Mbahet mbrëmja ‘Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars’, Dones:  Gruaja shqiptare vazhdon të jetë e shtypur

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e së shtunës, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u mbajt mbrëmja e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars” organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, në shënim të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, përcjell KultPlus.

Kjo ngjarje, përveç poezive me vargje fuqizuese dhe frymëzuese kushtuar grave e që u interpretuan nga artistët rezidentë të ‘Artpolis’, u shënua edhe më një sërë aktivitetesh të tjera që përfshinin të ftuarën speciale, shkrimtaren Elvira Dones, sopranon Besa Llugiqi, shkrimtaren e gazetaren Ilire Zajmi, aktorin dhe poetin Shpetim Selmani, këngëtaren e kantautoren me origjinë shqiptare nga Belgjika’ Ceylan Taci si dhe kërcimtarët e Noa Dance Theatre me koreograf Robert Nuha që i shtuan magjinë kësaj nate me vallëzim kontemporan.

Mbrëmja e poezisë “Poezi për Fuqi – Çdo ditë është 8 Mars”, e cila mëton të fuqizojë gratë mbijetuese të dhunës në baza gjinore dhe të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, u moderua nga Zana Hoxha, themeluese dhe drejtoreshë e ‘Artpolis’.

Nën tingujt e pianos që udhëhiqej nga Alzan Gashi, aktivitetet në këtë mbrëmje nisën me këngën ‘Unë vendos’ të Hana Cakulit, interpretuar nga artistet e ‘Artpolis’, Blerta Gubetini, Donikë Ahmeti, Kaltrinë Zeneli, Qëndresa Kajtazi dhe Zhaneta Xhemajli. Kjo mbrëmje u përcoll edhe me interpretimin e katër poezive. Artistet e ‘Artpolis’ interpretuan ‘Mora lule sot’ nga Paulette Kelly, ‘Do t’shkruaj letra’ nga Vera Pavlova, ‘Mos fajësoni askënd’ nga Pablo Neruda dhe ‘Dhuna’ nga Erich Fried,

Më pas trupës së artistëve iu shtuan edhe Edlir Gashi dhe Mikel Markaj duke dhuruar një emocion të pashoq me interpretimin e këngëve ‘Ditë Dimri’ dhe  ‘Fërfëlloj fëllënza në ujë’.

Në ktë mbrëmje, Shpëtim Selmani, Donikë Ahmeti, Mikel Markaj, Edlir Gashi lexuan një bllok me poezi në shenjë solidarimi me popullin ukrainas pas pushtimit nga Rusia.

“Ne si një qendër e tillë, si artistë dhe artiste të angazhuara nuk mund të bëheshim sikur kjo ngjarje nuk po ndodhë. E dimë që Ukraina po kalon nëpër një luftë të tmerrshme për shkak të agresionit rus dhe ne e kemi obligim si qyetarë të kësaj bote të jemi në solidaritet. Shpresojmë që përmes artit tonë të kontribuojë në një ndërgjegjësim që lufta të ndalet, të ketë paqe dhe drejtësi kudo në botë” – tha moderatorja Hoxha.  

Emocioni në sallën e Teatrit Kombëtar u shtua edhe më shumë pas performancës së artistëve të Noa Dance Theathre, si zë i grave të pambrojtura, atyre që shtuan numrin e statistikave të grave që u vranë nga burrat e tyre.

Aktiviteteve të shumta që shënuan këtë mbrëmje, iu bashkua edhe këngëtarja dhe kantautorja me origjinë shqiptare, Ceylan Taci, e cila përveç që interpretoi këngët e saj në shqip ‘Kajti daja’ dhe ‘Ta qes lëkurën në tokë’, tregoi para publikut historinë se si filloi të mësojë e të shkruajë në gjuhën shqipe.

“E gjitha ka fillu në Theth, në Shqipërinë Veriore. Isha duke ecë nëpër kodra e më dukej sikur më flisnin kodrat, e ma tregojshin historinë tem e më detyronin të flas në shqip. U ktheva në Belgjikë e ja nisa me shkrujt në shqip, me fjalë të thjeshta, me imazhe. E fillova me shkru shqip kur vdiq baba, e kur vdiq nana, s’pata me kon me fol, ja nisa me shkrujt, qe historia” – tha Taci, e cila dhuroi emocione të përziera në sallë me rrëfimin e saj dhe performancën e këngëve, përcjell KultPlus.

