Artistë nga Kosova dhe Bujanovci bashkojnë artin e tyre në ekspozitën kolektive të organizuar nga ‘Artkos22’

Të shtunën në Prishtinë u mbajt ekspozita kolektive organizuar nga ‘Artkos22’. Pikturat e pesë artistëve nga Kosova dhe Bujanoci kishin zënë vend në hapësirat e lokalit ‘Memories Lounge Bar’ në Prishtinë, përcjell KultPlus.

Kati i dytë i këtij lokali kishte marrë pamjen e një galerie që paraqiste nivele të ndryshme dhe stile të ndryshme të artit që artistët Xhevdet Dula, Rexhep Buçinca, Shkurte Ramushi, Leoneta Abdyli, Djellza Zymberaj dhe MArigona Osmanollaj – Qenaj, kishin krijuar me talentin dhe punën e tyre, përcjell KultPlus.

Durim Asllani i cili është drejtor i platformës dhe organizues i ekspozitës tha për KultPlus se kjo ekspozitë erdhi në Prishtinë si financim nga Komuna e Prishtinës.

“Është një përmbledhje e punimeve të pesë artistëve. Ekspozita do të jetë e hapur nga ora 10:00 – 15:00 për vizitorët, ku ekziston edhe mundësia e blerjes së pikturave. Përzgjedhja e artistëve ka qenë përmes shpalljes, mirëpo prioritet kanë pasur artistët me të cilët kanë pasur bashkëpunim më herët.”, u shpreh Asllani.

Ndërkaq Yll Maloku, pronar në Pika Qëndisje, e që është edhe sponsor gjeneral i platformës ‘Artkos22’ thotë së janë marrë me këtë ekspozitë që nga fillimi dhe në të njëjtën kohë kanë kontribuar edhe në promovimin e platformës online.

Po ashtu ‘Pika Qëndisje’ ishte e pranishme edhe në këtë ekspozitë ku prezantoi produktet e tyre kryesisht të veshmbathjeve të cilat ata i bëjnë me emblema të ndryshme të qëndisura.

“ ‘Pika qëndisje’ ka bërë edhe produktet e saj, e që i kemi sjellë në këtë ekspozitë si pjesë e artit, sepse secila prej tyre është më unike prej tjerave, janë dizajne të cilat ne i kemi qëndisur.”, tha Maloku për KultPlus.

Po ashtu, në hapjen e kësaj ekspozite një-ditore foli edhe një nga artistët. Marigona Osmanollaj – Qenaj tha se u bë pjesë e kësaj ekspozite për të paraqitur për të tjerët artin e saj, punën që ajo e bën tash e tri vite.

 Në disa nga pikturat e saj vërejmë motive kombëtare siç janë veshjet tradicionale te Hasit, e për të cilat ajo thotë se ka dashur të shprehë ato që vendi i saj prezanton.

“Unë jam nga Hasi i Prizrenit, fshati Gjonaj edhe sigurisht që mbresat e mia janë që me i tregu të tjerëve prejardhjen dhe ato që më pëlqejnë më shumë nga fshati im.”, tha Osmanollaj-Qenaj.

Ju kujtojmë që platforma Artkos22 është platformë e inicuar nga Durim Asllani dhe e sponzorizuar nga Ministria e Kultures, Rinisë, dhe Sportit.

Qëllimi i platformës, është promovimi i artit tek dashamirët e artit dhe kritikët, si dhe promovimi përtej kufijëve më qëllim të tregëtimit të artit. Planifikimi 5 vjeçar përfshin arritjen e klientelës serioze, bashkëpunimin me qytetin e New York-t edhe zyrtarisht, Parisin, dhe Berlinin, hapësirën ekspozuese, dhe mbajtjen e ankandeve brenda dhe jashtë Kosovës./KultPlus.com