“Drita” premierë në ‘PriFest’, një luftë e dhimbshme ndërmjet hakmarrjes dhe dëshirës për falje

Era Berisha

Një histori e dhimbshme në Kosovë ku konflikti i zgjedhjes ndërmjet faljes dhe hakmarrjes vihet në një piedestal që nuk ka të ndalur, është ajo që ka jetësuar mbrëmë premierën e filmit “Drita” me regji të Daniel Kruglikov në kuadër të edicionit të 14-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘. Ndonëse, është krejtësisht ndryshe nga ajo se çfarë publiku kosovar është mësuar të shoh, filmi i stilit ndërkombëtar, mbushi boshllëkun e një zbrazëtie që ka kohë pa u prekur, shkruan KultPlus.

Pak minuta para se ora të shënonte 19:00, ishin njerëzit e shumtë të cilët po mbushnin sallën në Kino Armatë, duke zënë vendet e tyre të posaçme. Pas fikjes së dritave, nën terrin që kaploi vendin, filmi gjeti fillimin e tij.

E cilësuar si një poemë kinematografike për një dashuri të humbur, “Drita” është një dramë në gjuhën shqipe që shpërfaq anët më të errëta të aktit të hakmarrjes. Filmi vë në fokus dashurinë mes Dritës (Arta Dobroshi) dhe Flamurit (Genc Jakupi) në një kohë të trazuar. Por, vdekja e Dritës është krejt ajo që dërgon drejt vorbullës së dhunës, si e vetmja përgjigje kundrejt padrejtësive të shumta.

Kjo ndodh mu atëherë kur i dashuri i saj, Flamuri, kthehet në Prishtinë. Flamuri e di mirë se kush është vrasësi i saj, por cikli shkatërrues i vendos të dy rivalët përballë njëri-tjetrit, aty ku dhuna lëshohet mbi trupin e tyre dhe lufton për mbijetesë.

Lufta shpirtërore e Flamurit midis dashurisë, urrejtjes, hakmarrjes dhe faljes është pika kryesore nëpërmjet së cilës zhvillohet drama. Në atdheun e tij, Flamuri fillon të luftojë me kujtimet, me fajin dhe instinktin primar që e qon drejt hakmarrjes, një reagim ky që shpërfaq ambientin në të cilin ai është rritur.

Lufta është krejt ajo se çfarë ka njohur Flamuri, ndërsa pretendimet si: “Me marr gjak, me marr hak”, apo “Sy për sy”, veçse e bëjnë hakmarrjen, zgjidhjen më të lehtë e më të ndershme që ekziston ndonjëherë. Nëpërmjet kuadrove të ndryshme, të shumta e të llojllojshme, filmi mëton të tregoj se si mund të tejkalohet kjo dallgë vicioze.  

“Drita” është një copëz historie që shpalos luftën e traditën dhe njëkohësisht flet për nevojën për ndryshim me ç’rast shfaq fuqinë e dashurisë, si arma më e fuqishme në mesin e heshtjes, derdhjes së gjakut dhe vrasjes.

Pas shfaqjes së filmit, ishin duartrokitjet e shumta ato që dëgjoheshin në publik. E në mesin e tyre ishin edhe ato të ekipit të filmit ‘Drita’ të cilët ngadalë dolën në skenë për një fjalë rasti.

Bashkë-producenti Armond Morina, i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre si dhe i ftoi të gjithë për një koktej rasti.

Ndërkaq, sot në një konferencë për media për të treguar më shumë rreth filmit ’Drita’, e pranishme ishte vetëm aktorja Arta Dobroshi.

“Karakteri i personazhit Drita është arsyeja që ia kemi vendos emrin filmit. Më duket se filmi është i dedikuar ndaj faljes dhe falja është një gjë me shumë rëndësi, andaj edhe mesazhi kryesor është se jeta duhet të vazhdoj përpara. Filmi është plotësisht shpirtëror dhe as ndoshta nuk mund ta shpjegoj, sepse është krijuar në atë mënyrë”, thotë ajo.

Sipas saj, gjatë kohës së provave, kasti i aktorëve ka pasur edhe ndikim në atë se çfarë thuhet në film.

“Sikurse është monologu im në fillim, që i bashkëngjitet edhe videos së refugjatëve. Të gjithë ne kemi qenë shumë të lirë në krijim. Kamera ishte edhe karakter vetë, andaj roli i tij është pothuajse i një personazhi. Ishte një improvizim total”, ka thënë Doborshi.

Krejt në fund, ajo tregon se filmi “Drita” është thjesht një shprehje që vjen nga brendësia shpirtërore dhe del në imazh.

“Regjisori është me prejardhje ruse dhe kur i shohim filmat rusisht të vjetër, e kanë njëfarë ‘voice-over’ që ne e kemi bërë në film, veçse në të njëjtën kohë nuk kemi pasur shumë rregulla në mënyrën e xhirimit. Nuk tregohet një mesazh që duhet me patjetër të merret, por është thjesht një shprehje e shpirtit që del në imazh. Dhe kjo është e bukura e artit”, përfundon Dobroshi.

Regjisori dhe skenaristi David Kruglikov ka një përvojë disavjeçare kryesisht në filma të metrazhit të shkurtër. “Lula” (2007) dhe “Farewell” (2011) janë dy prej projekteve të tij që i kanë paraprirë “Dritës”.

I xhiruar në nëntor të vitit 2018, “Drita” sjell në rolet kryesore aktorët si: Arta Dobroshi, Genc Jakupi dhe Florist Bajgora. Përveç tyre, edhe Armond Morina e Ilire Vinca kanë role në të.

Producentë të filmit janë: Shkumbin Jakupi, Armond Morina dhe Genc Jakupi, ndërsa producent ekzekutiv është Steve Mcqueen (regjisori i filmave ‘12 Years a Slave’, ‘Shame’, ‘Hunger’). / KultPlus.com