Mesazhi i Jon Fosses në Ditën Botërore të Teatrit: Arti është paqe

Secili nga ne është unik dhe sërish ngjajmë me çdo njeri tjetër. Pamja jonë e dukshme, e jashtme është e ndryshme nga ajo e të gjithë të tjerëve, sigurisht, gjithçka është bukur dhe mirë, por ka gjithashtu diçka brenda secilit prej nesh që i përket vetëm atij personi – që është vetëm ai person. Mund ta jetë shpirti i tyre, ose bota e tyre e veçantë. Ose mund të mos e emërojmë fare me fjalë, thjesht vetëm ta lëmë të jetë e tillë siç është, ndryshe.

Por, derisa ne të gjithë jemi të ndryshëm nga njëri-tjetri, ne jemi gjithashtu njësoj. Njerëzit nga çdo pjesë e botës janë thellësisht të ngjashëm, pavarësisht gjuhës që flasim, ngjyrës së lëkurës që kemi, ngjyrës së flokëve që kemi.

Është një paradoks: që ne jemi krejtësisht të ngjashëm dhe krejtësisht të ndryshëm në të njëjtën kohë. Ndoshta një person është thellësisht paradoksal, në lidhjen ndërmjet trupit dhe shpirtit – kufiri mes tyre lidhet me tokën, të prekshmen dhe diçka që i kapërcen këto kufij materialë, që është transcendentale.

Arti, vetëm arti i mirë arrin në mënyrën e tij të mrekullueshme të kombinojë krejtësisht uniken me universalen. Na lejon të kuptojmë se çfarë është e ndryshme – ose ajo që është e huaj, themi – është universale. Duke vepruar kështu, arti thyen kufijtë midis gjuhëve, rajoneve gjeografike, vendeve. Ai bashkon jo vetëm cilësitë individuale të secilit, por gjithashtu, në një kuptim tjetër, karakteristikat individuale të çdo grupi njerëzish, ose të çdo kombi.

Arti e bën këtë jo duke shënuar dallimet dhe duke e bërë gjithçka të njëjtë, por, përkundrazi, duke na treguar se çfarë është ndryshe nga ne, çfarë është e huaj apo e panjohur. Pikërisht, arti i mirë përmban diçka të huaj, diçka që ne nuk mund ta kuptojmë plotësisht dhe në të njëjtën kohë e kuptojmë, në një farë mënyre. Ai përmban, si të thuash, një mister. Diçka që na magjeps dhe kështu na shtyn përtej kufijve tanë dhe duke e bërë këtë krijon transcendencën që i gjithë arti duhet të përmbajë në vetvete dhe të na çojë drejt tij.

Nuk di asnjë mënyrë më të mirë për të bashkuar të kundërtat. Kjo është qasja e saktë e kundërt nga ajo e konflikteve të dhunshme që shohim shumë shpesh në botë, të cilat kënaqin tundimin shkatërrues për të asgjësuar çdo gjë të huaj, çdo gjë unike dhe të ndryshme, shpesh duke përdorur shpikjet më çnjerëzore që teknologjia ka vënë në dispozicionin tonë. Ka terrorizëm në botë. Ka luftë. Sepse njerëzit kanë gjithashtu një anë shtazarake, të shtyrë nga instinkti për të përjetuar tjetrin, të huajin, si një kërcënim për ekzistencën e dikujt dhe jo si një mister magjepsës.

Kjo është mënyra se si unikaliteti – dallimet që ne të gjithë mund t’i shohim – zhduken, duke lënë pas një ngjashmëri kolektive ku çdo gjë e ndryshme është një kërcënim që duhet çrrënjosur. Ajo që shihet nga jashtë si një ndryshim, për shembull në fe apo ideologji politike, bëhet diçka që duhet mposhtur dhe shkatërruar.

Lufta është beteja kundër asaj që qëndron thellë brenda të gjithëve ne: diçka unike. Dhe është gjithashtu një betejë kundër artit, kundër asaj që qëndron thellë brenda gjithë artit.

Unë kam folur këtu për artin në përgjithësi, jo për teatrin apo shkrimin e dramave në veçanti, por kjo ndodh sepse, siç thashë, i gjithë arti i mirë, thellë në vetvete, sillet rreth së njëjtës gjë: merr uniken, specifiken dhe e kthen atë në universale. Duke e bashkuar të veçantën me universalen duke e shprehur artistikisht: duke mos eleminuar specifikën e saj, por duke e theksuar këtë specifikë, duke lënë të shkëlqejë qartë atë që është e huaj dhe e panjohur.

Lufta dhe arti janë në kundërshti, ashtu si lufta dhe paqja janë në kundërshti- është kaq e thjeshtë: arti është paqe! / KultPlus.com

Sot, Dita Botërore e Teatrit, reflektim mbi thelbin dhe rëndësinë e shfaqjeve

27 marsi njihet si Dita Botërore e Teatrit që nga viti 1962, pasi me propozimin e Findlandës kjo ditë ishte iniciuar në Kongresin e 9-të botëror, të Institutit Ndërkombëtar Teatror – INT të UNESCO-s në vitin 1961, përcjellë KultPlus.

Instituti ndërkombëtar teatror INT është themeluar në vitin 1948 nga UNESCO-ja dhe është organizata më e rëndësishme joqeveritare në sferën e arteve interpretuese.

INT insiston ta promovojë këmbimin ndërkombëtar të njohjeve, ta stimulojë krijimtarinë dhe ta rrisë bashkëpunimin ndërmjet njerëzve të teatrit dhe mirëkuptimit të ndërsjellët me qëllim që të përforcohet paqja dhe miqësia mes popujve.

Ditën Botërore të Teatrit shënon një ditë të posaçme për të reflektuar mbi thelbin dhe rëndësinë e shfaqjes së skenës në shoqërinë tonë. Nëpërmjet shfaqjeve të ndryshme, teatri na jep një platformë për të shprehur emocionet, për të analizuar realitetin dhe për të krijuar lidhje të thella me botën që na rrethon.

Në thelb, teatri është një art i përjetshëm që ka qenë pjesë e jetës së njerëzimit për mijëra vjet.

Çdo shfaqje teatrore është një ngjarje unike, e cila sjell në jetë një histori, një ide, apo një përvojë. Aktorët, regjisorët dhe ekipet tjera kreative përdorin imazhin, fjalën dhe lëvizjet për të krijuar një univers të ri për shikuesin. Në këtë mënyrë, teatri na ofron një perspektivë të re mbi botën, duke na lejuar të shikojmë realitetin nga këndvështrimet e ndryshme.

Në këtë ditë të veçantë, është e rëndësishme të reflektojmë mbi rolin që teatri luan në shoqërinë tonë. Ai nxit ndjenjat, shtjellon historinë, promovon debatin dhe shpie në reflektim. Teatri nuk është vetëm një formë e artit, por edhe një mjedis për dialog dhe bashkëpunim. Nëpërmjet tij, mund të shprehim identitetin tonë kulturor dhe të promovojmë vlerat. / KultPlus.com