Diana Ross rikthehet me album pas 20 vjetësh

Ikona e muzikës, Diana Ross, po rikthehet në skenë me albumin e saj të parë me muzikë origjinale “Thank You”, pas pothuajse 20 vjetësh.

I bashkëshkruar nga ylli ikonik gjatë karantinës dhe i incizuar në studion e saj në shtëpi, albumi do të publikohet gjatë vjeshtës, ka njoftuar të enjten kompania muzikore “Decca Records”, përderisa është konfirmuar se është bërë pjesë e kësaj kompanie.

Producentët dhe bashkëpunëtorët në 13 këngët e albumit “Thank You” janë Freddie Wexler (Ariana Grande), Tayla Parx (Beyonce) dhe Jack Antonoff (Taylor Swift / Lana Del Rey).

“Ky koleksion këngësh është dhurata ime për ju me vlerësim dhe dashuri”, ka thënë Ross në një komunikatë dhe shtoi: “Jam përjetësisht mirënjohëse që pata mundësinë ta incizoj këtë muzikë të lavdishme në këtë kohë”, transmeton KultPlus.

Kënga e parë e albumit, me titullin e njëjtë “Thank You”, u publikua të enjten – duke u bërë kënga e parë e publikuar nga ylli muzikor pas 15 vjetësh.

Albumi i fundit i legjendës së “Motown” ishte koleksioni i ripërpunimit të disa këngëve të tjera , i “I Love You”, në të cilin ishte vetëm një këngë origjinale e artistes. Ky album ishte realizuar shtatë vjet pas publikimt të albumit “Every Day is a New Day”.

Ross e ka nisur karrierën e saj më 1970, gjatë së cilës ishte 12 herë në vendin e parë në listën muzikore “Billboard Hot 100” me “The Supremes”, por edhe me këngët “Ain’t No Mountain High Enough”, “Touch Me in the Morning” dhe “Endless Love”.

Ikona e muzikës ka dy yje në “Walk of Fame” të Hollywoodi – një si anëtare e trios dhe një si artiste. Gjithashtu, ka fituar një çmim “Grammy” për arritje jetësore më 2012.

Ross do ta nisë turneun muzikor vitin e ardhshëm në Mbretërinë e Bashkuar, i cili do të përfundojë me koncerte për dy net radhazi në sallën O2 në Londër. / KultPlus.com

Ross merr çmim special në “AMA”

Mbretëresha e muzikës, Diana Ross, do ta pranojë një çmim special për arritje jetësore, në edicionin e sivjetmë të ceremonisë shpërblyese “American Music Awards”.

“Kam kujtime shumë të mira nga kjo ceremoni. Më kujtohet ta kem ndjekur atë për herë të parë në vitin 1974. Kështu që po ndihem shumë e nderuar për këtë çmim”, ka deklaruar Ross përmes një komunikate për media.

Çmimi special i ceremonisë “AMA”, i dhurohet vetëm artistëve të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në industrinë e muzikës. Në të kaluarën me të janë shpërblyer yjet Whitney Huston, Sting, Michael Jackson etj.

Disa prej hiteve më të njohura të Diana Rossit mbesin këngët “You can’t hurry love”, “Stop in the Name of Love”, “A’int no Mountain High Enough”, “I’m Coming Out” etj.

Këngëtarja e cila ka marrë pjesë edhe në disa filma hollywoodian, po ashtu ka një bagazh të madh të shpërblimeve të cilat i ka fituar ndër vite. / KultPlus.com