Studio ‘CEBRA’ shpallet fituese për Qendrën Multifunksionale të Vjosës

Studioja projektuese daneze “CEBRA A/S & Arup International Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” u shpall sot fituese e konkursit ndërkombëtar të dizajnit për Qendrën Multifunksionale dhe Stacionet e Informimit për Parkun Kombëtar “Lumi Vjosa”.

Në ceremoninë e shpalljes së projektit fitues në TKOB konkurronin me idetë e tyre studioja holandeze “Casanova+Hernandez Architecten”, ajo daneze “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO”, si dhe studioja spanjolle “Ensamble Studio”.

Juria e përbërë nga Kryeministri Edi Rama, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, shefi ekzekutiv i Patagonia Ryan Gellert dhe ekspertë kombëtarë e ndërkombëtarë të mjedisit, arkitektonikës e planifikimit të territorit vlerësoi projektin e kësaj studioje si më kreativi dhe inovativ në përputhje me kriteret e shpallura nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit si dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura për këtë konkurs.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “ne do të vazhdojmë përgatitjen dhe detajimin e këtij projekti që sot ka hapin e parë. Kemi shumë hapa për të bërë dhe viti 2024 do të jetë periudha e draftimit të projektit final dhe fillimit të zbatimit në territor”.

Përfaqësuesi i studios projektuese “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” falënderoi jo vetëm për vendimin, por edhe që ishin pjesë e këtij konkursi. “Mendoj që kjo është një provë e fortë që arkitektura nuk ka të bëjë vetëm me të bukurën, por edhe me ndryshimin e transformimin”, shtoi ai.

“Arkitektura është mjeti për të bërë gjënë e duhur, simbolizon këtë proces për të shkuar diku dhe shpresoj se do ta zhvillojmë projektin së bashku, ta bëjmë më të mirë si ekip. Presim me padurim ta bëjmë këtë gjë, jam një tifoz i asaj çfarë po bëni dhe i ‘Patagonias’”, tha ai.

Projekti i dizajnit të grupit “CEBRA A/S & Arup Internatioonal Projects Limited & Barker Langham Limited & UNO” fituese u vlerësua si më afër zgjidhjeve arkitektonike në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin si dhe për nxjerrjen në pah të vlerave natyrore, kulturore, trashëgiminë e historinë e zonës.

Në konkursin e lançuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, me mbështetjen e Patagonia dhe IUCN morën pjesë 16 studio vendase dhe të huaja./atsh/KultPlus.com

Studioja daneze e arkitekturës CEBRA, fituese e projektit të stadiumit “Skënderbeu” në Korçë

Studioja daneze e arkitekturës CEBRA u shpall sot fituese e projektit të stadiumit “Skënderbeu” në Korçë.

Në finalen e garës ndërkombëtare për projektin e stadiumit “Skënderbeu” prezantuan projektet e tyre arkitektonike 3 studio të mëdha ndërkombëtare: ARCHEA Associati (Itali), BOFILL Architecture (Spanjë) dhe CEBRA (Danimarkë).

Pas shpalljes së studios fituese, përfaqësuesi i CEBRA-s u shpreh se “jemi të privilegjuar të zhvillojmë më tej Korçën, që është një qytet i jashtëzakonshëm”.

Falë këtij projekti, stadiumi “Skënderbeu” dhe Pallati i Sportit në Korçë, do të shndërrohen së shpejti në qendra të reja për qytetin, ku jeta sportive do të marrë hov dhe do të zhvillohet përgjatë gjithë ditës dhe vitit.

Stadiumi “Skënderbeu” do të transformohet në një kompleks sportiv me shërbime të ndryshme, duke ndjekur modelin e suksesshëm dhe shumëfunksional të Stadiumit “Air Albania” në kryeqytet.

Kjo falë iniciatës së qeverisë për rikonceptimin dhe rizhvillimin e komplekseve sportive dhe të stadiumeve të futbollit në qytetet Durrës, Korçë dhe Vlorë, në bashkëpunim me bashkitë përkatëse dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.

Në muajin shkurt të këtij viti, Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit/ Atelier Albania hapën thirrjen për pjesëmarrje në Konkursin Ndërkombëtar për projektide, ku në finale u përzgjodhën 3 kompanitë finaliste./atsh/KultPlus.com