Arshi Pipa, disident në jetë dhe në vepër, kurajozi i zëshëm i demokracisë, arketip i jokonformistit

Nga Albert Vataj

Asht pak me than, se Arshi Pipa mbetet nji prej figurave ma t’njimendta të vetëdijes dhe veprimit demokratik. Ai ishte shumë e shumë më shumë se kaq. Ai ishte dhe mbeti nji za i kurajshëm i vlerave. Ndoshta do ta kishit t’pamujtun për me e gjet nji personifikim të të përsosunes së disidentit në jetë dhe në vepër. Tue e kërkua e tue dasht me nxjerr prej kohet e sprovave, shtjellave përpirëse dhe zemëratave të diktaturës komuniste e mbas, e tash ja ku mundet pa droje me e gjithëpranu, ai asht Arshi Pipa. Punoi me mish e me shpirt, lufto me thonj e me dhëmbë për me mujt me dishmi njat univers t’përsosun t’ngadhnjimtarit, dishepullit të dijes e nxanjes, kreshtës së kushtrimeve e kumtimit, kungimit dhe krijimit. Tançka në të e me të kishte mujt me u ngjiz e me marr hov me u jetësu si një Ante antik, në çdo puls, në çdo mendim, në çdo dashtuni e veçanti shprehëse.

Arshi Pipa (Shkodër, 28 korrik 1920- Washington, 20 korrik 1997), ç’nuk ishte, çmos bani e gjithqysh diti dhe mujti, ai u rrek e i’a doli për me ken nji poet kushtrues e nji lirik i tamëlt; nji gjuhëtar i zoti dhe gladiator i paepun i arenave t’gegnishtes; kritik, ndoshta me pak shokë mbas vedi, për nga thellësia dhe larmi e trajtesës; përkthyes dhe pedagog gjithëpoaq gjurmlans në trashigiminë tonë kombëtare. E tan jeta e tij ishte e mbushun me përpjekje, me vuajtje e me sfida, me gjithëçmos qi mujti me marr prej tij ma t’mirën vepër, ma t’vyemën vlerës, t’përgjithmonshmen dëshmi të shpirtit triumfues.

Nga jeta

Leu në Shkodër, i biri Mustafa Nuriut dhe Hatixhe Lloshit. Arshiu qe me prejardhje libohovite nga i ati dhe nga e ëma shkodrane me origjinë dibrane. I ati qe jurist i shkolluar në Stamboll, në kohën e Luftës së Parë Botnore qe jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër, administratë shqiptare, për herë të parë në gjuhën shqipe, e krijuar nga austro-hungarezët. Më vonë, në vitet ‘23-‘26, do t’u emëronte anëtar i Gjyqit të Diktimit. E ëma, Hatixhja, qe një shembull virtyti e pune për fëmijët e saj, stoike në fatkeqësitë e panumërta që i ranë mbi krye.

Kishte vëlla nga i ati Muzaferin, dhe katër motra të një barku: Nedreti, Fehimja, Bedrija dhe Bedi.

Vitet e para të arsimimit i mori tek Kolegji Ksaverian e më tej në liceun shtetëror të Shkodrës në ndarjen me profil klasik më 1938. Me përkujdesjen e të atit për formimin në traditën fetare të familjes tyre, ndiqte mësime edhe në medrese gjatë mbasditeve. Më 1936 me poezinë “Në lamën e luftës” fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja “Cirka”. Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, ku u laureua më 1942 me dizertacionin “Morali dhe feja tek Bergson”.

Kthehet në Shqipëri dhe nga viti 1941 deri më 1946 jep mësim ndër shkollat e mesme të Tiranës dhe Durrësit. Kur Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nisi botimin e organit të vet “Bota e Re”, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Merr pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, ku punimet i drejtoi S. Luarasi. Më vonë i kërkohet të shkruante diçka për përvjetorin e vdekjes së Migjenit, që nuk u pëlqye nga njerëzit e partisë. Në një takim letrar në Shtëpinë e Kulturës në Tiranë lexon “Këngën e Pleshtit” të Goethes duke thumbuar kështu Sh. Totozanin, i cili u bë shkak që Pipën ta zhvendosnin me punë në Durrës. Atje lexon një tjetër poezi të titulluar “Bushtra”, dhe pas një tjetër mbrëmjeje poetike në Tiranë ku në krah kishte N. Spirun që nuk e njihte arrestohet me 27 prill 1946 dhe dënohet me dy vjet heqje lirie. Ridënohet – dhe gjatë marrjes së dënimit merr vesh vdekjet e të vëllait – më 20 dhjetor 1947 me 20 vjet heqje lirie si bashkëthemelues i një grupi social-demokrat bashkë me P. Kaçinarin, H. Ballhysën dhe P. Gjeçin. Vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, Tiranë, Burrel etj.), ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga dorëzanët e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit, ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”. Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Gjatë rrugëtimit, i ati që ishte i paralizuar, ndërroi jetë.

Lirohet më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë gjer më 1959.

Gjatë asaj periudhe përktheu në shqip përzgjedhje nga poezia lirike latine (250 faqe, me përkthime, dhe kapituj mbi elemente metrikë dhe shënime.

Emigroi në Shtetet e Bashkuara në 1958-ën. Në fillim punoi si arkëtar (kashier) në nji hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofinë (1960). Gjatë vitit akademik pasues, meqenëse ra në sy për njohjen e thellë të italishtes, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, të Georgia-s, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë, ’61, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin e Kolumbia-s në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njajtën kohë, gjatë verës, dha filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..

Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar (Profesor i asociuar i përkohshëm në vitet 1963-64) në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Atje u jepte mësim kurseve të letërsisë moderne italiane dhe drejtonte seminaret e kritikës letrare, (De Sanctis, 1963, Kroçe, 1964, Viko, 1965), po ashtu si dhe në gjuhën shqipe, letërsi dhe folklor, (1965), si edhe filozofi Romane. Në vitin 1966, drejtoi disertacionet për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D). Me nji sensibilitet të dukshëm ndaj padrejtësive, – çka i karakterizon njerëzit e ndershem dhe idealistë, – gjatë kohës që qe në Universitetin Little Rock, Arkansas, përjetoi me dhimbje realitetin e diskriminimit racial në shoqëninë amerikane dhe u revoltue. Atje përkrahu lëvizjen studenteske të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i paanshem i poltikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë mësim kurseve të ekstrakurrikulare të gjuhëve, të ndara në kurse të ulët dhe të larta, kurseve të qytetërimit dhe të kulturës (gjithashtu në Anglisht) dhe, në veçanti, kurseve të ekstra-kurrikulare për shkrimtarët e mëdhenj, (Dante, Bokaçio, Manzoni, Leopardi), në zhanret e “Poezisë kalorësiake”, “Letërsisë Utopike”, dhe temat krahasuese (Marksizmi dhe Ekzistencializmi në tregim dhe dramë), përfshi seminaret (Ungareti dhe Montale, Viko dhe Kroçe ). U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres, Fatimes.

Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnji, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehi, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhanë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkrue me dhimbje krahnori për gjendjen e mjerueme të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës, gja qi i jep mundësi e avantazh asaj t’i bajë nji sherbim të madh kombit, “i cili do të ketë vlerë ma të madhe nëse Vatra mban nji qendrim sipërpartiak dhe sipërqeveritar”. “Ndërhymja e saj, shkruen Pipa, asht sidomos e randësishme ndër raste kur të drejtat e kombit shqiptar cenohen ose rrezikohen”.

Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qindroi vetëm nji vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qellim për ta vu ate në shërbim të problemeve me randësi të jashtëzakonshme historike, qi dolen para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëni dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtë, ai iu kushtue me të gjitha energjitë rimëkambjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Në “Albanica”, në nr. 3-4 të 1992-shit, në shkrimin On VATRA and Dielli, ai ka shkrue me hollësi për to. Puna e tij asht pasqyrue, gjithashtu, në numrat e “Diellit”, që editoi ai gjatë kësaj kohe.

Veprat

Veprimtaria e tij përfshin fusha të artit letrar, të filozofisë, estetikës, kritikës letrare, folklorit, folkloristikë s, gjuhësisë, politikës, publicistikës.

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët”, nji përmbledhje lirikash qi dishmon një talent novator në shpërthim, e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruem në letra cingaresh, në burgjet e kampet e punës së detyrueme, e botoi në Romë në vitin 1959. Asht nji përmbledhje liriko-epike, pasqyrë e gjallë artistike e motiveve qi i diktoi jeta e qelive dhe e kampeve të vdekjes, ku kaloi dhetë vjet. Një ditar i vërtetë që ka për të mbetë një nga dishmitë artistike ma të sakta të asaj qi ndodhi me ata që nuk iu nënshruen regjimit të përgjakshëm diktaturial. “Nuk njoh në të gjithë letërsinë shqipe vargje më tronditëse sa ato të botuara në librin e quajtur thjesht “Libri i burgut”. Tek lexon poezitë e Arshi Pipës, ndjen klithmat, britmat, plagët, poshtërimin njerëzor, në emër të ca idealeve absurde dhe hipokrite. Është një sketerrë më e tmerrshme sesa Ferri i Dantes, sepse ky është ferri i njerëzve të pafajshëm e jo i mëkatarëve. Është materia e Parajsës e transplantuar në Ferr”, ka shkruar shkrimtari Rudolf Marku.3).

Punë e burgut asht edhe “Rusha” (botue në Munich, 1968), poemë epike me një subjekt të theksuem dramatik të periudhës së gjysës së dytë të shek. XIV, qi trajton nji histori dashunije dhe hakmarrjeje mes shqiptarëve e serbëve në sfondin e zakoneve tona tradicionale. Me 1969, Pipa botoi në Munich antologjinë poetike “Meridiana”, nji përzgjedhje nga botimet e maparshme dhe disa poezish të pabotueme, qi tingëllon si jehonë e mirëfilltë e nji testamenti poetik.

Krijimet poetike të Arshiut shquhen për një talent të fuqishëm, për shumësi e përzgjedhje motivesh, për trajtim të tyne në nivele artistike të lakmueshme, dhe për një përkushtim të madh ndaj punës krijuese, pa lanë mangut gjuhën poetike jashtëzakonisht të pasun e të pastër, të zgjedhun me kujdes si rrallëkush.

Po veçoj, sa për ilustrim, nga “Meridiana”, “Preludet”, të shkrueme në Firence dhe Tiranë në vitin 1941. Tharme poetike, yshtëse imtimesh meditative me forcë të madhe purifikuese, të enduna në veshje tekstore moderne; fluiditete lirike të derdhuna në simfoni ritmesh e tingujsh të magjishëm. Këto janë “Preludet”. “Urgjencca të mbrendshme”, siç i pati quajtur ai shtysat e fuqishme shpirtnore për t’i dhanë jetë poezisë. Befasuese për letrat shqipe të asaj kohe, dhe po aq befasuese edhe sot e kësaj dite.

Pipa na ka lanë nji trashigim të pasun edhe në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, anglishtja. Vetëm gjatë kohës njivjeçare qi jetoi si refugjat në Jugosllavi, ai përktheu nji vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësueme edhe me shenime të ndryshme metrike), mbetun në dorëshkrim. Po ashtu, mbetun në dorëshkrim, asht edhe nji vëllim poetik i shkruem në tri gjuhë europiane me titull “Autobiografia”.

Nji veprimtari jashtëzakonisht të gjanë na ka lanë në hapësinën shkencore të kritikës letrare. Gjatë vjetëve në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, botoi veprën “Trilogjia Albanica” (1978), në tri vëllime: “Albanian Folk Verse”, “Hieronymos De Rada ” dhe “Albanian Literature: Social Perspectives ” , vepër rreth 900 faqesh, që shquhet sidomos për thellësi dhe origjinalitet në trajtimin e personaliteteve dhe dukunive letrare që shqyrton, nën prizmet estetike moderne të strukturalizmit dhe komparativizmit. E tham me plotgojë që në asnjë botim të kësaj natyre nuk kam gjetë atë dendësi sqarimesh në fundfaqet (fusnotat), shënimesh bibliografike, indeksesh gjithfarësh, – një skrupolozitet shkencor për t’u admirue.

“Trilogjia Albanica’, shkruen Peter Prifti, si e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, është një vepër ndriçuese, një minierë e pasur për poetët, folkloristët, etnologët, gjuhëtarët e etimologët, historianët dhe studiuesit e letërsisë shqipe në përgjithësi. Risia e formës së saj, diapazoni i gjerë i ideve dhe disiplinave që ajo qarkon, trajtimi original i subjektit dhe pasuria e të dhënave, i jep kësaj vepre një vend të merituar në letërsinë shqiptare. Nuk është e tepërt të them se Trilogjia Albanica e vendos autorin e saj si një studiues lider në SHBA për De Radën dhe popullin Arbërësh, për strukturën e poezisë shqiptare dhe karakterin e letërsisë shqipe në përgjithësi”.4).

Në vitin 1991, botoi “Contemporary Albanian Literature”, për të cilën studiuesi Italo Costante Fortino, ka thanë: “Studimi i fundit i Arshi Pipës mbi letërsinë e realizmit socialist përban nji kontribut të parë . . . për nji rend të ri qi duhet të vendoset në letërsinë dhe, në radhë të parë, në kritikën letrare” 5). Fjalët e Fortino-s vlejnë gjithashtu për “Trilogjinë shqiptare”. Nuk mund të bahen hulumtime shkencore në fushën e kritikës letrare pa marrë në konsideratë mendimet dhe tezat origjinale të Arshiut, dhe pa mbajtun qindrim miratues a kundërshtues ndaj tyne.

