Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare

KultPlus, sjell disa kujtime nga Rozmari Jorganxhi, dirigjentja e parë shqiptare. Ajo për herë të parë para publikut si dirigjente ka dalë me suitën për kor dhe orkestër “Vullnetarët” të të ndriturit dhe të madhit kompozitorit Tonin Harapi.

Rozmari Jorganxhi ka nisur karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike.
“Mezzosoprano” në TOB dhe ka interpretuar me profesionalizëm në nivele të larta role nga operat ndërkombëtare, por edhe ato kombëtare. Nga viti 1967-1984 ajo ka dirigjuar Korin e TOB duke qenë femra e parë dirigjente e këtij institucioni unik të kulturës shqiptare. Më 1993 Jorganxhi në moshën 56-vjeçare fiton audicionin dhe fillon si këngëtare profesioniste në Teatrin Giusepe Verdi të Triestes ku këndoi për 10 vjet. Zonja Jorganxhi ka dhënë dekada mësim në Universitetin e Muzikës duke i dhënë kulturës shqiptare emra artistësh si në fushën e dirigjimit ashtu edhe në atë të kantos.

Rozmari ka lindur në një familje me tradita muzikore nga ana e të atit , “Artistit të Merituar” Gaqo Jorganxhi, i cili këndoi për 65 vjet si solist në qytetin e Korçës, që prej vitit 1920, kur u krijuan shoqëritë e para muzikore në këtë qytet.

Vetë qyteti i Korçës ka nxjerrë artistë lirike si Tefta Tashko Koço, Jorgjie Truja,( e cila ka qenë dhe regjisorja e parë e TKOB), Mihal Ciko, Kristaq Antoniu etj, ( kanë qenë dhe mbeten ikona, qe ngritën themelet e artit lirik në Shqipëri).

Shkoi për studime në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku pati si pedagoge kantoje “Artisten e Popullit” Marie Kraja. Në atë kohë pedagogë kantoje si ajo ishin dhe këngëtarët e parë lirikë si Jorgjie Truja, Gjyzepina Kosturi, Mihal Ciko.

Më pas shkoi për studime në Konservatorin e Moskës për kanto ku ishin: Avni Mula “ Nderi i Kombit”, Mentor Xhemali “Artist i Popullit”,Gjoni Athanas “Mjeshtri i Madh”, Ibrahim Tukiqi “Artist i Popullit”. E vetmja vajzë mes tyre ishte Rozmari që ishte dhe më e reja në moshë, vetëm 15 vjeç!

Në këtë Konservator , sot Akademia e Artit të muzikës, ajo gjeti të ndriturin Lluk Kaçaj “Nderi i Kombit”, Albert Papariston, Maliq Herrin, Çesk Zadenë “Artist i Popullit”, Tish Daijen “Nderi i Kombit”, Dhora Lekën, Hamide Stringën. Për dirigjentë me të kanë studiuar Rifat Teqja “Artist I Popullit”, për dirigjent orkestre dhe Milto Vako “Artist i Merituar” dirigjent kori.

Më vonë erdhën për studime në këtë Konservator kompozitor Nikolla Zoraqi “Artist i Popullit”, këngëtaret si Irena, Gjergo, Luiza Papa, Gjinovefa Heba, Gaqo Çako “Artist i Popullit”. Vazhdoi dirigjimin dhe kanton për 7 vjet duke dalë shkëlqyeshëm. Në vitin 2017, në moshën 80-të vjeçare ajo mori titullin “Mjeshtre e Madhe”./ KultPlus.com

Ndahet nga jeta dirigjentja e parë shqiptare, Rozmari Jorganxhi

Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare dirigjentja e parë shqiptare, Rozmari Jorganxhi. E ëma e kantautorit Gjergj Leka ka ndërruar jetë në Trieste të Italisë.

Rozmari Jorganxhi ka nisur karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike. Ishte “mezzosoprano” në TOB dhe ka interpretuar me profesionalizëm në nivele të larta role nga operat ndërkombëtare, por edhe ato kombëtare. Nga viti 1967-1984 ajo ka dirigjuar Korin e TOB duke qenë femra e parë dirigjente e këtij institucioni unik të kulturës shqiptare.

Më 1993 Jorganxhi në moshën 56-vjeçare fiton audicionin dhe fillon si këngëtare profesioniste në Teatrin Giusepe Verdi të Triestes ku këndoi për 10 vjet. Zonja Jorganxhi ka dhënë dekada mësim në Universitetin e Muzikës duke i dhënë kulturës shqiptare emra artistësh si në fushën e dirigjimit ashtu edhe në atë të kantos. / KultPlus.com