‘Në vendin tim e në vendin tënd, një i çmendur, një vend e çmënd’

Poezi: Dritëro Agolli

Në vendin tim e në vendin tënd

Në vendin tim e në vendin tënd
E shpojnë lakren, i hedhin mënd.

Në vendin tim e në vendin tënd
Ty te kruhet, tjetrit i dhëmb.

Në vendin tim e në vendin tënd
Hënën si petull e pjekin në shkëmb.

Në vendin tim e në vendin tënd
Një i çmendur, një vend e çmënd /KultPlus.com

‘Po kur të jesh mërzitur shumë, në raft të librave kërkomë’

Kur të jesh mërzitur shumë

Këtu s’do jem, do jem larguar:
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jem i fshehur unë,
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje. / KultPlus.com

‘Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti’

Thënie të pavdekshme nga Dritëro Agolli:

“Gabimi i një doktori varroset në tokë. Gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”.

“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”.

“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë”.

“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”.

“Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti”.

“U zumë të dy aq shumë për punën
Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë!
Eh, budalla!
Edhe dhëmbët zihen me gjuhën,
Zihen dhe bashkë rrinë”.

“Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit”.

“Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi”.

“Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti”.

“E vërtetë e pabesueshme
E mbajta në krah tërë ditën
Edhe zemër i dhashë:
‘Mbahu!’
Të nesërmen ne fshat kur arritëm,
U tha te tjerëve:
‘Më rrahu!’”

“Jeta është e vështirë . Po vdekja ? Kur do të kthehet ndonjëri të na tregojë?”. /KultPlus.com

I humba të gjitha, më mbetën vetëm kujtimet dhe kockat

Poezi nga Dritëro Agolli

I humba të gjitha, po lypës s’u ktheva,
S’ia zgjata dorën askujt dhe veten e mbajta.
C’u bënë vajzat më të bukura Drita, Maria dhe Eva?
Atyre dorën me gaz mund t’ua mbaja.

Po të gjitha ato u plaken si unë
Dhe bukurinë e dikurshme s’e kanë,
Megjithatë drejt tyre synoj nganjëherë më shumë
Sesa drejt guhakerve me qyrk e famë.

I humba të gjitha, më mbetën vetëm kujtimet dhe kockat,
Më mbeti lekura dhe bebja e syrit tok me shkëndijat.
Tani perballe shtëpise sime këndojnë bretkosat,
Gëzohem se janë të gjitha të mijat./ KultPlus.com

Ankime

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Ankime nga miqtë, ankime nga rruga
Ankime nga gruaja ime
Veriu fshikullon, ngre pluhurin rruga
Ankime, ankime, ankime

Ankime në letër, ankime në gjellë
Ankime në lopët në fushë.
U çmenda! Do të iki të fshihem në shpellë
Të fle pa ankime me një ujk a arushë…

‘Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se te Vaçe Zela’

Vaçe Zela lindi më 7 prill 1939, në qytetin e vogël të Lushnjës. Padyshim mund të themi se ishte një këngëtare ikonë e skenës shqiptare.

Ajo e filloi karrierën e saj në moshë të re dhe në vitin 1962 ishte e para që fitoi Festivalin e Këngës. Me këngën Fëmija i parë, ajo dëshmoi se një idhull i muzikës po lindte atë mbrëmje të 26 dhjetorit të vitit 1962.

Repertori i saj është shumë i pasur; numërohen me dhjetëra këngë popullore, të lehta, kantata, balada, etj. Ajo ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në muzikën e filmit, ku ka interpretuar shumë këngë si pjesë e muzikës së filmave.

Fituese 12 herë e festivalit, Vaçja fitoi famë gjatë kohës komuniste dhe iu dha titulli ‘Artist i Merituar’ në vitin 1973 dhe ‘Artist i Popullit’ në vitin 1977.

Vaçe Zela është larguar përfundimisht prej skenës në vitin 1992.

Ajo është e vetmja femër shqiptare e nderuar në të gjallë me Urdhrin “Nderi i Kombit” më 24 dhjetor 2002 nga presidenti Alfred Moisiu me arsyen: “Për vlerat e rralla si Artiste e Shquar, me popullaritet të jashtëzakonshëm, për interpretimin mjeshtëror të këngës së muzikës së lehtë dhe asaj popullore, për pasurinë e vyer që krijoi në shkollën shqiptare të interpretimit muzikor”.