Shumë studime për letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe arbëreshe, ka botue në shypin e huej si “Südost-Europa Forschungen”, “Zeitschrift für Balkanologie”, “Comparative Literature Studies”, “Books Abroad”, “Rivista di lettrature moderne e comparate”, “Mondo operaio”, “Revue des études sud-est européennes”.

Në këtë lamë, Pipa asht shtye edhe në letërsinë botnore, sidomos për letërsinë italiane. Ka botue artikuj studimorë me vlera të mëdha njohëse për Danten, De Sanctis, Manxonin, Ungaretin, Moravian, Montalen. Këto ese, Pipa i ka botue në revistat e hueja shkencore si “Italica”, “Italian Quarterly”, “The Romanic Revieë”, “Comparative Literature”, “Books Abroad”, “Belfagor”, “Le ragioni critiche”, “Revue de literature comparèe”, “Revue des études italiannes”.

Një nga frytet, ma i vlerti, i kësaj pune asht vepra “Montale and Dante” (1968), anglisht, e përkthyeme në italisht dhe, kohët e fundit, nëse nuk jam gabim, edhe shqip. Me këtë vepër, ai e rreshtoi veten ndër studiuesit ma të mirë botnorë të këtij subjekti, d. m. th. të vlerësimit objektiv të poezisë së Montales dhe të vumjes në dukje të ndikimit të Dantes në poezinë e Montales. “Fakti që edhe sot pas më shumë se 30 vjetësh, ka shruar Astrit Lulushi, libri ‘Montale and Dante, vazhdon të cilësohet nga kritika si një nga studimet më të thella e më të hollësishme rreth poetit të madh Italian, tregon se Arshi Pipa doli i suksesshëm në këtë sipërmarrje”. Dhe më poshtë: “. . . pa veprën e Pipës, “Montale and Dante’, kritika letrare botërore sot me siguri do të ndjehej e varfëruar”. 6).

Estetika dhe filozofia kanë qenë gjithashtu interesimet e tij shkencore. Trashigimia e tij në këto fusha, përveç disertacionit mbi filozofinë e Bergsonit, qi e kemi përmendun ma nalt, përfshin artikujt studimorë dhe referatet shkencore të mbajtuna në konferenca dhe kongrese ndërkombëtare si në Amsterdam, Londër, Uppsala, Palermo, Venecie, etj.Mbetun në dorëshkrim asht vepra filozofike “La mia concezione sulla vita” (Kuptimi im mbi jetën).

Më vjen si e nevojshme të përmend këtu mendimin e Pipës për nji nga parimet ma të qenësishme të estetikës, atë që lidhet me të bukurën në art përballë të moralshmes. Tue folun për Benedeto Croce-n, Pipa thotë: “ . . . E bukura dhe e ndershmja janë të ndame mes tyne. Pra nji vepër morale ose jo, janë në dorë të artistit. Kështu një libër skandaloz estetikisht mund të shkojë, por autori nuk duhet ta shruej kurr” (Nënvizimi im, A. Ç).

Nji kontribut të veçantë përban veprimtaria e tij shkencore në fushën e folklorit, të folkloristikë s dhe të gjuhësisë. Gjatë viteve të burgut pregaditi një vepër me materiale folklorike të mbledhuna nga të burgosunit, rreth 420 faqe të daktilografikueme, pa llogaritë këtu nji hymje teorike rreth folklorit tonë dhe folklorit në përgjithësi; vepër që iu dorëzue Institutit të Folklorit, në vitin 1957, dhe sot nuk gjindet.

Të botueme në këtë fushë janë veprat “Albanian Folk Verse: Structure and Genre” (1978) dhe “Politics of Language in Socialist Albania” (1989). Analizës së çështjeve të ndryshme të eposit tonë të kreshnikëve, Pipa i asht kthye përsëri në punimin “Serbocroatian and Albanian Frontier Epic Cycles”, botue në v. 1984, në vëllimin “Studies on Kosova” (edited by Arshi Pipa and Sami Repishti). Tue u bashkue me studiuesit Alois Schmaus, Stavri Skendi, e ndonji tjetër, Pipa e trajton ciklin e kangëve të kreshnikëve, të malësorëve tonë të Veriut, si një version të eposit boshnjak, të modifikuem nga psikologjia jonë etnike dhe traditat tona zakonore.

Në veprën “Politics of Language in Socialist Albania”, merret me problemin e standardit të gjuhës sonë letrare, të vendosun në nji forum ku liria e fjalës përbante sakrilegj, si në të gjitha forumet e diktaturës, dhe mërrin në përfundimin qi “gjuha e njësuar’ nuk asht as e njisueme, as e përbashkët, as kombëtare; ajo asht një variante toskënishte e arnueme me disa huazime fonetike nga gegënishtja letrare, të cilat i mungojshin strukturës së toskënishtes”; nji përfundim të cilit nuk mund t’i hiqish asnji presë, (siç thotë nji shprehje popullore), dhe qi ma në fund asht pranue prej të gjithëve.

Me interes asht të parashtrojmë ndonji mendim të tijin për gjuhën tonë, të cilën e njohti dhe e përdori në mënyrë të përkryeme, në të dy dialektet. Ai kishte qindrimin e Çabejt: “Unë kundroj me simpati nji gjendje, qysh asht kjo e sotmja, kur nji Shqipni e vogël, shembull fort i rrallë n’ Europë, asht e zonja me u shprehë në dy gjuhë letrare. Ky asht nji shenj pasunije, kulture, qi na shquen, cilido qoftë shkaku i tij” 7). Dhe në një rast tjetër: “Gegënishtja me toskënishten, plotësohen në fushën letrare në nji mënyrë fatlume. Ka gjana që njena i thotë fuqishëm, tjetra i shpreh kandshëm” 8). Ai e tregoi veten mjeshtër në të dy dialektet. Mjafton të përmendim këtu dy xhevahire poetike: “Shemo Hajduti” (toskënisht), “Kupe Danja” (gegënisht), ose përkthimin e Lukrecit në gegënisht, se aty gjen “hovet vigane të mendimit dhe trandjen e gjithanshme të shpirtit”, kurse Virgjilin në toskënisht, “jo se ai nuk mund të përkthehet mirë në gegënisht, por ajo diçka e vagullt dhe fluide që asht poezia e tij shkrihet ma mirë në toskënisht” 9). Gjithsesi, edhe pse u desht të vdesë Pashko Gjeçi, për t’i vu vulën kësaj dukunie, ndërgjegjja shqiptare, për këtë çashtje madhore, asht ajo që asht: preferon të pranojë paragjykimin në vend të faktit.

