Gëzim Gashi me rrëfim inspirues në DiasporaTalks: Nëse dyert ku ju trokitni nuk hapen, krijoni një derë tuajën

I lindur më 29 qershor të vitit 1990, vetëm pak ditë para se Kosova të deklaroi pavarësinë nga parlamenti i Serbisë, Gëzim Gashin qysh në ditët e para të jetës e përcolli një dramë jetësore.

Ky vendim i Kosovës shkaktoi gjenocid, ku më pas ushtarët serbë shkuan në spital ku Gëzimi i posalindur ishte ende me nënën e tij, e kjo e fundit nga frika thirri bashkëshortin dhe vëllain e saj për ta marrë dhe e larguan nga dritarja. Është pikërisht kjo histori që Gëzimin e ka inspiruar gjatë gjithë jetës e sot ai vazhdon të inspiroj njerëz nga e gjithë bota, shkruan KultPlus.

I rritur në Suedi, Gëzim Gashi u bë i pari shqiptar që hapi një institut të shkollës së mesme në Shtetet e Bashkuara (OCS Institute of Arts and Innovation) dhe përmes kompanisë së tij të suksesshme të marketingut ka punuar me kompani legjendare si Walt Disney Company dhe Quincy Jones Productions ku ai shërben si Këshilltar menaxhimi.

Gezim Gashi, një sipërmarrës i drejtuar nga qëllimi, mentor, folës, menaxher i marketingut, autor bestseller dhe partner në Institutin OCS për Artet dhe Inovacionin në Los Angeles, Kaliforni, së fundi ka sjell librin e tij debutues “Unlocked: The Power of You”, ku e ka kanalizuar historinë e tij personale të suksesit në një libër vetë-ndihmë.

Ai ishte folës edhe në Universitetin e Harvardit, por kthimi në vendlindje për të mbetet një ndër qëllimet kryesore.

Së fundmi, Gashi u bë pjesë e #DiasporaTalks organizuar nga ICK Kosova. Në këtë prezantim, të pranishmit panë një djalë shumëdimensional, por i veshur me një modesti të paparë.

Historinë e tij frymëzuese, Gëzimi e ndau me të pranishmit në këtë event, të cilët u ndanë të ngazëllyer me gjithë fjalët inspiruese që ai i përcolli.

Nga jeta prej refugjati e deri të libri i tij debutues në Amerikë, Gashi ka ndarë sekuenca nga jeta dhe karriera duke dhënë shembull se jeta mbi të gjitha është një dramë e bukur që duhet jetuar në të gjitha mundësitë dhe shfrytëzuar përtej asaj që e mendojmë.

Rruga drejt botimit të librit

Kisha një moment që më ndryshoi jetën. Duke qenë shqiptar nga Kosova, i rritur në Suedi ku të gjithë kishin flokë bionde, sy blu, padyshim që ndonjëherë ndjehesha jo rehat sepse nuk isha si gjithë të tjerët. Por, më kujtohet kur isha 10 vjeç që i thashë mamasë sime që po mendoja të shkoj në Amerikë, mamaja ime më uli dhe më tregoi gjithë historinë time se si i shpëtova gjenocidit serb. Dhe kjo histori dukej vërtet si një film. Ajo më bëri të kuptoj se kam një qëllim dhe kjo ishte edhe pika ku më erdhi ideja për librin. Unë besoj se kam një qëllim dhe se ka një arsye që jam këtu. Kur mamaja ma tregoi atë histori, më bëri vërtet të patrembur. Që atëherë, kam qenë gjithmonë i pasionuar për të bërë shumë gjëra. Unë nuk vij nga asnjë pasuri, nga asnjë lidhje me njerëz apo asgjë, kështu që më duhej të gjeja diçka në të cilën besoj dhe t’ia tregoja botës.

Pasi ideja e librit u pëlqye dhe unë sigurova një marrëveshje botimi, libri arriti të botohet më 29 nëntor dhe më pas debutuam numër një në Amerikë. Pas kësaj, thjesht po shkon lart e më lart.

Libri flet më shumë për zhvillimin individual dhe gjërat që kam kaluar. Librin vendosa ta nxjerrë përmes “Amazon” sepse 50 për qind e librave në Amerikë po shiten atje, dhe më pas ne bëmë shumë marketing përmes mediave sociale.