U nda nga jeta më 6 shkurt 2014, në Bazel të Zvicrës.

Në vijim mund të lexoni se çfarë mendonin Dritëro Agolli dhe Nexhmije Pagarusha për Vaçe Zelën:

Dritero Agolli: “Unë mund të them pa asnjë lëkundje se Vaçe Zela, si artiste e madhe, hapi një epokë të re në të kënduarin e këngës shqiptare dhe u bë nismëtare e një kulture moderne në këtë fushë.”

Nexhmije Pagarusha: “Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela.” /KultPlus.com

Letra me shumë humor që Dritëro Agolli i shkroi djalit të tij (FOTO)

Dritëro Agolli ka disa vite që nuk jeton fizikisht por veprimtaria artistike e mban emrin e tij akoma gjallë, shkruan KultPlus.

E bija e Dritëro Agollit, Elona Agolli zbulon vazhdimisht letrat e babait të tij. Shkrimtari i madh shqiptar përdorte letrat edhe në komunikim familjar, kjo ishte mënyra më e mirë e tij për t’u shprehur. 

“Letërshkrimi për Tim atë ishte mënyra më e kënaqshme e komunikimit edhe në marrëdhëniet familjare. Në prag festash , në debate apo “zënka” mes nesh , në dërgimin e lajmit apo porosisë , letrat ishin mënyra e shpeshtë që kënaqnin te dy palët. Pasi letërshkruesi(im atë) lëshohej lirshëm në humor , nëntekste, figura e metafora kurse pala tjetër , pritësi ( unë, fëmijët, vëllai , Luani) shijonim artin e vërtetë të komunikimit , një gjuhë që rrallë e hasnim në të përditshmen tonë”, ka shkruar Elona Agolli.

KultPlus ju sjellë një letër që Dritëro i kishte shkruar para dy vitesh djalit të tij, Luanit.

I dashur Luan
Në livadhin e shakasë, domethënë humorit dhe satirës , ndodhin edhe keqkuptime. Kështu ndodhi me ne të dy, duke bërë shaka rreth një dashi me këmborë. Ndofta, po të ishte cjap me zile dhe me mjekër nuk do të kalonim nga shakaja në një farë fjalëkëmbimi . Faji ishte i imi që ngrita zërin: dashi ka zot!
Dashi nuk vraponte nëpër sallon; ai qëndronte në mur(pikturë). Ah, sikur të ishte cjap !
Të përqafoj
Dritëroi /KultPlus.com

‘I përndjekuri yt erotik, i përndjekur të mbetet gjithmonë’

Poezi nga Dritëro Agolli

Unë jam i burgosuri yt,
Rroj me prangat që ti më ke vënë
Po çudi, as qelia s’më mbyt,
Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë.

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,
Unë i putha duart e tua.
Është rast i pashembullt ta dish,
Që xhelatin ta puth a ta dua!

I përndjekuri yt erotik,
I përndjekur të mbetet gjithmonë!
Erotik i mirë a i lig,
Hidhmi duart në fyt, torturomë!

“Mjegulli i dashurisë” poezia fantastike nga Dritëro Agolli

“Mjegulli i dashurisë” është një ndër poezitë më të bukura kushtuar dashurisë nga poeti i njohur shqiptar Dritëro Agolli. Në këtë poezi, autori trajton afërsinë dhe largësinë, të dyja me emocionet e veta në njëlidhje. Largësia nxit mallin, ndërsa afërsia shton emocionet. Të dyja e trembin autorin, edhe pse shprehet vetëm për largësinë se e tremb, kurse për afërsinë shprehet se “i bëhet çark”, pasi afërsia i shton më shumë ndjenjat dhe emocionet.

“Mjegulli i dashurisë”

Kur ikja larg, drejt teje vija
Kur vija afër, ikja larg
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark.

As e kuptoja si të desha
një mjegull pus një çmenduri,
si një poet që shkruan vjersha
dhe ndez një shkrepëse dhe i bën hi

dhe ndoshta kjo ish dashuria
e çakërdisur kuturu…
për dreq më trembte largësia
dhe afërsia gjithashtu. /bota.al/ KultPlus.com

‘I miri shpon duart, I ligu fiton trëndafilë’

Dritëro Agolli ishte poet, shkrimtar, politikan dhe ish-kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë. Ai studioi në Leningrad të Bashkimit Sovjetik dhe shkroi kryesisht poezi, por edhe tregime të shkurtra, ese, drama dhe romane, shkruan KultPlus.

