Frymëzuese e krimeve në Kosovë, RTSH trasnsmeton këngët e këngëtares serbe Ceca

Autoriteti i Media Audiovizive (AMA), i ka tërhequr vërejtje Radio Televizionit Publik Shqiptar, për transmetimin e këngëve të këngëtares serbe, Ceca.

Sipas AMA-s, këngëtarja Serbe i është bashkuar disa herë, publikisht, zërave antishqiptarë për Kosovë, ndërsa shton se në këngët e deklaratat e saj të hershme, Ceca ka qenë frymëzuese e krimeve në Bosnje dhe në Kosovë.

Ama thekson se programi dhe hapësira për pakicat në RTSH që i shërben miqësisë dhe solidaritetit mes popujve dhe kulturave dhe nuk duhet të promovojë figura që me angazhime konkrete kanë treguar dhe tregojnë të kundërtën.

“Ditën e shtunë në kanalin RTSH 2 gjatë orarit të transmetimit me muzikë në gjuhën e pakicave u transmetuan këngë të këngëtares serbe Ceca, e cila i është bashkuar disa herë publikisht zërave antishqiptarë për Kosovën.

Autoritetit të Medias Audiovizive i janë drejtuar një sërë ankesash lidhur me këtë transmetim, dhe pas vlerësimit të rastit RTSH-së i është tërhequr vëmendja për evitimin e rasteve të tilla që krijojnë ndjeshmëri negative tek ndjekësit e programeve të transmetuesit publik.

Në këngët e deklaratat e saj të hershme Ceca ka qenë frymëzuese e krimeve në Bosnje dhe në Kosovë, ka qenë suport për veprimet çnjerëzor të ish bashkëshortit të saj, kriminelit të luftës, Arkanit, dhe grupeve miliatare e paramilitare serbe që ka udhëhequr.

Vetëm pak muaj më parë Ceca ishte në një koncert në pjesën veriore të Mitrovicës, në një performancë artistike të kombinuar me mesazhe politike kundër qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.

Për AMA, programi dhe hapësira për pakicat në RTSH që i shërben miqësisë dhe solidaritetit mes popujve dhe kulturave dhe nuk duhet të promovojë figura që me angazhime konkrete kanë treguar dhe tregojnë të kundërtën”, thuhet në reagimin e AMA-s.

Ministri i Kulturës u bën thirrje organeve të sigurisë ta ndalojnë Cecën të hyjë në Kosovë

Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, i kontaktuar nga Gazeta Express nëse Ceca ka marrë leje nga dikasteri që e udhëheq, për të mbajtur nesër koncert në veri të Mitrovicës, ka thënë se një gjë të tillë nuk është bërë nga këngëtarja dhe sipas tij, hyrja duhet t’i ndalohet.

Javë më parë Express ka raportuar se asnjë sportist nga Serbia nuk ka mundur të hyjë në Kosovë pa marrë leje nga federatat sportive të Kosovës. Ndërsa, fatin si të sportistëve mund ta ketë edhe këngëtarja e njohur serbe Ceca. Kujtim Gashi po bën thirrje te organet e sigurisë që ta ndalojnë hyrjen e saj.

“Ministria u bën thirrje doganave dhe policisë që të mos lejojnë hyrjen e këngëtarëve për të mbajtur koncerte të kësaj natyre”, tha Gashi.

Sidoqoftë, vetë Ceca ka deklaruar se ndihet e lumtur për koncertin e nesërm në veri. Koncerti pritet të jetë pjesë e protestave kundër taksës 100 për qind dhe në përkrahje të serbëve në Kosovë.