Shqetësimet dhe interesimet e tij për gjendjen në Shqipni, Kosovë dhe për të gjitha trojet shqiptare dhe për të ardhmen e tyne kanë gjetë shprehjen e vet në botimin, në vitin 1990, të librit “Albanian Stalinsm. Ideopolitical Aspects”, një përmbledhje e shkrimeve të karakterit politik, të botueme në shtypin periodik shqiptar të diasporës sonë dhe ate amerikan, të viteve 1958-1989. Shkrime të kësaj natyre, Pipa botoi në gazetën “Dielli”, gjatë viteve 1991-92, vite kur ai qe kryetar i “Vatrës” dhe editor i organit të saj.

Pipa shquhet edhe për veprimtari botuese në lamin e shtypit periodik. Ai ka qenë botues dhe kryeredaktor organesh letrare e shkencore. Në vjetin 1944, kur Shqipnija vuente nën pushtimin e huej, në nji moshë të re nxori revistën “Kritika Letrare”, në të cilën dallohet për trajtim original dhe objektiv të personaliteteve të letrave shqipe; veçori që do ta shoqnojë ate gjithnji ma vonë, kur do të shkruej veprat madhore në këtë fushë. Në faqet e revistës, ndër të tjera, ravijëzohen kulme të tilla të letërsisë e të kulturës sonë si Noli, Konica, Migjeni. Kulme në historinë e kritikës sonë letrare kanë mbetun edhe këto punime të Pipës. Eseja e shkrueme për Konicën e dishmon atë si nji kritik të kategorisë së parë. Ajo mbetet edhe sot e kësaj dite nji nga xhevahiret e kritikës sonë letrare, sa për thellësinë e trajtimit, aq për stilin e shtjellimit dhe koncizitetin. Në vitet 1945-46, qe anëtar i redaksisë së revistës “Bota e Re”. Dhe , në vitin 1987, anëtar i redaksisë së revistës tremujore për mendimin kritik “Telos”(Kaliforni).

Në vitin 1990, filloi të botojë në Washington D. C. revistën “Albanica – A quarterly Journal of Albanological Research and Crticism”, revistë me vlera të mëdha shkencore albanologjike. Mbas tre numrash, për arsye financiare, u ndërpre ky botim aq i nevojshëm e i randësishëm sidomos për paraqitjen para botës të gjendjes së vertetë ekonomike e politike të trojeve tona, dhe të shkencave tona albanologjike. Për kohën e vet, në diasporën shqiptare, jo vetëm në ate të Amerikës, nuk ka pasë nji të tillë të dytë që t’i afrohet sadopak. Aty u botuen artikuj studimorë në gjuhët shqip, anglisht, frëngjisht, gjermanisht nga studiues të njohun shqiptarë e të huej si A. Pipa, M. Camaj, P. Prifti, A. Logoreci, A. Klosi, A. Vehbiu, F. Pipa, Michele Roux, Odile Daniel, Francesco Altimari, Walter Brew, Hans-Jurgen Sasse, Matteo Mandala, Peter Bartl, Armin Hetzer, Alain Ducellier dhe Wilfried Fridler.

Mbrojtja e çashtjes shqipare në të gjitha trojet tona qe qellimi i revistës. “Kjo revistë po del në nji kohë, – shkruhej në kopertinën e fundit, – kur si Shqipnija ashtu edhe Kosova janë tue përballue nji gjendje krize të jashtëzakonshme. Ndërsa shqiptarët n’atdhe, të neveritun prej robnisë staliniste, po braktisin atdhenë tue marrë rrugën e mërgimit, kosovarët, n’anën e vet, vazhdojnë me braktisë Kosovën për me i shpëtue robnisë serbe. . . Por ka nji ndryshim mes gjendjes në Shqipni dhe asaj në Kosovë e në disa republika jugosllave ku banojnë nji shumicë shqiptarësh. Shqiptarët e Jugosllavisë, ndonëse të persekutuem, organizohen dhe protestojnë, kurse shqiptarët n’atdhe nuk guxojnë as me bëza. Por mergatën arbënore qi jeton ndër vende demokratike nuk e ndalon kush me folë. I përket asaj me u ba zadhanësja e të heshtunvet.” Dhe e tillë u ba Albanica. Numri i parë iu kushtue “Tragjedisë së Kosovës dhe aktorëve të saj”. Në ballin e revistës u vizue harta e Kosovës së bashku me pjesën veriore të Shqipnisë.

Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të nalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, ka dhanë intervista, etj.

Në këte numer janë botue, letrat qi Pipa u ka dërgue Presidentit Amerikan George Bush, dy letra Sekretarit të Shtetit James A. Baker, Sekretarit të Përgjithshem të Kombeve të Bashkueme, Javier Perez De Cuellar për çashtjen shqiptare në përgjithësi.

Në vitet 1991-92, editoi gazetën “Dielli”, tue qenë njëkohësisht edhe kryetar i “Vatrës”. Pipa, tue qëndrue si gjithnji jashtë sinoreve të partitizmit të diasporës, si nji atdhetar i vertetë, antikomunist dhe demokrat kritikoi ashper veprimet antidemokratike të forcave poltike që dolen në skenë fill mbas ramjes së diktaturës, sugjeroi platforma politike me vlerë për zhvillimet demokratike në Shqipni, dhe kërkoi me insistim që të nxiret para drejtësisë përgjegjësia për atë çka ndodhi gjatë 50 viteve të regjimit komunist.

Arshi Pipa vdiq me 20 korrik 1997 në Washington, D. C., me dishirën përvëluese për ta pa Shqipëninë demokratike e perëndimore, Kosovën dhe trojet e tjera shqiptare të çlirueme dhe të bashkueme me atdheun. La porosinë e fundit: të digjej kufoma e tij dhe të hidhej në ujnat e Adriatikut. Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasun.

Pipa qe një mbrojtës i flaktë i çashtjes kombëtare, atdhetar idealist, demokrat e antikomunist i bindun, disident në jetë dhe në veprimtari letrare e shkencore, model shembullor i jokonformizmit, punëtor i palodhun, që të gjitha energjitë jetësore dhe aftësitë intelektuale, ia kushtoi kulturës kombëtare. Ai qe erudit i rrallë dhe poliglot. Përveç shqipes, ai fliste, lexonte e shkruente në anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.