Përveç veprave të ndryshme, Agolli pas vetës ka lënë edhe thënië të ndryshme, sikurse kjo më poshtë.

Ah, botë e mallkuar,
E mbushur përplot me rezilë.
I miri shpon duart,
I ligu fiton trëndafilë. /KultPlus.com

‘E vetmuar ti, i vetmuar unë’

Poezi nga Dritëro Agolli

E vetmuar ti, i vetmuar unë
Nga e diela deri tek e diela.
S’ke ç’t’i bësh, nuk dilet tek kjo turmë
Dhe sikur t’i ngjitësh shpirtit vela.

Ja, për shembull, vela shpirti pati,
Do lundrosh me velat nëpër dete,
Përsëri do kthehesh tek krevati,
Po atë vetmi do kesh me vete.

Dhe këputen ditët si tespihe
Nga e diela deri tek e diela.
S’i shpëtojmë aspak kësaj vetmie
Dhe nëse na zgjojnë në treqind gjela.

Ditë e mahnitshme

Shkruan: Dritëro Agolli

Ditë e mahnitshme!
Lulet lahen me vesë,
Kuajt hingëllijnë e lopët pëllasin për viçat,
Shtërgu në plepin pa majë rri mes folesë
Dhe trëndafili i bardhë fsheh spicat
Fletëve të dendura nën kurorat me palë,
Ndërsa këndezi mburret, se tej nga plevicat,
Mposhti një natë, megjithse ngadalë.
Ditë e mahnitshme!
Duket sikur kësaj dite, që herët me natë,
Zoti kishte mbaruar të gjitha krijimet
Dhe nisej tani drejt një pushimi të gjatë
Majë Tomorrit diku në burimet,
Ose atje në Kulmak në barakë
Pa gjë në trastë,
Pa skicat, pa zhgarravitjet, pa vizatimet,
Veç me peshqirin e bardhë në qafë.
Ditë e mahnitshme! /KultPlus.com

‘Kur ikja larg, drejt teje vija; Kur vija afër, ikja larg’

Poezi nga Dritëro Agolli

Kur ikja larg, drejt teje vija;
Kur vija afër, ikja larg.
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark.

As e kuptoja si të desha,
Një mjegull pus, një çmenduri,
Si një poet që shkruan vjersha
Dhe ndez një shkrepse, i bën hi.

Dhe ndofta kjo ish dashuria :
E çakërdisur kuturu…
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia gjithashtu.

‘Kur tretesha dhe digjesha për ty, nga njëri-tjetri letrat vinin vonë…’

Poezi nga Dritëro Agolli.

Kur dashuroheshim në kohën tonë,
Kur tretesha dhe digjesha për ty,
Nga njëri-tjetri letrat vinin vonë,
… Kalonte dhe një muaj apo dy.

Po ndofta dashuria mbahej gjallë,
Se zjarrin mbanin letrat në udhëtim
Me biçikletë a mushkë apo me kalë
Në vapë e shi, dëborë dhe thëllim.

Kur dashuroheshim në kohën tonë
Me zor na vinin letrat fshat-qytet
Nuk kishim nëpër dhomë telefon
Dhe në ëndërr s’kishte faks dhe internet.

Megjithatë më mirë që nuk kishte
As telefon, as internet, as faks,
Se fjalë e nisur shpejt dhe mund ta vriste
Një dashuri të vjetër për një çast. /KultPlus.com

Letrat e dashurisë që Dritëroi i niste Sadijes në vitet ’60

“Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë? Kjo siç duket është merita jote. Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh”. Deri në fund të jetës, Dritëro Agolli e deshi Sadijen, jo sa vetja. Ai thotë, edhe më shumë. Do të mjaftonin vetëm disa letra, shkëputur nga një letërkëmbim i gjatë, për të kuptuar, ndoshta jo gjithçka, por diçka nga ajo ndjenjë e thellë që i lidhte. Ai, tashmë poet e shkrimtar i konsoliduar, “në moshën e Krishtit”, siç thotë ai, ndërsa ajo, një vajzë, që sapo kishte mbaruar shkollën e punonte si mësuese letërsie në Shkodër.

