Arkivi i Muzeut të Fotografisë “Marubi” në proces dixhitalizimi

Arkivi i Muzeut të Fotografisë “Marubi” është në proces dixhitalizimi.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti bëri të ditur se deri më tani janë digjitalizuar 23 regjistra me 15,260 faqe, falë punës së specialistëve të “Marubit”, Shkodër dhe studentëve të shkollës austriake “Peter Mahringer”.

“Arkivi i Muzeut të Fotografisë “Marubi” është krenari kombëtare, ndaj edhe ruajtja e tij është detyrë parësore. Me digjitalizimin e tij i zgjasim jetën koleksioneve origjinale dhe i bëjmë më të aksesueshme për publikun e në veçanti studiuesit e fotografisë. Deri më tani janë digjitalizuar 23 regjistra me 15,260 faqe falë punës së specialistëve të “Marubit”, Shkodër dhe studentëve të shkollës austriake “Peter Mahringer””, bëri të ditur Margariti.

Në vitin 1970 u themelua Fototeka “Marubi” dhe në maj të vitit 2016, me koleksionet e fototekës u inaugurua Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër, i cili sot konsiderohet si një nga muzetë unikë në Evropë.

Muzeu sot përmban një koleksion të rrallë me fotografi me rreth 500 mijë negativë në teknika dhe formate të ndryshme, si dhe aparate fotografikë, dokumente të ndryshme dhe portrete të fotografëve shqiptarë. / KultPlus.com