj herë pas here kapitja sytë.

– Nuk mund të flesh pa parë filmin Lufta e Yjeve, – tha ai teksa më puthi në gushë duke e shoqëruar puthjen me një tingull të ëmbël shushuritës.

– Njerëzit kanë shije të ndryshme, – thashë unë duke e imituar theksin e tij.

– Pa shiko, – tha ai, – përsëri kërkon që të tregohesh si tip i fortë.

– Ai patjetër që të do, qoftë edhe pak, – tha Karina.

– Nuk bëhet fjalë për asgjë të këtillë, – thashë unë.

– Por gjithsesi, – tha Karina; unë buzëqesha, ngaqë nuk e mbajta dot veten.

Ne i dërguam njëri-tjetrit mesazhe, por për çudi ai nuk më pyeti nëse do të takoheshim. Një të premte, teksa rrija në shtëpi, u përgatita për ta takuar dhe i dërgova një mesazh me anën e të cilit e pyeta nëse dëshironte të vinte. Pasi kishte kaluar një kohë e konsiderueshme, ai u përgjigj se nuk e kishte problem, por së pari i duhej të shkonte në një mbrëmje. Më në fund ai i ra ziles së portës në momentin kur unë kisha orë të tëra që flija, ndaj dhe u zgjova si e hutuar, ndërkohë që trupin e ndjeva të ngrohtë dhe të rëndë. Ama, dëshira ime ishte që ta lija të priste aty ku ishte, në këmbë. Ai kundërmonte njësoj si ata personat që me të mbaruar një mbrëmje, sulen drejt një tjetre; papritur e pashë të shembet përtokë tek pragu i portës. Vura buzën në gaz dhe thirra, “o Zot!”.

Ai u fut me shumë forcë. Isha shumë e lodhur, doja të flija, megjithatë e provuam për një farë kohe.

– Tani nuk mundem më, më dhëmb trupi, – thashë unë më së fundi.

– Jo, në asnjë mënyrë, – tha ai me zërin e një fëmije, dhe nuk u ndal.

– Pajtohem me mendimin tënd, – thashë unë. – Megjithatë, po më mbyllen sytë.

M’u desh ta përsërisja këtë edhe një herë tjetër, pushova së buzëqeshuri, dhe duart i vendosa mbi kraharorin e tij.

– O zot, paske dhimbje, – tha ai me një zë sikur të ishte përgjumësh. Më pas, ai u vu në lëvizje me forcën e një burri, vendosi duart e tij mbi të miat dhe m’i uli ato më poshtë në dyshek. M’u desh ta ktheja kokën anash që të merrja frymë. Trupi i tij ishte shumë i rëndë.

Të nesërmen në mëngjes e përqafova në sallon. Me sytë që i buzëqeshnin ai ma ktheu përqafimin.

– E marrtë dreqi e marrtë, edhe unë nuk ndihem aspak mirë, – tha ai.

– Pa diskutim që nuk ndihesh mirë, – u përgjigja unë.

Nuk doja që ta lija të ikte, e mbërtheva fort, ashtu siç isha, e zhveshur, pa ditur se çfarë po kërkoja. Ai qeshi dhe më përkëdheli në shpinë.

 – Mirupafshim, – tha ai.

Bëra një dush dhe u vesha si zakonisht. Dola nga shtëpia dhe shkova për një kafe bashkë me dy shoqet e mia, me të cilat më pas dolëm nëpër dyqane; bleva një pulovër të gjelbër, por nuk qëndrova gjatë për të marrë pjesë në biseda e të qeshura, për një copë herë m’u bë sikur m’u mblodh një komb në grykë, dhe më tej, në brendësi të trupit ndjeva njëfarë qetësie, por edhe një boshllëk.

Me njëri-tjetrin nuk folëm më kurrë. Nja dy herë u zgjova nga gjumi prej thirrjeve të tij të cilat nuk morën asnjëherë përgjigje nga unë.

Papritur m’u dha rasti për një punë të re, bëra kërkesën dhe kështu fitova vendin e punës. Mundësinë për të shkuar në New York me pushime e kisha, madje dhe për të qëndruar aty për një farë kohe. Pas disa muajsh bleva apartamentin tim të parë, njoha dikë që u bë i dashuri im, dhe pa dalë viti, hyrjen e shita sërish.

U desh të kalonin gjashtë vite përpara se ta shikoja këtë lidhje të re si diçka të ndryshme nga ajo lidhja e pashëndetshme që kisha pasur me djaloshin e ri, djalin e fundit me të cilin mashtrova vetveten. Një ditë kisha dalë jashtë dhe po shtyja karrocën e fëmijës në St. Hanshaugen, kisha marrë lejen e lindjes për herë të dytë. Ne kishim blerë një shtëpi me një mur të përbashkët në Oppsal, dhe pritej të futeshim aty brenda muajit tetor. Nuk isha e sigurt nëse akoma vazhdoja ta doja tim shoq, por isha ende e pushtuar nga emocionet e një jete të re, nga e zakonshmja dhe madhështorja, zërat, përqafimet dhe aroma e fëmijëve, pulovrat e vogla, si dhe nga im shoq që kisha pranë vetes netëve në shtrat, pa harruar shtëpinë e re me kopsht.

Diku aty nga lartësitë e St. Hanshaugen-it i hodha një vështrim qytetit që shtrihej përtej, ndërkohë që vajza flinte në karrocën e saj. Vjeshta kishte qenë e lagësht dhe e butë, shiu binte pjerrtas dhe lehtë mbi fytyrë. Ta shikoje fjordin ishte e pamundur. Pikërisht në atë moment u kujtova, madje u kujtova mirë se duhej ta ngrija mbulesën e karrocës së vajzës dhe të ulesha diku në një stol. Ky nuk ishte fundi, por vetëm fillimi, me parapëlqimin për takat e larta, vurratat mavi dhe planet për të udhëtuar.

Ndodh që unë shpesh të ekzagjeroj. Gjithmonë më pëlqen që të sillem kështu, të jem romantike, t’i zbukuroj e t’i praroj gjërat, por edhe të rrekem fort për t’u kthyer mbrapsht. Tashmë jam e sigurt se, po të ekzistonte mundësia e kthimi mbrapa në kohë, do të isha në gjendje t’i këmbeja të gjitha, shtëpinë dhe fëmijët, tim shoq dhe çdo gjë tjetër, vetëm e vetëm që ta rifitoja besimin se isha në gjendje t’i kapërceja fuqitë e mia e të shndërrohesha në dikë tjetër, me bindjen se kjo do të ishte po aq e lehtë për mua, sa të vishja një palë çizme të reja dimri.

Përktheu nga origjinali: Aristidh Shqevi / KultPlus.com