Ai në Tiranë, ndërsa ajo në Shkodër. Një distancë e gjatë asokohe, kur mjetet e transportit ishin të kufizuara, ndërsa ato të komunikimit përmblidheshin në ndonjë telefon të rrallë, letra e telegrame, shkruan Panorama. Sot, në botën e teknologjisë, së skype-it, whatsapp-it, facebook-ut, ato letrat e zverdhura nga koha dhe të shkruara me dorë, janë edhe më të vyera dhe të papërsëritshme. Aq më tepër kur shkruhen nga njerëz të letrave. Në ditën e 75-vjetorit të Sadijes dhe në prag të ditëlindjes së Dritëroit, po botojmë disa letra që dy të dashuruarit i dërgonin njëritjetrit në vitet ’60. Dritëroi, që nuk para i kishte shumë qejf telefonat, vlerësonte në veçanti letrat, kur ato shkruheshin me vërtetësi e ndjenja të pastra. “Njerëzit zakonisht në këto letrat e dashurisë kanë qejf të bëhen ose hamletë, të tregojnë sa vuajnë e sa janë të mërzitur nga bota, ose të bëhen si xhaxhallarë të urtë me shprehje plot mirësi e didaktikë, t’i mësojnë vajzat të mos bijen në gabime, t’u thonë atyre se ka njerëz që janë të liq e ku të di unë. Këta u shëmbëllejnë atyre njerëzve, të cilët kur flasin me femra i venë më shumë rëndësi intonacionit të zërit, gjesteve elegante, manierës së të qëndruarit dhe harrojnë të mjerët, natyrën e tyre. Fatkeqët!”, shkruan në një prej letrave dërguar Sadijes, Dritëroi. Ai është më pasionant, ndërsa ajo më e përmbajtur dhe më koncize në letrat e saj. Ndjenjat dhe mallin për Dritëronë i shpreh në pak rreshta, ndërsa ai duket se nuk lodhet duke i shkruar se sa e do dhe sa ia ndien mungesën kur janë larg. Veç dy stileve të ndryshme të të shkruarit, por edhe dy karaktereve të ndryshme, nëpër letra zbulojmë edhe dy të folme. Ai me të folurën e Devollit, ndërsa ajo të Shkodrës. “Tashti fillon edhe shkolla, kështu që do të jem gjithëmonë e zanun, por mos kujto që s’do kem kohë të lirë të mendoj për ty. Çdo natë mendoj dhe due që të shohë në andër. Ti je njeriu ma i mirë dhe ma i afërt për mue, edhe atëherë kur jam e inatosur me ty”, i shkruan Sadija. Letërkëmbimi, si forcë zakoni, por edhe si një dëshmi dashurie, ka vijuar deri në vitet e fundit të jetës së shkrimtarit, atëherë kur mendonte se fluturimet e pulëbardhave mbi liqenin e Pogradecit do të ishin të fundit që do të shihnin së bashku

Nuk e dij se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit unë të bëhem kaq i papërmbajtur në çfaqjen e ndjenjave të mija? Mjafton të qëndroj pakëz në vetmi e të jepem i tëri pas teje. Kurse kur jam me shokët nuk e kam mëndjen në muhabetin e përgjithshëm. Më thonë se paskam ndryshuar kaq shumë sa s’njihem. Unë nuk kam qejf të ndryshoj natyrën time, prandaj ngushëlloj vehten, duke menduar se shokët, me që dijnë historinë time me ty, gabojnë në gjykimet e tyre. Po ç’është e vërteta unë ju jap të drejtë atyre se diçka ka ndodhur. Në mesditë të jetës dashuria qënka e çuditshme. Dua që në këtë çast të jem me ty. Ti të rrish karshi meje, të flasësh, të qeshësh. E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare, fare. E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e në vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty dhe e humb gjakftohtësinë. Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë? Kjo siç duket është merita jote. Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh. Letra është një shprehje e çastit.

