“Divani lunxhiot”, festivali mbledh 14 grupe popullore nga gjithë vendi

Edicioni i 10-të i festivalit ” Divani lunxhiot” mblodhi së bashku 14 ansamble dhe grupe popullore nga të gjitha zonat e vendit. Artistët popullorë performuan në skenën natyrore në fshatin Dhoksat, Lunxhëri duke prezantuar vlerat më të mira të folklorit, polifonisë, valleve, veshjeve popullore.

Pjesë e këtij festivali ishin edhe këngëtarët me emër të skenës së folkut të cilët e cilësuan të rëndësishëm transmetimin e vlerave të traditës tek brezat e rinj.

Skena e “Divanit lunxhiot” shërbeu edhe për promovimin e artistëve të rinj të folklorit, këngëve dhe valleve popullore

Festivali ” Divani lunxhiot” u zhvillua për dy net me radhë duke gjallëruar krahinën e Lunxhërisë dhe promovuar vlerat turistike të saj./topchannel/KultPlus.com

Nis edicioni i 8-të i ‘Divanit Lunxhiot’

Në datat 2 dhe 3 shtator zhvillohet festa, tashmë e përvitshme, e “Divanit Lunxhiot”.

“Ndërkohë që Gjirokastra vijon të jetë plot me turistë nga e gjithë bota, “Divani Lunxhot” në Dhoksat, më 2 dhe 3 shtator, është një mundësi më shumë për ata që duan fshatin”, shprehet në rrjetet sociale kryetari i bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, i cili fton vendas e të huaj të shkojnë në Lunxhëri, për të shijuar festën popullore.

Në këtë event të gëzueshëm, do të ketë organizime artistike me këngë e valle tradicionale, panair me prodhime tipike, duke shijuar njëkohësisht edhe natyrën e mrekullueshme të Lunxhërisë.

Ky event organizohet nga Bashkia Gjirokastër në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Këshillin e Qarkut. “Divani Lunxhiot” shënon vitin e 8-të të organizimit të tij. Artistët popullorë nga të gjitha zonat e vendit do të performojnë në skenën e këtij festivali, duke prezantuar vlerat më cilësore të folklorit dhe etnografisë. Natën e parë eventi zhvillohet në Dhoksat, ndërsa nata e dytë në Pazarin karakteristik./ KultPlus.com