“CNN Travel”: Evropianët po zbulojnë bregdetin shqiptar

“Bregdeti i Shqipërisë është shumë më pak i zhurmshëm nga turistët sesa ai i Greqisë apo Italisë aty pranë. Shumë më pak i zhurmshëm nga turistët sesa Greqia fqinje në jug ose Italia përtej Adriatikut, Shqipëria, vendi në Gadishullin Ballkanik është ende disi një sekret i ruajtur mes udhëtarëve mendjemprehtë, por nuk ka gjasa të qëndrojë kështu për një kohë të gjatë”.

Kështu shkruan “CNN Travel” për Shqipërinë në një shkrim ku u sugjeron amerikanëve të vërshojnë në pikat e nxehta të Evropës, të cilin e shoqëron me një fotografi nga Ksamili në Sarandë.

“Kroatët dhe evropianët në përgjithësi po zbulojnë bregdetin shqiptar”, thekson Alan Mandiç i agjencisë kroate të udhëtimeve “Secret Dalmatia”.

“Është përrallore, me çmime tepër të lirë. Ushqimi, historia, mikpritja, natyra, plazhet-këtu gjen gjithçka.” Ndër plazhet për t’u eksploruar përgjatë asaj që quhet Riviera Shqiptare janë Ksamili, pranë kufirit me Greqinë, si dhe Himara dhe Dhërmiu më në veri, ku mund të ushqeheni me pjatanca jo të shtrenjta me karkaleca deti, oktapod të pjekur në skarë dhe peshq të freskët të kapur në detin Jon duke vështruar hapësirën e saj vezulluese”, shkruan “CNN Travel”.

Gjatë këtij sezoni turistik është shënuar rritje e ndjeshme të numrit turistëve të huaj që kanë zgjedhur Shqipërinë për pushimet verore. Bie në sy rritja e numrit të vizitorëve nga Amerika Veriore, SHBA-ja dhe Kanadaja.

76 mijë vizitorë amerikanë kanë ardhur në Shqipëri në këto shtatë muaj, 50% më shumë se një vit më parë.

Në Shqipëri në janar-korrik kanë ardhur 76 mijë vizitorë, 50% më shumë se një vit më parë.  Ndërsa në muajin korrik kanë hyrë 1.4 milionë shtetas të huaj, duke shënuar numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë./ atsh / KultPlus.com

Dhjetë udhëtimet më të bukura me tren në Europë

Europa është shtëpia e një rrjeti të madh hekurudhor, që mundësojnë udhëtime vërtet spektakolare, të cilat mund të konsiderohen pushime në vetvete. CNN Travel rendit 10 nga udhëtimet më të bukura me tren që mund të përjetoni në Europë.

1. Linja Derry-Coleraine, Irlanda e Veriut

“Një nga udhëtimet më të bukura hekurudhore në botë”, kështu është konsideruar nga ata që kanë pasur mundësi të shijojnë këtë aventurë. Udhëtimi 38-minutësh ndjek lumin Foyle nga Derry, duke kaluar nëpër fshat, derisa derdhet në Oqeanin Atlantik. Treni kalon edhe pranë një prej vendbanimeve më të hershme njerëzore në të gjithë Irlandën, Forti Mountsandel, që mendohet se është banuar nga 7600 deri në 7900 p.e.s.

2. Linja Firence-Napoli, Itali

Vetëm në Itali, një nga rrugët kryesore të vendit mund të jetë kaq e bukur. Linja veri-jug e Italisë kalon përmes tuneleve malore nga Bolonja në Firence, duke vazhduar në jug, ku do të shihni disa nga peizazhet më klasike të Italisë.

Gjithashtu, do të keni mundësi të shijoni gjatë rrugës një panoramë fantastike malore, si dhe një nga qytetet e lashta më të bukura të Italisë qendrore, i skalitur në një bllok shkëmbi nga qytetërimi etrusk. Duke ardhur në Romë, do të kaloni pranë mureve të qytetit të lashtë. Pas Romës në Napoli do të mahniteni nga pamja spektakolare e Vezuvit teksa kaloni në qytet.

3. Linja Barcelonë-Montserrat, Spanjë

Placa d’Espanya është pika e nisjes për udhëtimin e jashtëzakonshëm në Montserrat. Linja hekurudhore kalon nëpër fshatrat katalanase në rrëzë të maleve, duke tërhequr vizitorë në mal që nga viti 1892. Është një udhëtim vërtet mahnitës, ku gjatë gjithë rrugës do të shihni jo vetëm peizazhe unike, por edhe site arkeologjike, ndërtime të vjetra, e vende kulti si p.sh. një abaci e shekulli të 11-të.

4. Linja Semmering, Austri

Gati 200 vjet pasi u hap në vitin 1854, hekurudha Semmering është ende një nga hekurudhat më të bukura dhe madje gëzon statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Mund ta merrni këtë linjë nëse jeni duke udhëtuar midis Vjenës dhe Venecias, duke e bërë kështu një mënyrë shumë të mirë për të udhëtuar midis dy prej qyteteve më të bukura të Evropës.

Duke kaluar nëpër alpet austriake midis Gloggnitz dhe Semmering, treni përshkon edhe nëpër 16 tunele,100 ura, si dhe nëpër shumë kthesa emocionuese. E ndërtuar si hekurudha e parë malore në Europë, e projektuar për të lidhur Vjenën me Triesten (që ishte në atë kohë porti i perandorisë austro-hungareze), ajo është ende një nga më të mëdhatë. 