Atdheu e nderoi me titullin e lartë: “Naim Frashëri i klasit të Parë” dhe qyteti i tij i lindjes e shpalli “Qytetar Nderi”. Busti i tij i derdhun në Bronx qindron, që prej vitit 1999, në mjediset e Muzeut historik të Qytetit. Kultura shqiptare, ku ende e përcaktojnë tonin akademikët e Diktatorit ose nostalgjikët e tyne, e ka të zorshme me pranue nji personalitet të tillë si Pipa, qi i ka demaskue nji jetë të tanë. Aty-këtu, individë të veçantë dhe institucione kulturore demokratike kanë fillue me ba hapat e parë për të nxjerrë në dritë veprën shkencore e letrare të tij. Po diaspora jonë? Asnji veprimtari promovuese për punën e madhe atdhetare, shkencore, artistike, botuese. Përveç ndonji artikulli me shumë vlerë si ai i Astrit Lulushit, “Montale & Dante dhe Arshi Pipa”, dhe 2-3 shkrimeve kritike tendencioze, nuk më ka xanë syni tjeter. Borxh i papaguem i “Vatrës”, i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe, në përgjithësi, i inteligjencës së këtushme. /KultPlus.com

“Unë jam dëshmitar i shumë arrestimeve nga Sigurimi i Shtetit”, dëshmia e rrallë nga Italia e poetit disident

Rrëfimi i artistit Gëzim Hajdari: “Për momentin, nuk ka vend për mua në Shqipëri.  Kjo është arsyeja pse unë do të vazhdoj të luftoj për çlirimin përfundimtar të Shqipërisë, që të realizohet ëndrra e Etërve tanë të vërtetë, Themelues të Rilindjes Shqiptare, ajo ëndërr që u shkatërrua gati njëqind vjet më pare, me një grusht shteti të maskuar nga ‘errësira’, për të rikthyer në pushtet agjentët e tyre”.

Hajdari, na trego pak për veten, origjinën, familjen? 

Unë kam lindur në vitin 1957, në Darsìa. (Lushnje), në Shqipëri, në një familje ish-pronarësh dhe tregtarësh, pasuritë e të cilëve u konfiskuan gjatë diktaturës komuniste të Enver Hoxhës. Në vitin 1930, familja ime zotëronte dy dyqane në qendër të qytetit të Lushnjës, një makinë, qindra hektarë tokë, pyje dhe bagëti. Babai im u bashkua me rezistencën partizane, kur ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç.

Shpesh, na prekte rrëfimi i tij, në dritën e zbehtë të qiririt duke na lotuar sytë. Rrëfimi më prekës ishte historia e Ana Kareninës. Një herë nëna ime, duke fshirë fytyrën, i tha: “Mjaft Riza me këto romane, fëmijët u prekën”. Por ai nuk pushoi kurrë së rrëfyeri, atë që lexonte gjatë ditës, duke u kujdesur për qetë. Çdo mbrëmje, uleshim rreth oxhakut, duke pritur me padurim të dëgjonim një sagë të re.

Pjesa tjetër e jetës sime, i përket luftërave për liri dhe demokraci në vendin tim, denoncimeve kundër krimeve të diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe kundër abuzimeve e spekulimeve të regjimeve të reja të maskuara, zhgënjimeve, kërcënimeve me vdekje, arratisjeve, internimeve, dënimeve, heshtja nga mafia politike dhe kulturore e Tiranës; më shumë se dymbëdhjetë vjet, zanate të ndryshme si punëtor për të mbijetuar, si në shtëpi ashtu edhe në Perëndim, studime të pafundme, udhëtime në Afrikë, Azi dhe hemisferën jugore, duke dëshmuar realitete të ndryshme dhe të harruara, shpesh duke rrezikuar edhe jetën time.

Keni filluar të kompozoni poezi në moshë shumë të re, si lindi ky pasion?

Fillova të shkruaj në vitin e parë të shkollës së mesme, në moshën njëmbëdhjetë apo dymbëdhjetëvjeçare. Personi që më bëri të dashurohesha me poezinë, ishte gjyshi im nga babai dhe më pas babai im, i cili na recitonte ne fëmijëve, para gjumit, këngët epike kushtuar luftëtarëve legjendar si “Muji dhe Halili”, “Gjergj Elez Alia” dhe “Ajkuna vajton djalin e saj Homerin”. Ndërsa kënga popullore, më bëri të dashurohesha me xhaxhain e nënës sime, Selimin.

Kur isha në shkollën e mesme në qytetin e Lushnjës, flija shpesh me gjyshërit nga nëna. Kjo ishte kur moti ishte i keq dhe nuk mund të kthehesha në fshat. Në atë kohë preferoja ta kaloja natën me gjyshërit e mi të moshuar. Gjyshi më donte shumë, i tha mamasë se i ngjaj. Vëllai i tij, Selimi, e kishte bërë nizamin, (siç quheshin turqisht ushtarët shqiptarë që luftonin në emër të Portës së lartë të Stambollit), gjatë sundimit të osmanëve në Ballkan.

Ai kishte luftuar në Iran dhe Irak për disa vite. Duke mos u martuar, ai jetoi pjesën tjetër të jetës me kujtimet e viteve të nizamit. Çdo person që takonte, i tregonte për jetën e tyre si ushtar, në shkretëtirat e largëta. Historitë e tij më magjepsën shumë. Shpesh Selimi, pasi më kishte treguar për udhëtimet e gjata nëpër shkretëtira, për stërvitjet e sforcuara, për betejat e egra me armiqtë e Perandorisë Osmane, për vdekjen e shokëve të tij ushtarë, filloi të këndonte me një zë të bukur, këngët që tregoi për të gjitha këto.

Gjithmonë e kam mbajtur me vete dashurinë e këngëve të nizamëve. Derisa një ditë vendosa ta përkthej në italisht këtë trashëgimi të paçmuar të popullit shqiptar. Vëllimi “I canti dei nizam”, “Këngët e nizamit”, u botua në vitin 2012, nga “BESA EDITRICE”.

Cilët kanë qenë autorët e parë që keni lexuar dhe cilët kanë lënë gjurmë tek ju? 

Veprat e autorëve që kam lexuar gjatë frekuentimit të viteve të mesme dhe të para të Gjimnazit janë: “Le Quartine” nga Omar Khajam; “The Gulistan” nga Sadi Shiraz; “Anna Karenina” e Tolstoit, tregimet e ÇEHOVIT; tekstet e Pushkinit, Sergej Yesenin dhe Edurad Bagriçkij, “Djalli” i Lermontovit, “Gjethet e Barit” të Ëalt Ëihman, “Lagjet e botës”, nga Janis Ricos, “Dekameron”, i Boccacio, “Lucretius”, De Rerum Natura“Ferri” nga Dante Aligeri; Galsëorthy “The Forsyte Saga”; tregime të shkurtra nga shkrimtari indian, Krishan Chander; “Kuq e Zi”, nga Stendal dhe poezitë e Heinrich Haine. Këta autorë të mëdhenj, të përkthyer me mjeshtëri në shqip, kanë shënuar përgjithmonë fatin tim si poet.

Si e keni përjetuar marrëdhënien me pasionin tuaj, poezinë, në vitet e regjimit komunist?

