Janjeva së shpejti destinacion turistik (FOTO)

Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë njoftuar se projekti për rijetësimin e qytetit të vjetër të Janjevës po vazhdon sipas planifikimeve.

Aktualisht po punohet në restaurimin e 14 shtëpive dhe paralelisht në fuqizimin e kapaciteteve lokale për ofrimin e shërbimeve cilësore turistike.

Tashmë është publikuar platforma Janjeva Tourism, një platformë inovative për zhvillimin e turizmit rural që ka për qëllim promovimin të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Janjevës.

Vlera totale e investimit në këtë projekt që synon shndërrimin e Janjevës në destinacion të rëndësishëm turistik është rreth 3.8 milionë euro.

Projekti është bashkëfinancim mes MKRS, Bashkimit Europian dhe partner zbatues është UNDP. / KultPlus.com

Destinacion turistik, shtegu që lidh malet mes Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë

Shtegu ndërkombëtar i turizmit malor në rajonin ndërkufitar midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës është kthyer tashmë në një destinacion të turizmit rajonal dhe më gjerë.

Eventi final i High Scardus Trail me partnerë lokalë, operatorë dhe ekspertë të turizmit, shënoi përfundimin e punës zhvillimore të produktit, si edhe përmbylljen me sukses të sezonit të parë të shtegut.

Ky shteg përbëhet nga 6 parqe kombëtare dhe një total prej 495 km shtigjesh.

High Scardus Trail shtrihet përmes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, ku përveç panoramës fantastike, e tillë është edhe mikpritja e banorëve vendas për miqtë dhe këdo që përshkon këtë shteg.

Eksplorartorët e High Scardus Trail, prezantohen me turizmin e natyrës dhe aventurës duke i promovuar në botë, bukuritë e kësaj zone të Ballkanit në mënyrën më të mirë të mundshme për të ndarë mikpritjen, bujarinë dhe panoramën plot ngjyra.

Ka mbetur ende shumë punë përpara, grupi që po punon për më shumë promovim tëkëtij shtegu, shprehet se është në një pjesë të mirë të këtij rrugëtimi, për të nxitur të apasionuarit të fillojnë të planifikojnë aventurën tuaj të ngjitjes malore për vitin 2024, ku i pret një përvojë e re./atsh/KultPlus.com

Janjeva, një destinacion turistik në zhvillim e sipër

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit po qëndron e përkushtuar për të ruajtur dhe për të ringjallur trashëgiminë jomateriale të Janjevës dhe për të mbështetur fuqizimin socio-ekonomik të banorëve të saj përmes iniciativave të rrënjosura thellë në trashëgiminë e saj të pasur dhe të prekshme, duke e vendosur Janjevën në hartën e destinacioneve turistike që duhen vizituar, përcjell KultPlus.

Si pjesë e aktivitetit “Hartëzimi i turizmit rural në Janjevë” i zbatuar nga OJQ EC Ma Ndryshe dhe i mbështetur nga projekti i zbatuar nga UNDP Kosovo “Trashёgimia Kulturore si Nxitёse e Ringjalljes Ekonomike tё Janjevës”, financuar nga MKRS dhe European Union in Kosovo, ka përfunduar hulumtimi në terren për identifikimin dhe hartografimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Janjevës.

“Falënderojmë pesë pjesëmarrësit e jashtëzakonshëm që morën pjesë në programin e trajnimit të Guidave Turistike, të cilët po fitojnë përvojë në punë dhe po luajnë një rol kryesor në transformimin e Janjevës në një destinacion për vizitorët”, thuhet në njoftim nga MKRS.

Informacionet e mbledhura do të integrohen në një webfaqe, duke ofruar njohuri të vlefshme në vendet e trashëgimisë kulturore dhe natyrore që Janjeva ofron për vizitorët. / KultPlus.com

Plazhi i Semanit në Fier, një tjetër destinacion turistik (VIDEO)

Plazhi i Semanit, 18 kilometra larg qytetit të Fierit me hapësira pa fund bregdetare me rërë të imët kurative, plazhe familjare me ujëra të ngrohta është një tjetër destinacion turistik.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjete sociale pamje nga ky plazh dhe fton qytetarët që ta vizitojnë.

Rama shprehet se Semani është një tjetër destinacion turistik për këto ditë të nxehta.

Plazhet e Darzezë dhe Seman po kthehen gjatë viteve të fundit në të preferuarit e shumë  turistëve të huaj, pasi janë plazhe të virgjëra me rërë të pastër dhe ujë të kthjellët.

Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë,  eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme./ atsh / KultPlus.com

Ura e Kurçajt në Fushë-Krujë, destinacion turistik që s’duhet humbur

Ura e Kurçajt në Fushë-Krujë, Monument Kulture i Kategorisë I, i është nënshtruar restaurimit, nga programi EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Kulturës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga Ura e Kurçajt, një destinacion turistik, që sipas tij, s’duhet humbur.

“Ura e Kurçajt në Fushë-Krujë, ky thesar i trashëgimisë kulturore mes një peizazhi të mrekullueshëm, i ndërtuar shekuj më parë, tashmë e rilindur, është një destinacion turistik që s’duhet humbur”, u shpreh Rama.

Ura e Kurçajt ndodhet pranë fshatit Kurçaj, në lindje të Krujës. Ura e ndërtuar në shek. XVIII ngrihet mbi lumin e Zezës. Ajo shërbente për të lidhur Krujën me Fushën e Tiranës. Ura është e ndërtuar me një qemer të madh dhe dy dritare shkarkuese anësore.

Ura e Kurçajt përfaqëson një shembull të shkëlqyer të arkitekturës historike rajonale dhe të arritjeve inxhinierike, ajo ka potencialin të jetë pjesë integrale në shtigjet lokale dhe rajonale të rigjallëruara të ecjes dhe pjesë e qasjes së “trashëgimisë së lidhur” me turizmin e qëndrueshëm rajonal.

Ura dikur i shërbente rrugës së shkurtër të karvaneve Tiranë-Krujë sipas këtij itinerari: Tiranë – Zall-Herr – Rradhesh – Mukaj – Buronjë – Kurçaj – Barkanesh – Krujë. Në faqet ballore ura është e punuar me gurë pllakë të zinj, të vendosur shtrirë, ndërsa kalldrëmi është i bërë me breza, tip shkallësh. / atsh / KultPlus.com

“Det spektakolar dhe peshk i freskët”, Shqipëria në krye të 8 destinacioneve turistike të italianëve

Nga Xhamajka në Pragë, përmes Dubait dhe Ishujve Aeolian, këtu janë 8 udhëtime spektakolare nëse jeni duke vendosur se ku do të shkoni me pushime, të cilat zakonisht varen nga tre faktorë; çfarë kërkoni – qoftë argëtim, det apo aventurë dhe zbulime të reja – sa kohë keni në dispozicion dhe sa dëshironi të shpenzoni.

Për t’iu përgjigjur çdo kombinimi të përgjigjeve, Grazia.it ka përpiluar një listë që i përshtatet nevojave dhe buxheteve të secilit. Ajo që bie në sy është se për herë të dytë në pak ditë, revista italiane ka renditur Shqipërinë në krye te destinacioneve të kësaj vere.

Nga çatitë spektakolare të Dubait te klubet magjepsëse të Panarea-s, duke kaluar nëpër trenat e Holandës që shohin fushat e tulipanëve. Përveç destinacioneve më tradicionale (si Malta, Pulia dhe Spanja) janë edhe ato të përshtatshme për një fundjavë, si bukuritë e Pragës dhe për ata që e duan natyrën, por nuk duan të humbasin jetën e natës së qytetit, është Estonia.

Dhe më pas vjen deti i Shqipërisë, ku plazhet dhe klubet mahnitëse alternohen me ambiente ku mund të relaksoheni dhe të kaloni një pushim të qetë. Së fundi: ata që duan të largohen me miqtë, por kanë pushime të ndryshme nga miqtë, mund të zgjedhin një nga udhëtimet grupore të organizuara nga projekte si WeRoad, është Havai. Ndërsa për aventurierët e vërtetë, së fundi, për ata që duan tokat e largëta dhe detin, është Xhamajka.

Nga Evropa në pjesën tjetër të botës, këtu janë tetë destinacione që janë të gjitha magjepsëse për t’ju dhënë idenë e përsosur se ku të shkoni për pushime këtë vit. / a2cnn / KultPlus.com

Bovilla, destinacion turistik shumë pranë Tiranës

Liqeni i Bovillës është pjesë e Parkut Kombëtar të Dajtit, Tiranë ofron për vizitorët një peizazh të veçantë dhe është një destinacion mjaft interesant për të kaluar fundjavat.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro solli pamje kjo bukuri e natyrës teksa shkroi se, “Bovilla është pjesë e Parkut Kombëtar të Dajtit, ku ia vlen të zbulohen peizazhet siç i shihni në video dhe monumentet e natyrës që gjenden në zonë”.

