105 vjet nga Lufta e Vlorës, çlirimi i krahinës prej pushtuesve italianë

Më 5 qershor të vitit 1920 filloi lufta për çlirimin e krahinës së Vlorës nga pushtuesit italianë dhe për bashkimin e saj administrativ me pjesën tjetër të Shqipërisë.

Forcat italiane ishin vendosur në Vlorë gjatë Luftës së I Botërore. Vendimi për fillimin e Luftës së Vlorës u mor nga përfaqësuesit e krahinës së Vlorës të mbledhur në Kuvendin e Barçallait më 29 maj 1920, i cili zgjodhi për organizimin dhe drejtimin e luftës Komitetin “Mbrojtja Kombëtare”. Qeveria e Tiranës dha ndihmën e vet, pavarësisht se nuk mori pjesë zyrtarisht në luftë.

Përballë ushtrisë së rregullt italiane, që kishte në Shqipëri dy divizione, u vunë forcat shqiptare, të grumbulluara mbi baza vullnetare e që arrinin në rreth 4 mijë veta. Më 5-6 qershor u goditën njëherazi të gjitha garnizonet italiane në krahinë, që nga Tepelena e deri në Drashovicë. Sulmi mbi forcat italiane në qytetin e Vlorës dhe rrethinat filloi më 11 qershor. Lufta për marrjen e Vlorës vazhdoi gjatë dhe u zhvillua me mësymje dhe kundërmësymje, në një nga të cilat spikati trimëria e Selam Musait.

Trupat italiane nuk mundën të çanin rrethimin e forcave shqiptare. Roma u detyrua më në fund të hiqte dorë nga sovraniteti mbi krahinën e Vlorës dhe të nënshkruante me Qeverinë e Tiranës “Protokollin shqiptaro-italian” të 2 gushtit 1920. Më 3 shtator 1920 forcat shqiptare hynë triumfalisht në qytetin e Vlorës të zbrazur nga trupat pushtuese. Bashkë me krahinën e Vlorës, qeveria italiane u detyrua të tërhiqte garnizonet ushtarake edhe nga Saranda, Durrësi e Shëngjini. /atsh/ KultPlus.com

Sot fillon java e filmit, kushtuar 20 vjetorit të çlirimit

Sot do të fillojë java e filmit, një event që do të bëhet për nderë të çlirimit të vendit nga okopatori serb.

Ky event do të fillojë me filmin “Martesa”

Java e Filmit është aktivitet që organizohet nga Qendra Kinematografike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Kino Armatën për nder të njëzet vjetorit të çlirimit të qytetit të Prishtinës.

Kjo javë organizohet në kuadër të 20 aktiviteteve të tjera që organizohen nga Komuna e Prishtinës për shënimin e këtij njëzetvjetori.

Java e Filmit do të ndodhë përgjatë javës së tretë të muajit qershor në Kino Armatë. Filmdashësit do të kenë mundësi të shikojnë filma të ndryshëm të prodhuar në Kosovë. Këta filma në një formë apo tjetrën trajtojnë tematika dhe rrëfejnë storje që lidhen me tranzicionin e shoqërisë kosovare gjatë këtyre viteve. Vitet e 90ta, lufta 98-99’, aspektet sociale e ekonomike, filma të shkurtë, të gjatë dhe dokumentarë na presin në Kino Armata çdo mbrëmje prej 17 deri më 23 qershor.

Prodhimi i filmave që janë në këtë program (përveç filmit “A Normal Life” që është realizuar në 2003) është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Pas shfaqjes së filmave do të keni mundësi të bashkëbisedoni me personat që kanë qenë pjesë e ekipeve realizuese të filmave.

Hyrja është falas.