Hapet aplikimi për shkollën e dytë Verore të Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin

Shkolla e dytë Verore e Gjuhës, Historisë dhe Civilizimit Bizantin organizohet nga Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë i Universitetit të Tiranës dhe do të zhvillohet në data 9-17 korrik 2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, shkruan KultPlus

Shkolla verore mirëpret studentë bachelor, master e doktoraturë apo edhe të interesuar të tjerë, që dëshirojnë të vijnë në kontakt dhe të njohin më thellë gjuhën greke bizantine, historinë dhe artin bizantin, si edhe trashëgiminë kulturore bizantine dhe pas-bizantine në Shqipëri.

Shkolla verore do të zhvillohet nga data 9-17 korrik 2018, në mjediset e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ndërsa një pjesë e leksioneve dhe e referateve do të mbahen në mjediset e institucioneve kulturore të vendit (Arkivi Qendror Shtetëror, Muzeu Historik i Tiranës, Amfiteatri dhe Muzeu Arkeologjik në Durrës, Muzeu i Artit Bizantin dhe Pasbizantin “Onufri”etj.).

Programi i Shkollës Verore, përveç pjesës teorike, përmban edhe aktivitete të tjera shoqëruese, si vizita të organizuara në vendet historike të periudhës, njohjen nga afër me monumentet, veprat e artit dhe koleksionet muzeore të trashëguar nga periudha bizantine dhe pasbizantine etj.

Shkolla verore ofron mësime të gjuhës dhe paleografisë greke bizantine, duke ndërthurur njohuritë teorike gjuhësore me ushtrimin praktik përmes burimeve historike dhe kodikëve të çmuar të Arkivit Qendror Shtetëror (shek. VI-XIX). Në të njëjtën kohë, shkolla verore do t’i pajisë pjesëmarrësit me njohuri mbi historinë dhe civilizimin bizantin, gjuhë zyrtare e së cilit ishte greqishtja, si edhe mbi historinë dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë gjatë periudhës bizantine, pjesë e pandarë e së cilës vendi ynë ishte përreth 10 shekuj.

Shkolla verore zhvillohet nën përkujdesjen shkencore të Departamentit të Historisë dhe me pjesëmarrjen e profesor Agamemnon Tselikas, një autoritet botëror i Paleografisë. Stafi mësimor përbëhet nga profesorë dhe studiues të shquar nga vendi dhe të huaj, me përvojë të gjerë në fusha që lidhen me gjuhën, historinë dhe civilizimin bizantin dhe pasbizantin./KultPlus.com

Aplikoni tani online këtu: https://www.fhf.edu.al/aplikimi-ne-shkollen-verore-te-gjuhes-historise-dhe-civilizimit-bizantin/

Për më shumë informacion, klikoni këtu.