Liqeni i Bovillës shtrihet në krahun verilindor të Tiranës, midis dy vargmaleve kryesore, atë të Gamtit dhe të Brarit. Bovilla e ndodhur në një zonë me bukuri natyrore të mrekullueshme dhe me liqenin e saj nga i cili merr ujë të pijshëm një pjesë e madhe e Tiranës.

Kjo zonë po frekuentohet së fundi nga të apasionuarit e turizmit sportiv që është kthyer në një tendencë në Shqipëri, por kryesisht në Tiranë.

Ky vend mahnitës është përfshirë në itinerarin e disa tour operatorëve dhe grupeve që organizojnë evente në natyrë.

Ngjitjet, ecjet në natyrë dhe barbekjutë janë aktivitetet kryesore. Rrethinat e Tiranës, janë bërë pjesë e njerëzve që e pëlqejnë këtë lloj turizmi. Operatorët vendas që organizojnë ture tregojnë për qëndrueshmëri dhe rritje interesi për këto aktivitete nga Kryeqytetasit.

Turizmi i aventurës po sheh një shtrirje gjatë gjithë vitit, me turizmin e bardhë në dimër, hiking, rafting, ecje në pranverë e vjeshtë, si dhe eksplorimin e gjireve, shpellave apo destinacioneve të tjera interesante në ditët e nxehta. Një nga vendet më pranë Tiranës, që të jep mundësinë të kalosh një fundjavë të këndshme dhe sportive është liqeni i Bovillës.

Kjo ndoshta është zona më e afërt për të praktikuar sportin e ngjitjes dhe kacavjerrëses në shkëmbinj në rajonin e kryeqytetit. Në këtë zonë në fundjavë zhvillohet turizmi i aventurës, ku operatorët turistik ofrojnë një itinerar të sigurt për ecje dhe ngjitje nëpër shkëmbinj.

Itineraret variojnë në gradë vështirësie, nga ato të thjeshtat deri tek ato më të vështirat, për tu dhënë mundësi të gjithëve që të praktikojnë këto lloj sportesh.

Një vëmendje më e madhe për sa i përket infrastrukturës rrugore dhe asaj turistike drejt këtij destinacioni të afër për çlodhje,do të bënte që shumica e kryeqytetasve ta kishin një destinacion të fundjavës. / atsh / KultPlus.com

Bjeshka e Hinoskës, ndër destinacionet turistike më tërheqëse në Korab

Bjeshka e Hinoskës, e pozicionuar rrëzë malit të Velivarit me lartësi 2369m është një nga destinacionet turistike më tërheqëse dhe të aksesueshme në Parkun Natyror “Korab – Koritnik”.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura solli pamje nga kjo bjeshkë në këtë stinë, duke përcjellë dhe informacion mbi shtigjet e shënjuara.

Shtegu turistik që kalon në fshatin Melan, në fshatin Ilnicë dhe në bjeshkën e Hinoskës ofron një larmi të peizazhive natyrore nga ku mund të shijohen edhe pamjet mahnitëse të luginës së Drinit të Zi, të maleve të Lurës dhe vargmalit të Korabit në njërën anë, dhe të luginës së Radikës dhe maleve të parkut të Mavrovës në anën tjetër.

Biodiversiteti i larmishëm, burimet ujore, kullotat alpine dhe qetësia shpirtërore që të përcjell ky vend e bën atë një nga destinacionet më të preferuara gjatë stinës së verës dhe jo vetëm./ atsh / KultPlus.com

Ujëvarat e Tiranës, bukuri natyrore shqiptare

Tirana është e bekuar me bukuritë natyrore që gjenden ne rrethinat e saj, me pamje fantastike. Në rrethinat e Tiranës gjenden të fshehura disa ujëvara mahnitëse, ku vite më parë shumë pak i dinin se ekzistonin. Më e njohura prej tyre është Ujëvara e Shëngjergji. Në ju njohim më poshtë me ujëvarat që duhet t’i vizitoni.