Sikur ne t’i shkruanim letrat e t’i mbanim pa i dërguar qoftë edhe një ditë, natyrisht po të ishim në gjëndje shpirtërore normale, të tretën ditë do t’i grisnim e do të thoshim me vehte: ç’marrëzi kemi shkruar! Të tri letrat që të kam nisur para kësaj kanë plot marrëzira, se shpirtërisht nuk kam qënë mirë. Po mos u mërzit, njeriu duhet të ketë edhe çaste marrëzie, se do të na mbyste atëherë monotonia. Duhet të zbavitemi me ndonjë letër me nuanca anormale. Njerëzit zakonisht në këto letrat e dashurisë kanë qejf të bëhen ose hamletë, të tregojnë sa vuajnë e sa janë të mërzitur nga bota, ose të bëhen si xhaxhallarë të urtë me shprehje plot mirësi e didaktikë, t’i mësojnë vajzat të mos bijen në gabime, t’u thonë atyre se ka njerëz që janë të liq e ku të di unë. Këta u shëmbëllejnë atyre njerëzve, të cilët kur flasin me femra i venë më shumë rëndësi intonacionit të zërit, gjesteve elegante, manierës së të qëndruarit dhe harrojnë të mjerët, natyrën e tyre. Fatkeqët! Me këtë, pa ditur edhe vetë, bëhen të mërzitëshëm. Unë sot gjithënjë kam jetuar me ty. Shkonja në rrugë – isha me ty, shkonja në kafe – isha me ty, shkonja në bibliotekë të kërkonja ndonjë libër – isha me ty. Po ç’u bë kjo, thosha me vehte, ëngjëll mbrojtës?

Dreq o punë. Është mirë kur të duan, apo jo? Po jo kur të duan “se na bashkojnë zakonet dhe afërsitë krahinore”! Kur të duan krejt ndryshe, krejt pa përcaktuar, pa rregulla, atëherë mund të jesh e lumtur. Unë nuk kam qef të më duan me rregulla, nuk dua të hyj nëpër unazë si akrobat. Bile unë kam qejf kështu: nuk e ndjen vehten mirë me mua një ditë, thua: më mërzite, Dritëro, sot nuk të dua, nesër mund të të dua, m’u çduk tani nga sytë! Çaste të tilla ka, apo jo? Po njeriu është edhe rrufjan-hipokrit, që ka frikë të hapet e të shprehë gjithënjë të vërtetën. Megjithëse ti kështu nuk më ke thënë asnjëherë, po unë ka patur raste, që çaste të tilla, të shkurtra fatmirë- sisht, i kam nuhatur. E dij që këto janë në natyrën e njeriut, prandaj as jam mërzitur fare. Po mos nuhatnja të tilla çaste, unë nuk do të të desha dhe nuk do martohesha me ty. I marrë, do thuash, po është e vërtetë. Tani të të them pse nuk të kam marrë në telefon. E di ti se unë nuk kam qef të flas në telefon se më mbarohen fjalët? S’di ç’të them. Që të flas, unë dua ta shoh njerinë, ose ta përfytyroj. Në telefon as e shoh, as e përfytyroj. Nuk e kuptoj se si më ka lindur kjo mani e pse më mbyllet goja në telefon. Duhet të jetë ndonjë sëmundje! Prandaj mos ma merr për të keq që nuk të kam telefonuar. Në Durrës nuk kam shkuar për të pyetur atë shokun tim, se ç’bëri me syzet që kam porositur për ty. E kam marrë ca herë në telefon, po ka qënë me leje dhe nuk më ka dalë. Kam filluar të bëj një jetë më normale, më realiste. Për librin tim* me tregime kam pyetur në ndërmarrje të botimeve e më kanë thënë se së shpejti duhet të dalë në qarkullim. Më nxori mjaft telashe ky libër. Sipas numrit ky është libri i katërt që botoj, po më i vështiri dhe më i ngatërruari. Ky i pesti me vjersha që po pregatit s’besoj të ketë fatin e tregimeve. Në vjersha jam në terrenin tim dhe di të orientohem, megjithëse një zvaranik më tha se shumë vjersha duhet t’i heq. Lexova një libër nga Dostojevski dhe më ka lënë pa gjumë me tipat dhe figurat e tij të tmerrshme. Një burrë tërë natën mendon para qivurit të gruas së tij, që ka vrarë vehten. Cilat kanë qënë arësyet që gruaja e tij vrau vehten? Rreth kësaj shkruhet tregimi. Ka një moment të hatashëm Burrin e ka ftuar një njeri në duel (përpara se ky të martohej). Ai refuzon, nuk pranon të bëjë duel. Të gjithë e quajnë frikacak. Pas shumë situatash gruaja e çdashuron atë. Ai është shtrirë e fle. Ajo merr revolen dhe ia vë në tëmbth tytën e hekurt. Ai hap sytë, e shikon me gjakftohtësi tytën dhe i mbyll prapë. Gruaja tronditet. Përherë të parë kupton se ky nuk është frikacak. Po si është e mundur që refuzoi duelin? “Të refuzosh duelin – tha ai – kërkon më shumë burrëri!” Me të vërtetë është tregim i fortë. Gjynah që ti nuk e lexon dot. E kështu, moj e dashur, mjaft griva, po e mbyll letrën. Të puth, Dritëro 19.8.1964 *Bëhet fjalë për librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, botim i ndaluar në vitin 1965.