Jeta në Suedi

Në shkollën ku kam shkuar, mbaj mend që një ditë, njëra nga mësueset na vendosi një e nga një të gjithëve para klasës, ku duhej të tregonim se çfarë duam të bëjmë kur të rritemi. Kur erdhi radha ime unë thash që dua të shkoj në Amerikë dhe fola për të gjitha gjërat që dua të bëj. Të gjithë heshtën dhe më shikuan çuditshëm, ata nisën të flasin me njëri-tjetrin sikur unë të isha i çmendur. Ishte një energji e keqe në klasë. Atëherë mësuesja ime e muzikës më nxori nga klasa dhe më tha ta takoja më vonë. Ajo padyshim e pa se si më trajtuan mua, kjo ndodhë edhe për faktin se vjen nga një vend tjetër, kështu që më takoi pas mësimit dhe erdhi me një portofol me revista, me CD dhe gjithçka tjetër dhe pastaj më uli dhe më tregoi për një tjetër emigrant, Rami Yacoub i cili kisha arritur shumë gjëra dhe tani sapo ka bërë një album për Beyoncen. Kështu që mora Ramin si shembull. Pastaj i kam shkruar në ‘MySpace’ dhe i tregova historinë time dhe ai më pyeti se çfarë mund të bëj për ty, kështu që ne qëndruam në kontakt dhe tani pas shumë kohësh ai fluturoi nga Amerika për të qenë me mua në Kosovë për katër ditë dhe ai sapo u largua dje, kjo ishte çmenduri për mua dhe mbaj mend se si e kaloja çdo verë në Kosovë dhe gjithmonë mendoja se çfarë kishte arritur.

E pyeta se çfarë të shtyu të besosh tek unë dhe ai më tha: Historia jote dhe mënyra se si u afrove e fole me mua, më bëri të besoja se ka diçka këtu.

Tani, unë besoj se gjëra të mëdha mund të bëhen përmes mediave sociale. Dhe unë besoj se gjëra të mëdha ndodhin kur frymëzoni njëri-tjetrin. Unë kurrë nuk kam zgjedhur rrugën drejt mundësive, por kam zgjedhur gjithmonë njerëz që besojnë në të njëjtin mision si unë.

Përfundimi në industrinë e argëtimit

Ky libër ka të bëjë më shumë me një zhvillim personal dhe të kuptuarit se ne kemi një mision, kemi një qëllim, por edhe të kontrollojmë narrativen tonë. Për shembull, në këtë libër unë tregoj se nëna ime më dha rrëfimin tim. Kaloj shumë kohë me nxënësit e mi dhe ata më thonë që prindërit e tyre u thonë “Mos e bëni këtë”, “Ne nuk besojmë në ty”, dhe unë e di sa i bekuar jam, por nga ana tjetër kjo është pse në këtë libër unë vërtet u përpoqa të punoja shumë për të gjetur mënyra se si dikush mund të fillojë të bëjë pyetje sepse në këtë libër ka shumë përgjigje. Është një libër “self-help”.

Rëndësia e ndërtimit të marrëdhënieve të shëndetshme

Është shumë e rëndësishme të ndërtoni një marrëdhënie të shëndetshme e cila mund të kthehet në diçka që mund të zhvillohet në biznes. Unë gjithmonë përpiqem të përqendrohem në takime autentike, ashtu si me ju këtu. Por nuk mund të duket si oportuniste, dhe më kujtohet Quincy Jones kur më tha “Mos harroni se gjëja më e rëndësishme në këtë industri është të jesh etik, sepse kjo është ajo që të bën vërtet të paharrueshëm.” Ai ka qenë aktiv në industrinë e muzikës për më shumë se tridhjetë vjet dhe nëse do të kishte pasur gjëra joetike, nuk mendoj se mund të qëndronte aq gjatë në këtë industri. Pra, gjithçka ka të bëjë me të qenit autentik, por edhe të dish të bësh gjënë e duhur.

Ndryshimet/ Dallimet mes Suedisë dhe Amerikës

Mendoj se ndihem shumë mirë në Amerikë, sepse kultura e tyre është shumë e ngjashme me ne. Kur vendosim diçka, është si të flasim me murin dhe ata janë gjithashtu të tillë. Kjo është arsyeja pse unë jam shumë mirë në Amerikë. Por të gjithë miqtë e mi suedezë që u shpërngulën në Amerikë, e kanë të vështirë sepse në Suedi ekziston një energji që nuk është e sinqertë. Ne jemi mësuar të jemi të mirë me të gjithë, por industria nuk funksionon kështu. Nuk mund të jesh besnik ndaj të gjithëve, duhet të zgjedhësh besnikërinë tënde dhe vetëm ti mund të vendosësh vetë, ndaj mendoj se për mua ishte vërtet një luftë në Suedi sepse ata thoshin një gjë, dhe unë e dëgjoja ndryshe në një vend tjetër.

Kontrollimi i rrëfimit tonë

Pra, ne e kemi këtë punëtori që e bëj me studentët e mi dhe është gjithashtu mbi librin. Unë po shoh një brez që është shumë i dëshpëruar dhe ata ndihen jo mjaftueshëm mirë, ndihen sikur duhet të bëjnë disa gjëra për të marrë pëlqime dhe shumë prej tyre mendojnë se duhet të bëjnë diçka për t’u pranuar në shoqëri. Kur ne u rritëm, shoqëria jonë nuk ishte në mediat sociale, por kjo është ajo që ata mendojnë që të mund të përshtaten në mediat sociale.