Ujëvara e Shengjergjit

Ujëvara ndodhet pranë fshatit Shëgjin, të komunës Shëngjergj. Deri pranë saj, mund të shkohet me makinë dhe rruga është shumë e mirë. Kjo ujëvarë deri para gjashtë vitesh, rrinte “e fshehur” mes maleve dhe përveç banorëve të zonës, askush nuk e dinte ekzistencen e saj. Ndërsa vitet e fundit është kthyer në destinacionin më të kërkuar të pranverë-verës nga adhuresit e natyrws. Ujëvara furnizohet me ujë nga Mali me Gropa dhe formon një nga degët e krijimit të Lumit Erzen. Ajo ka një lartësi rreth 30 metra të dukshme dhe gjarpëron përmes hinkave në formë spirale në lartësi më të madhe dhe më pak të dukshme për syrin e vizitorit. Formacioni shkëmbor rreth saj është me shkëmbinj shtresëzorë dhe me ngjyra, ku e kuqja është mbizotëruese. Ne pranverë dhe në vjeshtë ajo ka një bukuri mahnitëse, nga llojshmëria e ngjyrave.

Ujëvara e fshehtë e Përroit të Murdharit

Kjo është një nga ujëvarat më të veçanta të këtij përroi, por dhe më e veçanta në llojet e ujëvarave. Kjo për faktin se ajo rrjedh në brendësi të malit. Uji i përroit kalon me shtratin e tij brenda në thellësi të malit dhe krijon atje një ujëvarë me lartësi rreth 7-8 metra. Vendi ku bie është pothuaj në erresirë përveç pjesës nga futet lumi që lejon dritën të hyjë. Banorët e zonës e quajnë “Hurdha e Zezë” (Pellgu i Zi). Për të arritur deri atje shtegu është pak i vështirë dhe i rrëshqitshëm. Pamja e saj është mbresëlënëse dhe mistike. Nuk mungojnë edhe legjendat lokale për këtë vend.

Ujëvara e Kakunjës

Kjo ujëvarë ndodhet pranë fshatit Kakunjë. Ndryshe ajo njihet edhe si ujëvara e Shkëmbit të Askolajt. Ajo ka një lartësi rreth 8-9m dhe përroi ku ndodhet është pjesë e degëve që furnizojnë lumin e Zhullimës. Ujëvara është përherë me ujë por në momente të pranverës dhe vjeshtës pas shirave ka me shumë prurje. Për të shkuar deri atje ndiqet rruga nga Tirana në Baldushk deri në fshatin Kakunjë. Nga atje më pas procedohet në këmbë deri tek ujëvara.

Ujëvara e Besh-Livadhit

Kjo ujëvarë ndodhet në përroin që kalon pranë fshatit Besh-Livadh. Ajo ka një lartësi mbi 10 metra dhe në stinën e pranverës ka prurje të mëdha uji. Shkëmbinjtë ku kalon janë shtresëzore dhe duken si pllaka të vendosura me dorë njëra mbi tjetrën. Ujëvara është e fshehur në një oaz të gjelbër bimësie dhe nuk është e thjeshtë për t’u gjetur. Për të shkuar deri atje ndiqet rruga nga Tirana deri në fshatin Besh pranë Shkallës së Tujanit. / KultPlus.com

Corriere: Shqipëria është kthyer në destinacion turistik për italianët

Media italiane “Corriere.it” në rubkrikën dedikuar udhëtimeve i ka kushtuar një artikull plazheve të Shqipërisë.

Nga një vend i panjohur, tashmë në destinacion për pushime. Kush do ta kishte menduar se Shqipëria do të bëhej shpejt një nga destinacionet e reja verore evropiane të preferuara nga italianët (dhe jo vetëm)?

Vitet e fundit, Toka e Shqiponjave është rilindur: e re, dinamike, krijuese – pavarësisht problemeve të secilit vend në zhvillim. Qytetet e gjalla, deti i kristaltë, peizazhet e paprishur dhe disa nga plazhet më të bukur në gadishullin Ballkanik.

Plazhet më të mira janë në jug të vendit, midis qytetit të Vlorës dhe Ksamilit, pikës së fundit të tokës shqiptare para Greqisë. Disa – si Sazan dhe Karaburun – mund të arrihen me varkë, të tjerët si Gjipë mund të arrihen vetëm pasi të keni ndjekur itineraret e shëtitjes.

Duke zbritur takoni Porto Palermon, me kështjellën e Ali Pashës me pamje nga deti, dhe Borshi, të përqafuar nga një hapësirë ​​pemësh ulliri dhe shkurre mesdhetare. Dhe pastaj Himara dhe Saranda deri në Ksamil, i famshëm për perëndimet e diellit dhe ujërat që zbehen nga blu në të kaltër në bruz.

Në veri të Shqipërisë, nga ana tjetër, ka Velipojë dhe Kepi i Rodonit, ku mund të admironi edhe një kështjellë të lashtë nga koha e Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar./ KultPlus.com

Investime për ta shndërruar liqenin e Prespës në një destinacion të vërtetë turistik

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi e vlerësoi çështje shumë të rëndësishme në politikat e qeverisë ruajtjen e biodiversitetit dhe pasurisë natyrore që ka zona e Prespës, në bashkinë e Pustecit, në juglindje të vendit.

