Përkujtohet Sherif Merdani, nga këngëtar i përndjekur, në diplomat

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” përkujtoi sot këngëtarin, artistin, diplomatin Sherif Merdani (14 maj 1940-29 gusht 2021).

Merdani lindi në Korçë dhe u rrit me pasionin për muzikën që në vegjëli. Vinte nga një familje që për kohën cilësohej si me “biografi të keqe”.

Sherif Merdani mbaroi Shkollën e Mesme Pedagogjike dhe u caktua mësues në fshatin Backë të Skraparit. Falë mbështetjes së kompozitorit Agim Krajka, Sherif Merdanit iu dha mundësia të performonte në Estradën e Korçës.

Gjatë kohës që u vendos në Tiranë me studime, falë talentit që kishte, ai u mbeshtet nga Vaçe Zela për t’u njohur si këngëtar.

Fillimisht mori pjesë në Festivalin e 8-të Këngës, dhe në vazhdim në festivalet pasardhëse.

Kulmin si artist do e arrinte në Festivalin, e 11-të. Do të ishte ky festival që do të shërbente si pikënisje e sulmit ndaj kulturës, artit dhe shfaqjeve të huaja, sulm që u thellua zyrtarisht nëpërmjet Plenumit IV të KQ të PPSH në qershor të vitit 1973. Mes shumë kolegëve artistë, Sherit Merdani arrestohet në Librazhd ku asokohe punonte në Shtëpinë e Kulturës.

Gjykata e Rrethit të Librazhdit e dënoi me 10 vjet heqje lirie me akuzën “agjitacion dhe propagandë”. Teksa po vuante denimin në Spaç, u ridënua me 10 vjet të tjera. Do të lirohej më 1989, pas 16 vitesh heqje lirie në Spaç, Burrel e Qafë Bari.

Me ardhjen e demokracisë, Sherif Merdani caktohet si diplomat në Ambasadën Shqiptare Romë dhe më vonë në Bukuresht. Ka punuar edhe si Drejtor i Kulturës pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ndërron jetë në Tiranë në vitin 2021./atsh/KultPlus.com

Diplomati më i njohur i Serbisë, shqiptarët që i shkeli dhe njëri nga ta që ia “lëshoi”!

Nikolla Pashiqi kishte poste të larta në Serbi, përfshirë atë të kryeministrit, ndërsa edhe sot konsiderohet si politikani më i zgjuar dhe më i madh serb (me origjinë ishte vllah nga Tetova), shkruan Telegrafi.

Pashiqi, që ishte themelues i Partisë Radikale të Serbisë, një herë ishte pyetur se çfarë ishte politika për të. Ndërsa, përgjigja e tij ishte kjo: “Ti e di se çfarë është politika! Kjo është sikur kur duhet një fije kashte të ngrihet, e ajo e kap tërë Kuvendin Popullor thuajse është një tra. Dhe, kur nuk ka tra që të ngrihet, atëherë, e di ti, mbesim unë e Laza Paçu (ministër serb i Financave – v.j.) ta kryejnë punën”, ka thënë ai.

Është edhe një definicion tjetër, që e përmendin shqiptarët, që gjoja e ka thënë Pashiqi kur i biri i tij nuk “dinte” se çfarë është politika. Pashiqi atëherë pretendohet t’i ketë thotë: “Politika është kur dikush bëhet gati me ta ngul, e ti je ai që ia ngul i pari”!

Në kohën kur ai ishte kryeministër, ndodhin luftërat ballkanike dhe copëtimi i tokave shqiptare. Ai ishte në pushtet edhe kur kërcet Lufta e Parë Botërore. Dhe, është meritë e tij mbështetja që Serbia merr nga perëndimi për politikat ekspansioniste.

Ndër shqiptarët (pa fakte historike) përmendet se ishte veç një njeri që ia “nguli” Pashiqit, e ai ishte Ahmet Zogu. Për të Pashiqi kishte thënë, kështu diçka: “E mashtrova botën, e në fund ma lëshoi mjekrën një çoban i Shqipërisë”! /Telegrafi/

Kategorizimi i diplomave do të jetë siklet për studentët

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe i Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, ka thënë se autoriteti i Ministrisë shtrihet edhe te universitetet private.

Ai ka thënë se nuk është i interesuar të vazhdohet me praktikat e vjetra, por që bashkërisht të gjejnë zgjidhje, duke thënë se edhe studentët e tyre do t’i nënshtrohen provimit shtetëror.

“Autoriteti i jonë ligjor shtihet deri në maksimum, për të vendosur rend dhe ligj. Ne do të vendosim nëse këto nuk do të jenë të gatshëm, e kemi ba të qartë këtu në takim, sepse ne gjerat i kemi të hapura. A dojmë diçka të ndryshojmë e të bëjmë mirë, apo do të vazhdojmë me avazin e vjetër?” Unë nuk jam i interesum me avazin e vjetër. Jam i interesum që bashkërisht të gjejmë zgjidhje, në të kundërtën ligji do të vendos minimumin provim shteteror. Studentët do t’u nënshtrohen provimit shteteror ne momentin kur e përfundojnë një program të caktuar në një fakultet të caktuar”, ka thënë ministri për Gazetën Fjala.

Megjithatë, kjo formë, sipas tij, nuk garanton cilësi 100 përqind, por e vendosë një rregull.

“Nuk garanton 100% cilësi sepse cilësia direkt është e lidhur me personat përgjegjës në këto kolegje edhe në çdo universitet. Por ajo çfarë vendos, vendos një rregull. I mbron të gjithë studentët të cilët vërtet bëjnë një punë të jashtëzakonshme gjatë studimeve të tyre që fitojnë një dije që është e barasvlershme me diplomën të cilën e marrin”, ka thënë tutje ai.

Ministri i Arsimit ka thënë se do të fillojnë edhe me kategorizimin e diplomave, e cila do të bëjë që studentët para regjistrimit të mendojnë mirë se në cilat drejtime do të regjistrohen.

“Pra, nëse ne do të fillojmë me i kategorizu diplomat, kjo do t’i detyrojë edhe studentët të mendojnë momentin kur regjistrohen. Do të kërkojnë kolegje të cilat vërtet ofrojnë cilësi gjatë studimeve, sepse për punësim do ta kenë shumë vështirë”, ka shtuar ai.

“Konsideroj që është prioritet i qeverisë që ne punësimin ta orientojmë te sektori privat, të mos jetë sektori publik faktor kyç në punësimin e të rinjve tanë, dhe ne kur do ta kthejmë punësimin në sektorin privat, paramendoni a do të ketë mundësi një i ri që do ta ketë diplomën e kategorisë së dytë të punësohet. Sepse secili do t’ia kërkojë diplomën e kategorisë së parë”, ka thënë tutje ai./ KultPlus.com