Jean Smart kishte shkrimin e duhur kur bëhej fjalë për kërkesën unike të një fanseje për tatuazh.
Një video e publikuar në Instagram tregoi yllin e serialit “Hacks” duke përshëndetur fansat jashtë teatrit ku po luan në shfaqjen e saj në Broadway, “Call Me Izzy”. Një fanse iu afrua asaj me një kërkesë të pazakontë, të nënshkruante krahun e saj me emrin Deborah Vance. Vance, natyrisht, është personazhi karizmatik dhe i drejtpërdrejtë i Smart në serialin komedik të HBO, “Hacks”.
Smart u duk e habitur kur fansja i tregoi se kishte ndër mend ta kthente nënshkrimin në tatuazh.
“Do të bësh çfarë?” – e pyet ajo e hutuar. “E ke seriozisht?”
Fansja e siguroi se po, ishte krejtësisht serioze, ndërsa Smart u shqetësua se mos e bënte gabim nënshkrimin.
“Deborah Vance nuk gabon,” dëgjohet fansja t’i thotë në video.
Aktorja fituese e çmimeve Emmy e pa me një vështrim dhe e pranoi me humor: “Kjo është e vërtetë. Faleminderit që ma kujtove.”
Smart, e cila deri atëherë ishte ulur, u ngrit dhe me një dozë nervozizmi shkroi nënshkrimin në krahun e fanses. Videoja e postuar në rrjetet sociale përfshinte edhe një fotografi të tatuazhit të përfunduar me firmën e Deborah Vance.
Vitin e kaluar, Jean Smart fitoi Emmy-n e saj të tretë për portretizimin e legjendës së stand-up-it nga Las Vegasi në komedinë popullore të HBO-së, dhe këtë shtator është sërish e nominuar për të njëjtin çmim./CNN/KultPlus.com