Në interpelancën e kërkuar nga deputeti Vasil Sterjovski, i cili kërkoi shpjegime nga ministri mbi programet dhe punën që po bën qeveria për të mbrojtur dhe zhvilluar zonën e Prespës, që shtrihet në kufijtë e tre shteteve (Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi), Klosi tha se, “Prespa për vetë shtrirjen gjeografike që ka dhe lag tre shtete, është një pasuri natyrore me vlera të veçanta, për të cilën ne duhet të punojmë të gjithë së bashku për ta shndërruar në një burim të madhe ekonomik” .

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare Klosi tha se, “jemi përpjekur dhe kemi organizuar një sërë aktivitetesh në bashkëpunim me bashkinë e Pustecit dhe qarkun e Korçës për ta shndërruar liqenin e Prespës dhe zonën e Pustecit në një destinacion të vërtetë turistik”.

“Vetëm vitin e kaluar janë 110 mijë turistë që kanë vizituar zonën e Prespës dhe Pustecit që padyshim kanë ndikuar në përmirësimin e ekonomisë së zonës. Ajo për të cilën punojmë fort është fakti se sa industria e turizmit dhe mbrojtja e mjedisit, do të ndikojnë në përmirësimin e ekonomisë shqiptare”- tha Klosi.

Ministri theksoi se, “tashmë në zonën e Prespës bashkia Pustec, ka disa bujtina dhe njësi pritje të turistëve, të cilat mungonin para dy vitesh. Ka mbi 100 shtretër në atë breg liqeni të vogël ndërsa kërkesa është në rritje të vazhdueshme. Sot Pusteci është një destinacion dhe në ditë të vitit është vështirë të gjesh vende të lira për të drekuar pa pronotim” .

Klosi shpjegoi filozofinë e programit të qeverisë për zhvillimin ekonomik ku nënvizoi se, “zgjidhja nuk është një projekt por të gjejmë ndryshimin në shndërrim në destinacion dhe sot Korça shënon një destinacion 12-mujor edhe falë investimeve që janë bërë në gjithë infrastrukturën e zonës, ku padyshim vend zë edhe Pusteci. Pra ky është ndryshimi ku turizmi sjell impakt pozitiv në ekonomi”.

Klosi tha se, “qeveria ka ndërmarrë projekte radikale dhe multisektoriale në këtë zonë që përfshijnë investime në rehabilitimin e trashëgimisë kulturore, sistemet e kanaleve kulluese, të përpunimit të ujërave të zeza, mbrojtjes në mjedis, zhvillimin e agroturizmit etj”.

Ai theksoi angazhimin e qeverisë në ruajtjen e liqenit të Prespës si simbol të bashkëfqinjësisë mes tre kombeve tona./ atsh/ KultPlus.com

Ura e Vokopolës në rrethin e Beratit edhe si destinacion turistik

Ura e Vokopolës është ndërtuar mbi përroin e Çorogjafit dhe lidh Vokopolën me fshatin Tërpan.

Ura përbëhet nga harku kryesor segment rrethi dhe nga dy harqe më të vegjël bregorë anash. Monumenti futet në tipin e urave me një qemer dhe me një dritare shkarkuese.

Ura është me kurriz të theksuar në kyç, gjë që i jep një pjerrësi të madhe kalldrëmit nga të dyja anët.
Nga ana e majtë e urës ndodhet një mbishkrim i cili për arsye të dëmtimit nga koha është i padeshifrueshëm. Në pjesën qëndrore më të lartë të urës, për sigurimin e kalimit të kalimtarëve është ndërtuar një parapet guri me gurë pllakë vendosur këlliç me kollona të ikastuara në qemer çdo 50 cm.

Qemeri është me dy rreshta dhe arrin trashësinë 125 cm, kalldrëmi i urës është ndërtuar me gurë pllakë të zinj.

Kjo urë mendohet të jetë ndërtuar rreth viteve 1750, gjatë kohës së Kurt Pashës së Beratit, dhe ka shërbyer si pikë e rëndësishme në lidhjen e luginës së Osumit me luginën e Vjosës. Degëzimi i cili lidhte Beratin me Tepelenën kalonte nëpër këto fshatra; Vokopolë-Çorgjaf –Rehovë -Qafa e Gllavës-Luftinjë-Memaliaj./ KultPlus.com