*** E dashur Sadije, Kjo është letra e fundit për 1964-n. Bukur ndodhi me ne. Na ishin dy njerëz diku në një qytet, u takuan, u dashuruan. Viti ecte, ecte. Dhe kështu erdhi dita e fundit e 1964. Njeriu ditën e fundit të vitit bëhet pak fillosof, apo jo? Të kujtohet kur më ke takuar mua me një shishe në dorë vjet në këtë kohë? Ku ta dinje ti se ai njeri me atë shishe një ditë do të bëhej burri yt? E sheh sa të papritura ka në një vit? Po ti mund të mos bëheshe gruaja ime. Kudo që të ishe e me këdo që të takoheshe ti do të ishe njeri i mirë dhe i bukur. Ndofta unë ty të kam ëndërruar edhe në vite të tjerë, edhe pa të parë? Ë, ku ta dish? Po bëhem pak mistik e qesharak. Në fund të këtij viti, plot dashuri për ty, të uroj të jesh e mirë, e bukur, e dashur. Unë jam ngaherë edhe burri, edhe i dashuri yt. Të puth shumë, shumë.

Dritëro

*** E dashur Sadije, U ktheve në shtëpi e lodhur, po me fitore. U bëre zyrtarisht gruaja ime. S’ka tani tërc mërc. Emrin tim e ke edhe në pashaportë. Bëjmë shaka, se s’ka ndonjë rëndësi një vulë e thatë. Ne edhe sikur mos e kishim atë vulë prapë bashkë do të ishim. Sa u lodhe dhe sa nerva prishe ato nja dy ditë që isha unë në Shkodër. Po kushdo që të ishte ashtu do të mërzitej si ti. Nisesh për një gjë serioze e të del përpara një pengesë mizerabël! Mua më vinte shumë keq për ty. Po mirë që mbaruam shpejt. Unë ty të dua gjithënjë e më shumë. Mos kij për këtë asnjë dyshim. Edhe celebrimin e bëmë, edhe e duam shoku shokun. Vetëm, me që janë bërë tërë formalitetet, ti duhet të vish ndonjëherë në Tiranë. Llogjikisht tani nuk duhet të kesh asnjë pengesë nga asnjeri. Të them të vijsh se mua ngaherë më merr malli për ty. Dje, pas celebrimit tonë të famshëm, unë kam qirasur gjithë ata njerëz. Të trashëgohesh, thosh njeri; të trashëgohesh, thosh tjetri. Sikur ne u fejuam dje! Siç duket ajo e djeshmja paska rëndësi dhe u quajtka si martesë. Sot më erdhi telegrami yt dhe u gëzova që e ndjen vehten mirë. Kur u nise dje unë u trëmba, se do të sëmureshe shumë rrugës. Lutjen a e bëre? Mos e lërë pasdore dhe mos i nënvleftëso formalitetet, si unë se ngatërron punën siç e ngatërrova unë në zyrën e gjëndjes civile në Shkodër. Po më mirë që e bëmë celebrimin në Tiranë, u bë më natyrshëm e më njerzishëm. Edhe Qakua me Vaskën ishin simpatikë. Eja papritur ndonjëherë. Të puth shumë Dritëro 7.1.1965

