Zoran Vukotiq dënohet me 10 vjet burgim, i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Sot, është dënuar Zoran Vukotiq me 10 vjet burgim, i akuzuar për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton KRCT, shkruan KultPLus.

“Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë në Kosovë, nga Gjykatat vendore. Edhe pse drejtësi e vonuar, kjo ditë shënon një moment kthese dhe shprese, jo vetëm për viktimën që njohu përdhunuesin dhe dëshmoi kundër tij, por për të gjithë të mbijetuarit tjerë, që një ditë drejtësia do të vihet në vend.QKRMT përmes shërbimeve rehabilituese që ofron, ka fuqizuar të mbijetuarën në kërkesën e saj për drejtësi, si dhe ka iniciuar rastin. Gjithashtu, QKRMT ka bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë Speciale dhe me vetë viktimën. Përveç ofrimit të rregullt të shërbimeve psiko-sociale, QKRMT ka asistuar dhe mbështetur viktimën në të gjitha etapat e procesit hetues dhe gjyqësor.Ne nuk do të reshtim derisa ta shohim edhe përdhunuesin e fundit prapa grilave!”, thuhet në njoftimin e KRCT./ KultPlus.com

Kurti: Askush nuk është dënuar për dhunimet e luftës së fundit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës Seksuale në Konflikte, ka theksuar faktin se askush nuk është dënuar për gratë dhe burrat e dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Ai nëpërmjet një postimi në Twitter, ka thënë se drejtësia për viktima është e nevojshme për të lehtësuar vuajtjen dhe stigmën e heshtur të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt kujtojmë se askush nuk është dënuar për mijëra gra dhe burra të dhunuar në Kosovë nga forcat serbe në 1998-9.

Drejtësia është e nevojshme për të lehtësuar vuajtjet dhe stigmën e heshtur të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës”, ka shkruar Kurti./ KultPlus.com