5. Linja Bohinj, Slloveni

Sllovenia është një vend magjepsës për të bërë një udhëtim me tren, falë vendndodhjes së saj. Linjat e saj hekurudhore lidhin Italinë me Hungarinë dhe Austrinë me Kroacinë e Italinë. Gjithashtu, njëra linjë lidh Pragën me Triesten, ose me fjalë të tjera, Evropën qendrore pa dalje në det me Detin Adriatik.

Një nga linjat më historike të Sllovenisë, Bohinj përfshin 28 tunele (njëri prej tyre afërsisht 17 500 metra i gjatë) dhe 65 ura, duke përfshirë urën e Solkanit, urën më të madhe hekurudhore prej guri në botë, që shtrihet mbi lumin Soça.

Një nga linjat më historike të Sllovenisë, Bohinj përfshin 28 tunele (njëri prej tyre afërsisht 17 500 metra i gjatë) dhe 65 ura, duke përfshirë urën e Solkanit, urën më të madhe hekurudhore prej guri në botë, që shtrihet mbi lumin Soça.

6. Linja Bergen, Norvegji

E ndërtuar në vitin 1909, hekurudha Bergen lidh kryeqytetin e Norvegjisë me qytetin e Bergen. Ky nuk është një tren i zakonshëm udhëtarësh, megjithatë kalon nëpër një peizazh spektakolar, nëpër rrafshnaltat malore të Norvegjisë dhe liqenet e kaltra.

7. Linja Ventimiglia, Francë, Monako, Itali

Në më pak se një orë ju do të kaloni në tri vende, duke filluar nga Franca, në Monako dhe duke përfunduar përtej kufirit italian. Në pjesën më të madhe të udhëtimit, duke filluar nga stacioni Nice Riquier, do të keni mundësi të shijoni pamje të bukura, si vilat e Art Deco-s, pyje të harlisur dhe qytete të grumbulluara buzë shkëmbinjve. Do të kaloni gjithashtu nëpër disa nga qytetet më fantastike në Cote d’Azur, si Èze dhe Menton të mbushur me limona, si dhe do të mahniteni nga pamjet përrallore të Monte-Carlo. 

Linja nga Nice në Ventimiglia ju kalon pranë disa fshatrave fantastikë

 8. Linja Sarajevë dhe Mostar, Bosnjë-Hercegovinë

Rruga ndërmjet kryeqytetit dhe një vendeve më turistike të Bosnjës, Mostari, është shumë e bukur, por udhëtimi dyorësh me tren, i shtrirë poshtë maleve të gjelbra dhe shkëmbinjve, duke ndjekur lumin e kristaltë Neretva, do të jetë një eksperiencë krejt tjetër. 

 9. Linja West Highland, Skoci

Nuk është çudi që ky është një nga udhëtimet më spektakolare me tren në botë, pasi pamjet epike të Skocisë përgjatë rrugës, do të mbeten gjatë në kujtesën tuaj. Duke u nisur nga Glasgou, ai shtegton drejt veriperëndimit, duke përfunduar në Mallaig, ku mund të merrni një traget për në Isle of Skye.

Gjatë rrugës, do të kaloni nëpër Loch Lomond dhe Parkun Kombëtar të Trossachs, ku linja hekurudhore “lundron” mbi moçalet me torfe.

10. Linja Lidköping në Mariestad, Suedi

Suedia shquhet për rrugët e bukura hekurudhore. Linja Stokholm në Narvik (në Rrethin Arktik të Norvegjisë) është një “ikonë e vërtetë”, por për të bërë këtë udhëtim duhet planifikuar më parë. Për diçka më të shpejtë, është linja nga Lidköping në Mariestad, e cila u përzgjodh si udhëtimi më i bukur me tren në Suedi, nga përdoruesit e hekurudhave në vitin 2018. Hekurudha me një binar shtrihet rreth liqenit më të madh të vendit, Vänern, duke kaluar në pllajën Kinnekulle./A2CNN/ KultPlus.com

Lugina përrallore e fshehur në zemër të Evropës

Lugina Vipava, shumë pranë kryeqytetit slloven, Lubjanë, ende nuk është e njohur për turistët për bukuritë dhe veçantitë që e karakterizojnë.

Sipas CNN Travel, në këtë rajon jashtëzakonisht pjellor, kombinohen natyrshëm peizazhet karstike me kështjellat mesjetare, si dhe vera me ushqimin jashtëzakonisht të mirë.

Ky vend njihet për mikroklimën, të ngjashme më atë të Mesdheut, por dhe për erërat e forta që sjellin kushtet optimale të rritjes së rrushit për verëra të klasit të lartë në Slloveni.

Dhjetëra kantina, ndonëse prodhojnë një verë shumë cilësore, janë të nënvlerësuara – ndër to dhe kantina shumë të vjetra, si ajo “Vipave”. Që nga viti 1894, kjo kantinë bashkon verërat nga 350 prodhuesit më të mirë të verës në vend.

Fshatrat e këtij rajoni, janë dhe prodhuesit më të mëdhenj të pemishteve me kajsi, pjeshka dhe hurma, por njihen edhe për prodhimin e proshutave të thara, duke konkurruar denjësisht me fqinjët italianë. Ushqimin fantastik vendas, turistët kanë mundësi ta shijojnë në fermat dhe restorantet e agroturizmit, të vendosura në ndërtesat e vjetra të shekullit të 17-të.

Ndër të tjera, vende të shumta të Luginës kanë trashëguar edhe një histori gati 2000-vjeçare, e cila dëshmohet më së miri në mbetjet arkeologjike. Të tilla janë mbetjet e kalasë romake Castra, pranë lumit Hubelj, e ndërtuar rreth shekullit të 3-të, por edhe kishat e shumta baroke, apo Manastiri i famshëm Capuchin, në bibliotekën e të cilit ruhen dorëshkrimeve të rralla. /A2 / KultPlus.com