*** I dashtun, në Shkodër po bjen borë. Ç’mrekulli? Sikur të ishe dhe ti do të ishte edhe ma mirë. Megjithëse ndejta deri tashti tue ba plane simestrale, gëzimi i dëborës së parë që po bjen nuk më asht shue. Kjo dëbora lidhet gjithëmonë me kujtime të bukura. Nesër filloj edhe shkollën, do dalë të bajë disa fotografi. Sot më dukesh sikur të përcillnja në ndonji vend të afërt, sikur ti do të vijsh përsëri së shpejti. Vetëm kur ikën më kap mërzija. Tashti e shoh sa e lidhun jam me ty. Mirë thue ti jemi lidhë me fije të padukëshme aqë keq sa nuk mund të zgjidhemi ma. Tashti hajde mbas tre javësh se këtu harxhon edhe shumë të holla. Unë të premtoj se nuk do të mërzitem. Tashti fillon edhe shkolla, kështu që do të jem gjithëmonë e zanun, por mos kujto që s’do kem kohë të lirë të mendoj për ty. Çdo natë mendoj dhe due që të shohë në andër. Ti je njeriu ma i mirë dhe ma i afërt për mue, edhe atëherë kur jam e inatosur me ty. Mor fishek meqënëse ke premtue se do të mbarojsh novelën, puno, mos u sill shumë. Artikullin a e shkrove, do të kesh mendue mjaftë në autobuz. Katër orë nuk i thojnë pak, mandej bashkëudhëtari nuk besoj të të ketë mbajtë me muhabet. S’kisha pse të bahesha xheloze. Po shkoj të fle se ora shkoi vonë. Të puth përpara se të marrë gjumi, sidomos synin që nuk të sheh para mirë. Do ta shëroj edhe atë me të puthuna. Të puth shumë Sadija P.S. Sot sa ika prej shkollës së tregtisë, mora tre letrat e tua. Natën e mirë i dashtun 8.II.1965

*** Gjëra të padukshme Kam lënë tek ti mishin, kockat, flokët qime për qime. Dhe po ta hapësh shpirtin e gjen dhe zemrën time Ku fshihet një koleksion që as ti s’e kupton… Në verë do të shkojmë në një hotel buzë liqenit. Atje do të ndjekim me sy pulëbardhat që shpërndahen e bashkohen mbi cipën e kaltërt, duke formuar një lule të bardhë të madhe, që zhduket e shfaqet, që shpërbëhet dhe bëhet përsëri mes thirrjesh të sinqerta gëzimi. Ne, dy pleqtë të ulur në ballkon, do t’i ndjekim me sy këto qenie të bardha duke psherëtirë. Pak kohë na ka mbetur ta soditim këtë mrekulli! A mbase do të jetë hera e fundit… Verë 2014, Tushemisht, Pogradec

*** E dashur Sadije, Të dua si jetën time, madje edhe më shumë; dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur, do të ndjek për të të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia. 13 maj 2014. /KultPlus.com

Qetësia e bukur

Shkruan: Dritëro Agolli

Qetësia e bukur

Gruaja fle ne carcafin e bardhe e jastekun e bardhe
E bukur si perendi e lashte e Greqise;
Flene syte e saj qe me mahniten vite me rradhe,
Flene buzet e saj si kokrra e prere ne mes e qershise;
Flene qerpiket si halat naten ne grure,
Flene mollezat e faqeve qe bejne gropeza kur qeshin,
Fle balli i hijshem qe s’e desha te ngrysur kurre
Dhe nen balle vetullat si krah dallendyshe heshtin.
Ne cast me pushton nje ndjenje fajesie dhe malli,
Para saj i vetem, para saj I pagjume,
Dhe mbulohet me rrudha te dendura balli
Dhe them me vete: grua e dashur te kam lodhur shume.
Kam ikur shpesh ne rruge te gjata ne fusha e shpata,
Te kam lene femije e shqetesime mbi shpine,
Te kam lene pazarin, radhen e netet filikate,
Te kam lene mbi shpatulla gjithe shtepine.
Fli e vuajtura ime! /KultPlus.com

Në përvjetorin e vdekjes, Elona Agolli kujton babain: Ne vijojmë të bisedojmë

Sot shënohet 5 vjetori i vdekjes së shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli, shkruan KultPlus.

Në këtë ditë, vajza e tij, Elona Agolli, ka bërë shpërndarjen e disa fotografive në rrjetin e saj social “Facebook”.

“Ne vijojmë të bisedojmë…”, ka shkruar Elona, duke kujtuar babain e saj në përvjetorin e tij.

Më poshtë, KultPlus ju sjellë edhe fotografitë e publikuara.

Vepra e fundit e tij është libri me poezi “Prit edhe pak”, të cilin ia kushtoi bashkëshortes Sadijes. /KultPlus.com

‘Kur të jesh mërzitur shumë’, njëra ndër poezitë më të njohura të Dritëro Agollit

Sot bëhen 5 vite nga vdekja e ikonës së letërsisë, Dritëro Agolli, shkruan KultPlus.

KultPlus iu sjellë njërën nga poezitë e tij më të njohura :

Kur të jesh mërzitur shumë

Këtu s’do jem, do jem larguar:
Në tokë i tretur si të tjerët,
Në kafenenë e preferuar
Nuk do më shohin kamarierët.