Vitet e regjimit komunist shqiptar të Enver Hoxhës, do të mbeten gjithmonë mister për mua, por edhe për shqiptarët. Askush nga ne nuk e dinte se çfarë po ndodhte në zemër të pushtetit komunist, për të mos përmendur, kampet e internimit dhe burgjet. Asgjë nuk doli jashtë mureve të kufijve të diktaturës së proletariatit. Dhe ndoshta asgjë nuk do të dihet, duke qenë se gjysma tjetër e së vërtetës historike, fshihet në arkivat sekrete, tashmë të “pastruar” nga regjimet postkomuniste të Tiranës.

Pra, një poet si unë jetonte mes pasionit për poezinë dhe terrorit. Kur lufta e klasave u përshkallëzua, familja ime u etiketua “armike e Partisë Komuniste”, por kur lufta e klasave përjetoi një periudhë “pause” ne arritëm të jetonim pak më të qetë.

Unë jam dëshmitar i gjallë i shumë arrestimeve: “Në emër të popullit, ju jeni i arrestuar”, nga Sigurimi i Shtetit, Policia Sekrete Politike e regjimit. Pas çdo shtetasi të arrestuar, njerëzit pëshpëritnin: “Kush e di se kujt do t’i vij nesër radha”! Dikush mund të përfundonte edhe pas hekurave për, një “fjalë”, për një “metaforë” ose për një “ëndërr”.

Kam pasur shok klase në gjimnaz, Jozef Radin, djalin e intelektualit Lazër Radi, ish-politikan i përndjekur politik, i cili banonte në kampin e internimit të Savërit të Lushnjes. Herë pas here, para gjimnazit tim, kalonin vagonë ushtarake të ngarkuara me burra, gra e fëmijë të dëbuar. Ata erdhën nga të gjitha anët e vendit, për të kaluar pjesën tjetër të jetës në kampet e përqendrimit të qytetit tim. Ndërsa fugonët me xhamat e bllokuar nga hekurat, mbanin të burgosur politikë.

Ishte leximi i klasikëve që më “shpëtuan” dhe, në të njëjtën kohë, më zbutën vetëdijen si poet, në kohët e errëta të historisë shqiptare. Ndërsa peizazhi djerrë dhe mistik, i krahinës sime kodrinore të Darsisë më dha pak ngushëllim, në rininë time.

Kur vendosët të largoheni nga Shqipëria dhe cilat ishin arsyet që ju çuan në këtë zgjedhje?

Në dimrin e vitit 1991, isha një nga themeluesit e degëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane të qytetit të Lushnjës, parti opozitare dhe u zgjodha sekretar dege për republikanët në qytetin e sipërpërmendur. Unë jam bashkëthemelues i së përjavshmes opozitare “Ora e Fjalës”. Më vonë, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 1992, dola kandidat për deputet në listat e Partisë Republikane, por nuk u zgjodha deputet.

Gjatë aktivitetit tim intensiv si politikan dhe gazetar opozitar, kam denoncuar publikisht dhe në mënyrë të përsëritur krimet, abuzimet, korrupsionin ekonomik e kulturor, si dhe spekulimet e nomenklaturës së vjetër të regjimit të Enver Hoxhës dhe të fazës më të fundit postkomuniste. Gjithashtu, për këto arsye, pas kërcënimeve të përsëritura, u detyrova, në prill të vitit 1992, të ikja nga vendi im.

Në fund të fundit, unë e kuptove se i ashtuquajturi ndryshim demokratik shqiptar, nuk ishte gjë tjetër veçse një lojë e pistë e vendosur tashmë në tavolinë. Nomenklatura e vjetër komuniste e Enver Hoxhës, me ndihmën e “forcave të errëta” nga përtej oqeanit, ka marrë sërish në zotërim fuqinë politike, ekonomike dhe kulturore të vendit të shqiponjave.

Të ashtuquajturit ish-politikanë të përndjekur gjatë komunizmit, në vend që të themelonin partinë e tyre, për t’i hapur rrugën një ndryshimi rrënjësor në administratë, shoqëri dhe shtet, preferuan të ndajnë pushtetin dhe plaçkitjen, me xhelatët e tyre. Kështu u vra përfundimisht ëndrra për lirinë, demokracinë e vërtetë dhe sovranitetin e Shqipërisë.

Si kanë qenë vitet e para si emigrant?

Vitet e para në Itali, ishin shumë të vështira. Unë isha tridhjetë e pesë vjeç dhe duhej të filloja nga e para. Nuk kisha asnjë cent në xhep, para se të largohesha nga Durrësi, i kisha në xhep paratë e biletës me një drejtim. Kisha humbur gjithçka. I rrahur.

Për të mbijetuar, më duhej të punoja si pastruese stallash, xheniere, punëtore, asistentë printeri. Dhe ndërkohë, isha duke ndjekur një tjetër fakultet për Letërsinë Moderne në Universitetin Sapienza të Romës, duke paguar të gjitha tarifat e universitetit, si dhe qiranë e shtëpisë dhe ushqimin.

Ishte fillimi i viteve ’90-të. Shqipëria në atë kohë identifikohej me prostitutat, vrasësit, hajdutët, përdhunuesit. Një poet si unë, duhet të jetë tre herë më i mirë se kolegët e tij italianë dhe ata që kanë ardhur nga vende të tjera. Pyetjet provokuese për mua, si njeri i kulturës dhe qytetar shqiptar, ishin rend i ditës. Gjithashtu më duhej të shkruaja në shqip dhe italisht, pasi nuk kisha lexues shqiptarë.

Përmbledhjet e para poetike, i botova nga xhepi im. Nuk njihja asnjë botues italian. U deshën para dhe kohë për të shkuar dhe kontaktuar me botuesit në qytetet e mëdha. Punoja nga mëngjesi e kthehesha në mbrëmje dhe nuk mund të bëja asgjë. Është rasti për të treguar një fakt të trishtë, që më ka ndodhur në muajt e parë në Itali. Në atë kohë, bëja punë të çuditshme si punëtor, punëdhënësit herë më paguanin, herë jo.

Në muajt e parë gjeta strehë te disa bashkatdhetarë të mi. Shtëpia ku ata jetonin, u ishte ofruar nga Bashkia, kështu që ata nuk paguanin qira. Këta zotërinj më pritën në fillim, pastaj një ditë më nxorën nga shtëpia. I kërkova të qëndroja edhe disa javë që të gjeja një punë që, të më lejonte të merrja me qira një dhomë, por asgjë…! Mbaj mend që trokisja nëpër qytet shtëpi më shtëpi, duke kërkuar punë, por njerëzit sapo dëgjuan fjalën “shqiptar”, mbyllën derën, duke më thënë: “Ik, ju jeni hajdutë dhe kriminelë”!

