Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë

Sot është Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë.

“Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave ka qenë gjithmonë një çështje thelbësore për Kombet e Bashkuara”, shkruhet sot në faqen e OKB-së.

Gratë dhe vajzat përfaqësojnë gjysmën e popullsisë së botës dhe rrjedhimisht edhe gjysmën e potencialit të saj. Pavarësisht disa përparimeve në dekadat e fundit, me sukses të ndryshëm në varësi të disiplinave dhe vendeve, barazia gjinore në shkencë mbetet e pakapshme.

Sot, vetëm një në tre shkencëtarë është grua. Mungesa e barazisë gjinore në shkencë nuk është vetëm një problem që prek gratë. Ai gjithashtu kufizon përparimin shkencor dhe pengon zhvillimin e një vendi dhe përpjekjet e tij për të ndërtuar shoqëri paqësore.

Një hendek i rëndësishëm gjinor ka vazhduar gjatë viteve në të gjitha nivelet e disiplinave të shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës (STEM) në të gjithë botën. Edhe pse gratë kanë bërë përparim të jashtëzakonshëm drejt rritjes së pjesëmarrjes së tyre në arsimin e lartë, ato janë ende të nënpërfaqësuara në këto fusha.

OKB-ja thekson se, barazia gjinore në shkencë është thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë, megjithatë gratë dhe vajzat vazhdojnë të përballen me barriera dhe paragjykime sistematike në ndjekjen e karrierës shkencore./atsh/KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë

Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë është dita e 11 Shkurtit, shpallur e tillë me një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 22 dhjetor të vitit 2015. Dita njeh rolin kritik që gratë dhe vajzat luajnë në shkencë dhe teknologji.

Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë zbatohet nga UNESCO dhe Gratë e Kombeve të Bashkuara, në bashkëpunim me agjensi dhe institucione ndërqeveritare, si dhe partnerë të shoqërisë civile, që synojnë promovimin e grave dhe vajzave në shkencë.

Qëllimi i kësaj dite është të promovojë qasje të plotë dhe të barabartë për pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në shkencë. / KultPlus.com