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,
S’do ndihet kolla ime e thatë,
Mbi varrin tim do rrijë i heshtur
Një qipariz si murg i ngratë.

Ti do trishtohesh atëherë,
Se s’do më kesh në dhomë gjallë,
Dhe kur në xham të fryjë erë,
Do qash me erën dalëngadalë.

Po kur të jesh mërzitur shumë
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jem i fshehur unë,
Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.

Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje. / KultPlus.com

5 vite nga vdekja e ikonës së letërsisë, artit e politikës, Dritëro Agollit

Shkrimtari, poeti dhe politikani shqiptar, Dritëro Agolli, ka vdekur më 3 shkurt të 2017, ai njihet si njëri prej shkrimtarëve më të mirë të kohës, shkruan KultPlus.

Nuk e kishte ndarë asnjëherë cigaren nga jeta e tij, e kjo ndikoi që ai të vuante për një kohë të gjatë nga një sëmundje në mushkëri.

Veprat e autorit të madh shqiptar, i cili u lind më 13 tetor 1931 në Menkulas të Devollit, u përkthyen edhe në shumë gjuhë të huaja.

I paharrueshëm është edhe romani humoristik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që flet për burokratin servil Zylo Kamberi, i cili falë Agollit, u bë subjekt filmash dhe këngësh.

Vepra e fundit e tij është libri me poezi “Prit edhe pak”, të cilin ia kushtoi bashkëshortes Sadijes.

Përveç krijimtarisë artistike, Agolli u mor edhe me politike, duke qenë një nga themeluesit dhe më pas deputet i Partisë Socialiste. /KultPlus.com

Mjegulli i dashurisë

Shkruan: Dritëro Agolli

Mjegulli i dashurisë

Kur ikja larg, drejt teje vija
Kur vija afër, ikja larg
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark

as e kuptoja si te desha
nje mjegull pus nje cmenduri
si nje poet qe shkruan vjersha
dhe ndez nje shkrepse dhe i ben hi

dhe ndoshta kjo ish dashuria
e cakerdisur kuturu…
per dreq me trembte largesia
dhe afersa gjithashtu. /KultPlus.com

Këndon një zog

Shkruan Dritëro Agolli

KËNDON NJË ZOG

Këndon një zog në gjeth të shtogut,
Po një njeri e ndjek ta vrasë,
Se rrugës gjyshi i lig i zogut
E paska fyer me një glasë.

Magjepset bota nga kjo këngë,
I thotë zogut: ‹‹ Paç uratë ››,
Veç një njeri s`harron një brengë
Dhe mban në shpirt mëri të gjatë.

Ai nën shtog qëndron i strukur
Dhe ha mërzitur thonjtë e trashë:
‹‹ Vërtet këndon bilbili bukur,
Por gjyshi i tij ka bërë glasë. /KultPlus.com

Guri

Poezi nga: Dritëro Agolli.

Në fshatin tim prej vitesh s’kisha qenë
Dhe malli më kish djegur e zhuritur,
Atje më dukej hëna tjetër hënë
Siç thosh dikur Naimi mendjendritur.

Në çezmë ndala t’ia dëgjoja fjalët,
Që vetëm unë i merrja vesh aq mirë;
Por shkela në një gur të rrumbullakët
Dhe gjurin e dërmova në errësirë.

E mora gurin në pëllëmbë qetë
Dhe thashë i lodhur, zhytur në mendime:
“Për pak të shava keq, o gur i shkretë,
Sikur mos ishe nga vendlindja ime!”/ KultPlus.com

Kur një mëngjes

Poezi nga Dritëro Agolli

Do të jetë mëngjes e unë do të vi patjetër.
Mbi xhaketën time do te kenë rene petale
Nga lulet e kumbullës se vjetër,
Nga lulet e thanës së tharët.

Aherë ti s’do të jesh zgjuar akoma.
Unë do të them emrin tënd në xhame
Dhe do të vërshëllej të dashurën këngën tonë:
“Ti çele herët, moj bajame!”

Do vërshëllej ngadalë ngadalë
E s’do prish gjumin tënd të bukur.
Do bien mbi mua petale
E do ulet në sup një flutur…

E, kur sytë të hapesh, do të shohësh
Romantikun e përjetshëm në xhame
Dhe këngën e dashur do njohësh:
“Ti çele herët, moj bajame!” / KultPlus.com