Ndoshta kishin të drejtë, në fillim të viteve ’90-të, shqiptarët pushtuan faqet e para të lajmeve të krimit, në gazetat dhe mediat italiane. Derisa një ditë, gjeta punë si punëtor në një kompani të vogël ndërtimi. Më në fund arrita të gjej strehim në një gërmadhë që, nuk ishte banuar për gjysmë shekulli, ku qiraja ishte e ulët.

Pse zgjodhët të jetoni në Itali?

Zgjodha Italinë, sepse popujt tanë kanë ndarë të njëjtin fat gjatë historisë. Italia ka qenë gjithmonë porta e madhe që lidhi Shqipërinë me pjesën tjetër të Evropës. Dhe pastaj gjuha dhe kultura italiane, kanë qenë gjithmonë shumë të njohura. Nuk duhet harruar se, letërsia shqipe ka lindur në latinisht.

Cilat ishin atëherë marrëdhëniet që kishte me klasën intelektuale italiane dhe si ishte pritja?

Vitet e para për mua, ishin vite të përpjekjeve të mëdha, vuajtjeve dhe ankthit të madh ekzistencial. Nuk kishte kohë për të qenë “intelektual”. Intelektualë në Itali dhe jashtë saj, ishin poetët dhe shkrimtarët e realizmit socialist nga Tirana, të cilët së bashku me kolegët e tyre, të përndjekur deri dje gjatë regjimit komunist, u emëruan atashe kulturor, ambasadorë, drejtorë të Fondacionit Soros, ose u “strehuan” në Shtëpitë Botuese në vende të ndryshme të Evropës. Ata pak poetë si unë që, denoncuan publikisht abuzimet, korrupsionin dhe trafiqet mes mafias dhe pushtetarëve, u etiketuan si “armiq të Shqipërisë”.

Për mua ishte të luftoja ditë e natë për të mbijetuar dhe ekzistuar në realitetin social dhe në kontekstin e ri kulturor. Më duhej gjithashtu ta mësoja gjuhën vetë dhe të lexoja shumë. Kam fjetur shumë pak. Unë refuzova një subvencion që më ofroi Komuna e Frosinones në fillim. Vendosa ta fitoj bukën e përditshme, me duart e mia dhe me djersën e ballit.

Në vitin 1993, një vit pas mbërritjes sime në Itali, botova përmbledhjen e parë dygjuhëshe, “Ombra di cane” (“Hije qeni”) me një botues të vogël, “Dismisuratesti”. Libri u prit shumë mirë nga lexuesit dhe kritikët. Më pas, vijuan “Erbamara” (“Bari hidhët”) dhe “Antologjia e shiut”.

Vetëm në vitet 1995-‘96, me botimin e “Sassi controvento” (“Gurë kundër erës”) dhe fitimin e çmimit të parë për poezi Ekstra, në Rimini, fillova të kem kontakte të shpeshta me botën e letërsisë. Ndërsa një vit më vonë, fitova çmimin “Eugenio Montale” me koleksionin “Corpo presente” (“Trup i pranishëm”).

Në vitin 2001, qyteti i Frosinone, më dha titullin “Qytetar Nderi”, për merita letrare. Meqë ra fjala, është me vend të falënderoj disa nga miqtë e mi intelektualë, si: Ciociarian si Amedeo Di Sora, Biagio Cacciola, Luciano Renna dhe Riccardo Mastrangeli, të cilët ishin pranë meje dhe me një ndihmë të madhe morale, në vitet e para të mërgimit tim Kiociarian.

Edhe pse në poezitë tuaja, perceptohet një zhgënjim i madh, Shqipëria është gjithmonë shumë e pranishme. Cilat janë marrëdhëniet që ka sot me Shqipërinë dhe me shqiptarët?

Mund të them se puna ime është një “enciklopedi” që përfshin aspekte të ndryshme të jetës, të ekzistencës, të misterit njerëzor dhe më gjerë. Rrugëtimi im njerëzor e letrar, i gjerë dhe kompleks, përshkon vende popuj, gjuhë, tradita, gjuhë, tradita, mite, legjenda, histori, gëzime, dhimbje, eros  dhe thanatos.

Marrëdhënia ime me Shqipërinë dhe shqiptarët, zbret në kontakt me vendlindjen time, Darsìa dhe gjuhën amtare, të cilën fatkeqësisht sot një pjesë e kolegëve të mi po e masakrojnë në mënyrë çnjerëzore, sikur të mos mjaftonte një gjysmë shekulli terror, lufta e klasave, dënime, vrasje, kampe internimi, vjedhje pronash, bankë qendrore, pasuri të vendit, korrupsion, katastrofë mjedisore, trafik droge, shkelje urbanistike, shkatërrim të ekonomisë, administratës, gjendjes kulturore dhe shpirtërore.

Në poezinë tuaj perceptohet një universalitet i madh, kjo karakteristikë është e vështirë të gjendet tek të rinjtë bashkëkohorë, si e shihni rritjen eksponenciale të poetëve të bërë në Shqipëri?

Është herët të flitet për poezinë shqipe të të rinjve. Pas rënies së regjimit komunist të Enver Hoxhës, si në të gjitha fushat e jetës së përditshme, një farë konfuzioni mbretëron edhe në poezinë e brezit të ri. Do të duhen dekada për të kuptuar emrat e vërtetë dhe vlerat e vërteta poetike që do të jenë në gjendje t’i rezistojnë kohës dhe do të jenë pjesë e trashëgimisë letrare të kombit, si pjesë integrale e kujtesës kulturore të Evropës. Por mund të them se poezia femërore e brezit të ri, është më e mirë se ajo mashkullore.

Cili është “realizmi socialist” të cilit i referoheni shpesh?

I ashtuquajturi “realizëm socialist”, pra manifesti i artit partiak, është një metodë artistike dhe kulturore e lindur në Bashkimin Sovjetik në vitet 1930. Sipas këtij “kanuni”, vepra artistike duhej të kishte formë  realiste dhe përmbajtje socialiste. Në Shqipëri, izolimi total nga pjesa tjetër e botës dhe mungesa e kontaktit me përvojat historike të avangardës letrare evropiane, e bënë marksizmin të vetmin parim estetik të poezisë dhe artit. E gjithë kjo, ndoqi diktatet dhe linjat e politikës kulturore të teorizuar nga doktrina marksiste-leniniste, e helmuar nga ideologjia dhe e marrë si model për një letërsi kombëtare dhe popullore, për vendet e Lindjes, e cila, në kundërshtim me idenë Gethean, i referohej një letërsie universale.

