‘Anibar’ organizon festivalin një ditor në kuadër të Ditës së Animacionit

28 Tetori është Dita Ndërkombëtare e Animacionit. Kështu Festivali Ndërkombëtar i Animacionit, ‘Anibar’ po e feston këtë rast të veçantë me një mini-festival një ditor që do të mbahet në në Kinemanë Jusuf Gërvalla në Pejë, përcjell KultPlus.

Në datën 28 tetor Anibar do të shfaq dy programe të animacionit.

Në orën 12:00 do të fillojnë me programin për fëmijë, një program që përmban një përzgjedhje të filmave të shkurtër të animuar të kuruar në kuadër të programit për fëmijë të edicionit të 12-të. Në orën 18:00 festivali vazhdon me programin për të rriturit ku gjithashtu, do të jenë të shfaqur filma të animuar nga edicioni i 12-të i këtij festivali.

”Përveç shfaqjes së filmave ju mund të shijoni edhe një eksperiencë VR e cila do të jetë e vendosur në korridoret e Kinemasë Jusuf Gërvalla. Aktiviteti do të jetë i hapur për fëmijë dhe për të rritur. Mund edhe të vet-edukoheni rreth historisë dhe evolucionit të animacionit, përmes videove të cilat do të shfaqen gjatë tërë ditës. Duke filluar nga ora 19:30 do të kemi edhe një natë muzikore për të shënuar përfundimin e ngjarjes. Ejani dhe festoni Ditën Ndërkombëtare të Animacionit me Festivalin e Animacionit Anibar në Pejë!’‘, njoftohet tutje në komunikatën për media. / KultPlus.com