Për shembull, nëse hyjmë në një debat dhe ndihem sikur jam pothuajse i keq me ju, duhet t’ju them se nuk jam një person i poshtër, por ndjenjat e mia janë lënduar sepse më keni bërë diçka që nuk është e drejtë. Gjëja më e rëndësishme është se ky është identiteti im dhe unë kam zgjedhur identitetin tim. Kam zgjedhur të jem optimist, pasionant dhe besnik dhe të kem një karakter që i sjell dobi brezit të ri.

Ju duhet ta shihni jetën si një qiell blu me diell, dhe kur vijnë stuhitë dhe retë, ato janë vetëm të përkohshme.

Kur ndihem i shqetësuar mbyll sytë dhe mendoj qiellin blu me diell dhe më pas shoh retë, por gjëja më e bukur është kur shoh retë që po largohen. Kjo është një imagjinatë që bëj për veten time, por po më ndihmon shumë.

Disney Channel

Unë isha 24 vjeç dhe fillova të punoja në një shkollë muzikore në një qytet të vogël në Suedi, ku u bëra shef i marketingut dhe më pas sapo shihja studentët, shihja rastet e tyre dhe si ëndërrimtar, përpiqesha të mendoja gjithmonë sa më lartë që mundesha, ndaj u përpoqa të mendoj për një bashkëpunim të dobishëm dhe pyeta veten se ku duhet të aplikoj. E dija që nxënësit e shkollës së mesme shikonin Disney Channel dhe ata gjithmonë donin të ishin veçmas aty, kështu që kisha një ide për të gjetur gjashtë studentë dhe të bënim një shfaqje. Pastaj, kontaktova dikë dhe i tregova idenë dhe ata u interesuan dhe thanë nëse do të mund të shkonim në Londër. Ne shkuam atje dhe takuam disa njerëz dhe u desh të qëndronim para tyre për të luajtur në fushë dhe njerëzit e Mbretërisë së Bashkuar me të vërtetë nuk dhanë asnjë shprehje fytyre, kështu që unë vërtet nuk e dija se çfarë po ndodhte.

Pas një jave na thanë se duhet ta fillojmë këtë dhe na dhanë udhëzime me një aparat fotografik. Krejt papritur në natën e Vitit të Ri, ata thanë se do të fillonim xhirimet në janar. Dhe unë u befasova vërtet. Ne xhiruam një episod “pilot” në janar dhe më pas në maj e publikuan në Disney Channel dhe me të vërtetë eci shumë mirë e suksesshëm.

Kjo ishte para se të shkoja në Amerikë.

Gjithmonë e kam ditur se do të shkoj në Amerikë dhe e kam ditur që puna është ajo që do të mund ta bëjë këtë. Kështu, kur lashë punën time në Suedi në vitin 2017, unë thjesht ndoqa intuitën time.

Këshilla më e mirë

Unë mendoj se këshilla më e mirë që dikush më ka dhënë është të mos ndryshosh veten për të arritur diçka të suksesshme.

Mendoj se ajo që më mban të motivuar është se thjesht e di qëllimin tim dhe e di që dua të bëj diçka të madhe në jetë dhe këtë e ndjej çdo ditë.

“Libri im ka të bëjë me gjetjen e qëllimit”

Unë ndaj disa gjëra dhe gjithashtu ndaj disa nga historitë e miqve të mi në libër kështu që vërtet u përpoqa të bëja një libër edukativ që nuk është shumë larg të qenit thjesht opinione.

Unë gjithashtu e di se sa e rëndësishme është të përpiqesh të tregosh histori reale dhe autentike.

Mediat sociale

Përmes mediave sociale lidhem me njerëzit dhe gjithmonë përpiqem të dërgoj ‘email’ dhe të flas me njerëzit. Kjo është mënyra se si u futa në lajmet e NBC dhe thjesht vazhdoj edhe nëpër tjera mediume dhe nuk ndaloj asnjëherë.

Edhe nëse marr një “jo”, tani unë jam ai që kam ndërtuar një rrëfim për mua se meritoj një “po” kështu që edhe nëse nuk beson dikush, ndihem sikur është përgjegjësia ime që t’ju bëj të besojnë në mua.

Nuk mund të kesh ego sepse po e bën për një mision dhe është një mision më i madh se vetvetja.

I famshëm apo jo i famshëm

Nuk ndihem i famshëm dhe them se shpresoj të jem një njeri ndikues sepse janë dy gjëra të ndryshme. Ju jeni ose i famshëm ose njeri me ndikim. Unë dua të jem shembull dhe është e vërtetë që kënaqem sa herë që përmendet emri im.

Por, unë definitivisht nuk ndihem i famshëm.

Krejt në fund të kësaj bisede inspiruese për të pranishmit, Gashi dha edhe një mesazh të fuqishëm. Duke u nisur nga përvoja personale ai u shpreh se nëse dyert ku ju trokitni nuk hapen, atëherë krijo derën tënde. Mos u dorëzo asnjëherë. Lufto për ëndrrat dhe puno shumë në atë drejtim. / KultPlus.com

Video e plotë: