“Kujtime nga Atdheu – Festë me Miq”, fëmijët e diasporës festojnë shqip në Zvicër

Fundjava e fundit e majit solli në zemër të Zvicrës një ngjarje kulturore të veçantë për komunitetin shqiptar atje dhe jo vetëm.

Më 31 maj dhe 1 qershor, në ambientet e Espace Dickens në Lausanne, u organizua festa dyditore “Kujtime nga Atdheu – Festë me Miq”, një aktivitet që vjen në kuadër të nismës së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ‘CulturAlb’, kushtuar ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare në diasporë.

Eventi u organizua nga Swiss Albania Event dhe bashkoi artin, edukimin dhe familjen në një hapësirë ku kultura shqiptare frymon përmes aktiviteteve të ndryshme.

Festa nisi të shtunën, më 31 maj, me shfaqjen e filmit të dashur për breza të tërë, “Taulanti kërkon një motër”, që u transmetua në orën 19:00. Mbrëmja u pasua me një pritje për fëmijët dhe familjet, ku bisedat miqësore u ndërthurën me kujtimet dhe ëndrrat e një brezi të ri që po mëson të dashurojë gjuhën dhe rrënjët.

E diela e 1 qershorit, e cila përkoi me Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve ishte e mbushur me aktivitete të strukturuara në pesë pjesë krijuese dhe edukative.

Fëmijët shfaqën talentin e tyre nëpërmjet ekspozitës “Kujtime nga Atdheu”, ku u prezantuan punimet e tyre artistike kolazhe të frymëzuara nga trashëgimia shqiptare. I ftuari special i ditës ishte Rafael Shehi, artisti i vogël që jeton në Lyon, Francë.

Një nga momentet më të veçanta ishte edhe krijimi i veprës kolektive “Pema e Jetës”, me tapa verërash shqiptare, simbol i lidhjes me natyrën, rrënjët dhe traditën shqiptare. Kjo vepër do u dhurohet restoranteve shqiptare në Zvicër si një kujtesë artistike për të ruajtur identitetin në çdo hapësirë publike.

Në orët e mesditës, u mbajt edhe ceremonia e certifikimit për fëmijët pjesëmarrës në konkursin artistik që ka qenë i hapur që nga muaji mars, si dhe promovimi i aplikacionit edukativ “Mësojmë Shqip – Bubi”, një mjet modern për fëmijët e diasporës që duan të mësojnë gjuhën amtare në mënyrë argëtuese.

Pjesa e fundit e programit ishte edhe workshop-i muzikorë dhe kulturorë, me fokus në trashëgiminë e pasur shqiptare, përfshirë vallet popullore shqiptare./atsh/KultPlus.com