Në këtë mbrëmje që gërshetoi dhimbjen, forcën, mbështjen, solidarizimin, nuk munguan edhe poezitë për dashurinë që u lexuan nga artistët e ‘Artpolis’.

Dalëngaladë, mbrëmja arriti kulmin e saj, në pjesën ku shkrimtarja Ilire Zajmi intervistoi të ftuarën speciale, Elvira Dones e cila është një romanciere, skenariste dhe producente e filmave dokumentarë shqiptarë. Është romanciere dhe shkrimtare dygjuhëshe (shqip dhe italisht). Ajo ka botuar shtatë romane, dy përmbledhje me tregime të shkurtra, ka shkruar disa skenarë dhe ka drejtuar një seri dokumentarësh për Radion Publike Zvicerane. Romanet e saj janë përkthyer në disa gjuhë.

Dones filloi të flasë për pozitën e gruas në Shqipëri, duke e lidhur me librin e saj ‘Yjet nuk vishen kështu’  për të cilin ajo thotë se është libri i vetëm që nuk do të donte ta kishte shkruar.

“Do të kisha dashur të mos e kisha shkruar sepse ajo faqe e zezë e shoqërisë shqiptare, ajo anë e errët që doli pas ndryshimit të regjimit në Shqipëri dhe ato vite që ishin qeveri pa qeveri, në ato vite filloi kriminaliteti dhe vajzat shqëiptare, merreshin nga shkollat, mashtroheshin se do t’i gjenin punë në Itali, Francë. Dhe këto vajza disa vinin nga familje të varfëra e disa nuk vinin nga familje të varfëra. Disa prej tyre u tradhëtuan nga të fejuarit, nga të dashurit, nga vëllezërit nga baballarët nganjëherë.”  – u përgjigj Dones teksa shton se gruaja shqiptare vazhdon të jetë e shtypur

Duke qenë se subjekt në librat e Elvira Dones janë gratë, fenomone e histori të dhimshme. Autorja tregon se pse trajton pikërisht këto tema.

“Mua më interesojnë të tregoj dritëhijet dhe hijet, më intereson të tregoj histori të njerëzve që nuk ndodhin tek çdo njeri. Ne, shqiptarët, kosovarët, kemi histori të dhimbshme, nëse nuk e shkruajmë ne historinë tonë, atëherë kush do ta shkruajë. Kam dashur të tregoj këto faqe të errëta jo vetëm shqiptare por edhe histori të tjera. Më intereson të tregoj për fundin e botës, për ata të fundit që askush nuk i vështron, ata lypsarët që nganjëherë para tyre kalojmë drejt dhe vazhdojmë në jetën tonë të rregulluar, të stresuar por të privilegjuar.” – thotë ajo.

Dones dhe Zajmi flasin edhe për librin ‘Luftë e vogël e përkorë’, libër ky në të cilin autorja Dones ka trajtuar luftën e fundit në Kosovë.

“Erdha në Kosovë për herë të parë, katër muaj pas luftës, kur Prishtina dhe e gjithë Kosova ishte akoma gjysmë e rrënuar, mbante erë akoma luftë. Pastaj derisa arrita ta shkruaja librin u ktheva edhe pesë herë të tjera në Kosovë, për respekt ndaj viktimave. Nuk mund t’ia lejoja vetes të bëja fantazi mbi tragjedinë e Kosovës. Kisha nevojë të krijoja distancën time emotive, të shkruaja një libër, ashtu siç kishin ndodhur gjërat” – thotë autorja Dones, e cila shton se libri i saj për luftën në Kosovë, e vuri në vëmendjen e popullit zviceran dhe gjerman atë çfarë kishte ndodhur në Kosovë.

Pas këtij bashkëbisedimi, në skenë u ngjit sopranoja kosovare Besa Llugiqi e cila interpretoi këngët, “Për mu paska ken’ kismet” dhe “Në zaman t’njasaj furie”, duke e shtuar edhe më shumë laramaninë  e kësaj mbrëmjeje.

E krejt në fund, iu dha mundësia edhe pjesëmarrësve në publik që të lexojnë disa nga poezitë e tyre. Një ndër ta ishte edhe Rrezarta Isma, e cila lexoi poezinë e saj në gjuhën angleze, inspiruar nga rrëfimet në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës – QKRMT.

Ky aktivitet u implementua nga Artpolis dhe u mbështet nga UNFPA Kosovë./ KultPlus.com