Jehon Gorani në rolin e mafiozit kryesor në serialin ‘Diamonds’ të Netflixit

Aktori shqiptar, Jehon Gorani, i cili jeton dhe vepron tash e 20 vite si aktor në Belgjikë, do të luajë në një sërial të prodhuar nga kompania e famshme “Netflix” me titull “Diamonds”, shkruan KultPlus.

Seriali dramë me tetë pjesë do të vijë nga bashkëkrijuesit e ‘Fauda’ dhe ‘Line In The Sand’, Yuval Yefet dhe Rotem Shamir, të cilët do të drejtojnë gjithashtu serialin.

Në një prononcim për KultPlus, Gorani tregon se rolin e tij e ka fituar në vitin 2021, por pandemia COVID-19 ka ndikuar që xhirimet të shtyheshin.

“Rolin e kam fituar qysh në vitin 2021, por xhirimet janë shtyer për shkak të pandemisë. Seriali pritet të transmetohet në Netlifx më vonë këtë vit (në varësi të rrethanave)”.

“Këtu bëhet fjalë për një familja hebreje, e cila është e zhytur në nëntokën e Antwerpit, qendrës më të madhe të diamanteve në botë. Një nga anëtarët e familjes nuk dëshiron të jetë pjesë e bizneseve të ndyra andaj edhe largohet nga fmilja, por pas një tragjedie familjare ai obligohet të rikthehet dhe merr përsipër biznesin familjar, duke hyrë kështu në ujërat e trubullta”, thotë Gorani.

I pyetur se si erdhi te ky bashkëpunim, Gorani për KultPlus ka thënë se profili i tij ka qenë i përshtatshëm.

“Unë jam si aktor në Belgjikë tash e 20 vite, profili im ka qenë i përshtatshëm për rol andaj edhe jam kontaktuar nga produksioni”.

Ai do të luajë rolin e mafiozit kryesor, i cili kontrollon portin e Antwerpit.

Drama mafioze është bashkëprodhim nga Keshet International dhe kompania belge e prodhimit De Mensen, derisa regjisori Rotem Sahir është i njohur edhe për serialin “Fauda”, i cili është gjithashtu prodhim nga Netflix. /KultPlus.com