Profesori amerikan: Përmes historisë së Kosovës, kam fituar respekt për forcat amerikane

Gili Hoxhaj

Kosova është bërë shtëpia e tij për tetë herë gjatë vizitave të shkurtëra. Profesori Curt Youngs nga Iowa e SHBA-së ka shpenzuar jo dhe pak kohë në Prishtinë ndërsa gjithnjë largohet me dëshirën për t’u kthyer përsëri. Derisa e përshëndet në gjuhën angleze, përshëndetja e tij është gjithnjë në gjuhën shqipe. Këtë formë të përshëndetjes e ka krejt të natyrshme, ndërsa as theksi nuk e tradhton. “Faleminderit”, “Mirëdita”, “Mirëmbrëma”, “Natën e mirë”, “Si jeni”, janë fjalët që e mbizotërojnë komunikimin e tij gjatë qëndrimit në Kosovë. Nga këtu, ai asnjëherë nuk kthehet duarzbrazur dhe asnjëherë nuk ka ardhur pa ndonjë qëllim për t’i kontribuar Kosovës, veçmas në fushën agroturizmit, ku është bërë si urë lidhëse e projekteve mes Kosovës e Iowa-s. Ai thotë se Kosova nga një vend i cili importon, duhet të kthehet në një vend i cili eksporton.

Përveç kujtimeve që krijon këtu, ai pothuajse secilën herë është kthyer me ndonjë libër a dhuratë që flet për Kosovën e identitetin e shqiptarëve. Në mesin e gjërave që ka nga këtu, mbizotërojnë librat që flasin për historinë e shqiptarëve. Në të hyrë në shtëpinë e tij, mysafirët nuk mund të dalin pa u njoftuar më shumë për shqiptarët, pasi që, në tavolinën e vendosur pranë derës kryesore, ai ka të vendosur plisin, çiftelinë, opingat e valltarëve, një mulli të vjetër të kafesë, një pllakë që përmban qytetet më të rëndësishme të Kosovës, e gjëra të tjera. Derisa pyetet për secilin qytet, ai me saktësi kujton monumentet më të rëndësishme të atij qyteti dhe në mënyrë të detajuar shpjegon kujtimet që ka marrë nga atje. Bisedat e përditshme me studentët gjatë qëndrimit këtu, ia kanë mundësuar që përmes secilit të mësoj diçka për Kosovën. Historia e këtij vendi, ka bërë që ai ta ndryshoj mendimin për forcat ushtarake amerikane. Historia e Kosovës, ka bërë që ai të ndihet tejet krenarë me vendin e tij. Rrethi i tij, në çdo ardhje këtu po zgjerohet e dëshira e atyre që duan ta takojnë veç po rritet.

Përgjatë vitit 2012 ka shijuar vizitën e parë në Kosovë, ku ai ka ardhur përmes departamentit amerikan, përmes një trajnimi lidhur me agrokulturën. Miku i parë i tij në Kosovë, ka qenë profesori Behlul Behluli i cili ligjëron në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës. Për tetë javë ai e ka trajnuar profesorin Behluli kur ka shkuar për të qëndruar në Iowa, ndërsa më pas programi kërkonte që trajneri të shkoj në vendin e personit të cilin e ka trajnuar, për t’u siguruar se teknologjia po zbatohet në mënyrë të suksesshme në atë vend.

“Kam ardhur në Kosovë në maj të vitit 2012 dhe për të qenë tërësisht i sinqertë kam lexuar mjaft shumë për Kosovën para se të vij, edhe pse unë ndihesha mjaft i sigurtë që të vij këtu pasi që e njihja profesorin Behluli dhe ai më ka thënë që të mos shqetësohem, pasi vendi është i sigurte dhe më nuk ka luftë. Është një vend i qetë e paqësor, herën e parë që fluturova, duke ardhur për nga Frankfurti, nuk prisja të shoh malet, nuk di pse prisja që Kosova të jetë e rrafshët si Iowa”, shpejgon profesori Youngs.

Pas ardhjes së tij këtu, ai menjëherë kishte udhëtuar nëpër shumë qytete e fshatra të Kosovës. Duke e shikuar Kosovën në aspektin e zhvillimit të fushës sëagroturizmit, ai thotë se ka pasur ndjesinë sikur po ecën shumë hapa prapa, derisa është njoftuar me zonat më të thella të Kosovës.

“Ka shumë tokë për agrokulturë në Kosovë dhe kur erdha këtu profesori Behluli më tregoi shumë vende, qytete e fshatra, ferma të ndryshme por mu duk sikur po kthehem një hap mbrapa, pasi që e pash se fusha e agrokulturës nuk është e zhvilluar sa duhet, e kam parë që industria moderne të cilën ne e përdorim në SHBA nuk përdoret edhe në Kosovë. Në statistika e kam parë se më shumë se 20 % e qumështit këtu importohet dhe nga vizita e parë e kam vërejtur që shumë nga toka bujqësore nuk janë të përdorura dhe disa nuk janë të përdorura në mënyrën e duhur”, shprehet Youngs.

