‘Divani Lunxhot’, festivali i traditës së Lunxhërisë në edicionin e 9-të

Edhe këtë vit, ashtu siç është bërë traditë tanimë prej 9 vitesh, ka marrë jetë “Divani Lunxhot”, një festival ku promovohet tradita dhe kultura e zonës së Lunxherisë.

Këtë vit në festivalin “Divani Lunxhot”, një prej festivaleve më të rëndësishme të krahinave jugore të vendit, morën pjesë 12 grupe folklorike, përveç ansamblit “Lunxheria”.

Festivali dyditor po mbahet në fshatin Dhoksat, në syrin e qindra vizitorëve vendas e të huaj. Ky fshat është dhe pjesë e programit të 100 fshatrave. Festivali është një kolazh muzike, kostumesh të zonës. Eventi është edhe një dedikim për kulinarin lokale, produktet e stanit dhe bletarinë.

Një vëmendje të veçantë në festival kishte dhe ruajtja e kostumeve tradicionale, duke sjellë shembullin e transmetimit të brez pas brezit të qepjes së kostumeve. Gjatë festivalit u prezantuan dhe kostumet më të vjetra të zonës.

Pjesë e festivalit ishte dhe ansambli i grave të minoritetit grek. Ky ansambël solli për publikun valle me motive më shumë se 200- vjeçare. Pjesë e festivalit janë grupe të Maqedonisë së Veriut, emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe shumë grupe nga rajone të ndryshme të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com

‘Divani lunxhot’ prezanton vlerat e folkut dhe etnografisë

Edicioni i 8-të i festivalit folklorik “Divani lunxhot” ka mbledhur së bashku rreth 120 artistë popullorë jo vetëm nga Shqipëria, të cilët prezantuan vlerat më të arrira të folkut dhe etnografisë.

Festivali u organizua për dy netë me radhë në fshatin Dhoksat, Njësia Administrative Lunxhëri dhe Pazarin karakteristik të Gjirokastrës.

Ky aktivitet u mundësua si bashkëpunim i Bashkisë Gjirokastër me Ministrinë e Kulturës dhe Këshillin e Qarkut.

Pjesëmarrës në të ishin 12 grupe dhe ansamble të këngës popullore nga zona të ndryshme të vendit si: grupi polifonik “Ergjëria”,  “Djemtë e Sarandës”, “Bijtë e Tepelenës”, grupi popullor “Krojet e Velçës”, “Nektari i polifonisë”, ansambli “Lunxhëria”, orkestrina popullore Ersekë si dhe grupe të ardhura nga Greqia.

Në ndryshim nga edicionet e kaluara, nata e parë e festivalit u shfaq në skenën artistike në fshatin Dhoksat ndërkohë që më pas organizimi vazhdoi në mjediset karakteristike të Pazarit të gurtë të Gjirokastrës.

Falë prezantimit artistik cilësor të këngëtarëve dhe valltarëve popullorë “Divani lunxhot” tërhoqi vëmendjen e artdashësve të polifonisë dhe këngëve popullore, specialistëve të folkut por edhe turistëve të shumtë, të cilët ndoqën me mjaft interes interpretimin e folkut dhe prezantimin e etnografisë dhe traditës popullore.

Ky organizimin u vlerësua dhe nga rreth 50 studiues dhe akademikë vendas dhe të huaj, pjesëmarrës në Konferencën e 50-të Botërore të Baladave që po zhvillohet aktualisht në qytetin e gurtë.

Sipas kryetarit të bashkisë, Flamur Golemi, “Divani lunxhot” shërben si një gjerdan vlerash natyrore, traditës, trashëgimisë kulturore dhe turistike për krahinën e Lunxhërisë dhe më gjerë.

“Rol të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në Lunxhëri dhe bashkinë e Gjirokastrës në tërësi ka edhe mbështetja dhe promovimi i vlerave të traditës, kulinarisë dhe veçanërisht folklorit dhe etnografisë të pasur”, shprehet kryebashkiaku Golemi.

Përgjatë sezonit të verës, bashkia Gjirokastër ka organizuar aktivitete të larmishme, duke ndikuar në zhvillimin e turizmit dhe transmetimin e traditave dhe vlerave tona kombëtare tek brezat e rinj./atsh/ KultPlus.com

Përmes folklorit dhe traditës, 100 këngëtarë e valltarë të muzikës popullore u shfaqën në festivalin ‘Divani Lunxhot’

Festivali “Divani lunxhot”, organizim i Bashkisë Gjirokastër, është kthyer në traditë të përvitshme, duke gjallëruar çdo verë zonën e Lunxhërisë.

Edicioni i 7-të i Festivalit “Divani lunxhot” mblodhi sërish në fshatin Dhoksat, të Gjirokastrës, artistët popullorë nga zona të ndryshme të vendit.

Në skenën e tij, interpretuan 7 grupe dhe ansamble foklorike dhe rreth 100 këngëtarë dhe valltarë të muzikës popullore.

Artdashësit, jo vetëm banorë të zonës por edhe turistë, ndoqën plot interes folklorin e pasur të zonave të Gjirokastrës, Lunxhërisë, Tepelenës, Delvinës, Kolonjës, Livadhjasë, etj.

Krahas krijimtarisë folklorike, vlerë e shtuar e këtij festivali ishte edhe prezantimi i veshjeve dhe kostumografisë popullore, të zonave të ndryshme të vendit. /atsh/ KultPlus.com

Gjirokastra në festë, mbahet festivali i traditës ‘Divani Lunxhot’ me këngë, valle e grupe folklorike

Grupe të ndryshme foklorike u ngjitën në skenën e festivalit të traditës “Divani Lunxhot”, që u zhvillua në fshatin Dhoksat, një nga 100 fshatrat e përzgjedhur si destinacione turistike. Eventi artistik nuk e ndali zhvillimin e tij as në vitet e situatës pandemike, transmeton KultPlus.

Për organizatorët dhe pjesëmarrësit e eventit të rëndësishëm festa e kthyer tashmë në traditë, ndonëse ka mungesa në organizim kushtëzuar nga situata, ka rëndësi për të mbajtur të gjallë këtë festival që synon ruajtjen e traditës dhe promovimin e turizmit nëpërmjet kulturës dhe trashëgimisë edhe në kohë pandemie.

Festa e kthyer tashmë në traditë, ka risjellë në skenë shumë motive, këngë e koreografi të vjetra të grumbulluara me kujdes prej fokloristëve. Edicioni i 7-të i Divanit Lunxhot me larminë e veshjeve, risolli në vëmendje ruajtjen e kostumeve tradicionale dhe përcjelljen e teknikave të qepjes së tyre.

Në skenën e festivalit u ngjitën 7 grupe nga zona të ndryshme të Shqipërisë. “Divani Lunxhot” është i vetmi organizim i shpalosjes së traditës që zhvillohet jashtë zonave urbane, në një prej fshatrave me folklor të pasur dhe më me traditë të Lunxhërisë, sic është Dhoksati. /balkanweb/ KultPlus.com