Dita e Tualetit, mungesa e higjienës po rrit numrin e vdekjeve në botë

Ashtu si çdo herë, edhe këtë vit më 19 nëntor, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka caktuar Ditën Botërore të Tualetit, e cila shfrytëzohet për të dhënë mesazhe sensibilizuese për një higjienë sa më të mirë.

Në të gjithë globin, rreth 2.5 miliardë njerëz përdorin tualete jashtë çdo standardi dhe më shumë se 1 miliard përdorin ambientet e hapura për nevojat e tyre.

Nga 4 miliardë raste me diarre në vit, më shumë se 2 milionë përfundojnë me vdekje, shumica fëmijë. Kjo është më shumë se sa numri i vdekjeve nga AIDS-si dhe malaria së bashku.

Në Indi, ku rreth 550 milionë njerëz përdorin vendet e hapura për jashtëshqitje, 45% e fëmijëve janë të prekur nga infeksione që kanë si shkak mungesën e higjienës.

shumicën e rasteve, mungojnë kanalizimet dhe njerëzit vuajnë për ujë të pastër, jo vetëm për higjienë, por edhe për të pirë.

Sipas studimeve të vetë organizmave të OKB-së, thuhet se mungesa e tualeteve dhe marrja e sëmundjeve të ndryshme nga ky shkak bënë që shumica e fëmijëve indianë të mos zhvillohen fizikisht dhe të mbesin shumë të shkurtër.

Gjithashtu edhe në Afrikën sub-Sahariane, ekspertët e OKB-së vlerësojnë se një e katërta e popullsisë përdor vendet e hapura për procesin e jashtëshqitjes, kryesisht në zonat rurale.

Urbanizimi rriti qasjen në tualetet moderne, por rritja e numrit të popullsisë solli edhe shtimin e sëmundjeve që transmetohen e merren nga tualetet, kryesisht publike.

Në këtë ditë, OKB-ja dhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë ndërmarrë fushata për zbutjen sadopak të fenomenit. / KultPlus.com