The Weeknd është artisti më i dëgjuar në Spotify

Të shtunën The Weeknd e theu rekordin të cilin e mbante, Justin Bieber, pasi i arriti 85.66 milionë dëgjues në muaj në platformën e njohur muzikore, vetëm disa javë pas lansimit të albumit të pestë të incizuar në studio, “Dawn FM”.

Rekordi i kaluar i Bieberit ishte vendosur me 84 milionë dëgjues.

Ndërkohë, The Weeknd së fundmi i paralajmëroi fansat se “Dawn FM” është pjesë e një trilogjie, dhe një vazhdim i tretë i albumit pritet të lansohet së shpejti.

Krahas publikimit të ballinës së albumit, ku shihet një fotografi e këngëtarit në moshë të shtyrë, The Weeknd u tha ndjekësve të tij në Twitter: “Pyes veten nëse e keni kuptuar se jeni duke e përjetuar një trilogji të re”.

Ylli i hitit “Take My Breath” ende nuk ka dhënë hollësi rreth asaj se cilat albume e përbëjnë këtë trilogji, apo kur do të lansohet vazhdimi i tretë. Sidoqoftë, shumë adhurues besojnë se albumi “After Hours” do të përfshihet në të.

Kantautori i famshëm, emri i vërtetë i së cilit është Abel Tesfaye, në realizimin e albumit “Dawn FM” ka bashkëpunuar me yjet të tillë si, Quincy Jones, Tyler the Creator, Daniel Lopatin, Lil Wayne dhe komediani, Jim Carrey. / KultPlus.com