“Shpresoj fort që Kosova nga një vend që importon ushqim dhe shpenzon paratë në vende të tjera, të kthehet në një vend i cili eksporton, veçmas produktet e qumështit, duke ndihmuar kështu ekonominë e Kosovës”, është dëshira më e madhe e tij.

Ardhja për të tetën herë në Kosovë, e për të pestin vit në kuadër të Universiteti Ndërkombëtar Veror të Prishtinës, ka bërë që rrethi i tij profesional këtu të zgjerohet mjaft shumë. Veç kësaj, ai njeh një numër të madh studentësh nga Kosova, me të cilët vazhdon miqësinë edhe pas përfundimit të universitetit, madje Courts thotë se koha e qëndrimit këtu nuk po i mjafton për t’i parë të gjithë ata që duan ta takojnë atë në Kosovë.

“Studentët këtu janë të mrekullueshëm, shumica e tyre janë nga Kosova, disa janë nga Maqedonia e Shqipëria. Para dy viteve, në kursin tim kam pasur studentë nga nëntë vende të botës dhe ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme. Studentët këtu janë shumë të shoqërueshëm, të etur për të mësuar dhe me një dëshirë të madhe për t’u argëtuar dhe për të njoftuar njerëz të rinjë”, tregon për KultPlus profesori nga Iowa.

“Njerëzit e Kosovës i kanë hapur zemrat dhe shtëpitë e tyre për mua”

Edhe pse ka vizituar shumë vende në botë, e ka krijuar lidhje me njerëz të ndryshëm, ai thotë se njerëzit në Kosovë e kanë bërë shumë të lehtë depërtimin e tij në jetën e kulturën e tyre, madje Youngs shton se është e vështirë që dikush të vij një herë në Kosovë dhe të mos dëshiroj ta vazhdoj shoqërinë me njerëzit që jetojnë këtu.

“Dëshira ime më e madhe është që tërë bota të ketë paqe, fatkeqësisht mediat në përgjithësi e portretizojnë Kosovën jo dhe aq mirë. Ne kemi dëgjuar shumë gjëra të këqija për Kosovën, e kuptoj që mediat këtë e bëjnë edhe për arsye përfitimi dhe për të fituar më shumë lexues, por unë dua të jap kontributin tim që të shfaq pikëpamjen time të mirë për Kosovën, se sa të afërt janë njerëzit këtu dhe sa herë që kam mundësi, dua të shpenzoj kohë me kosovarët, t’u ndihmoj atyre nëse ka ndonjë mënyrë në të cilën mund t’ju ndihmoj. Gjatë karrierës time profesionale kam vizituar më shumë se 30 vende të ndryshme, dhe njerëzit në Kosovë e kanë bërë shumë më të lehtë për mua që të jem i pranishëm në jetën e tyre, në kulturën e tyre, ata kanë hapur zemrën e tyre për mua dhe kanë hapur shtëpitë e tyre për mua”, shprehet Youngs.

Ai ka vizituar rreth 15 vende të Kosovës. Ka vizituar Prizrenin, Prekazin e Mirushën për katër herë. Ai thotë se ka vizituar Muzeun Etnologjik dhe Galerinë Kombëtare të Kosovës e shumë vende të tjera dhe se përmes vizitës në këto vende ka mësuar për të kaluarën e traditën që po vazhdon edhe sot.

“Ushqimi këtu është shumë i veçantë, për shembull flija është unike dhe nuk e kam gjetur diku tjetër, po ashtu dhe qebapat. Gjatë qëndrimit këtu kam parë edhe veshje tradicionale, dhe vallëzime tradicionale të performuara nga ansambli “Shota” dhe ka qenë një eksperiencë shumë e veçantë, shoh një entuziazëm të paparë në kulturë dhe art këtu”, shprehet Youngs.

Duke qenë se ai flet disa fjalë në gjuhën shqipe, ai tregon edhe procesin se si po mëson ngadalë nga kjo gjuhë dhe përshtypjet që ka kur i dëgjon të tjerët duke folur.

“Në fillim nuk e kam ditur asnjë fjalë në gjuhën shqipe, më pas e kam marrë dhe e kam shikuar alfabetin dhe e kam parë që ka më shumë shkronja se alfabeti i gjuhës angleze, dhe sa herë i dëgjoj kosovarët teksa flasin, tingulli i fjalëve të tyre më duket shumë i vështirë t’u përgjigjem edhe unë në gjuhën shqipe. I kam mësuar disa fjalë si “po”, “jo”, “faleminderit”, “mirëdita”, mirëmbrema”, “ditën e mirë”, “a je mirë”, jam duke mësuar ngadalë dhe mendoj se duhet të jem një student më i mirë sa i përket gjuhës shqipe. Kuptoj më shumë nga të lexuarit se sa nga të folurit, në një koncert të muzikës, unë arrija ta lexoja programin dhe ngadalë po arrij të kuptoj më shumë”, tregon ai.

Në mesin e shumë kujtimeve këtu, ai veçon vizitën në Vushtrri, atje ku kishte përjetuar qëndrimin në veshje kombëtare, derisa studentët i kishin sugjeruar edhe se si t’iu përshtatej me qëndrim këtyre veshjeve.

