AGK hap thirrjen për “Çmimi për raportimin më të mirë Kundër Varfërisë – 2022″

Përmes rezolutës së Kombeve të Bashkuara të miratuar më 22 dhjetor 1992, Asambleja e Përgjithshme ka shpallur datën 17 tetor si Ditën Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë.

Kjo ditë domethënëse e avokimit paraqet një mundësi që të njihet përpjekja dhe lufta e njerëzve që jetojnë në varfëri dhe është një mundësi që të dëgjohen shqetësimet e tyre.

Për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e përpjekjeve për zhdukjen e varfërisë në kontekstin e Kosovës, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës në partneritet të ngushtë me UN Kosovo Team (UNKT), përmes Zyrës së Koordinatorit të Zhvillimit, organizon edicionin e 17-të të çmimit vjetor “Çmimi për raportimin më të mirë Kundër Varfërisë – 2022″. Kjo ngjarje gjithashtu përkrahet nga korniza e projektit “Promovimi i punës së denjë përmes forcimit të menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe dialogut social në Kosovë”, i cili implementohet nga UNOPS dhe financohet nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida) përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë”.

Qëllimi i Çmimit të Gazetarisë për Varfërinë është të promovojë dhe të rrisë debatin për çështjet dhe shkaqet e varfërisë, dhe të ndikojë në mënyrë indirekte në zvogëlimin e varfërisë duke bërë presion te vendimmarrësit për ndryshimin e politikave. Njëkohësisht, iniciativa ka për qëllim të inkurajoj zgjidhje kreative për zvogëlimin e varfërisë duke caktuara prioritete konstruktive dhe duke iu drejtuar audiencës në mënyrë efikase.

Konkursi është i hapur për të gjithë gazetarët që janë banorë të Kosovës. Fituesit, autorë të storjeve më të mira do të shpërblehen me nga një çmim prej 1.000,00 € (një mijë euro) për pesë kategoritë si në vijim:

  • Video-storja e shkurtër më e mirë
  • Dokumentari më i mirë televiziv
  • Audio-storja më e mirë
  • Storja e shkruar më e mirë
  • Fotografia më e mirë

Afati i fundit për aplikim është: 3 tetor, 2022, ora 16:00. / KultPlus.com