Sot shënohet Dita Botërore kundër duhanit

31 maji shënon Ditë Botërore pa duhan, ditë kjo që i kushtohet luftës kundër duhanit.

Qëllimi shënimit të kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell konsumimi i duhanit. Kjo festë vjetore informon publikun mbi rreziqet e përdorimit të duhanit, çfarë po bën Organizata Botërore e Shëndetësisë për të luftuar epideminë e duhanit dhe çfarë mund të bëjnë njerëzit në mbarë botën për të kërkuar të drejtën e tyre për shëndet dhe jetë të shëndetshme dhe për të mbrojtur brezat e ardhshëm.

Tema e këtij viti për Ditën Botërore pa Duhan është: “Ne kemi nevojë për ushqim, jo për duhan”.

Shtetet Anëtare të Organizatës Botërore të Shëndetësisë krijuan ‘Ditën Botërore Pa Duhan’ në vitin 1987, për të tërhequr vëmendjen globale ndaj epidemisë së duhanit dhe vdekjeve dhe sëmundjeve të parandalueshme që ajo shkakton.

Në vitin 1987, Asambleja Botërore e Shëndetësisë miratoi Rezolutën WHA40.38, duke bërë thirrje që 7 Prilli 1988 të jetë një “ditë botërore kundër pirjes së duhanit”. Në vitin 1988, u miratua Rezoluta ËHA42.19, duke bërë thirrje për festimin e Ditës Botërore kundër Duhanit, çdo vit më 31 maj.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, pirja e duhanit është shkaktari kryesor i sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme, është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë.

Çdo vit në botë vdesin rreth 8 milion njerëz, si pasojë e tymosjes së duhanit, numër ky që bazuar në trendin aktual, pritet të dyfishohet gjatë 20 vjetëve të ardhshme. Çdo 6.5 sekonda në botë vdes një njeri nga dëmet që sjell tymosja e duhanit, sipas OBSh-së.

Duhanpirësit janë dyfish më të rrezikuar nga goditja në tru dhe katërfish nga sëmundjet e zemrës sesa jo- duhanpirësit.

Ata kanë deri në 22 herë më shumë gjasa të zhvillojnë kancer të mushkërive sesa jo-duhanpirësit.

Përdorimi i duhanit ndikon në ndotjen e ambientit dhe ka pasoja negative në shoqëri. Përdorimi i duhanit rrit shpenzimet familjare dhe ndikon në varfëri.

Sipas IKShPK-së, përfitimet e lënies së duhanit të mund të jenë të menjëhershme si:

Pas vetëm 20 minutash të lënies së duhanit, rrahjet e zemrës suaj normalizohen

Brenda 12 orësh, niveli i monoksidit të karbonit në gjakun tuaj bie në normale

Brenda 2-12 javësh, qarkullimi juaj përmirësohet dhe funksioni i mushkërive rritet

Brenda 1-9 muajve, kollitja dhe gulçimi zvogëlohen

Brenda 15 viteve, rreziku i paraqitjes së sëmundjes së zemrës është sa i një jo-duhanpirësi.

Brenda 5-15 viteve, rreziku i sulmit të zemrës zvogëlohet në atë të një jo-duhanpirësi.

Shanset që duhanpirësit ta lënë duhanin me sukses janë 84% më të mëdha, kur marrin këshillim intensiv nga mjeku. / KultPlus.com

Meksika ndalon pirjen e duhanit në vende publike

Meksika ka filluar të zbatojë një nga ligjet më të ashpra kundër duhanit, pasi parashikon ndalimin e plotë të pirjes së duhanit në vende publike.

Ky ligj, i cili u miratua për herë të parë në vitin 2021, përfshin edhe ndalimin e reklamimit të cigareve. Dhe kjo do të thotë që cigaret nuk duhet të shihen as nëpër dyqane.

Shumë vende të Amerikës Latine kanë miratuar legjislacionin që parashikon krijimin e hapësirave publike ku nuk lejohet pirja e duhanit.

Megjithatë, ligji në Meksikë konsiderohet ndër më të rreptat në botë.