Për diktatorin Enver Hoxha, shkrimtari ishte thjesht një instrument në duart e Partisë për edukimin komunist të popullit, krahu i djathtë i pushtetit: për këtë arsye thuhej se: në Shqipëri, letërsia lindi në vitin 1941, me themelimin e Partisë Komuniste. Në fakt, ata që kundërshtonin këtë metodë, pushkatoheshin, burgoseshin dhe dërgoheshin në punë të detyruar për gjithë jetën. Gjatë regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri, në burgje të ndryshme, u pushkatuan dhe vdiqën 148 intelektualë, artistë, shkrimtarë, poetë, politikanë, filozofë, juristë, përkthyes dhe profesorë të latinishtes e greqishtes. Poeti i fundit, i varur në trekëmbësh, ishte Havzi Nela, në vitin 1988. Terrori ishte një sistem, parimi mbi të cilin bazohej diktatura komuniste.

Ju konsideroheni si “poet mërgimtar”, e gjeni veten në këtë përkufizim?

Të jesh poet emigrant, nuk është një kufizim, por një formë globalizimi, na mëson komparatisti dhe shkrimtari i madh Armando Gnisci. Do të thotë t’i përkasim avangardës trans kulturore të Letërsisë Italiane dhe asaj botërore. Poeti mërgimtar i mëson të gjithëve, të jenë emigrantë, mërgimtarë dhe udhëtarë në një “qytetërim mestizo” në një botë që kreolizohet, për të ndarë së bashku fatet dhe të ardhmen. E ardhmja e gjuhës dhe e letërsisë italiane do t’u takojë pikërisht të rinjve mestizo, udhëtarësh, mërgimtarë e mërgimtarë, të cilët do t’i japin dinjitet gjuhës italiane, duke i rikthyer metaforat e saj një fije të vërtete dhe gjallëri gjuhës së saj të fjetur, të lodhur e të tredhur.

Si e përjetoni raportin mes gjuhës amtare dhe asaj të birësimit?

Unë shkruaj në të dyja gjuhët në të njëjtën kohë, kështu që jam një poet “poligam”. E torturoj veten shqip dhe shkruaj italisht dhe anasjelltas.

Sot jetojmë në epokën e migrimeve masive, çfarë mendoni për këtë fenomen?

Udhëtimi dhe migrimi janë pjesë e ADN-së së ekzistencës njerëzore. Në të vërtetë, historia njerëzore është bërë nga udhëtarët. Megjithatë, e gjithë kjo nuk ka të bëjë fare me migrimin masiv të sotëm. Ky fenomen dramatik në mijëvjeçarin e tretë, është pasojë e politikave kriminale të politikanëve dhe pushtetarëve tanë të korruptuar, lakmitarë dhe luftënxitës, të cilët ia kanë shitur veten “forcave të errëta” që përfitojnë duke shkatërruar vende, ekonomi, tradita, gjuhë, kultura, shtete dhe shpresat për të ardhmen e njerëzimit. Qëllimi i keq është që kaosi, korrupsioni, zhgënjimi, luftërat e përhershme dhe gjaku i pafajshëm mes njerëzve, të mbretërojnë në Evropë dhe në pjesën tjetër të botës. Ata që denoncojnë këtë situate, etiketohen si armiq dhe anti-evropianë.

Keni menduar ndonjëherë të ktheheni në Shqipëri?

Fatkeqësisht Shqipëria ime nuk ekziston më, ajo vetëm ka ndryshuar duart. Që nga lindja e komunizmit e deri më sot, Shqipëria në thelb, nuk ka qenë kurrë e shqiptarëve pasi, pas ideologjisë komuniste dhe qeverive postkomuniste, qëndron dizajni politik i “forcave të errëta”, të cilat ata nuk i kanë pasur kurrë dhe vazhdojnë të mos kenë interes në Shqipëri, duke qenë e lirë dhe sovrane. Nga ana tjetër, mënyra e tyre e të vepruarit, pasqyron plotësisht metodën e lashtë të “shkopit dhe karotës”. Më lejoni të shpjegoj: karota përbëhet nga para, pushtet, poste dhe zyra ministrore – qeveritare, bursa, punë për veten ose në familje, çmime letrare, nderime, shtetësi nderi etj. Shkurtimisht, karota është çmimi i nënshtrimit që pothuajse të gjithë politikanët dhe pseudo intelektualët, si dhe njerëzit e kulturës dhe akademikët, e kanë pranuar me kënaqësi. Nga ana tjetër, shkopi është trajtimi i rezervuar për burrat e vërtetë dhe intelektualët e lirë, të cilët, as nuk janë nënshtruar dhe as nuk janë kompromentuar, me fuqinë djallëzore që lëviz fijet e kukullave.

Për momentin, nuk ka vend për mua në Shqipëri. Kjo është arsyeja pse unë do të vazhdoj të luftoj për çlirimin përfundimtar të Shqipërisë, që të realizohet ëndrra e Etërve tanë të vërtetë, Themelues të Rilindjes Shqiptare, ajo ëndërr që u shkatërrua gati njëqind vjet më pare, me një grusht shteti të maskuar nga “errësira”, për të rikthyer në pushtet agjentët e tyre.

Kohë më parë, Shqipëria humbi aktorin e fundit më të madh Bujar Lako, e njihni njëri-tjetrin? Nëse po, cili është kujtimi i tij?

Nuk e kam njohur personalisht Bujar Lakon , i cili ishte aktor i lindur. Fatkeqësisht, aktorë si ai, përmendin vetëm një gjeni si Kadri Roshi, i cili ka lindur, jetuar dhe punuar nën regjimin komunist, ka qenë viktima e fatit të tyre: ata nuk kanë pasur mundësinë të konkurrojnë me botën e lirë. Por tashmë fakti që ai u shpëtua gjatë terrorit të kuq, ishte roli më i bukur që ai luajti në kinemanë mizore të jetës.

Gratë. Si i perceptoni ato dhe si e përjetoni universin femëror? 

Për të shkruar nuk mjaftojnë vetëm përvoja, përjetimi i brendshëm, angazhimi, leximet, udhëtimet, përpjekjet, gëzimet e përditshme, poetit i duhen edhe femra lexuese. Sa më shumë femra “josh” një poet, aq më shumë vlerë merr poezia e tij. Vlera e poezisë së një poeti matet pikërisht nga numri i lexuesve femra që josh. Njohësi i vërtetë i poezisë nuk është kritiku, studiuesi apo akademiku, por gruaja. Vetëm lexuesja femër është në gjendje të vlerësojë nëse, një poezi ia vlen apo jo. Kështu që unë e përjetoj universin femëror, si poete por edhe si lexuese e poezisë së tyre…!

Si dhe ku e sheh të ardhmen Gëzim Hajdari? Dhe poezia? 

E ardhmja? Shpresoj se po, dhe nëse e kemi, do të jetë poezia që fiton paqen, shpëton njerëzimin dhe ruan kujtesën, dhe jo luftërat e pista të Perëndimit./Memorie.al/ KultPlus.com