“Studentët në Kosovë janë shumë të lumtur për vendin e tyre kështu që ata me një grup të studentëve më kanë ftuar që të shkojmë në Vushtrri me autobus. Atje e kam parë kalanë dhe urën e gjatë dhe të bukur. Më kanë treguar se është një nga qytetet më të vjetra të Kosovës, derisa qëndruam në restaurantin afër urës, filluam të ecim në disa dyqane, derisa njëra po shiste rroba tradicionale, kështu që studentët i kërkuan gruas që po punonte aty nëse do të mund t’i vishja për një fotografi, ishte shumë e këndshme dhe u pajtua. Kështu që ata më treguan edhe si të dal në fotografi si një “burrë shqiptar”, është një eksperiencë që nuk do ta harroj kurrë”, shprehet profesori nga SHBA.

“Askush në Amerikë nuk do ta këpuste degën nga pema, dhe të njëjtën t’ia dhuronte ndonjë të panjohuri”

Profesori Curt Youngs tregon se sa herë që vjen në Kosovë, njerëzit nuk hezitojnë ta ndalin në rrugë dhe ta pyesin “A jeni amerikan” dhe pas kësaj duan që të ndajnë një kafe apo drekë me të. Në detaje kujton bujarinë e një burri nga Kamenica, që donte t’i dhuronte gjithë pemën me qerëshi, si shenjë mirënjohje ndaj popullit të tij. Ky rast ia kishte dëshmuar edhe një herë, dashurinë e fortë që shqiptarët e ushqejnë për popullin amerikan.

“E di që është pjesë e kulturës së tyre, njerëzit këtu kanë një mikpritje të jashtëzakonshme, por për mua ishte edhe shumë brengosese, sepse e di situatën financiare të njerëzve këtu. Eksperienca që më ka ngelur më së shumti në mendje, është në Kamenicë, derisa me profesorin Behluli dhe një koleg nga Iowa, ne jemi ndalur në një klinikë veterianare,dhe kemi shkuar në një restaurant në Kamenicë, dhe derisa po largoheshim, profesor Behluli donte të hante qershi, pasi që ishte muaji maj. E pamë një njeri derisa po mblidhte qershitë, profesor Behluli e ndali veturën dhe unë isha ulur me të në ulësen e parë, dhe kolegu im ishte ulur prapa në veturë bashkë me profesorin tjetër nga Iowa . Ai e vërejti që jemi dy amerikanë në veturë dhe na tha që të zbrisnim nga vetura. Ai u ndal së mbledhuri qershia dhe na ftoi tek shtëpia e tij, ku u ngjit në pemën e qershisë dhe këputi një degë nga pema e qershisë duke më thënë “Nëse ke nevojë për më shumë qershi dhe këto nuk janë të mjaftueshme, të lutem ma thuaj dhe do ta këpus tërë pemën që t’ua dhuroj”. Kolegu im dhe ynë stepëm dhe menduam “Askush në Amerikë nuk do ta këpuste pemën dhe t’ia dhuronte dikujt që as nuk e njihte”. Kjo ma tregoi shumë qartë për ndjenjat e fuqishme që kosovarët kanë ndaj njerëzve të SHBA-së”, shpjegon mes emocionesh profesiori Youngs.

“Për herë të parë në jetë jam ndjerë krenarë që forcat amerikanë kanë bërë dicka të mirë për botën”

Qëndrimi për disa ditë këtu, veçmas ekskurzionet në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës, ia kanë mundësuar të shkëmbej shumë biseda me studentët e Kosovës. Historitë e studentëve për fënijërinë e vështirë që kanë bredhur maleve gjatë kohës së luftës e histori të tjera të dhimbshme të familjeve kosovare, kanë bërë që te Youngs të ngjallin ndjenja të forta të keqardhjes për atë çfarë i ka ndodhur këtij vendi, në të njëjtën kohë duke i ngjallur ndjenja të forta të krenarisë për vendin e tij që vendosi t’i jap fund vuajtjes së Kosovës.

“Ata më treguan se si i kanë larguar nga shtëpitë gjatë kohës së luftës dhe disa janë nisur drejt malit, ata frikësoheshin edhe të ndiznin zjarrin për t’u ngrohur dhe për të gatuar ushqimin dhe kështu vendndodhja e tyre mund të zbulohej e kjo tregonte se sa të rrezikuar ndiheshin ata. Disa më treguan për largimin e tyre në kampet e Maqedonisë, dhe për herë të parë në jetë jam ndjerë aq krenar që forcat amerikane kanë bërë diçka shumë të mirë për botën. E di që serbet nuk janë pajtuar me këtë vendim, por kur lexoj dhe dëgjoj historitë e tmerrshme që kanë ndodhur në Kosovë, e kuptoj vendimin e SHBA-së që kanë filluar kampanjën e bombardimeve për ta ndaluar atë tragjedi dhe kam fituar respekt për forcat amerikane dhe mendoj se ndërhyrja e tyre në vende tjera ka të bëjë me gjëra të ngjashme të cilat ne nuk i dijmë”, tregon ai.

KultPlus.com