Deri më tani, pirja e duhanit ka qenë e ndaluar në Meksikë në restorante dhe në vendet e punës, por tani ndalimi përfshin edhe parqet, plazhet, hotelet dhe zyrat.

Kjo do të thotë se pirja e duhanit mund të konsumohet vetëm në shtëpi dhe banesa private.

Organizata Amerikane e Shëndetësisë e ka mirëpritur këtë hap dhe ka përgëzuar qeverinë meksikane për zbatimin e ndalimit.

Kjo organizatë ka thënë se konsumimi i duhanit është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në botë.

Vapes dhe e-cigaret janë gjithashtu subjekt i kufizimeve të reja më të rrepta, veçanërisht në ambiente të mbyllura.

Organizata Panamerikane e Shëndetësisë e ka përshëndetur hapin dhe e ka duartrokitur Qeverinë meksikane për zbatimin e ndalimit.

Organizata ka thënë se përdorimi i duhanit është shkaku i vetëm më i parandalueshëm i vdekjeve në botë, përgjegjës për gati një milion vdekje në kontinentin amerikan çdo vit, qoftë nëpërmjet konsumimit të drejtpërdrejtë ose ekspozimit ndaj tymit të dorës së dytë.

Megjithatë, disa duhanpirës janë të tmerruar nga natyra drakoniane e ligjit të ri, raporton BBC.

Me korrupsionin policor kaq të shfrenuar në Meksikë, shumë qyetetarë kanë frikë se në vend që të shqiptojnë gjoba apo ndëshkime të tjera për pirjen e duhanit në publik, disa oficerë do ta përdorin atë si një justifikim për të marrë ryshfet. /KultPlus.com

‘Duhanin e konsumojnë burrat, por e përgatisin fëmijët’

Duhani, ky zakon burrash!

Nuk dimë se kur u kthye në simbol viriliteti duhanpirja. Mirëpo, mes atyre pak fotografive që zotëron Fototeka e Arkivit Qendror Shtetëror shohim se duhanin e konsumojnë burrat, por e përgatisin fëmijët. Në fotografitë që prezantojmë duken qartë djem apo vajza në moshë të njomë që mbushin paketat me cigare. E para prej fotografive vjen nga viti i largët 1926 dhe paraqet punishten e cigareve “Taraboshi” në Shkodër. Fotografia e dytë vjen nga punishtja e cigareve ndërtuar prej shoqërisë “Stamles” në Durrës. Kurse e treta është punishtja e cigareve “17 Nëntori” në Tiranën e pas Luftës II Botërore. Aroma e duhanit mund të mos jetë fort romantike, por këto fotografi bardhë e zi sigurisht që po.

Foto: AQSh./ KultPlus.com

Anglia, vendi i parë në botë që ndalon pirjen e duhanit në ambiente të jashtme

Oxfordshire po punon për t’u bërë një zonë krejtësisht pa duhan. Vendi po planifikon të ndalojë pirjen e duhanit edhe në ambiente të jashtme deri në vitin 2025. Nëse gjërat shkojnë sipas planit, Oxfordshire do të bëhet vendi i parë në Angli, por edhe në Evropë, që bën diçka të tillë.

Aktualisht, sipas Oxford Mail, 12% e popullsisë së Oksfordit pinë duhan. Por numri i duhanpirësve aktivë duhet të bierë në një kuotë 5% ose më pak, në mënyrë që të arrihet qëllimi për një vend pa duhan.

Rreth 7 milionë njerëz janë identifikuar si duhanpirës në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019, ndërsa statistikat e fundit tregojnë se mbi 1 milion njerëz e kanë lënë duhanin që nga goditja e pandemisë së koronavirusit. Shkak për këtë mund të jetë bërë paralajmërimi i mjekëve se duhanpirësit mund të jenë më të rrezikuar nga shfaqja e simptomave të rënda të COVID-19.

Sipas NHS, pirja e duhanit është një nga shkaqet më të mëdha të vdekjeve dhe sëmundjeve në Mbretërinë e Bashkuar. Pirja e duhanit pasiv (frymëmarrja në në një ambient ku dikush tjetër pi cigare) gjithashtu rrit faktorin e rrezikut për të njëjtat probleme shëndetësore si duhanpirësit. / KultPlus.com